Behar Gjoka/
Vargu fillimtar dhe grishës i poemës Këngët e Milosaos: Erdhi Dita e Arbrit!, një klithmë emblematike e pazakontë atdhesie, e shqiptuar hapur poetikisht, përpos të tjerash, bart dëshminë e dyfishtë:
A – Të përlindjes së kombit të moçëm, të botës arbnore, të përndarë dhe dhunuar gjer në shkreti, veçmas në shekujt e mënxyrës osmane, që ngërthen dhe merr vlerë, si dhe një shenjëzim fatidik, të mbijetesës së qenies shqiptare, mbi të gjitha të ringjalljes së saj, gati-gati prej hirit dhe pluhurit të zhbërjes.
B – Të hullisë letrare, unike dhe domethënëse, pothuajse të përputhur me lavrimin e letërsisë së përbotshme, ndonëse në këtë poemë, ashtu si në të gjithë veprën letrare dhe publicistike, gjuhësore dhe estetike, të këtij mjeshtri të fjalës shqipe (saktësisht arbërishtes), brendashkruhet një diskurs i përçimit dhe ndërthurjes së shenjave të përsosjes klasike, të dritëzimit iluminues, që përkon me kulmet e të mbërrimeve të letërsisë frënge, si dhe të një aspirate të mirëfilltë ëndërrore, thelbësisht romantike, si ëndërr parake, e cila në letërsinë shqipe zë fill dhe kulmohet me poezinë e De Radës, sidomos me poemën Këngët e Milosaos.
Thirrja e jashtëzakonshme drithëruese, Erdhi Dita e Arbrit!, krahas patetikës së hapur atdhetare, të tharmit ëndërror romantik, në fakt qartësisht shënon një gur kilometrik të ndritshëm, të vetë idesë së identifikimit të qenies sonë, e po kaq të ringjalljes së kombit të drobitur dhe dhunuar gjer në shfarosje nëpër shtjellat e histories, që ia kafshuan trojet pa grimën e mëshirës. Moti 1836, koha kur klithma kozmike për fatin e kombit, Erdhi Dita e Arbrit, e shqiptuar në materien e poemës Këngët e Milosaos, nxjerrë më në pah këtë shestim dhe aspiratë autoriale, që e përlind nga hiri atdheun e mbytur në ethet e pushtimit. Pas një nate të gjatë, terri dhe vuajtjesh kaqshekullore, nën sundimin osman, prej vokacionit të ngritur emocional të poetit, vjen si një ogur shpëtimtar, lajmi i përtrimjes së shumëfishtë, të Arbrit.
Në këtë, ëndërrim mjegullaze, poetike dhe tejet shpresëdhënës, ndërkohë që janë kapërthyer moria e shenjëzimeve ekzistenciale të qenies shqiptare, po kaq të vetë letrares, e cila buron prej kësaj ripërtritje të dyzuar dhe përlindëse, tepër jetike. Është Moti i madh, që kush tjetër më shumë se sa arbëreshët, e kanë të gdhendur në kujtesë, bashkë me mallin dhe këngët e qëndresës sa asaj epoke, që përbën vatrën zanafillore të idesë dhe veprës letrare, në kuptimin më të gjerë, e veçanërisht në poemën Këngët e Milosaos. Simbolika e Motit të madh, harku i lavdisë dhe qëndresës shqiptare, madje me të gjitha atributet e veta, përçohet në fytyrën e kryetrimit të asaj epoke, tashmë e fytyrëzuar deri në skalitje, si një ëndërr frymëdhënëse, në kreatyrën e Gjergj Kastriot Scanderbegut. Ngjarjet e poemës (që madje bart edhe tipologjinë e romanit në vargje), fragmentare dhe të grimcuar, janë vendosur në Shkodër, djepi i kulturës dhe qëndresës arbnore atëbotë dhe më parë, e cila pasi zëmbrapsi disa rrethime, të gjata dhe të vështira, më në fund në vjetin 1478, bie në duart e otomanëve. Shkodra është fortesa e mbrame e Motit të madh, e epokës së ndritur, që e lidhi qenien iliro-arbnore përfundimisht me qytetërimin perëndimor. Sfondi historik, megjithatë thelbësisht imagjinar, pra një shenjëzim letrar i pazakontë, ndërkaq është dekori më i bukur, me gjasë edhe më i plotë, i ndjenjës së