Nga Astrit Lulushi/
Yjet kanë qëne dikur të rinj, të fuqishëm, madje më të ndritshëm se sot në qiell. Ishin më të ngjeshur, më pranë njëri tjetrit, sepse tani hapësira është bërë më e hapur, ndërsa universi zgjerohet. Por imagjinata nuk njeh kufij. Çfarë ka pasur në qiell, përpara se të lindnin yjet? Asgjë, nëse ka patur një fillim. Lavdia e yjeve është kalimtare. Natyre i ka dhënë zgjidhje problemit, sepse lavdia është problemi që njeriu lufton a përpiqet që kurrë të mos zgjidhet.
Yjet lindin, shkëlqejnë, shterrojnë e shuhen. Edhe në Tokë, në këtë pjesë të Gjithësisë, jo vetëm jeta merr fund, por çdo gjë është e vdekshme, nuk ka rëndësi se çfarë i parapriu, a se kush ishte i pari. Pa njeri të pranishëm çdo gjë shkretohet.
Ajo që erdhi pasi lindën yjet, ishte krijimi i kushteve që planetet të formoheshin, dhe pastaj jeta – pse evoluoi, si evoluoi, me ngulm, ngadalë, në epoka të paregjistruara, apo erdhi si një përhapje e papritur speciesh përmes rreshjesh a plasjesh kozmike? Njerëzimi, pa rivalë, që e quan veten më të rëndësishmin e vetes, i ngjan një vazhde përzierjesh të rastësishme bio-kimike që endet në qiell, pa i kaluar kurrë kufijtë e Tokës, planet gjysmë-natë në një qoshe po aq të errët të Universit.