
Muç Xhepa/
– Ejani të më takoni në kishën tonë! – tha Spenseri, udhëtari që kishte porositur Uberin, kur lamë pas avenynë “Konektikat” në qytezën e Kensingtonit. – Të njiheni me kishën e mormonëve; është rindërtim i kishës që ngriti vetë Krishti.
Tempulli mormon, arkitekturë moderne, veshur me mermer të bardhë vezullues, ka gjashtë kulla të larta, si anije kozmike drejt Krijuesit, në verilindje të Uashingtonit. Është ndërtuar në mesin e shekullit të njëzetë. Nga madhësia është i treti në vend dhe ka kushtuar dhjetëra miliona dollarë. Vendndodhja e dukshme përgjatë unazës së kryeqytetit e ka kthyer në pikë pelegrinazhi për vendasit dhe të huajt.
– Faleminderit për ftesën! Do të vij me shumë dëshirë. Më kanë treguar se vendi i vizitorëve në hyrje është mahnitës.
– Po! Piktura gjigante, Krijuesi dhe dishepujt… – Spenseri flet me pasion.
Natë pranverore, e freskët, me fllad Kraste. Fund maji. Sportelistja e hotelit “Skampa” më priti ftohtë. Orar jo i përshtatshëm për të vizituar mysafirë. Hoteli gëlonte me kostumgrinj, kati i dytë përgjohej natë e ditë. Jetonte një çift gjerman. Thuhej se ishin të interesuar për metalurgjinë e zezë, “Çeliku i Partisë”. Asnjëherë nuk e morëm vesh rolin e tyre të vërtetë, por bashkëshortja, një grua e thyer në moshë, dukej e shpenguar kur flirtonte hapur me përkthyesin, një mashtrues profesionist i qytetit tonë, që nuk i hynte gjemb në këmbë. Kishte lidhje me kupolën e lartë komuniste.
– Jemi nisur që me natë.
Iliri kishte vendosur këmbët mbi jastëk në fundin e krevatit; ato ishin të ënjtura dhe pranë gishtërinjve kishin krijuar flluska të mbushura me ujë.
– Kur filluam të ngjisnim malin, na buzëqeshi dielli mbi Krrabë, ndërsa aroma e luleve të blirit na ndoqi deri në kilometrin e njëzetenëntë. Aty pushuam, hëngrëm mëngjesin.
Petro e aprovonte me buzëqeshje.
Petro Zheji dhe Ilir Kroi, në fundjavë, e kishin bërë zakon të bënin udhëtime të gjata në këmbë. Pelegrinët këtë radhë kishin zgjedhur Elbasanin. Petro ishte njohës i thellë i librave të shenjtë. Ungjilli ishte ushqimi shpirtëror kryesor i tij. Kultura e gjerë fetare dhe bindja e patundur në Krijuesin e gjithësisë e kishin kthyer në një lloj famullitari, ku anëtarë të famullisë ishin miq dhe të besuar të tij. Gjatë këtyre pelegrinazheve në këmbë, ata ndalonin pranë rrënojave të kishave të mbyllura. Aty Petro i falej Zotit për shëndetin e mikut të tij. Iliri kishte kaluar tronditje mendore të rëndë. E kishin përjashtuar nga shkolla dhe i kishin bërë hetuesi speciale, sepse e kishin zënë duke lexuar në gjermanisht Zigmund Frojdin, librin “Interpretimi i ëndrrave”. Iliri ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç atëherë.
– Më spiunoi djali i Kadri Hazbiut, – më tregoi Iliri një natë, fillim vere, kur ishim duke mësuar në shtëpinë e tij për provimin e hyrjes në gjuhësi, anglisht; lëndë e vështirë, por e këndshme. Profesori i talentuar Gëzim Hado e kishte kthyer në art.
– Ia tregoi vajzës së Spiro Kolekës, poetes; përpiqej t’i fitonte zemrën. Aq mjaftoi dhe më rrëmbyen në mesnatë.
Iliri tregonte, unë nuk u besoja veshëve.
– Kërkonin të dinin burimin. Njeriun që më kishte dhënë librin. Më mbajtën tri javë mbyllur në një qeli betoni, pa dritare, ku një llambë në kafaz hekuri, varur në tavan, rrinte gjithnjë ndezur. Ditët e para jam shtrirë në çimento, pastaj sollën një dyshek të mbushur me kashtë. Rezistova. Javën e tretë më sollën nënën. Në qeli. Pa aguar. Ishte tretur. S’e njoha.
