Nga Raimonda MOISIU/
Arkitekti i dëgjuar korçar Rustem Myteveliu ka lindur më 14 mars 1930, Ditën e Verës, në qytetin e Korçës, dhe pikërisht në të njëjtën shtëpi që ndërtoi dhe jetoi themeluesi i Korçës, Iljaz Bej Mirahor Myteveli. Është pinjoll i familjes së Mirahorit të Madh, një derë bejlerësh e njohur për traditat patriotike dhe kombëtare. Është në moshën 83 vjeçare, por është shumë i mbajtur dhe të jep përshtypjen se është një burrë rreth të 65-ve. Shumë punëtor dhe babaxhan njeri. Deri në moshën 75 vjeçe vazhdonte të punonte ekspert në zyrën e urbanistikës në Korçë. I rritur në një ambient tepër aristokratik, me rregulla strikte sipas riteve të fesë muslimane, në një shtëpi të madhe e të bukur ku rrethohej, me lule trëndafili dhe pemë dekorative, për arkitektin e ardhshëm korçar, për vëllezërit dhe motrat e tij do të kujdeseshin dy dado, -Tushe dhe Velihani. Të dyja dadot janë trajtuar në derën e bejlerëve Mytevelinj, si çupat e shtëpisë. Ato ishin jetime jetuan dhe u rritën në këtë derë të nderuar bejlerësh. Për arkitektin e ardhshëm korçar, në mënyrë të veçantë do të kujdesej, Dado Veliani dhe gjyshja e tij Gjylistani, që vinte nga dera e rilindasve Frashërllinj. Gjyshe Gjylistani kishte një kujtesë të admirueshme dhe dinte përmendësh vargjet e poezive të Naimit, Samiut dhe Abdylit, Ajo i edukonte nipërit dhe mbesat e saj me frymën e Rilindasve të shquar Frashërllinj, që ishin nipërit e saj. Ajo çdo natë në konakun e Frashërllinjve iu recitonte vargjet apo poezitë ku shprehej atdhetarizmi dhe patriotizmi shqiptar. Shtëpia kishte një dhomë që quhej Konaku i Frashërllinjve dhe Naimi, Samiu dhe Abdyli kur vinin në Korçë te halla e tyre, Gjylistani, ata qëndronin në këtë konak. Për njerësit e tjerë ihste krejtësisht e ndaluar të hynin apo qëndronin në atë dhomë. Kështu filloi të kultivohej te pinjollët Mytevelinj, ndjenja patriotike, atdhedashuria dhe krenaria e të qenit shqiptar. Më pas me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e Benito Musolinit, dera e Mytevelinjve lidhet me luftën Nacional-Çlirimtare dhe vunë në dispozicion të luftës; shtëpinë, pasurinë, urrejtjen për armikun dhe dhanë një kontribut të pashoq në këtë luftë. Nga kjo derë është dëshmorja e atdheut, Floresha Myteveliu, ndërsa arkitekti korçar, Rustemi do të rreshtohej me debatikasit. Veprimtaria antifashiste e Mytevelinjve bie në sy dhe ata internohen në Porto Romano, Durrës. Disa pjesëtarë të tjerë të familjes hidhen në ilegalitet. Me çlirimin e Korçës e gjithë familja kthehet në Korçë, në shtëpinë e tyre. Tani për Mytevelinjtë do të fillonte një tjetër jetë. Përsëri Mytevelinjtë si njerëz punëtorë do të rreshtoheshin në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Rustemi fillimisht në vitet 1946-47 punoi si punëtor krahu në tharjen e kënetës së Maliqit. Në vitin 1947 Rustemi fitoi të drejtën e studimit në shkollën unike të Elbasanit. Në vitet 1948-52 vazhdoi politeknikumin “7 Nëndori” në Tiranë, ku edhe merr pjesë në shumë aksione për rindërtimin e vendit. Në vitin 1952 punoi në Rrugën e Dritës, në Shkopet.
