Nga Roland Gjoza/New York/
Nuk është viti 2013, as ndonjë vit tjetër, por pikërisht viti kur Kadarenë nuk e kemi më. Nuk është. Ka shkuar. Ka njështendosje. Çurçilli ka thënë se kur ikin shqiponjat, të çajnë veshin papagajtë. Nuk është i pranishëm Kadare. Shkoi me engjëjt. Natyrisht që nuk shkruan më. Nuk përdoret prej misterit karboni që e vizaton fizikisht, ai karbon, ajo bojë, apo ngjyrë që e spikati kaq shumë. Sepse nuk ekziston më fizikisht. Nuk e shohin në rrugë, në tv. Ç’ndodhi? Nuk e shajnë më ata që s’e donin. Nuk përmendet nëpër kafene. E harrojnë. Kështu duket njëfarësoj. E kanë harruar Kadarenë. Sepse i mundoi me famën e tij dhe tani duan të hakmerren. Për se të hakmerren, o Zot? E përmban geni ynë, ai çelësi kopil i hakmarrjes që hap dhe varret. E patë, shpërthen ndonjë prej levantinëve tanë, ku e keni, u harrua…
Ndërsa ata që e njohin kush qe Kadareja nuk dinë nga t’ia mbajnë, sepse në këtë vend, në vendin e shqiponjave nuk duan kokë mbi kokat, hije mbi të tjerët, thjesht nuk duan të dallohesh veçan me spikamë të madhe, sepse bëjnë gati hanxharin. Këtë e thotë në Testamentin e tij Mitrush Kuteli; në letërsi ka shumë zili, helm, të hanë gjarpërinjtë. Të ngresh kokën mbi të tjerët të quajnë mendjemadh, katil dhe ta këpusin, ta ulësh atë, të quajnë të paaftë, dështak dhe të marrin nëpër këmbë. Ç’do të thotë kjo, të bësh kokë mbi të tjerët, në rastin tonë, për Kadarenë? Të kesh talentin e tij gjenial, por që ai s’duhej ta shpallte për hir të modestisë ose të prishjes me shokët, sepse kështu bëhesh i padurueshëm. Erdhi liria, tani mund të shprehemi, të themi, për shembull, mjaft Kadare se nuk je vetëm ti. Sepse kontroversi në letërsi ekziston tek ai absurd që përgjithësisht një pjesë e madhe i binden zërit të vet egocentrist e narcist, jo gjykimit të vërtetë prej tjetrit, ndaj në këtë zeje kuçke gjen më fort përngjasime me Borges e Markes e me plot marrëzi të tilla. Iku Kadareja, ky patriark i letrave, ky përvetësues i të gjitha meritave letrare, ky sadist i shkrimtarëve të tjerë që ua mori frymën me spikamën e famës së vet. Iku ai dhe erdhi qetësia. Tjetër arome nuhatet në ajër, edhe ajo e shtëpisë tende, që ishte harruar, nuk e ndjen, iku kuçedra me shtatë kokë dhe u çlirua burimi. Le të pimë ujë të gjithë, jo vetëm ai; hej, iku, ejani të mbushim ujë te mali Elikon ku rrojnë Muzat. Po s’ka muza, burimi s’nxjerr më ujë. Ç’ka ndodhur? Iku Kadareja. Ajo violina e tij e Paganinit, që binte aq mjeshtërisht iku bashkë me Kadarenë. S’ka më Kadare.
Në kafenetë ku shkonte ditëve të fundit i mërzitur prej heshtjes e urrejtjes shqiptare, më fort pas shpalljes së Nobelit e ai prapë s’e fitonte, nuk do ta shikojnë më, jo, s’keni për ta parë më. Edhe në kafene s’e keni më, aty ndanë dritares duke parë vjeshtën, fërkoni duart. S’do ta pijë me atë kafen brazilianë me një filxhan italian midis miqsh të paktë shqiptarë, fërkoni duart. Nuk do të ngrihet dhe kokat s’do të kthehen më drejt tij dhe vajzat s’do të nguten ta ndalojnë për një autograf, fërkoni duart. Ç’mos bëni e ç’nuk bëni që librat e tij të mos shumohen dhe aq, të mos futen në tekstet shkollore aq bujshëm, të përhapet sindromi i armikut Kadare, në qoftë se dikush guxon dhe e risjell siç e meriton, zulmëmadh e emërkumbues përmbi kryeministra e presidentë të përkohshëm, që letërsinë e kanë konsideruar si një kuti me kruajtëse dhëmbësh në gostitë e tyre.
Dhe Kadare do të harrohet përderisa Shqipëria është mbushur me horra me kostume europiane, me shumë portofola, që kanë brenda para të nxjerra nga Gërdeci, Rruga e Kombit, nafta, kufiri detar, plehrat e Europës, vrasjet, krimi, trafiku i drogës, i vajzave, fëmijëve, organeve…përderisa kaosi quhet liri dhe demokraci dhe idioti, intelektual. Vetëm kur të bëhemi një komb normal, atëherë Kadare do të shfaqet përsëri dhe do të jetë e arsyeshme që ai të zërë vendin e më të madhit shkrimtar shqiptar dhe do ta qajnë, shumë vonë, por do ta qajnë dhe do të kuptojnë ç’kanë humbur, shumë vonë, por do t’ia mbulojnë monumentin në mes të Tiranës me lule dhe pelegrinazhi do të jetë i gjatë, shumë vonë dhe më e natyrshmja do të jetë se ju që e urryet dhe fërkuat duart s’do të jeni më, sepse do të jeni bërë pleh kungujsh pa nam e nishan. Pra, Kadare erdhi.
Në shekuj Kadare do të vijë, sepse s’pati vetëm një prerje shqiptare, por dhe një prerje botërore. Prandaj lus Zotin që Shqipëria të bëhet normale dhe në një ditë të kthehemi te vendi i Kadaresë.