Nador Bakalli/
Lëvizja ka ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet në veri të Kosovës pas vendimit të qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit në aspekte të caktuara të marrëdhënieve dy-palëshe me Serbinë.
Gjejmë rastin të shprehim haptazi përkrahjen tonë për nismën e qeverisë së Kosovës.
Është tashmë e qartë se interesat shqiptare në rajon bien ndesh me politikat serbe dhe se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mundet vetëm të ravijëzohen brenda kornizave të reciprocitetit midis dy shteteve të pavarura, siç janë Kosova dhe Serbia.
Për të disatën herë, i kërkojmë Qeverisë së Shqipërisë që të ndërpresë urgjentisht çdo diskutim me Serbinë në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur” apo çdo nismë tjetër të cilën Kosova nuk e aprovon. Flirtimi me Serbinë dhe marrëveshjet me karakter të paqartë apo që shkaktojnë ndasi mbi faktorin shqiptar në rajon janë një njollë turpi e rëndë për të cilën do të mbahet mend Qeveria dhe Kryeministri Rama.
Nëse Qeveria nuk heq dorë nga paudhësia e Ballkanit të Hapur apo nga ulja në tryeza të dyshimta me Serbinë dhe palë të treta, pas krahëve të Kosovës, Lëvizja:
1. Do të ndërmarrë në vjeshtë një fushatë masive në Diasporë për denoncimin dhe demaskimin e veprimeve të Qeverisë si thellësisht anti-shqiptare dhe me nuanca tradhëtie në drejtim të Kosovës.
2. Në funksion të sa më sipër, do të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me grupime politike apo të shoqërisë civile me karakter opozitar, në funksion të shpëtimit të Shqipërisë nga kthetrat e një qeverie de fakto anti-shqiptare, e cila e ka zhytur vendin përditë e më thellë në zonat e turpit të raporteve dhe indekseve më serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.
3. Nëse lind nevoja, si shqiptarë, do t’i gjendemi pranë Kosovës me çdo mjet dhe formë, pa droje!
Kosova na jep nder!
Kryesia e Diaspora për Shqipërinë e Lirë!