• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qindvjetori i Prenk Vidit të Shqipnisë

March 5, 2014 by dgreca

Më 7 mars 1914, nji fisnik gjerman mbërrijti në Durrës për ta marrë fronin shqiptar. Por sundimi i Mbretit Vid qe ditëshkurtë. Kundër tij u ngritën n’emën të fesë anmiqtë e Shqipnisë./

Nga Getoar Mjeku*/

Shum bujarë në Perëndim zunë t’andrrojnë kunorën e nji shteti të vogël në viset ma të lashta të kontinentit, ndërsa Turqia Evropiane po lëshonte grahmën e fundit në vjeshtën e 1912-ës. Por të gjithë andrrimtarët e kotë qenë ma fatlumë se njeriu që – mbasi kishte thanë jo njiherë – pranoi të bahej «Princ i Shqipnisë».

Shqiptarët shpallën pamvarsinë në vlugun e Luftës së Parë Ballkanike, në kohën kur vendet fqinje kishin pushtue gati cdo cep të Dheut të Arbënit. Muaj ma vonë, gjashtë Fuqitë e Mëdha t’Evropës e njohën mëvetsinë e Shqipnisë. Por lajmi i vonuem ishte dyfish i dhimbshëm: fqinjët do ta merrnin mbi gjysmën e trojeve shqiptare dhe evropianët do ta caktonin vetë sundimtarin e shtetit të ri.

Kjo ishte punë pazari. Për nji kohë, perëndimorët shpresojshin që sulltanit t’ia ruanin zotnimet që kishte në siujdhesë para se të plaste lufta. Por tani që status quo-ja s’kish ma shpëtim, Fuqitë e Mëdha nisën betejën diplomatike për ndikim n’Adriatikun Lindor. Se kush e sundonte Shqipninë do të thoshte se kujt do t’i shkonte fjala n’at anë të Botës së Vjetër.

Mbas nji ecunie të lodhshme, Fuqitë e Mëdha u pajtuan dhe shqiptarët pranuan t’ia ofrojnë fronin nji kandidati gjerman. Vilhelmi, i biri i tretë i princit Vilhelm të Vidit (Wied), fillimisht kishte ngurrue të bahej sovran i Shqipnisë. Tek mbas nji viti, austriakët si përkrahës të shqiptarëve i kishin mbushë mendjen fisnikut 38-vjeçar ta pranonte kunorën e trashigueshme të shtetit e ri.

Ndërsa Austro-Hungaria e Italia garonin për ndikim në Shqipni, zgjedhja e Vidit qe zgjidhje për ta fashitë rivalrinë. Fuqitë e Mëdha caktuan princ nji gjerman protestant, ndërkohë që as Gjermania e as protestantët s’kishin interes të veçantë në vendin e vogël. Sundimtari asnjanës, thoshin evropianët, do ta ruante baraspeshën mes fuqive dhe do t’i knaqte ithtarët e të katër besimeve të përhapuna n’Arbëni.

Por prijësi i ri nuk i knaqi të gjithë. Më 7 mars 1914, ai mbërrijti në Durrës, asokohe kryeqytet i vendit. Evropa e njohu për princ, Shqipnia e quajti Mbret. Por nuk i shkoi gjatë para se anmiqtë e Shqipnisë – dhe, ndër ta, njeriu që ia kishte ofrue kunorën – ta nisnin punën kundër tij.

Ditën që shkeli në Shqipni, Vidi e emnoi nji aristokrat nga Tirana ministër të dyfishtë, tue ia besue punët e jashtme dhe mbrojtjen. Esad Pashë Toptani kishte kryesue shpurën shqiptare, që nji muaj ma parë i pati paraqitë Vidit kërkesën për t’u ba sundimtar. Por shpërblimi që monarku i bani pashait ia hapi gropën vetë shtetit.

Ende pa e mbushë muajin në fron, mbreti kish pak arsye t’i druhej Esadit. Grupe t’armatosuna kontrollonin pjesë të ndryshme të Shqipnisë, ndërsa grekët mbanin të pushtuem jugun. Detyra ma e ngutshme për Vidin ishte me shtri pushtetin e tij në tanë truallin e principatës. Dhe pashai barkmadh kishte shprehë gadishmëni të paepun ta çonte në vend fjalën e sovranit.

