“Kush nuk është i verbër s’mundet të mohojë që sot për sot shumë Shqiptarëve u digjet zemra për përparimin e Atdheut.“-Konica/
Opinion nga Agim Xh. Dëshnica- Boston/
Në shtator 2016, në gazetën Dielli është botuar një shkrim përkujtimor me titull “DHE DY ENIGMA: FAIK KONICA ANARKIST REVOLUCIONAR DHE TESTAMENTI”. Autori Fotaq Andrea, njihet me krijimet e veta letrare dhe sidomos me përkthime nga letërsia franceze,Nëshkrimin e ri, nga dy enigmat, e para, është zgjidhur nga vepra prej atdhetari,e Faik Konicës, e dyta, është një sajim tashmë i njohur gazetarësh . Pra, këto dy të panjohura s’kanë qenë as janë më të tilla. z.Andrea, kureshtar për jetën e Konicës shton dhe një enigmë të tretë që ka të bëjë me jetën intime të Konicës. që s’është objekt i temave që trajtohen, për figurat e shquara të historisë e kulturën sonë kombëtare. Jeta intime e Konicës i takont vetëm atij. Pra, autori duke gjurmuar Konicënnë shtigjet e mjegulluar të rinisë, zhvillon temën -anarkiste revolucionar- e vështirë për lexuesin e gjerë, dhe zgjon padashur nga gjumi letargjik një varg falsifikatorësh të historisë dhenxënësit e tyre me fjalorë robotësh. Në një kohë, kur diktatura po rrokullisej drejt honit, disa kritizerë vogëlanë me grada shkencore, morën përsipër të shkonin më larg. Në librin „Historia e Shqipërisë“, vëllimi II 1984, shtrembërimi i historisë kaloi çdo kufi, me përcaktime si këto:„përfaqësuesit e rrymës reformiste të lidhur me regjimin e sulltanit synonin të kufizonin Lëvizjen kombëtare vetëm me disa kërkesa kulturore dhe ekonomike. Shprehëse e ideve dhe programi i kësaj rryme ishte revista Albania e Konicës“. Po kush ishin këta „përfaqësues?“ Në revistën Albania Konica mblodhi rreth vetes poetë e shkrimtarë të talentuar, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Çajupi, Fan S. Noli, Asdreni e Filip Shiroka, të njohur në histori si patriotë të lirisë e pavarësisë së atdheut. Kurse në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare,“ gjenden këto rradhë me shpifje e fyerje: „Faik Konica (1875-1942). Bir i një familjeje të vjetër bejlerësh, kryesisht publicist, ai nisi veprimtarinë letrare me botimin e revistës “Albania” (Bruksel 1897) dhe drejtoi për disa kohë gazetën “Dielli” të emigracionit shqiptar në SHBA, ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës. Që në vitin e saj të parë, “Albania” u vu në shërbim të politikës austo-hungareze ndaj Shqipërisë. Politikan i paskrupull, Konica ishte i paqendrueshëm, brutal e agresiv tërë jetën, duke sulmuar me një rast e me një tjetër shumë patriotë përparimtarë, duke u orvatur të diskretitonte qeverinë e parë të Ismail Qemalit, apo të godiste Kongresin e Lushnjës. Pas kundërrevolucionit të vitit 1924, ai u lidh me regjimin e Zogut, u përpoq të dëmtonte pabesisht Nolin me polemika e kërcënimet, apo të përçmonte veprën e Naimit. Shpesh ai paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcën popullore e përparimtare, duke mbrojtur, nga ana tjetër, që në krye të herës, tezën se vetëm paria aristokrate ishte në gjendje të udhëhiqte Shqipërinë, Këto të tëra, të veshura me një petk oksidentalizmi.“ Megjithatë gjithë kjo tymnajë nuk mundi kurrë të mbulonte një nga yjet e botës kulturore e letrare shqiptare, Faik Konicën. Edhe pas vitit 1990, në librat „Historia e Popullit Shqiptar“-III dhe „Fjalori Enciklopedik Shqiptar“, jeta e vepra e Konicës e rindërtuar po prej atyre duarve, trajtohet e vagët, kryesisisht nga ana kulturore e letrare: „shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, njëri ndër personalitetet më në zë të kulturës e letërsisë shqiptare.“
Po ç’thotë jeta dhe vepra e Konicës?
Lindja dhe shkollimi.
