
Studim nga Rafael Floqi/
Kanuni shqiptar ka qenë për shekuj me radhë një nga manifestimet më të fuqishme të së drejtës zakonore në Evropë, duke u shndërruar në një kod të pashkruar që rregullonte marrëdhëniet shoqërore, ekonomike dhe penale të komuniteteve ku shteti kishte munguar ose nuk kishte arritur të vendoste autoritetin e vet. Në këtë kuptim, Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është thjesht një trup normash arkaike, por një shprehje e qartë e aftësisë vetërregulluese të shoqërisë shqiptare. Përkundër tij, Kodi Penal, i krijuar për herë të parë në vitin 1928 dhe i përditësuar disa herë deri në versionin e vitit 2017, është shprehja e shtetit modern dhe e parimeve universale të së drejtës penale, të bazuara mbi përgjegjësinë individuale, proporcionalitetin e dënimeve dhe respektin për të drejtat themelore të njeriut (Rakipi, 2005).
Historia paralele, Kanuni dhe Kodi Penal
Gjate periudhës osmane Kanuni i Lekës ishte ligji i komunitetit, ndërsa ligji osman ishte ligji i shtetit. Shqiptarët përdornin Kanunin për të rregulluar jetën e përditshme, ndërsa ligji osman kishte ndikim më të madh në çështjet shtetërore, tatimore dhe fetare. Ligji islam (Sheriati) ishte baza e drejtësisë fetare dhe shtetërore. Ai mbulonte çështje penale, civile dhe familjare sipas parimeve islame. Përveç Sheriatit, Sulltanët osmanë shpesh nxirrnin kanun (ligje administrative) që rregullonin tatimet, ushtrinë, pronësinë e tokës dhe marrëdhëniet midis shtetit dhe subjekteve të tij. Në Shqipëri dhe rajone të tjera ku shteti osman kishte kontroll të kufizuar, zbatimi i Kanunit ishte më i madh, ndërsa ligjet osmane shpesh mbeteshin formale ose të kufizuara në qytete dhe qendra administrative. Kanuni i Lekës funksiononte shpesh si një sistem i pavarur drejtësie, duke mbushur boshllëqet ku ligji osman nuk arrinte.
Kodi Penal i vitit 1928 në Shqipëri u hartua si pjesë e përpjekjes së parë madhore për konsolidimin e një shteti modern shqiptar, si edhe për kalimin nga sistemi i së drejtës zakonore (Kanuni) te një sistem ligjor i kodifikuar. Komisioni hartues: Kodi u përgatit nga një grup juristësh shqiptarë dhe italianë, të cilët morën si model Kodet Penale italiane dhe franceze. Burimet historike tregojnë se ndikimi më i fortë ishte nga Kodi Penal Italian i vitit 1889 (Kodi Zanardelli) dhe nga Kodi Penal Francez i Napoleonit (1810).
Kodi parashikonte ndarjen e veprave penale në krime dhe kundërvajtje, ndëshkimet përkatëse, si dhe rregulla mbi përgjegjësinë penale, duke e shkëputur sistemin juridik shqiptar nga praktikat zakonore dhe nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Zogu synonte të forconte shtetin qendror dhe të vendoste autoritetin ligjor mbi normat zakonore, të cilat mbizotëronin në shumë krahina të Shqipërisë, veçanërisht në veri. Kodi Penal i vitit 1928 ishte, në këtë kuptim, një akt shtetformues dhe modernizues.
Kristo Floqi ka kontribuar në zhvillimin e sistemit juridik shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. Ai ka hartuar tekste të rëndësishme si “E drejta Themelore” (Shkodër, 1920) dhe “Konstitucionalizmi” (Korçë, 1923), të cilat shërbyen për përhapjen e njohurive juridike dhe kultivimin e kulturës kushtetuese në Shqipëri. Në këto vepra, ai ka theksuar rëndësinë e parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut, duke kontribuar në orientimin e Shqipërisë drejt modeleve perëndimore të qeverisjes.