Kur Vidi kërkoi zgjidhje për praninë greke në jug, Esad Pasha sugjeroi forcën si të vetmen udhë. Për kët qëllim, mori pëlqimin e mbretit për t’armatosë 7 mijë luftarë nga Shqipnia e Mesme. Ma pas, siç shestonte Vidi, njerzit e Esadit do të niseshin drejt Lumit Vjosë, matanë të cilit forcat greke kishin shpallë shtetin autonom të Vorio-Epirit.

Por ministri i mbrojtjes ishte ma së paku i interesuem në trevat përtej Vjosës. Në mes të majit, autoritetet zbuluan se Esad Pasha ishte nismëtari nji kryengritjeje që sapo kishte plasë kundër regjimit fare pranë Durrësit. Ndonse pashai u largua nga vendi, shteti shqiptar nuk i bani ballë dot grushtit t’anmikut.

Më 3 shtator, Mbreti Vid tha se po largohej përkohësisht nga Shqipnia. Por ai s’u kthye ma kurrë. Shteti shqiptar u shua. Në Durrës, rrebelët shqyen flamurin me shkabë dhe ngritën sërish gjysmëhanën osmane. Esad Pasha u shfaq prapë në vendlindje, qëroi hesapet me disa kryengritës që ma s’i duheshin dhe sundoi copë të dheut si satrap i Sërbisë. Pushtimit grek në jug s’i bani dot trazim.

Shtetin që e humbën më 1914, shqiptarët e rikthyen me shum mund më 1920 në Kogresin e Lushnjes. Por Shqipnia nuk arriti do t’i rikthejë tokat që Konferenca e Londrës padrejtësisht ia dha Jugosllavisë e Greqisë. Vilhelm Vidi ndërroi jetë më 1945, kurse i biri i tij i vetëm, princi trashigimtar Karl, vdiq pa lanë pasaardhës tri dekada ma vonë. Sundimi i dinastisë qe ditëshkurtë dhe qëlloi në motin ma t’errët në historinë e Shqipnisë.

Vërtet, Vidi nuk i knaqi të gjithë. Por jo për fajin e tij. Ai u ba halë në sytë e anmiqve, të cilët i futën flakën Shqipnisë. Historia asht hamendë ndaj kryengritjes së 1914-ës: ca flasin për nji lëvizje islame; komunistët për nji përpjekje të fshatarsisë. Mirpo, si islami si fshatarsia qenë vegla t’atyne që s’e deshtën shtetin tonë.

Rrebelët nuk e shënuan 7 Marsin. Ata s’iu gëzuan Prenk Vidit, ashtu siç nuk gëzuan shkollën qytetare shqitare, që kremtonte përvjetorin at ditë. Nuk baj thirrje që kët ditë ta kujtojmë patjetër edhe monarkun gjerman të vendit. Por krahas përvjetorit të mësonjëtores, ta nderojmë të plotë vegimin e rilindësve, duke mos e lanë anash shtetin shekullar. Sepse njimend, si njana si tjetra e mbajnë gjallë kombin tonë.


*Autori, ish-gazetar dhe përkthyes, asht kandidat për titullin «Juris Doctor» në fakultetin e drejtësisë «SMU Dedman School of Law» në Dallas, Texas, të Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Histori Tagged With: Getoar Mjeku, Prenk Vidi, Qindvjetori, Shqiperise

JU LUTEM, DILNI NE KRAH TE STUDENTEVE TE UNIVERSITETIT TE PRISHTINES!

February 7, 2014 by dgreca

Getoar Mjeku i shkruan Kryetarit të VATRËS/

I nderuem Dr. Buçaj;

Po ju shkruaj me nji kërkesë të veçantë për Federatën Vatra, tue ju lutë që t’i dilni krah studentëve të Kosovës.  Kujtoj se jeni në dijeni se studentët e Universitetit të Prishtinës ka ditë që po protestojnë kundër korrupsionit dhe ndikimit politik në kët institucion arsimor, tue kërkue dhe dorëheqjen e rektorit.  Rektori Ibrahim Gashi ka botue disa shkrime me cilsi të dyshimtë në disa revista indiane, që hiqen si botime shkencore por pranojnë çfarëdo teksti në këmbim të pagesës.

Protestat deri tash i ka organizue nji tubim joformal të rijsh, i shquem si Grup i Pavarur i Studentëve.  Siç ma bajnë të ditun krenët e tij, grupi asht jopolitik dhe po kërkon larigmin e politikës nga universiteti.  Ata më thonë se deri tani nuk e kanë pasë të lehtë me i organizue protestat.  Nji përqindje e vogël e studentave po merr pjesë, organizatat studentore nuk po arrijnë me folë e veprue njizani, ndërsa protestuesit po hasin në mospajtime edhe rreth mënyrës së protestimit.

