Nga Mëhill VELAJ */
Unë kam nevojë për njeriun, në tërësinë e tij, – shkruan shkrimtari i madh francez, Romen Rolan, shkrimtari që ka shkruar vepra për njeriun e vërtetë, njeriun e madh të punës, të përkushtimit dhe himnit madhështor të sakrificës, dinjitetit dhe shpirtit njerëzor.
E parë në këndvështrimin ideor dhe social, forca e qëndresës dhe përvojave jetësore nën efektet emocionale dhe veçoritë dalluese të njerëzores, të qytetarisë dhe krenarisë që secili prej nesh ndjen kur jeta dhe fati të rezervon të njihesh nga afër me njerëz të mirë thellësisht humanë, sikundër është miku im Dalip Greca, – Publicist i njohur dhe ish-Kryeredaktor i Gazetës DIELLI, gazetës historike më tepër se një shekullore dhe kontribuesi veteran tashmë i Federatës “Vatra” në Amerikë.
Pas në kohë…
Nuk kisha veçse dy vjet që kisha mbërritur në Amerikë, i detyruar nga lufta që pat nisur në Kosovë. Si për çdo emigrant, edhe për mua dhe familjen time, çdo gjë ishte e panjohur që nga; gjuha, tradita, dhe kultura e këtij vendi. Amerika është vendi ku operojnë raca dhe kultura të ndryshme në procesin e vazhdueshëm të integrimit e mbijetësës të jetës social –ekonomike dhe diskursit politik të kohës.
Kur dolëm për herë të parë bashkë me babën tem, jo vetëm dëshironim të soditnim New Jork-un- një nga metropolet me emër në botë, që është edhe stacioni i parë i emigrantëve shqiptarë, veçmas i të sapoardhurve që vijnë nga Europa në Amerikë, porse dëshironim të takonim edhe sa më shumë shqiptarë. Me thënë të drejtën ndjenim mall të njihnim sa më tepër bashkëatdhetarë të krahinave të Kosovës e Shqipërisë, ndjenim mall të flisnim shqip në këtë tokë të huaj.
Babë Simoni dhe unë ecnim të hutuar dhe të heshtur në zonën e Pelham Parkway-it, në Bronx, apo siç e quajnë shqiptarët e sotëm “Little Albania”, një nga komunitetet më popullore shqiptare të Amerikës. Baba jem binte në sy për veshjen e tij karakteristike tradicionale të malësorëve të Kosovës; tirqet me gajtana, brezin dhe jelekun, veçmas me atë plisin e bardhë si ajo bora ende e pashkrirë majë kreshtës e të Korabit madhështor. Rreth e përqark zonës së Pelham Parkway soditnim bukuritë natyrore, gjelbërimin, pemët, zogjtë që fluturonin, ketrat, të cilët me atë shpejtësinë marramendëse ushqehen dhe ikin vrullshëm nëpër lëndinë, harbojnë në degët e pemëve, njerës të racave të ndryshme që ecnin normalisht pranë nesh dhe vështronin tim atë, madje nuk ngurronin ta shprehnin mahnitjen mbresëlënëse ndaj vëshjes tradicionale së tij, na përshëndësnin, paçka se ne nuk e kuptonim gjuhën e tyre, por baba jem ngrinte dorën dhe i përshëndeste shqiptarçe. Diku më tutje, përfund trotuarit të Parkut, syri më kapi një burrë në moshë relativisht të re, disi imcak me trastën hedhur supit dhe një kamera fotografik në dorë. Nuk e di porse me vete e kuptova që ai ishte shqiptar! Kjo ishte përshtypja e veçantë që më la sapo e pashë atë njeri. Nisa t’i flisja shqiptarçe, të vetmen gjuhë të nanës që flisja:
-Na jemi Babë e Bir, prej Kosove!
Kur i thashë se jemi “prej Kosove” sytë e burrit përballë nesh u gjallëruan dhe u bënë më të qeshur dhe entuziastë. Zgjati dorën dhe e toku me Babën, duke buzëqeshur më thotë:
-Jam Dalip Greca, Gazetar!
