Getoar Mjeku i shkruan Kryetarit të VATRËS/
I nderuem Dr. Buçaj;
Po ju shkruaj me nji kërkesë të veçantë për Federatën Vatra, tue ju lutë që t’i dilni krah studentëve të Kosovës. Kujtoj se jeni në dijeni se studentët e Universitetit të Prishtinës ka ditë që po protestojnë kundër korrupsionit dhe ndikimit politik në kët institucion arsimor, tue kërkue dhe dorëheqjen e rektorit. Rektori Ibrahim Gashi ka botue disa shkrime me cilsi të dyshimtë në disa revista indiane, që hiqen si botime shkencore por pranojnë çfarëdo teksti në këmbim të pagesës.
Protestat deri tash i ka organizue nji tubim joformal të rijsh, i shquem si Grup i Pavarur i Studentëve. Siç ma bajnë të ditun krenët e tij, grupi asht jopolitik dhe po kërkon larigmin e politikës nga universiteti. Ata më thonë se deri tani nuk e kanë pasë të lehtë me i organizue protestat. Nji përqindje e vogël e studentave po merr pjesë, organizatat studentore nuk po arrijnë me folë e veprue njizani, ndërsa protestuesit po hasin në mospajtime edhe rreth mënyrës së protestimit.
Drejtuesit e Grupit të Pavarur të Studentëve më lajmërojnë se po kambëngulin për protesta të vazhdueshme por gjithherë paqsore, tue iu shmangë veprimeve radikale që mund të nxisin dhunë. Kët javë, policët përdorën forcën dhe arrestuan disa protestues për ta shpërnda turmën, që kishte bllokue hymjen e godinës së rektoratit. Ndërkohë që veprimi i policisë ishte i shëmtuem, vetë studentët mund ta kenë shmangë ate.
Në protestë janë dallue disa organizata studentore që kanë shprehë në mënyra të veçanta mllefin për gjendjen e universitetit. Grupi “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), forum studentor i Lëvizjes Vetëvendosje, asht angazhue fuqishëm, ndonse tue parapëlqye nji qasje që e ka shqetsue Grupin e Pavarur të Studentëve. Këta të mbramët druajnë se përpjekjet e studentëve mund të politizohen dhe ta humbin fuqinë.
Personalisht nuk kam ndonji interes n’afirmimin e Grupit të Pavarur të Studentëve. Por jam i shqetsuem me gjendjen e randë në të cilën ndodhet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Korrupsioni, ndikimi politik, pandershmënia akademike, ndamja e titujve shkencorë për punime të dyshimta, shkeljet ligjore e morale dhe trajtimi i padenjë i studentëve duhet të marrin fund. Megjithate, studentët dhe shoqnia kosovare duhet të flasë njizani dhe të punojë e bashkueme për ta kthye universitetin aty ku e ka vendin.
Fatkeqsisht, uniteti i duhun mungon. Deri më tash vetëm Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – grupi SKV por edhe antarë ma të naltë, përfshi pegagogë të respektuem universiteti – asht angazhue mjaftueshëm për të kërkue përmirësimin e gjendjes në ngrehinën ma të randësishme të dijes në Kosovë. Por LVV, e aq ma pak krahu i saj studentor SKV, nuk janë në gjendje të fitojnë të vetme. Edhe sikur të mos ishin me vend shqetsimet për mënyrat e protestimit, fakti se ka vetëm nji subjekt politik t’angazhuem në kët çashtje po e politizon ate padrejtësisht.
Studentët jopolitikë po ngurrojnë të veprojnë për ndryshimet që padyshim se i duan. Protestat në nji mënyrë po rrezikojnë të duken si përpjekje e nji grupi për pushtet. Politika duhet patjetër të rrijë larg lëvizjes së studentave, ndërsa partitë duhet të shprehin mbështetje morale pa ngurrim. Detyra e politikanëve asht të flasin në të mirë të studentëve, tue mos imponue kurrsesi agjenda të ngushta partiake.
Prandej, po ju lus që me udhëheqjen e Federatës Vatra ta shqyrtoni mundësinë për të reague në mbrojtje të studentëve dhe të bani thirrje për bashkëpunim dhe për nji universitet të pastër e të ndamë prej politike. Posaçërisht, si bashkatdhetarë nga Shtetet e Bashkueme duhet ta theksojmë përkushtimin që amerikanët kanë ndaj integritetit e ndershmënisë akademike dhe ndaj arsimit si shtyllë e zhvillimit të shoqnisë.
Ju falënderoj paraprakisht për ndihmesën. Mirënjohjen ma të madhe, shpresoj, do t’jua shprehin brezat që vijnë.
Çiltërsisht,
Getoar Mjeku
Candidate for Juris Doctor 2014
SMU Dedman School of Law