Nga Ilir Levonja/
Ka më në fund një parëthënie të së ardhmes nga Basha dhe ata rreth tij. Manipulimi i zgjedhjeve. Që domethënë, në ato të ardhshmet prapë riti opozitar shqiptar, me kokëçarje të natyrës që hym apo nuk hymë në zgjedhje? Bojkotim i zgjedhjeve etj. Kartat e identitetit . Listat etj. Më pas falje popullit që zgjodhëm këta komisionerë. Këtë kryetare Komisioni Zgjedhor etj. Shkurt, atë që bëri Rama karshi Berishës. E nisi sot Basha karshi Ramës. Dhe në fakt, edhe pse ta shpif si politikëbërje. Ka funksionuar.
Ndërsa edhe mund t’i japësh të drejtë njerëzore Keti Bazhdarit. Kur ankohej të dielën në mbrëmje më 28 qershor 15, me atë letrën e hapur. Me zaret e hedhura. Për faktin se u ndesh me një bastion, si Shkodra. Madje Ketit do ishte mirë t’i bashkoheshin edhe ata kandidatë humbës në bastionet e së majtës si në Fier, Vlorë, Elbasan. Por edhe ai që tentoi të rrëzonte atë 15 vjeçarin në pushtet, në Maliq. Ta fillonin ankesën bashkarisht. Me zaret e hedhura. Sepse, kjo është si të thuash paraqitja zgjedhore shqiptare. Blu nga sipër që kërkon të marri vota nga poshtë. Pra, edhe u lejohet të ankohen. Në fund të fundit i drejtohen një mentaliteti shoqëror.
Por seriozisht! Të habisin këto kërkesë-ankesa fituesish të tipit Meta për Vorën apo Basha për parregullsitë e Shkodrës. Çfarë do të ndryshonin në fitoren e njërit? Dhe çfarë do të ndryshonin në humbjen e tjetrit? Asgjë. Madje kandarit nuk do i lëvizte thepi i balancës fare. Dhe çfarë do ndryshonin në historinë e zgjedhjeve tek ne, puna e manipulimeve, e fletëve të hedhura etj. Ne i dimë këto histori. I kemi bërë. Dhe do i bëjmë. I kërkojmë me qiri të fortët. I kërkojmë ata që nuk ua bën syri tërr. Se ne e kemi në gen dhunën. Nështrimin e tjetrit me dhunë. I kemi treguar e, i kemi parë publikisht çdo fushatë. Madje tani janë, dhe do të jenë akoma më prezente edhe për faktin e teknikës komunikuese. Si interneti dhe fotot e mundësuara përmes celularëve. Çdo qytetar ka mundësi tashmë më të mëdha. Megjithatë, edhe kur i demaskojmë, ne i trajtojmë me kënaqësinë e atij webi jeta osh qef.
Përse i duhet Ilir Metës marrja e Vorës në tavolinë? Kjo është dhe e vërteta më e hidhur e versionit zgjedhor shqiptar. Nisi që para zgjedhjeve. Një luftë me miellin dhe verërat. Një borxh i dyzetëepesë vjetorit që e gjeti Metën sërish në krahun e Ramës. Pra është lufta e miellit dhe e verës. Ta shtyp tjetrin. Për inat. Për qejf. Ta shtrydh deri në fund. Se edhe sikur ta marri në tavolinë, harta e fitores është e tejkaluar. Eshtë mbi dominanten?!
Përse i duhen Bashës verifikimi i manipulimit, apo parregullsive në votime. Dhe pikërisht në Shkodër ku edhe fitoi? Që të shpalosi platformën, bojkot. Për çfarë tjetër? Dhe kështu përjetësisht. Histori me manipulime. Me ma fute, ta futa. Po kujt i ankohen?! Apo thjesht se jeta osh qef.
Ja kjo është Shqipëria jonë e dashur.
Tani do ankohet edhe drejtësia. E gjykoi dy vjet atë Frokun nga Puka. E la të lirë. E përcolli nga dera e burgut me duartrokitje. E nxorri gjithë qejf nga dogana. Me eskortë sigurisht.
Tani do ankohet pse nuk po e kap interpoli.
Kush pushtetar tjetër ka mbetur pa ankuar? Se është koha e tyre. Ata duhet të ankohen, jo populli. Pra jeta osh qef.