-Pasha zotin, nuk paskam gabuar, thirrja e gjakut të shqipes na bashkon në këtë “botë të vogël”! –ia ktheva unë dhe tokëm duart. Fluturoja nga gëzimi për atë takim të papritur dhe tejet i përzëmërt me një shqiptar. Dhe ftesës mikpritëse të mikut të ri gazetar, për t’u ulur te kafe “Star”, nuk e refuzuam. Ishte një nder dhe respekt i veçantë për ne të uleshim, bisedonim dhe pinim një kafe shqiptarçe, veçmas për Babë Simonin. Si të gjthë shqiptarët që jetonin në anën tjetër të tokës mëmë, në Kosovë, Babë Simoni ishte tejet kurioz të dinte rreth gjendjes social -ekonomike dhe politike në të dyja sistemet në monizëm e demokraci në Shqipëri dhe i bënte pyetje të njëpasnjëshme Dalipit. Ai nuk lodhej, por i përgjigjej me kënaqësi çdo pyetje të Babë Simonit, madje edhe atyre pyetjeve delikate, që mund të ishin jashtë përfytyrimit të tij, porse Dalip Greca ishte mjaft i pergatitur nga përvoja e një gazetari profesionist, njohës i mirë i lëvizjes demokratike në të dyjat kahjet e atdheut, Ballkan e vendet e Lindjes, dhe i shtypit shqiptar në të gjitha sferat e rëndësishme të situatës social -politike në Kosovë, Shqipëri dhe në Diasporën Amerikane. Qysh prej asaj dite Publicisti dhe Kryeredaktori i Gazetës Dielli, u bë mik i familjes sime, në hidhërime e gëzime, por ajo që është më e rëndësishmja, ishte mbështetja dhe bashkëpunimi ynë i frytshëm dhe tejet i suksesëshëme me Gazetën Dielli, të cilën ai e drejtoi për 12 vjet me rradhë.
Ndër Vite dhe në Kohë…
Gazetaria është profesion dhe mision që kërkojnë virtytin e të ndershmit dhe së vërtetës. Gazetari po nuk rrezikoi me profesionin e tij, nuk mund të jetë gazetar. Për më tepër, gazetari nuk ka as armë as fishekë, por ai ka artin e guximit dhe të kurajos, artin e të shkruarit dhe të shprehurit që bashkërendon ngjarjet në kohë, gazetari është gjithmonë në kërkim dhe promovim të vlerave, që kur i lexon të befasojnë dhe impresionojnë për kredibilitetin e tyre të çmuar, për vlerat kombëtare, qytetare dhe atdhetare; për të mos u lënë në harresë! Diaspora shqiptaro-amerikane ka plot shembuj të shkëlqyer të gazetarëve të guximit dhe përkushtimit, mendimit të maturuar dhe mençurisë, mendjes së shëndoshë dhe krahëve të fortë.
Në mesin e komunitetit të editorëve të hershëm që kanë drejtuar Gazetën Dielli të shqiptarëve të Amerikës, tashmë historia do të shkruajë edhe emrin e Publicistit të njohur, Dalip Greca, -një gazetar profesionist, unik, i matuar, i mençur dhe transmetuese e përhapjes së humanizmit, çuarjes e përjetësimit të veprës së Nolit e Konicës, editori, analisti, historiani, shkruesi dhe mbledhësi i fakteve, misionar i pazëvendësueshëm që ngulmon drejt së vërtetës, sado e thellë të jetë ajo në raport me vitet dhe midis dy epokave.
Për 12 vjet rresht universi profesional i penës publicistike të Dalip Grecës manifestoi talent, energji, vullnet dhe ndjenja thellësisht humane, ai nuk rresht së shkruari, reportazhe, intervistoi personalitete e njerës të thjeshtë hulumtoi për shqiptarët e vjetër e të rinj, rilindi jo vetëm Gazetën Dielli por rilindi, ngriti dhe pasuroi edhe Bibliotekën e Federatës Pan Shqiptare “Vatra”. Dalip Greca, solli të gjalla ëndrrat, shpresat, kontributin, idetë e vatranëve të vjetër e të rinj, idetë e shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë që jetojnë e punojnë në Diasporën Amerikane.
Fryma intelektuale, atdhetarizmi dhe patriotizmi që karakterizon penën publicistike, veprën dhe kontributin e publicistit të njohur dhe ish-Kryerdaktorit të Gazetës Dielli, Dalip Greca,- janë trashëgimia dhe vlerë e çmuar e historisë e krenarisë kombëtarë, identitetit shqiptar, vlerave kombëtare dhe çështjes kombëtare shqiptare, me ndikim të thellë në formimin e brezave të ardhshëm.