Më pas informohet nëpërmjet gazetës “Zëri i Popullit”, se kishte fituar të drejtën e studimit për URBANISTIKË, në Bashkimin Sovjetik. Kështu Rustemi shkoi për të studiuar në Moskë. Gjatë kohës që studionte njihet dhe dashurohet me vajzën e bukur moskovite, bashkëstudenten, në të njëjtin kurs, rusen, Valentina. Në ato katër vjet të studimeve në Moskë studenti korçar edhe martohet me vajzën ruse dhe në vitin 1957-ë erdhi në jetë fëmija i parë i tyre, Iliri. Fëmijën e quajtën ILIR, se djaloshi korçar vinte nga toka e ilirëve. Fruti i parë i dashurisë djali i tyre Iliri, i studentit korçar me rusen lindi në kohën që ata mbronin diplomën. Rustemi mbrojti diplomën me rezultate të shkëlqyera, dhe po ashtu ai ndihmoi edhe bashkëshorten e tij, e cila sapo kishte lindur fëmijën. Mbas diplomimit Rustemi dhe Valentina së bashku me fëmijën e tyre Ilirin u kthyen në atdhe. Që të dy burrë e grua u emëruan të punojnë në Institutin e urbanistikës, pranë Ministrisë së Ndërtimit, Tiranë dhe në të njëjtën kohë merreshin me studimin e projekteve të plan rregullimit të qyteteve dhe qendrave të banimit, duke paraqitur projektet të ndryshme si arkitektë. Jeta vazhdonte mëse normale, dhe në vitin 1960 vjen në jetë fëmija i dytë i çiftit Myteveli, -Eleonora.
Por jeta e lumtur e çiftit nuk do vazhdonte gjatë. Trauma të njëpasnjëshme do të trondisnin familjen e arkitektit korçar. Me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Valentina filloi të shikohej nga regjimi si një agjente dhe pas presioneve e kërcënimeve të shumta detyrohet të lerë Shqipërinë dhe shkon në vendlindjen e saj, Moskë, duke marrë me vete vajzën Eleonorën 3 vjeçare dhe lë në Shqipëri Ilirin, 7 vjeçar. Por edhe në Moskë Valentina do të shihej me të njëjtin sy. Sistemi komunist kishte të njëjtën fytyrë kudo, hipokrizi.
Rustemin e thërresin në Komitetin e Partisë dhe e detyrojnë të bëjë divorcin e të ndërpresë korrespodencën me Valentinën dhe vajzën, nën pretekstin se letrat janë agjenturore dhe ndikojnë për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri. Por Rustemi figuronte i martuar në gjendjen civile të Moskës dhe jo të Korçës, kështu që divorci nuk mund të bëhej. Duke ardhur nga një familje me tradita të shquara patriotike dhe që i kishte dhënë aq shumë atij sistemi komunist, nuk mundën ta burgosnin arkitektin korçar, Rustem Myteveliu. Ndërsa persekutimi do të vazhdonte në mënyra të ndryshme dhe i heshtur mbi Rustemin dhe djalin e tij Ilirin me nënë ruse. Ilirit i mohohet e drejta për të vazhduar studimet dhe Rustemi transferohet në punëra të ndryshme me ulje nga profesioni i tij.
Kartolina e parë nga vajza Eleonora
Në vitin 1986 Rustemi merr një kartolinë nga Frankfurti e cila i jepet mbas 6 muajve. Kartolinën ia dërgonte vajza e tij Eleonora Gerber Myteveli. Ajo i uronte ditëlindjen babait të saj të dashur dhe shprehej se ai i mungonte shumë. Rustemi edhe sot e kësaj dite figuron i martuar me Valentinën në regjistrin e Gjendjes Civile në Moskë. Letrat që Valentina dhe Eleonora i dërgonin investigoheshin dhe censuroheshin.
Takimi i Ilirit me nënën Valentina dhe motrën Eleonora mbas 28 vjetëve…
Mbas rënies së murit të Berlinit filloi një klimë e re politike, jo vetëm në Europë por edhe në Shqipëri. Djali i madh Iliri, i malluar për nënën e tij Valentinën dhe motrën Eleonora bëri të pamundurën dhe arriti të shkojë në Moskë pas 28 vjetëve. Vizën e merr në Budapest, se nuk kishte ambasadë ruse në Shqipëri atë kohë. Takimi ishte shumë prekës. Nëna jetonte vetë në Moskë, ndërsa Eleonora, e motra ishte martuar me një inxhinier gjerman në Ahn, të Gjermanisë. Ajo tashmë jeton në Ahn me burrin e saj, vajzën Tanja, por akoma njihet me emrin Eleonora Gerber Myteveliu. Po ashtu edhe Valentina edhe sot e kësaj dite njihet me emrin Valentina Myteveliu. Iliri qëndron një vit te nëna e tij dhe takohet edhe me motrën, Eleonora. Tashmë Iliri shkon lirshëm në Moskë, po ashtu edhe nëna e motra shkojnë në Greqi, për të parë Ilirin dhe familjen e tij.