Pas çlirimit në vitin 1944, regjimi komunist i Enver Hoxhës vendosi një sistem të rreptë ligjor dhe penal që synonte konsolidimin e pushtetit dhe eliminimin e çdo kundërshtari. Kodi Penal i Republikës Popullore të Shqipërisë (1950) u bazua pjesërisht në modelet sovjetike dhe u përditësua në disa versione gjatë viteve, duke përfshirë dispozita të veçanta për “krime politike”.
Komunizmi dhe kanuni
Komunizmi i Hoxhës synonte të krijonte një shoqëri racionalisht ligjore dhe socialiste, ku çdo autoritet tradicional, fetar apo lokal duhej të zëvendësohej nga shteti dhe Partia e Punës. Kanuni, si ligj i zakonshëm dhe i bazuar në norma morale dhe fetare, konsiderohej “reaksionar” dhe pengesë për modernizimin social dhe ekonomik. Regjimi e portretizonte Kanunin si një instrument të “prapambetjes” dhe të “feudalizmit” që ushqente konfliktet mes familjeve dhe krahinave.
Edhe pse Kanuni nuk ishte formal ligjor që nga koha e shtetit komunist, autoritetet e përdornin propagandën për të demonizuar çdo praktikë kanunore. Kriminalizimi i gjakmarrjes: Neni i Kanunit që lejonte gjakmarrjen u ndëshkua me ligj penal të shtetit. Autoritetet përdornin forcat e rendit për të parandaluar konflikte të tilla mes familjeve. Në shkolla dhe media, Kanuni prezantohej si një “simbol i barbarizmit dhe mospajtimeve të shoqërisë primitive”. Kodi Civil dhe Penal i ri: Ligjet e komunistëve mbulonin të gjitha fushat që dikur rregulloheshin nga Kanuni, përfshirë: Pronën dhe trashëgiminë. Martesën dhe familjen. Zgjidhjen e konflikteve mes individëve dhe familjeve. Shteti u përpoq të monopolizonte drejtësinë dhe konfliktet mes njerëzve të trajtoheshin vetëm nëpërmjet institucioneve shtetërore. Megjithë përpjekjet e regjimit, në zonat rurale, sidomos në veri, disa elemente të Kanunit vazhduan të praktikoheshin në mënyrë të fshehtë. Përplasja dhe ndërthurja e këtyre dy realiteteve juridike kanë formuar një tension historik që vazhdon ende sot, ku gjakmarrja dhe koncepti i nderit, të rrënjosur në Kanun, shpesh kanë konkurruar me mekanizmat institucionalë të drejtësisë shtetërore.
A është e mundur të përfshihet Kanuni në Kodin e ri Penal ?
Megjithatë, përtej këtij antagonizmi, lind pyetja thelbësore: a është e mundur të përfshihet Kanuni, i transformuar dhe i pastruar nga elementet e tij arkaike, në Kodin e ri Penal shqiptar? Përgjigjja kërkon një analizë të thelluar historike, juridike dhe morale, sepse ndërthurja e së drejtës zakonore me atë shtetërore nuk është vetëm një proces teknik, por edhe kulturor dhe identitar.
Që në përshkrimin e parë të Kanunit nga At Shtjefën Gjeçovi, vihet re natyra e tij kolektive dhe morale: “Kanuni nuk asht shkrue prej nji njeriu, por âsht rrjedhë e jetës së popullit, e trashëgueme prej shekujsh” (Gjeçovi, 1933, f. 12). Kjo tregon se Kanuni nuk ishte vetëm një ligj, por një mënyrë të jetuari, një sistem i tërë normash që lidhte drejtësinë me nderin dhe besën. Në këtë kuptim, për çdo shqiptar të kohës, shkelja e një neni të Kanunit nuk ishte thjesht krim, por edhe turp dhe humbje e vlerës shoqërore. Përkundrazi, Kodi Penal modern bazohet mbi një racionalitet tjetër: ai e sheh krimin si shkelje të ligjit shtetëror dhe dënimin si mjet për të mbrojtur shoqërinë dhe për të rehabilituar autorin e veprës penale.
Ndërthurja mes këtyre dy sistemeve është vërejtur historikisht sidomos në zonat veriore të Shqipërisë, ku autoriteti i shtetit ishte shpesh i dobët. Studiuesi gjerman Peter Bartl ka theksuar se “në veri të Shqipërisë, deri në mesin e shekullit XX, autoriteti i Kanunit ishte shpesh më i fortë se ai i shtetit” (Bartl, 1985, f. 201). Kjo situatë e dualitetit juridik solli shpesh konflikte të hapura: ndërsa Kodi Penal dënonte gjakmarrjen si vrasje të rëndë, Kanuni e legjitimonte si një formë të drejtësisë reciproke. Po kështu, përderisa ligji modern njihte vetëm përgjegjësinë individuale, Kanuni e shtrinte përgjegjësinë edhe mbi fisin dhe familjen e fajtorit. Ky kontrast ka qenë një nga pengesat më të mëdha në procesin e shtet formimit shqiptar.
Kanuni si kontribut të vlefshëm për humanizimin e së drejtës penale
Nga ana tjetër, Kanuni nuk duhet parë vetëm si një pengesë për modernizimin juridik. Ai përmban vlera që mund të integrohen në një kod moral e madje edhe në një kod penal të kohës sonë. Elementet e tij pozitive – si besa, respekti për mikun, mbrojtja e pronës dhe nderi i individit – janë në thelb të përputhshme me parimet e të drejtës moderne. Studiuesi Robert Elsie e përkufizon Kanunin si “kushtetutën e pashkruar të shqiptarëve të veriut, një sistem ligjesh që siguronte mbijetesën e shoqërisë në mungesë të autoritetit shtetëror” (Elsie, 2001, f. 144). Kjo do të thotë se, i interpretuar në mënyrë moderne, Kanuni mund të japë një kontribut të vlefshëm për humanizimin e së drejtës penale shqiptare.
Në fakt, shumë shtete kanë përfshirë elementë të së drejtës zakonore në legjislacionin e tyre. Për shembull, në disa vende afrikane, si Nigeria apo Afrika e Jugut, sistemet gjyqësore tradicionale janë njohur dhe harmonizuar me kodet moderne. Në Japoni, elementë të etikës konfuciane kanë ndikuar në interpretimin e ligjit penal, duke i dhënë rëndësi të veçantë riparimit të marrëdhënieve dhe pajtimit social (Henderson, 1965). Një shembull i ngjashëm shihet edhe në Zelandën e Re, ku parimet e së drejtës zakonore të Maorive janë integruar në proceset gjyqësore si faktorë zbutës në dënim. Këto raste tregojnë se përfshirja e elementeve zakonore nuk është e pamundur, por kërkon një proces të kujdesshëm adaptimi dhe rishikimi.
Besa, nderi dhe dinjiteti
Në kontekstin shqiptar, kjo do të nënkuptonte që disa parime të Kanunit mund të kodifikohen në formë të re. Për shembull, parimi i besës mund të shndërrohet në një dispozitë ligjore që thekson rëndësinë e marrëveshjeve të pajtimit dhe ndërmjetësimit penal. Në fakt, e drejta penale moderne po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë drejtësisë restauruese, ku viktima dhe autori i krimit përfshihen në një proces dialogu me qëllim riparimin e dëmit moral dhe material. Ky mekanizëm mund të përforcohet nga koncepti i besës, i cili tradicionalisht pezullonte armiqësitë dhe krijonte një hapësirë paqeje.
Një tjetër element i vlefshëm është respekti për nderin dhe dinjitetin, i cili mund të përdoret për të forcuar mbrojtjen ligjore ndaj shpifjes, fyerjes dhe cenimit të reputacionit. Kanuni e shihte nderin si më të shtrenjtë se jeta, dhe megjithëse ky ekstremizëm nuk mund të pranohet sot, ideja themelore e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor mbetet aktuale. Në këtë drejtim, përfshirja e konceptit të nderit në Kodin Penal modern mund të ndihmojë në mbrojtjen më të fortë të integritetit moral të individit.
Nga ana tjetër, disa elementë të Kanunit nuk mund të përfshihen, por vetëm të transformohen. Gjakmarrja, si formë e drejtësisë private, është e papajtueshme me shtetin e së drejtës. Megjithatë, ajo mund të zëvendësohet me dispozita që nxisin pajtimin dhe faljen si alternativa ligjore. Për shembull, mund të parashikohen dispozita të veçanta që lejojnë uljen e dënimit në rastet kur familja e viktimës pranon faljen dhe pajtimin. Ky mekanizëm do të ruante shpirtin e pajtimit të Kanunit, por duke e vendosur atë brenda kuadrit ligjor.
Përgjegjësia kolektive dhe personale
Një tjetër problem është përgjegjësia kolektive, që shtrihej mbi fisin dhe familjen e fajtorit. Ky parim bie ndesh me të gjitha normat moderne së të drejtave të njeriut, të cilat njohin vetëm përgjegjësinë individuale. Megjithatë, edhe ky element mund të rikonceptohet si përgjegjësi morale kolektive për të nxitur komunitetin në rehabilitimin e autorit të krimit dhe në përkrahjen e viktimës. Pra, nga një instrument ndëshkues, përgjegjësia kolektive mund të transformohet në një instrument solidariteti.
Një nga sfidat më të mëdha mbetet statusi i gruas në Kanun. Në shumë nene, gruaja trajtohet si e nënshtruar ndaj burrit, me të drejta të kufizuara trashëgimie dhe pjesëmarrjeje. Ky dimension nuk mund të përfshihet, por përkundrazi duhet të tejkalohet përmes një rishkrimi që vendos barazinë gjinore si parim themelor. Për ironi, pikërisht duke përfshirë një dispozitë të tillë në Kodin Penal modern, do të shënohej një distancim i qartë nga aspektet diskriminuese të Kanunit, duke e integruar trashëgiminë e tij në një horizont të ri moral.
Kodi Penal si modernizim i traditës
Në këtë kuptim, përfshirja e Kanunit në Kodin Penal nuk duhet të kuptohet si një rikthim i verbër tek e kaluara, por si një proces i modernizimit të traditës. Siç thekson Montesquieu: “Ligjet duhet të përputhen me natyrën dhe karakterin e popullit që i zbaton” (Montesquieu, 1748/1989, f. 112). Për shqiptarët, natyra e traditës zakonore është ende e pranishme dhe nuk mund të injorohet. Por ajo mund të transformohet në një instrument që forcon, dhe jo dobëson, shtetin e së drejtës.
Përfundimisht, ideja e integrimit të Kanunit në Kodin Penal nuk është e thjeshtë dhe kërkon një proces të gjatë debati akademik, politik dhe shoqëror. Ky proces duhet të përfshijë ekspertë të së drejtës, sociologë, historianë dhe vetë komunitetet lokale. Vetëm kështu mund të arrihet një sintezë e shëndoshë, ku e drejta zakonore të mos shfaqet më si një konkurrent i shtetit, por si një burim inspirimi për një sistem më human dhe më të afërt me kulturën kombëtare.
Një Kod Penal që do të përthithte elementet pozitive të Kanunit do të ishte një kod më i pranueshëm për qytetarët dhe më i lidhur me identitetin historik shqiptar. Ai do të krijonte një urë mes të kaluarës dhe së ardhmes, duke e kthyer një trashëgimi shekullore në një aset modern të shtetit ligjor. Në këtë mënyrë, Kanuni nuk do të mbetej një relikte e së shkuarës që shpesh shfaqet në formë dhune, por do të shndërrohej në një burim morali dhe ligjshmërie që e pasuron dhe e bën unik sistemin penal shqiptar.
Bibliografi
- Bartl, P. (1985). Albanien: Vom Mittelalter bis zur Gegenwart. München: Verlag C.H. Beck.
- Beccaria, C. (1764/1986). On Crimes and Punishments. Indianapolis: Hackett Publishing.
- Elsie, R. (2001). A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture. London: Hurst & Company.
- Gjeçovi, S. (1933). Kanuni i Lekë Dukagjinit. Shkodër.
- Henderson, D. F. (1965). Conciliation and Japanese Law: Tokugawa and Modern. Seattle: University of Washington Press.
- Montesquieu, C. de. (1748/1989). The Spirit of Laws. Cambridge: Cambridge University Press.
- Rakipi, A. (2005). E Drejta Penale Shqiptare. Tiranë: Universiteti i Tiranës.