Dalip Greca, i vendosur dhe i vëmendshëm, vet-kërkues dhe i vetdijshëm për ç’ka shkruan e projekton në atë ideal që ai beson, ringjalli gazetën më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës- Dielli dhe si editor i saj, gazeta pati lavdi, sukses dhe ndryshime thelbësore në formë e funksion, gjithmonë duke ruajtur frymën e Nolit e Konicës. Dalip Greca u lind në “kryeqendrën” e Myzeqesë, Lushnjë, -qytei historik që njihet për një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit tonë, – Kongresi i Lushnjës, që u mbaj prej 21-31 Janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një Akt i Kushtetues për Pavarësinë e Plotë të Shqipërisë. Ngjarjet historike të vendlindjes dhe studimet për gjuhë letërsi, pasioni për të shkruar do e kapnin “prej dore” djaloshin lushnjar që e tërhoqën drejt profesionit të vështirë, të guximshëm, fort mbresëlënës, kurajoz e të rrezikshëm të gazetarit. Punoi si redaktor në disa gazeta lokale të qytetit të Lushnjës, “Shkëndija, “Ora e Fjalës”, dhe ka drejtuar gazetën, “Republika” kryeredaktor i saj. Në vitin ’99 Dalip Greca me familjen emigroi në SHBA- ës, dhe që prej asaj kohe do të jetë i pranishëm në shtypin shqiptar dhe atë shqiptaro- amerikan, fillimisht redaktor-përgjegjës për seksionin shqip në gazetën shqiptaro-amerikane Illyria, por edhe bashkëpunëtor në mediat e shkruara dhe vizive shqiptare dhe shqiptaro-amerikane sikundër gazetar i jashtëm i Albanian Culture TV me qendër në New York.
Pena publicistike e Grecës është mjaft e njohur me editoriale, reportazhe, opinione e kolumnat në shtypin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Prishtinë e Tiranë, në gazetën e Vatrës -Dielli, ku paraqet Amerikën në dy plane, -Vendi i Lirisë dhe i demokracisë i mbështetur në ligje të palëkundshme dhe vendi i mijëra emigrantëve shqiptarë. Në vitin 2009-ë me nismën e Shoqatës Pan Shqiptare “Vatra”, një grup intelektualësh dhe dashamirës, të cilët hodhën idenë e ringjalljes së Gazetës Dielli, gazetës historike e tradicionale, produkt i Era-Noli dhe Konica! Mbas 10 vite të editimit të edicionit shqip te Gazeta Illyria, në vitin 2009-ë, Publicist i njohur Dalip Greca merr drejtimin e Gazetës Dielli si Kryerdaktor i saj. Me vendosmëri e përkushtim, dhe me mbështetjen e fuqishme të Federatës Vatra rilindi gazetën historike Dielli!
Dalip Greca ndryshoi krejt realitetit e Gazetës Dielli; stabilizoi botimin e përmuajshm të gazetës në print; publikimin e saj të përditshëm online; punoi pa u lodhur ditën e natën për mbledhjen dhe pergatitjen e koleksioneve të gazetës për një periudhë 42 vjeçare; gjithashtu ngriti, pasuroi dhe sistemoi me botimet të vjetra e të reja Bibliotekën e Shoqatës Vatra.
Publicisti i njohur dhe Kryeredaktori i Gazetës Dielli ka qenë dashamirës dhe mik i devotshëm i shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Me trastën supit dhe kamerën e gazetarit, Dalipi ishte i kudogjendur, ai ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm me penën e tij profesionale të gazetarit në promovim e librave të autorëve shqiptaro-amerikanë. Madje Federata Vatra dhe Kryerdeaktori i Diell-it Dalip Greca kanë organizuar dhe mirëpritur me qindara promovime të librave të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, por edhe të shkrimtarëve të njohur të letrave shqipe dhe botës shqiptare.
Nën drejtimin e Dalip Grecës, Gazeta Dielli ka botuar në vazhdimësi poezi, esse, reportazhe, intervista, tregime, kolumna, opinione, tregime, etj, të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ku mes tyre edhe shkrimet e mija modeste.
I shpreh falenderimet dhe mirënjohjen e thellë, vlerësimin tim për mbështetjen dhe bashkëpunimin dinjitoz me Gazetën Dielli dhe njeriun e mirë, Kryeredaktorin dhe Publicistin e njohur, Dalip Greca!
Në emrin tim personal e të familjes sime i uroj:
Pensionim të mbarë, Bekimet e Zotit, plot Shëndet, Jetë të gjatë, Mbarësi dhe Lumturi përherë!
Zoti Bekoftë Ty, Dalip dhe Familjen Greca!
Zoti Bekoftë Vatrën & Diellin, shqiptarët dhe Amerikën.
*Mëhill VELAJ
Kryetar i SHSHSHA
Stamford CT USA
July 2021