Takimi i arkitektit korçar me gruan e tij,
Valentina dhe vajzën, Eleonora, mbas 30 vjetëve
Valentina Myteveliu edhe sot figuron e martuar në Moskë me Rustem Myteveliun. Valentina i dërgon një garanci, bashkëshortit të saj, të noterizuar dhe legalizuar sipas rregullave, Rustemi mori një vizë në ambasadën ruse. Tashmë marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Rusisë ishin rivendosur. Ai niset me itinerarin, Korçë-Selanik-Sofje-Bukuresht-Kiev-Moskë me tren. Një rrugë e gjatë për të takuar dashurinë e mohuar. Në stacionin e trenit Kievski Vogzall, Valentina bashkë me një miken e tyre bashkëstudente priste djaloshin korçar, që tashmë ishte burrëruar nga mosha dhe hallet. Emocione të forta, dridhje duarsh, trupi, dridhje zëri, sy të lotuar, përqafime, si nga vajza ruse dhe djaloshi korçar. Ai ishte 60 vjet, ajo 57 vjeçe. Valentina jetonte vetëm. Gjatë një muaji, që Rustemi qëndroi në Moskë u takuan me shumë bashkëstudentë të kursit të urbanistikës dhe mes tyre takuan, kryearkitektin e Moskës, mikun e tyre të ngushtë. Emocionet shtoheshin çdo ditë. Aty vjen dhe Iliri, U bashkua familja si dikur mbas 30 vjetëve. Çaste mallëngjimi, emocionuese, prekëse.
Takimi me vajzën Eleonorën, mbas 33 vjetëve…
Mbas takimit me të dashurën e zemrës, Valentinën, -Rustemi shkoi në Gjermani për tu takuar me vajzën e tij Eleonora, tashmë 33 vjeçe, e martuar me inxhinierin gjerman dhe me vajzën e tyre, Tanjën, 7 vjeçe. Momente tepër mbresëlënëse, mallëngjyese, prekëse, në aeroportin e Dusseldorf-it. Rustemin e pritën vajza, dhëndri, mbesa dhe Valentina, kjo e fundit, për herë të dytë. Teksa dilte nga plateja e aeroportit Rustemi do të dëgjonte zërin e një fëmijë që thërriste në shqip: ”Gjyshi” dhe akustika e aeroportit ushtonte dhe e çonte ngado atë zë të ngrohtë fëminor e mallëngjyes. Drejt tij u pa të vraponte vajza e mitur 7 vjeçe. Ndër duart e saj të njoma shtrëngonte fort tufën me lule karafilash nga më të bukurat që i kishte zgjedhur për gjyshin e saj. Në krah të fëmijës ndodhej Valentina e cila iu tregonte mbesës dhe vajzës Eleonorës, gjyshin e saj dhe babanë, ndërsa ai zbriste shkallët e platesë… Tanja e vogël iu hodh gjyshit në qafë dhe e pushtonte fort sikur ajo e njihte atë prej kohësh… ”Oh sa qe rritur Eleonora!… Sa e bukur është bërë!, i ngjet shumë Valentinës kur ishte e re, si në atë kohë kur u dashuruam për herë të parë dhe u martuan”-mendonte Rustemi teksa përqafonte të bijën mbas 33 vjetëve. Për arkitektin korçar, djaloshin që diktatura me atë “humanizmin hipokrit” i kishte ndarë pjesët e shpirtit, të trupit e të zemrës së tij ishte një nga momentet më të dhimbshme dhe të vështira në jetën e tij. Por jeta traumat e jetës e kishin bërë të fortë shpirtërisht dhe moralisht Rustemin, i kishin dhënë forcë dhe kurajo, që t’i përballonte situata të tilla prekëse dhe këtë po e transmetonte te Eleonora, Valentina, Tanja, të cilat i kishin munguar aq shumë në jetë. Gjatë gjithë kohës që qëndroi në Gjermani me familjen e gjetur pas 30 vjetëve, mbesa Tanja nuk i ndahej gjyshit asnjë moment. Ata komunikonin rusisht. Rustem Myteveliu është njohës 4 gjuhëve të huaja në një nivel të admirueshëm; rusisht, italisht, frëngjisht dhe turqisht. Rustemi ende vazhdon të mbajë korrespodencë me familjen e tij në Rusi dhe Gjermani. Ai, Valentina, Eleonora, Tanja dhe Iliri, takohen njëherë në vit në Athinë, Greqi, aty ku Iliri është vendosur përfundimisht me familjen…
Martesa e dytë në Shqipëri, mbas largimit të Valentinës
Jeta e beqarit do të ishte shumë e vështirë për arkitektin korçar. Rustemi ra shumë shpirtërisht dhe psikollogjikisht për ndarjen e detyruar që i bëri rregjimi komunist me familjen. Njerëzit e tij të afërm e këshilluan të martohej dhe kështu ai mund të qetësonte disi shpirtin e trazuar dhe të lënduar. Kështu Rustemi martohet me një vajzë fisnike në shpirt dhe temperament nga një derë bejlerësh të Beratit. Ajo do i qëndronte dhe vazhdon t’i qëndrojë në krah Rustemit me fjalët e saj të ngrohta, duke e përkrahur dhe kuptuar burrin e saj, jo vetëm në punën e tij si arkitekt, por edhe në ndjenjën e dashurisë njerëzore. Rustemi figuron i martuar në Moskë me Valentinën dhe në Korçë me vajzën fisnike beratase. Nga martesa e dytë Rustemi ka 4 fëmijë, tre vajza dhe një djalë. Fëmijët e Rustemit nga martesa e dytë kanë marrëdhënie të shkëlqyera si motra dhe vëllezër të vërtetë prej një nëne, me Eleonorën dhe Ilirin. Ata me këtë sjellje shpirtërore e tejet njerëzore tregojnë dashurinë që kanë për prindin e tyre, por edhe kujdesin për babanë e tyre, që e vuante aq shumë ndarjen e familjes së parë. Biles, vajza e Rustemit, Floresha, nga martesa e dytë, studion në Gjermani për shkenca sociale dhe çështjet e Ballkanit. Ajo ka lidhje mjaft të mira me motrën e saj Eleonorën dhe kalon me të e familjen e saj shumë kohë në shtëpinë e motrës Eleonorë.
