Nga Behlul Jashari/ KAÇANIK, 7 Shtator 2015/ Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990 ishin kundërpërgjigje ndaj agresionit kushtetues serb mbi Kosovën, përmes këtyre dy akteve u përgatitën kushtet juridike drejt pavarësisë, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës kosovare, Kadri Veseli.Gjatë pasditës dhe në mbremjen e sotme, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit, është shënuar 25 vjetori i miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.Në manifestim ishin të pranishëm edhe kryeministri kosovar, Isa Mustafa, kreu i Kuvendit në kohën e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ilaz Ramajli, delegatë protagonistë të ngjarjes së 7 Shtatorit 1990, përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë të shumtë.Kryeparlamentari Veseli vlerësoi rëndësinë historike të 7 Shtatorit 1990 dhe hapin guximtar të protagonistëve të kohës, të cilët në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme ndërmorën veprimin e duhur, si përgjigje të agresionit kushtetues të Serbisë.