Lindja e Faik Konicës më 15 mars 1875, në një familje fisnike shqiptare në Konicë, vendbanim i hershëm shqiptar, pa asnjë dyshim ndikoi në edukimin e shtegtimin e tij patriotik, arsimor e kulturor. Mësimet e para i mori në vendlindje, mësimet e mesme në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër e në Liceun Perandorak francez të Gallatës në Stamboll dhe i përfundoi në Francë. Pas tyre ndoqi studimet e larta për filozofi në Dizhon e Paris, Atje, në disa konkurse për hirë të aftësive intelektuale, u nderua me çmime të para. Mandej la Europën e udhëtoi për në Amrikë. Më 1912, u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit.
Veprimtaria atdhetare.
Historia e vërtetë për Faik Konicën rendit një varg vlerash: atdhetar i madh, politikan, drejtues i lëvizjes patriotike dhe diplomat. Mbi të gjitha ai njihet, si veprimtar në shërbim të kombit, me kryeveprën e vet, revistën Albania, në Bruksel e Londër dhe lidhjet e pandërprera me atdhetarët e mëdhej të Rilindjes Kombëtare, me letra dhe në kuvende. Përgjigjen më të gjetur ndaj shpifjeve për dashurinë e madhe ndaj bejlerëve turkoshakë, e jep Konica vet me vjershën e njohur satirike, Anadollaku në mësallë dhe thëniet filozofike të shpërndara në gazeta, revista e librat e veta. Konica aq sa qe i rreptë ndaj „festellinjëve“, që humbisnin kohën larg lëvizjes për pavarësi, po aq urtë shtronte çështjen e pavarësisë, teksa shkruante:“Vërtet Shqiptarët sot për sot zunë të kenë një dëshirë të pambajtur për gjuhën t’onë; vërtet ata më të ftohtët zunë të kuptojnë se është nevojë t’i fryjmë gjallim kombit; vërtet dalin libra e të përkohëshme, në të cilat kombi mori shije e pa të cilat nuk jeton dot pas sodit; vërtet, me një fjalë, punët ndryshuan në ca vjet e sipër, e kush nuk është i verbër s’mundet të mohojë që sot për sot shumë Shqiptarëve u digjet zemra për përparimin e Atdheut. Po, me gjith këto, nuk kemi lumtimin të shohim një bashkim të vërtete e të fortë.“ Hasan Kaleshi, një nga studiuesit seriozë të veprës së Konicës, rreth zhurmës akademike në lidhje me qendrimiin ndaj Austrisë, shkruan: „Edhe sikur kjo pasqyrë e (Konicës) të na dilte me disa njolla, madje edhe krejt negative ashtu sikurse duan ta paraqitin dogmatikët e Shqipërisë dhe mjerisht, nën ndikimin e tyre, edhe disa në Kosovë, prapë se prapë nuk do të kishte të drejtë askush që ta hjekim Konicën nga lëvizja jonë kombëtare, nga historia e jonë e kulturës dhe e letërsisë. Sepse, duke e hjekur nga këto, ne s’bëjmë gjë tjetër veçse varfërojmë kulturën tonë edhe jo aq të pasur dhe si pasojë varfërojmë edhe vetveten.“ Gjithashtu edhe dijetari i njohur Namik Resuli duke mbrojtur Konicën shpjegon, se „Austria i ka mbrojtur gjithmonë shqiptarët, ndryshe sllavët dhe grekët do ta merrnin zvarrë Shqipërinë.“ Në një prej librave të publicistit nga Kosova, Bejtullah Destanit, botohet një shkrim i vitit 1912, i poetit të shquar francez Guillaume Apollinaire, i njohur me Konicën më 1903, në Londër. Ndër të tjera ai shkruan: „një nga njerëzit që kam takuar e kujtoj me nderim të veçantë, Faik Bej Konica, është një nga më të pazakontët.“ Apollinaire, na bën të ditur se gjatë studimeve në Francë, Konicën e mundonte malli për atdheun e vet, Shqipërinë. I kthyer në Turqi ai kishte marrë pjesë në një lëvizje të fshehtë kundër Sulltanit. U dënua në mungesë, dy herë me vdekje. Më tej poeti francez tregon një ndodhi rreth Konicës e revistës Albania në Bruksel: „Një ditë ai tërhoqi vemendjen e një polici. Ai e pyeti:-‚Nga ç‘vend jeni?‘–‚Jam nga Albania.‘-‚Ku banoni?‘–‚Në rrugën Albania.‘-‚Me ç’punë merreni?‘-‚Punoj në Albania.‘-‚Mos doni të talleni me mua?‘, u përgjigj polici, e kështu patrioti shqiptar e kaloi natën në një nga stacionet e policisë.“