Ankthi në familjen e dytë natën e Vitit të Ri…
Ishte dhjetor kur Rustemi u takua me Valentinën dhe Eleonorën mbas 30 e kusur vjetëve. Muaji po ikte dhe po afronte Viti i Ri. Ankthi në familjen e dytë në Shqipëri shtohej nga dita në ditë; se a do kthehej babai në gjirin e familjes?! Rustemit i kërkohet nga Valentina dhe Eleonora të qëndrojë me ato përgjithmonë, por arkitekti korçar ashtu si dinte të bënte planimetritë e rregullimit të qendrave të banimit, do të dinte të konsolidonte marrëdhëniet e tij familjare të dyfishta, si një njeri me zemër të madhe ku kishte vend për shumë dashuri prindërore dhe bashkëshortore. Ja si shprehet Jetona Myteveliu, vajza e Rustemit nga martesa e dytë, ish-dekane e Fakultetit të Infermierisë në Universitetin Fan Noli të Korçës, Jetona një vajzë e gjallë, energjike, e bukur dhe tepër ekspresive: “Ankthi ishte torturues në familjen tonë për kthimin e babait në gjirin e familjes. Ishte Viti i Ri dhe nëna kishte besim se ai do kthehej, e njihte mrekullisht shpirtin dhe karakterin e burrit të saj. Na qetësonte duke na thënë herë-pas here, na përqafonte e lëmonte flokët, e na pëshpëriste:-AI DO VIJË!Por edhe Valentina, Eleonora kanë nevojë për të, edhe ato kanë pjesën e tyre në zemrën e Rustemit, ashtu sikundër keni edhe ju! Nëna vazhdonte të përgatiste darkën e Vitit të ri. U habita me kurajon, shpirtin, sjelljen fisnike të nënës time. Më vinte mirë që nëna ime e kuptonte babain aq mirë. Babai im për arsye të caktuara jetike nuk mund të na linte ne jetimë me baba gjallë. Jo, jo e njihja mirë atin tim dhe zemrën e tij e dija se ai nuk mund të përsëriste historinë e kalvarin e dhimbjeve. Ishte ora 9 e mbrëmjes. Bie zilja e telefonit. Ngrita receptorin. E njoha, ishte babai me zërin e tij të dhembshur prindëror. Edhe ai e njohu zërin tim-vazhdon Jetona rrëfimin e saj emocional me sy të lotuar mallëngjyes dhe më thotë:-Jetona, bija ime! Jam në kufi me Greqinë, në doganën e Kapshticës, për 30 minuta vij në shtëpi. Shtroni darkën e Vitit të Ri. Dora më dridhej, lotët përzierë me mall dhe brengë, gëzim për kthimin babait në shtëpi, nuk më mbaheshin. Duke qarë dhe qeshur nga gëzimi thërras sa kisha në kokë në tërë shtëpinë: -Babai erdhi përsëri midis nesh! Mbas 30 minutash troket dera dhe hyn në shtëpi babai me Ilirin!-përfundon Jetona.
Kjo është historia rozë e arkitektit të dëgjuar korçar Rustem Myteveliu, që me shpirtin e tij babaxhan di të falë shumë dashuri. Respekt për ju, për jetën tuaj, kurajon e zemrën tuaj të madhe, që ka aq shumë vend për dashuri njerëzore, -i nderuar ARKITEKT!