U PËRKUJTUA NË NJU JORK 42 VJETORI I NDARJES NGA JETA I QËNDRESTARIT TË 7 PRILLIT, GJENERAL ABAZ KUPI/
-Z. Dritan Mishto, Kryetari i Vatrës: Ashtu siç veproi gjatë të gjithë jetës Abaz Kupi, ne duhet të shohim përtej ndarjeve politike përballë rrezikut që i kanoset Shqipërisë. Të gjithë duhet të bashkohemi për të kryer detyrën tonë si shqiptaro-amerikanë para Kombit.
Në mesditën e së shtunën, 13 Janar 2018, në mjediset e varrezave Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens, Queens, New York, nën moderimin e nënkryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit në SHBA, z. Ahmet Hoti, është organizua veprimtaria përkujtimore kushtuar 42 vjetorit të vdekjes së heroit të rezistencës antifashiste, gjeneral Abaz Kupi.
Fillimisht janë përcjellë Hymnet Kombëtare të Shqipërisë dhe Amerikës. Me një minut heshje janë nderuar dëshmorët e Kombit dhe heroi i 7 prillit, Abaz Kupi. Po ashtu janë nderuar legalistët që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2017.
Fjalimin e rastit e ka mbajtë nënkryetari i Leglalistëve të Amerikës, z.Ahmet Hoti.
-Nuk ka gjë më të mirë se sa të përkujtosh dhe nderosh jetën dhe bëmat e Abaz Kupit në këto ditë vetingu nëpër të cilat po kalon rraca shqiptare, veting që vjen si pasojë e ideologjisë çoroditëse, – luftën ndaj së cilës,Abaz Kupi ia përkushtoi jetën dhe flijoi familjen.
Më pas z. Hoti ka spjeguar thelbin e filozofisë së Zogizmit- Shtetformimin.
-Zogizmi, tha z. Hoti, si thelb të filozofisëj ka shtetformimin. Kriteri i vetëm që kjo filozofi përdori për të mbledhë njerëzit rreth saj ishte kontribut i gjithanshëm në këtë shtetformim. Po të analizojmë përbërjen njerëzore të kësaj filozofie aty gjejmë Shqipërinë e vërtetë.
Për Hotin, Zogizmi është gjithëpërfshirës dhe bashkon njerëz produktdhënës në shtetformim. Në këtë filozofi e gjeti veten Abaz Kupi. Pjesmarrja në xhandarmarinë e famshme shqiptare, që karakterizohej nga besnikëria e lartë ndaj shtetit, ia rriti atij reputacionin në shkallë vendi. Ai kontribuoi me pushkë në dorë për shkatërrimin pa mëshirë të lëvizjeve të Shalës, Mirditës, Delvinës dhe Fierit, të cilat janë të mirëdokumentuara si lëvizje të frymëzuara nga shtete keqdashse ndaj Shqipnise për kohën. Habiten njerëzit, komentoi Hoti, se si ia arriti Ahmet Zogu, që bëri të dështonin të gjitha këto lëvizje antishtet,të 1926-ës, të 27-ës, 35-ës e 36-ës, kurse shtetarët e Shqipërisë së 1997-ës, me gjithë atë ushtri e armatim, nuk arriten që tu tregonin vendin bandave të Vlorës, apo ë qyteteve të tjera të rebeluara ndaj shtetit.
Për Hotin, përgjigjja është e thjeshtë:Janë këta burra si Abaz Kupi, që i munguan dhe vazhdojne t’i mungojnë shtetit shqiptar.
Më pas nënkryetari i Legalistëve u ndal në organizimin e qëndresës antifashiste dhe spjegoi se përse Mbreti Zog ia besoi atë Majorit të Xhandarmërisë dhe jo ushtrisë, duke iu referuar edhe kujtimeve të Kolonel Hysen Selmanit.
-Jo se Mbreti Zog nuk kishte ushtrinë me vete, tha Hoti,por se për faqe të zezë të disa oficerëve, ashtu si dhe shumë të tjerëve, që hëngrën bukën e turpit mbas 7 prillit të 1939, që pranonin më mirë si Mbret të Shqipërisë të kishin Viktor Emanuelin e Italisë se sa Ahmet Zogun e Burgajetit.
Më pas Hoti ka folë për kontributin që dha Abaz Kupi pas luftës duke vazhduar qëndresën në mërgim dhe pasojat që ranë mbi familjen kupi, e cila kaloi përmes një kalvari të gjatë vuatjtjesh burgjeve dhe kampeve të internimit.
Që nga 7 prilli 1939, racizmi fashist dhe ai komunist, pa dallim e verbërisht, nuk iu ndane familjes Kupi, sepse baba dhe gjyshi i tyre deshi qe Shqipëria të rreshtohej nga Aleatët, sepse baba dhe gjyshi i tyre deshën Shqipërinë Etnike, sepse baba dhe gjyshi i tyre ishin besnik të Mbretit të Shqiptarëve, besnik të Shqipërisë.
Në përfundim Hoti tha: Duke iu lut Zotit që t’ia shpërblejë vuajtjet dhe sakrificat atij dhe familjes, uroj që Shqipëria dhe shqiptarët ta vënë në piedestalin më të larltë të heronjve, Robin Hudin shqiptar, gjeneral Abaz Kupin.