Faik Konica më 14 prill 1912 merr pjesë në themelimin e Federatës Panshqiptare Vatra në Boston dhe zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Më 1913 Fan Noli e Faik Konica, përfaqësuan Federatën Vatra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Po atë vit në Kongresin e shqiptarëve në Trieste, të mbledhur për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut, Konica zgjidhet kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai kreu shërbime diplomatike për Shqipërinë, në Austri, Zvicër, Itali etj. Më 1921 i kthyer në Boston, zgjidhet kryetar i Federatës Vatra. Me anën e gazetave Dielli dhe Shqiptari i Amerikës. përkrahu zhvillimet demokratike në Shqipëri. Kështu, në gazetën Dielli 22 janar 1922, Faik Konica shkruan:”Fan Noli do t’i bënte shërbimin më të madh Shqipërisë, sikur të ish i zoti të klliste pakë frymë regulle, drejtësie dhe bindjeje në mes t’asaj turme të dehur e cila vë në rrezik një popull të pafajshëm, të shënuar nga dora e fatit për një vdekje t’afërme dhe të turpshme.” NdërsaNoli i ngritur në mbrojtje të Konicës në Parlamentin e vitit 1923, u shpreh:”Faiku është krylëronjësi i gjuhes sonë, është zbulonjësi i flamurit tonë të harruar, është kryekalëronjësi i lirisë dhe independences kombëtare, dhe ne të gjithë s’jemi veç dishepujt e tij. Historia e paanshme s’munt ta mohojë këtë gjë, as s’munt të mohojë që i ka falur çështjes tërë rininë e tërë mendjen këtu e njëzetë e shtatë vjet me radhë pa reshtur.”
Faik Konica gjatë qeverive të viteve 20-40, vijoi t’i shërbente Shqipërisë, me detyrën e konsullit, pastaj të ministrit fuqiplotë në Uashington deri në fund të jetës më 15 dhjetor 1942. Letrat në fillim të Luftës së Dytë Botërore me Mbretin Zog, ministrat apo sekretarët e tij në Londër, me Fan Nolin në Boston dhe Departmentin e Shtetit në Uashington, dëshmojnë për shqetësimin e tij të madh për fatin e atdheut të pushtuar.
Veprimtaria kulturore e letrare.
Komentuesit e majtë në Shqipëri, sipas zakonit të vjetër thonë, se Faik Konica krijoi pak ose disa shkrime i la të papërfunduar. Përkundrazi! Gjithë ajo veprimtari e gjerë në Shqipëri, Europë e Amerikë, ligjëratat, shkrimet pa mbarim në gazeta e revista, qindra letra e dokumente në arkivat e Uashingtonit, dëshmojnë krejt ndryshe.Faik Konica përmendet në historinë e vërtetë të kulturës sonë kombëtare,si krijues i prozës moderne, shkrimtar i talentuar e poet me ndiesi të veçanta, eseist i rallë, themelues i kritikës letrare shqiptare, publicist, përkthyes, mjeshtër i gjuhës shqipe dhe studjues i gjuhëve të tjera. Në rrethet intelektuale të Parisit, ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar, zotërues i disa gjuhëve, i papërmbajtshëm në polemikë, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të kombit shqiptar, i gatshëm t’u përgjigjej në çdo gjuhë, atyre që fyenin atdheun, ashtu siç dinte ai vetë, Faiku i Albanias historike. Namik Resuli, shkruan: „Proza e Faikut është shumë e këndëshme, shumë e limuar e njëkohësisht shumë e thjeshtë e fort e rrjedhëshme. Ajo zbret në zëmër të lëçitësit mu si nektari i perëndivet që deh dhe ngreh shpirtin në një botë tjetër, në një botë bukurishë të pasosura. Artikujt e Albanias e të Diellit, shtyllat e Dr. Gjëlpërës e përkthimet si ato të përrallave arabe, përbëjnë në vetvete më se një vepër të plotë e të kryer. Ato do të mbesin për Shqiptarët si ca nga faqet më të bukura e më të hijeshme të prozës, si një model i gjallë i shqipes, jo vetëm nga pikëpamja estetike po edhe nga pikëpamja e punimit të gjuhës.“Veprimtaria kulturore letrare e Konicës në shërbim të atdheut përshkoi shtigje të shumta në Europë e Amerikë. Më 1895 në Paris nxjerr në dritë librin Shqipëria dhe turqit. Në Bruksel e më pas në Londër, boton revistën Albania dhe Albania e Vogël. Më 1909 i ftuar nga atdhetarët shqiptarë të Amerikës vendoset në SHBA. Në Boston drejton gazetën Dielli, krahas saj të përkohëshmet Trumbeta e Krujës, Ushtimi i Krujës. Bota e Re etj. Këto gazeta e revista politiko-kulturore dhe letrare të Rilindjes sonë, bënin të ditur këdo me historinë e pasur e kulturën e popullit shqiptar dhe programin e lëvizjes kombëtare. Disa nga këto krijime janë: Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit, Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, Një ambasadë e Zulluve në Paris, Katër përralla nga Zullulandi, Shqipëria si m’u duk, përkthimi Nën Hijen e Hurmave, Ndryshe nga tërë krijimet e realizmit socialist, Konica me rrëfimet mjeshtërore, pa fyer me emër,asnjë pajis me dijeni të githanëshme çdo lexues, mëson si duhet folur e shkruar shqip. Shkruan me nderim për traditat e mira kombëtare, edukatën e moralin, thjeshtësinë në veshje e sjellje, për historinë e vërtetë, politikën, filozofinë dhe kryerjen e detyrave në përputhje me ligjet në fuqi. Pa zbukuruar asgjë, ai kritikon të metat e shoqërisë pa tepri me qellim të qartë prej atdhetari, përparimin e mëtejshëm në vendin tonë. Me këshillat, ”ruaju nga vetja e nga të tjerët” në një farë mënyre u drejtohet bashkëatdhetarëve si prind e vëlla. Shumë nga e krijimet e Konicës kanë ngjyresat e një proze poetike. Të tilla janë Malli i Atdheut, Ca kujtime mi At Gjeçovin, Anës Liqenit, Në liqen, Bora, Jeta e Skënderbeut, Abdul Frashëri, Naim Frashëri, Nga leximi i tyre zbulohet poeti i ndijshëm i dashurisë për atdheun dhe heronjtë e kombit, për njeriun e natyrën. Krahas veprimtarisë atdhetare e diplomatike, shkrimet e botuar deri më sot, gjuha e bukur shqipe me prirje drejt njësimit, mënyra fisnike e të folurit, janë shembëll për të gjithë, edhe sot, qoftë për poetët, shkrimtarët e kritikët e letërsisë, qoftë për politikanët e gazetarët shqiptarë. Faik Konica me kritikën e përkryer, vlerësonte sipas meritave të gjithë pa përjashtim, poetët e shkrimtarët, Naimin, Fishtën, Nolin, Asdrenin, Çajupin, madje për çështje politike edhe Ismail Qemalin, Ahmet Zogun, Fan Nolin etj. Ndërkohë ai mbeti deri në fund miku i tyre besnik. Veçojmë edhe raste, kur Konica në kritikat e veta përfshinte edhe ndonjë poezi të Naimit, për të cilin zhurmojnë më kot edhe sot analistët soc-realistë dhe heshtin për vlerësimin në tërësi të veprës së Naimit. Ata harrojnë, se Konica si kritik kërkues i palodhur, i mësuar me poezinë e poetëve të mëdhej modernë në Paris e Londër, duke çmuar dhuntinë e poetit tonë romantik, aftësitë shprehëse e hijeshinë e gjuhës shqipe, dëshironte një Naim të niveleve bashkëkohore europiane. Kundër tërë kësaj zhurme, Konica në shkrimin Naim Frashëri, rendit një varg cilësish të poetit tonë kombëtar, si: “zëmër–gëzuar, mëndjehollë, fjalë kripur, ndjesë hollë, yll i ndritshëm e i rrallë në qiell të Shqipërisë.” At Gjergji Fishta, adhurues i Naimit e quante Konicën “arbiter i shkrimeve ma elegante të shqipes”, ndërsa Fan S. Noli “euridit të shkëlqyer dhe patriot i madh.” Për poetin Apollinaire, ai është një “enciklopedi ambulante.”Shumëkush befasohet, kur edhe në vitet 40-44, në Shqipëri nxënësit vijonin të njiheshin me jetën e veprën e Faik Konicës, përmes librave “Te Praku i Jetës,” “Rreze Drite,” “Shkrimtarë Shqiptarë”, “Bota Shqiptare.” Ndërsa më 1955 në Prishtinë botoheshin veprat e plota të Konicës, në Shqipëri gjatë tërë viteve të diktaturës ndalohej çdo shkrim i tij. Në ato kushte, kur shkrimet e Konicës nuk njiheshin as nga nxënësit, as nga studentët, vihej re, se profesorët pa kulturë tejkalonin çdo cak. Në përpjekjet e tyre për të zhvleftësuar gjithçka, përdornin terma të huaja për mendimin estetik, larg të vërtetave, si këto: “reaksionare,” “borgjezo-klerikale,” “mistiko-fetare,” “formaliste,” ”paskrupull,” “brutale,” ”agresive,”etj. Edhe në kohën, kur sistemi socialisto-komunist, qe shembur, po ata profesorë pasi shtrembëruan me ngulm jetën e veprën e Nolit, u sulen të botonin veprat e Konicës, meqë sipas tyre nuk qenkeshin më të tilla, as “reksionare”, as “formaliste”, por “madhore.”