Ilirit i dridhej zëri.
– Për ty, bir, u ndava me babanë tënd. Duheshim shumë. Vendosëm që të rriteshe jashtë kampeve të internimit.
Iliri ishte nipi i Haxhi Kroit, syri dhe veshi i Neronit. Shqyerja e bishave brenda llojit nuk kishte kufi. Nxitej edhe nga vetë Neroni. Kënaqej kur shihte gjak.
– “Për ty zë qelinë. Këtu, pranë teje!”. Kur u përmenda, gjendesha në spitalin numër pesë. Mbi mua eksperimentonte mjeku i sigurimit, Ylvi Vebiu.
Dëgjoja i ngrirë.
– S’më ke pyetur përse e quaj djalin e tij “Uria Hip”! Ja, mësoje tani. Ardiani i di të tëra dhe hiqet sikur nuk ka ndodhur gjë.
Me Ardianin ishim në të njëjtin fakultet.
Në fshatin Shijon, Petro dhe Iliri kishin ndaluar te rrënojat e një kishe të lashtë. Shijoni ishte bërë i njohur për mua që në fëmijëri nëpërmjet tregimeve të gjyshes sime. Një pjesë e tij ishte pronë e saj.
– Muzgu na zuri te manastiri i Shijonit.
Iliri uli këmbët.
– Mbaji lart sa të shkojë e ënjtura, – e këshilloi Petro.
– Janë më mirë tani, – tha Iliri dhe vazhdoi të tregojë. – Pranë dy qiparisave të lartë, në pjesën jugore të kishës, ishte në gjunjë një nënë e veshur me të zeza. Lutej. Me duar ruante flakën e qiririt të mos i shuhej. U afruam ngadalë, Petro nxori nga xhepi një qiri, e kishte sjellë me vete për t’u lutur. E vendosi mbi një gur të lëmuar, pjesë e ndonjë pllake varri. Më bëri shenjë të afrohesha. U ulëm në gjunjë. Petro e ndezi, vuri dorën në kokën time dhe filloi të lutej për shëndetin tim. Pa mbaruar lutjen:
“… Mbushja jetën me shpirtin tënd … Shën Vladimir! Amin!”, nëna plakë u afrua:
“Thuaj edhe një lutje për djalin tim të mbyllur në Qafë-Bari, o bir i Zotit!”.
Nëna uli kokën që Petro ta prekte me dorë.
“Burrin ma vranë, po iknin jashtë, të kërkonin punë. Ushtari e qëlloi.”.
Zëri i doli me vaj. Petro u lut për djalin e saj. Nëna e mbuloi me urata dhe u largua. Ikte nëpër errësirë.
– Shën Vladimiri ka fuqi shëruese. Kanë ardhur në shekuj njerëzia këtu dhe kanë gjetur shpëtim, – zëri i Petros u bë i thellë.
– Te qiparisi i ra në gjunjë Zotit dhe i kërkoi të ngrinte kishën. Legjenda thotë se iu shfaq edhe shqiponja jonë me kryq në kokë.
Petro u ngrit nga krevati, nxori nga çanta një bllok të trashë me kapakë kartoni të zinj.
– Ja, Ramiz Alia, krimineli, thotë se nuk është tradhti kalimi i kufirit dhe qenve u jep urdhër të qëllojnë.
Ashtu, si Moisiu në pikturën e Rembrandit me pllakën e gdhendur, porositë e Zotit, Petro përplasi me forcë bllokun mbi tryezë. Ora po shkonte dymbëdhjetë. U largova për t’u takuar të nesërmen përsëri. Në drekë u mblodhëm te veranda e hotelit “Skampa”. Ishim bërë pesë miq të famullisë së tij. Me gotë vere në dorë, Petro na falënderoi për mikpritjen.
– E ngre këtë gotë për miqtë e mi të mirë! Elbasani na priti me kambana. Sot është dita e Shën Vladimirit! Paçi uratën e Tij!
Kur Petro dhe Iliri ishin afruar pranë hotelit “Skampa”, kambana e orës së qytetit kishte rënë dhjetë herë. Për Petron, ajo simbolizonte kishën që shteti komunist e kishte mbyllur me ligj.