hollë, të dashurisë së Milosaos dhe Rinës, të cilët në emër të atdheut të Arbrit, pas disa lëkundjesh dhe mëdyshjesh, krejtësisht njerëzore, e sakrifikojnë ndjenjën e përvëlimit dashuror për atdhedashurinë, si një plasim ideal romantik. Në letrat shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësnore, vështirë të gjesh një vepër të dytë poetike, sa poema madhore Këngët e Milosaos, që të ketë vënë në ekulibër të jashtëzakonshëm, indentitetin arbnor me vlerën estetike, atdheun dhe ndjenjën e brishtë të dashurisë, domethënien me shprehësinë letrare, nga më të fuqishmet në letrat shqipe. Nëse thënia, mesazhet e larta, që përfton poema, në materien letrare, ka të bëjë drejtpërdrejtë me aktin e përlindjes kombëtare, madje tërësia e veprës, kumbon si një lajmëtar i Rilindjes Kombëtare, i lëvizjes që prej hiçit, me gjasë hirit që pati fshehur ekzistencën e arbrit, e rilindi kombin e shqipeve. Nga ana tjetër, vargjet e poemës së De Radës, janë të një rëndësie parake dhe jetike, për lavrimin letrar në gjuhën shqipe, ndërkaq janë edhe shenjat e shumëfishta etike dhe estetike të kësaj vepre.
Poema Këngët e Milosaos, teksti i parë shkrimor i autorit, botuar në motin 1836, pra kur ka qenë vetëm 22 vjeçar, në kuptimin letrar, rrok në hapësirat e veta, vlera letrare të njëmendta:
– Rifunskionalizon komunikimin me letërsinë dhe kuluturën perëndimore, si urë ndërlidhëse me të, aspiratë të cilën e kishin zënë fill, madje me shenja letrare, kulturore, leksikografike dhe historike, autorët e letërsisë së hershme shqipe, Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani dhe Kazazi.
– Vlerat e shumta letrare në hapësirat e tekstit të poemës Këngët e Milosaos, formësojnë dhe shqiptojnë estetiken si vlerë shpirtërore unike, gjë që në studimet letrare të shqipes, akademike dhe mësimdhënëse, më tepër emërtohet si një shpikje, (sikur me të zë fill letërsia e mirëfilltë, sikur paska edhe një letërsi jo të mirëfilltë), si një konceptim paragjykues mbi shenjat letrare të letërsisë së hershme, të shekujve XVI-XVII, sidomos të poezisë dhe prozës së Budit dhe Bogdanit, e cila është lexuar dhe mjerisht edhe tani, vijon të rilexohet si fetare ose antifetare, si e përshtatur apo e përkthyer.
– Teksti poetik Këngët e Milosaos, përpos vlerave të tjera, thënëse dhe arthënëse, është modeli ma i përsosur i romantizmit shqiptar, njëherit është vepra letrare më e arrirë, që madje pikëpërputhet në shumicën e treguesve me veprat romantike europiane, gjë që përtheksohet me se njëherë edhe nga lëvrues të romantizmit europian, që nga Hygoi, Lamartini etj. , duke tentuar kështu që ligjërimin letrar në gjuhën shqipe, ta vërë në koherencë me letërsinë e përbotshme.
– Tipologjia shkrimore e këtij teksti, për autorin dhe studimet letrare, shenjon një lloji letrar të dyfishtë, edhe një poemë liriko-epike, nga më të rrallat në letërsinë shqipe, po kaq edhe një model të shkrimit të romanit në vargje, çka ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare, si një shqyrtim dhe përcaktim i studimeve letrare, shqipe dhe më gjerë.
Vargu, Erdhi Dita e Arbrit, që pamëdyshje përfaqëson referencën më të ngritur etike dhe estetike, përlindëse e kombit dhe qenies shqiptare, e tekstit të poemës Këngët e Milosaos, sikur e rilndi Arbërinë, dherin e shqiptarëve, po kaq e ndërfuti letërsinë shqipe në shtjellat e ligjërimit, pothujase të njëkohshëm me letërsinë perëndimore.