* * *
Për shkak të paaftësisë e ngutjes, po këta profesorë qarkulluan me bujë“Testamentin”, një dokument i sajuar ngagazetarët përmetar e shkruar, kinse nga Konica,: “Të nderuar zotërinj! Ndrroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më kini kuptuar më qart në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, në se ti Imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptar nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhet e rrugës për trupin tim pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuar Noli dhe ju të nderuar shqiptarë dhe ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet.” Boston 1942.”Dhe autori i pavemednshëmçmon “kontributin e prof. Jorgaqit” për këtë çështje, teksa në krye të shkrimit vendos datën 1940,ku,emri “Lamja i vogël” nuk duket kund. Megjithatë shkrimi i testamentit nuk është aspak, i krijuesit të prozës shqiptare Konicës. Në vitin 1940, Faik Konica me Fan Nolin ishin së bashku në krye të detyrës për shpëtimin e atdheut, dhe “Lamja”, nuk dihej, se ku jetonte. Në gazetën Dielli 20 tetor 1965, Nik Kreshpani, hedh dritë. mbi këtë çështje të shtruar nga Noli në një takim me disa të dërguar nga Tirana rreth vitit 1945. “Ata u përgjigjën: ‘Shumë mirë; munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, po më parë duhet ta sjellim përpara gjyqit të popullit.’ Noli i ndezur u tha: ’Po dëgjojmë dita ditës, se jeni dyke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë, po kurrë nuk na kishte shkuar mendja, se jeni aqë trima sa të hidhni në gjyq edhe të vdekurit.” Pra, edhe “letrat” për këtë çështje, të dërguara gjoja “me konsiderata” diktatorit, madjetë botuara për habiedhe më 1996, nga këta soj profesorësh,të cilët përpiqen më kot ta vendosin Konicën në krahun “revolucionar” apo “socialist”, dhe Fishtën e madh në kampin fashist, janë pa kurëfarë vlere.Dijetarët e mirëfilltë të historisë, bashkohen në një mendim: Faik Konica, ky gjeni i shqiptarizmit, është ndërlidhësi më i fuqishëm i Rilindjes Shqiptare me personalitet i kulturës e i letërsisë. Vetëm pas triumfit të demokratëve në Shqipëri, Faik Konica u nderua prej tyre me titullin e lartë, Nderi i Kombit dhe sipas amanetit të hershëm lënë mikut të vet Nolit, tashmë ai prehet në tokën amtare që e deshi aq fort, në kodrat e Tiranës pranë Sami, Abdyl e Naim Frashërit.
Thanas L. Gjika (USA) says
Urime z. Deshnica. Shkrimi juaj per vlerat e Faik Konices rithekson se antikonicianet jane ne rruge te gabuar dhe duhet te heshtin, sepse te shash e te nenvleresosh bijte e shquar te kombit tend eshte pune antikombetare..
Aristotel Mici says
Përgëzime Z. Agim Dëshnica për artikullin tuaj rreth figurës madhore të F. Konicës, që është si vazhdim dhe plotësim i mëtejshëm i studimeve, që u bënë për atë gjatë vitit të tij Jubilar . Për më shumë ju kenishkruar dhe anë të pathëna nga jeta dhe vepra e tij.Konica me veprën e tij mbetet një yll ndriçues në horizontin letrar. Për kapacitetin e tij intelektual mjafton të kujtojmë se ai arriti të ish tutori artistik i poetit të famshëm fracez Apolinerit.Mendimet e tij patriotike dhe demokratike ai i shprehu me një gjuhë të kulturuar, që buron vetiu, duke u bërë ashtu stilisti i parë i letërsisë shqiptare.
Aristotel Mici
Massachusetts