Drejtuesit e Grupit të Pavarur të Studentëve më lajmërojnë se po kambëngulin për protesta të vazhdueshme por gjithherë paqsore, tue iu shmangë veprimeve radikale që mund të nxisin dhunë.  Kët javë, policët përdorën forcën dhe arrestuan disa protestues për ta shpërnda turmën, që kishte bllokue hymjen e godinës së rektoratit.  Ndërkohë që veprimi i policisë ishte i shëmtuem, vetë studentët mund ta kenë shmangë ate.

Në protestë janë dallue disa organizata studentore që kanë shprehë në mënyra të veçanta mllefin për gjendjen e universitetit.  Grupi “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), forum studentor i Lëvizjes Vetëvendosje, asht angazhue fuqishëm, ndonse tue parapëlqye nji qasje që e ka shqetsue Grupin e Pavarur të Studentëve.  Këta të mbramët druajnë se përpjekjet e studentëve mund të politizohen dhe ta humbin fuqinë.

Personalisht nuk kam ndonji interes n’afirmimin e Grupit të Pavarur të Studentëve.  Por jam i shqetsuem me gjendjen e randë në të cilën ndodhet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.  Korrupsioni, ndikimi politik, pandershmënia akademike, ndamja e titujve shkencorë për punime të dyshimta, shkeljet ligjore e morale dhe trajtimi i padenjë i studentëve duhet të marrin fund.  Megjithate, studentët dhe shoqnia kosovare duhet të flasë njizani dhe të punojë e bashkueme për ta kthye universitetin aty ku e ka vendin.

Fatkeqsisht, uniteti i duhun mungon.  Deri më tash vetëm Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – grupi SKV por edhe antarë ma të naltë, përfshi pegagogë të respektuem universiteti – asht angazhue mjaftueshëm për të kërkue përmirësimin e gjendjes në ngrehinën ma të randësishme të dijes në Kosovë.  Por LVV, e aq ma pak krahu i saj studentor SKV, nuk janë në gjendje të fitojnë të vetme.  Edhe sikur të mos ishin me vend shqetsimet për mënyrat e protestimit, fakti se ka vetëm nji subjekt politik t’angazhuem në kët çashtje po e politizon ate padrejtësisht.

Studentët jopolitikë po ngurrojnë të veprojnë për ndryshimet që padyshim se i duan.  Protestat në nji mënyrë po rrezikojnë të duken si përpjekje e nji grupi për pushtet.  Politika duhet patjetër të rrijë larg lëvizjes së studentave, ndërsa partitë duhet të shprehin mbështetje morale pa ngurrim.  Detyra e politikanëve asht të flasin në të mirë të studentëve, tue mos imponue kurrsesi agjenda të ngushta partiake.

Prandej, po ju lus që me udhëheqjen e Federatës Vatra ta shqyrtoni mundësinë për të reague në mbrojtje të studentëve dhe të bani thirrje për bashkëpunim dhe për nji universitet të pastër e të ndamë prej politike.  Posaçërisht, si bashkatdhetarë nga Shtetet e Bashkueme duhet ta theksojmë përkushtimin që amerikanët kanë ndaj integritetit e ndershmënisë akademike dhe ndaj arsimit si shtyllë e zhvillimit të shoqnisë.

Ju falënderoj paraprakisht për ndihmesën. Mirënjohjen ma të madhe, shpresoj, do t’jua shprehin brezat që vijnë.

Çiltërsisht,

Getoar Mjeku

Candidate for Juris Doctor 2014
SMU Dedman School of Law

Filed Under: Komunitet Tagged With: dr. Gjon Bucaj, Getoar Mjeku, leter, lryetarit te Vatres

Artikujt e fundit

  • Censura studimore dhe politika në një kontent historik
  • VATRA priti kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama
  • Presidentja Vjosa Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi
  • SOT NË ORËN 12.30 PM, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / E VËRTETA E KËRKESAVA TË ESAD PASHËS NDAJ ISMAIL QEMALIT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN, TË BESUARIN E ESADIT
  • Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër
  • SOT NË ORËN 6 PM KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN
  • Observing The World In Real-Time Data Works for Everyone
  • Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT