
Gëzim Mekuli, Oslo
/Njohës i shkencave të medias dhe retorikës/
Në vendet nordike, si Suedia, Norvegjia apo Danimarka, debati mbi median nis nga një parim bazë demokratik: qytetarët duhet të dinë se kush qëndron pas lajmeve që lexojnë dhe shohin. Edhe aty ku ekziston përqendrim pronësie, transparenca mbi pronarët, financimin dhe përgjegjësinë editoriale konsiderohet kusht minimal për besimin publik. Media trajtohet si pjesë e sferës publike, jo si pronë private me funksion negociues.
Në Tiranë dhe Prishtinë, problemi është më i thellë dhe më i rrezikshëm. Pronësia e medias është kryesisht formale, ndërsa kontrolli real mbetet i fshehur. Shumica e mediave të mëdha shqiptare zotërohen nga biznesmenë të lidhur ngushtë me ndërtimin, koncesionet, energjinë apo tenderët publikë. Këto lidhje rrallëherë deklarohen hapur, por reflektohen qartë në vijën editoriale. Media nuk funksionon si institucion publik, por si instrument negocimi me pushtetin; sot sulmon, nesër hesht, pasnesër rehabiliton, sipas interesit të pronarit.
Ndryshe nga modeli skandinav, ku kryeredaktori mban përgjegjësi ligjore dhe redaksia gëzon autonomi reale, në Tiranë dhe Prishtinë (pa)kryeredaktori dhe redaksia është e varur. Autocensura nuk është përjashtim, por normë. Gazetarët e dinë paraprakisht cilat tema «nuk preken», cilët emra «nuk duhet të përmenden» dhe cilat skandale «shtyhen».
Edhe treguesit bazë të transparencës mungojnë; Nuk ka të dhëna të besueshme mbi audiencën, shikueshmërinë apo burimet reale të financimit. Portale që mbijetojnë pa reklamë private shfaqen papritur si «liderë tregu», ndërsa reklama shtetërore shpërndahet pa kritere të qarta, si shpërblim për bindje dhe heshtje. Në këtë mënyrë, media shqipe, në vend që të kontrollojë pushtetin, bëhet pjesë e sistemit klientelist.
Një shembull domethënës i këtij mekanizmi u pa gjatë debateve mbi lejet e ndërtimit dhe projektet turistike strategjike në Shqipëri. Për muaj me radhë, media kryesore promovoi tregimig e «zhvillimit», «investitorëve strategjikë» dhe «rilindjes urbane». Por kur dolën në dritë akuza për shkelje ligjore, konflikte interesi dhe betonizim masiv të bregdetit, një pjesë e madhe e kësaj media heshti. Nuk ishte mungesë informacioni, por zgjedhje editoriale e diktuar nga pronësia. Disa nga kompanitë e përfshira ishin reklamues kryesorë ose të lidhura drejtpërdrejt me pronarë mediash. Ky nuk ishte rast i izoluar, por model funksionimi.
Kjo sëmundje e moçme e medias është analizuar prej kohësh nga teoricienë të medias dhe demokracisë; Jürgen Habermas paralajmëron se kur media humb autonominë ekonomike dhe editoriale, ajo pushon së qeni hapësirë debati publik dhe shndërrohet në instrument të interesave private. Sipas tij, sfera publike degjeneron kur komunikimi nuk synon më të vërtetën, por menaxhimin e interesit.
Në të njëjtën pikë godasin edhe, Noam Chomsky dhe Edward S. Herman, në modelin e tyre të njohur të «manufacturing consent», theksojnë se kontrolli i medias nuk realizohet domosdoshmërisht përmes censurës së drejtpërdrejtë, por përmes pronësisë, reklamës dhe varësisë ekonomike. Media, në këtë kuptim, nuk gënjen gjithmonë hapur; ajo thjesht zgjedh çfarë të mos tregojë.
Në Shqipëri dhe Kosovë, ose më saktë, në median shqipe në Ballkan, ky model është bërë pothuajse normë; pronësi e errët, varësi ekonomike nga shteti dhe bizneset e lidhura me të, (pa)kryeredaktorë dhe redaksi pa autonomi dhe një publik i shkretë që merr informacion të filtruar, të pjesshëm dhe të manipuluar.
Media shqiptare kërkon transparencë nga politika, por refuzon ta zbatoj mbi veten. Dhe për sa kohë pronësia reale, financimi dhe kontrolli editorial mbeten në errësirë, media nuk është zë i publikut, por zë i interesave që paguajnë.
Konsekuent deri në fund; problemi nuk është vetëm kush e zotëron median shqipe. Problemi është se media shqiptare ka pushuar së qeni e publikut. E nëse media e jonë nuk i përket më publikut, atëherë kujt dreqi i shërben kjo vërtet?