Z. Hoti ka ftuar në foltore kryetarin e Vatrës. Z. Dritan Mishto, i cili tha:
Në emër të Federatës Vatra ju përshëndes dhe përulem me respekt para heroit dhe para Jush. Ju përgëzoj për punën që bëni për t’i sjellë në kujtesë komunitetit shqiptar të Amerikës figura të tilla gjigande të Kombit tonë, si kjo e heroit të 7 Prillit, Gjeneral Abaz Kupit. Unë nuk do të flas për historinë që mbart kjo figurë e Historisë Kombëtare, pasi kjo u takon historianëve, por do të doja që t’ju pyesja ju se si do ta shihte Abaz Kupi Shqipërinë e sotme, tha z.MIshto.
Fatkeqsisht, sot e drjetojnë Shqipërinë po ata që kanë qenë përballë Abaz Kupit, janë ata që i kanë sjellë aq shumë dëme ndër dekada Kombit, janë po ata që sot po e shkatërrojnë dhe kriminalizojnë Shqipërinë. Ne duhet që të bashkohemi dhe të gjejmë forcën dhe kurajon që gjeti Abaz Kupi, kur organizoi qëndresën kundër pushtuesëve fashistë.Natyrisht një luftëtar si Abaz Kupi e dinte mirë se kush do të ishte fundi i rezistencës me 7 prill, por ai luftoi dhe qëndroi fort derisa mundi. Ndaj edhe ne duhet të ngrihemi,të bashkohemi dhe të punojmë më mirë, më fort, që të shmangim dëmet që po i bëjnë Shqipërisë antishqiptarët. Fashizmi, nazizmi, komuizmi, sot janë konvertuar dhe po kriminalizojnë Shqipërinë, po helmojnë rininë me drogë, dhe kanë kthyer Shqipërinë tonë në qendër prodhimi e trafiku ndërkombëtar. Ne, ashtu siç veproi gjatë të gjithë jetës Abaz Kupi, duhet të shohim përtej ndarjeve politike përballë rrezikut që i kanoset Shqipërisë. Të gjithë duhet të bashkohemi për të kryer detyrën tonë si shqiptaro-amerikanë para Kombit.
Unë jam sot këtu mes jush, ka vijuar Mishto, edhe për një arsye tjetër;-Legalistët, në momente kyçe të historisë së Vatrës, kanë mbështetë Federatën, duke u bërë pjesë e saj. Kur Vatra ishte mes dy zjarresh, Tiranës dhe Beogradit komunist, Legalistët i dhanë shpirtin nacionalist Vatrës. Dua ta kujtoj, tha kryetari I Vatrës, si moment reflektimi këtë kontribut që Legalistët kanë dhënë dhe japin për Vatrën.Natyrisht një nga ata që i dhanë mbështetje e shpirt Vatrës, ishte dhe Abaz Kupi.
Së fundi desha të sjell para jush edhe një moment tjetër, tha Mishto; Federata Vatra ka shpalosur para disa ditësh Strategjinë e re të vlerësimit të marrdhënieve Shqiptaro-Amerikane. Natyrisht vatranët, Legalistët, i gjithë komuniteti, kanë punuar për forcimin e marrdhënieve mes Amerikës dhe Shqipërisë. Ne sollëm në Vatër ish ambasadorin amerikan në Shqipëri në kohën e Mbretërisë Shqiptare, Herman Berstein. Ai u soll nga studiuesi, diplomati i njohur Mal Berisha me një aktualitet mahnitës.Po ashtu ne vlerësuam shtetin modern që ngriti Mbreti Zog dhe vlerësimin e kësaj figure përmes ambasadorit Bernstein. Po ashtu, përmes kësaj figure ne vlerësuam dhe vetë ambasadorin Amerikan, i cili është një model se si duhet të lidhet me popullin ku shërben një ambasador.
Përfitoj nga rasti, përfundoi kryetari i Vatrës, që të apeloj që figura të tilla duhet t’i bëjmë të njohura tek brezi i ri.
Ish nënkryetari i Vatrës z. Asllan Bushati, ka folë për figurën e Abaz Kupit si ushtarak i sukseshëm, por i lënë në harresë nga historiografia komuniste. Ai solli në kujtesë luftimet e Abaz Kupit dhe pasuesëve të tij gjatë pushtimit të vendit. Z. Bushati vlerësoi Abaz Kupin edhe për kontributin që dha për bashkimin e Shqiptarëve deri në momentin, kur e pa hapur se Partia Komuniste ishte kundër interesave kombëtare dhe urdhërohej prej jugosllavëve, duke vënë peng Kosovën. Ai tha se pa Abaz Kupin, do të ishte në pikëpyteje bashkimi I nacionalistëve në Konferencën e Pezës, apo Mukja etj. Ai bëri apel tek komuniteti që ti bëjë presion qeverisë shqiptare që eshtrat e heroit të 7 Prillit të dërgohen në varrezat e Kombit, ku e kanë vendin heronjt.
Në emër të familjes Kupi, ka falenderuar nipi i Abaz Kupit, Sokol Fatbardh Kupi.
Familja ka shtruar një koktejl për të pranishmit.
Një grup prej pjesmarrsëve kanë shkuar dhe kanë vendosë lule tek varri i heroit.
*Për më shumë fotografie shkoni në Facebook