Rafael Floqi/
Pjesa e dytë
Mbretëresha ilire, Teuta, ishte një grua e re me një karakter të vendosur; ajo kishte pasuar bashkëshortin e saj Agronin pas vdekjes se parakohshme, dhe ajo përdori aftësitë e saj për ta mbajtur së bashku mbretërinë e bashkëshortit të saj, në emër të djalit të mitur Pinnes të Agronit me shemrën e saj gruan e parë të Agronit, Triteutën. Ajo mbahet mend si simpatike, inteligjente, diplomatike, energjike dhe, mbi të gjitha, e vendosur për të vazhduar politikën ekspansioniste të Agronit në Adriatik.
Teuta qe ambicioze, ajo e mori pushtetin në emër të trashëgimtarit të ri në fron Pinnesit. Qëndrimi i saj agresiv kundër Romës ishte një vazhdimësi e qëndrimit të burrit të saj dhe ajo e përdori flotën e tij pirate, të pajisur dhe të mirëmbajtur mirë, për të sulmuar qytetet greke, të cilat për Romën kishin një rëndësi kardinale edhe në funksion të konfliktit ushtarak me Kartagjenën. Ndaj lundrimi dhe tregtia e sigurt në Adriatik shiheshin nga Roma të ishin një rrugë shpëtimi gjatë kësaj periudhe.
Mbretëresha Teuta jo vetëm që e menaxhoi piraterinë, por sillet e tregohet vazhdimisht me rolin e saj si një mbretëreshë luftëtare. Burimi kryesor historik është greku Polibi (Polybius)i cili tregoi jetën e saj tragjike në Tregimet e tij. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj Agronit, duke e kuptuar gjendjen e vështirë ekonomike të popullit të vet, mbretëresha: “mblodhi një flotë dhe një ushtri jo më inferiore se ato të mëparshmet, dhe e dërgoi në një ekspeditë ndaj kolonive greke, pasi u tregoi drejtuesve të flotës ilire se i gjithë bregu duhej konsideruar si territor armik”. Një politikë agresive kjo, që do të kishte siguruar jo vetëm kontrollin e të gjithë rajonit, por edhe të trafikut detar që zhvillohej aty.
Në të njëjtën kohë, në Luftën e Parë Puniko-Romake (264 p.e.s. – 241 p.e.s.), romakët kishin pushtuar Kartagjenën, duke asgjësuar për momentin fuqinë e detare punike në rajonin jugor dhe ishin të interesuar të zgjeroheshin edhe në Tirren dhe Mesdheun Perëndimor. Forcimi ushtarak ilir, me aleancat gjithnjë e më strategjike, bastisjet tokësore dhe detare të vetëfinancuara dhe bllokimi i tregtisë në Adriatikun e poshtëm, synonte kontrollin e brigjeve greke të Epirit dhe Maqedonisë dhe pengonte tregtinë e lidhur me Italinë, prandaj Roma vendosi se nuk mund të anashkalohej kërcënimi shqetësues i këtij populli luftëtar.
Polybi thotë se, për të arritur një zgjidhje Roma dërgoi dy ambasadorët, Gaius dhe Lucius Coruncanius, me shpresën për të gjetur një marrëveshje paqësore me mbretëreshën. Po sërish, sipas Polibit, Teuta i priti ambasadorët romakë me një mënyrë “arrogante dhe krenare”. Kërkesave të ambasadorëve ajo iu përgjigj, se për sa i përket shtetit të saj, ajo do të kujdesej që të mos dëmtoheshin interesat e Romës, por dhe qytetarët privatë ilirë duke mos i ndaluar veprimet e tyre në det (në thelb duke legjitimuar veprimtarinë e tyre). Më i riu nga ambasadorët romakë u përgjigj me ngut: «…ne do të përpiqemi, me ndihmën hyjnore, t’ju detyrojmë me forcë dhe shpejt ju do të korrigjoni zakonet e mbretërve ndaj ilirëve».
Kjo përgjigje nuk i pëlqeu mbretëreshës, e cila si kundërpërgjigje, e vrau ambasadorin e ri. Natyrisht, kur lajmi arriti në Romë, Senati Romak vendosi ta niste luftën në pranverën e vitit 229 para Krishtit, duke marrë ca kohë sa për të regjistruar legjionet dhe për të organizuar flotën. Në atë periudhë romakët zotëronin një flotë të fuqishme dhe të stërvitur, me veteranë të betejave punike. Ky vendim nuk kaloi pa u vënë re (në atë kohë ekzistonin edhe spiunë) dhe flota dhe ushtria ilire plaçkitën ishujt grekë pranë Korkyrës, duke pushtuar Feniksin dhe duke vrarë disa tregtarë italianë. Marrja e qytetit dhe plaçka e madhe që u mor prej tij, i bindi ilirët që ta kufizonin veprimtarinë e tyre dhe të ktheheshin në tokat e veta e të lidhnin aleancë me epirotët dhe akarnaanët, të tmerruar me vendosmërinë dhe nga ky demonstrim i forcës ilire. Teuta ngriti shpejt një flotë edhe më të madhe se ajo e mëparshmja dhe e dërgoi sërish drejt Korkyrës, dhe ishujve aty pranë dhe brigjeve të Epirit, strategjikisht të rëndësishme në afrimin e përplasjes me Romën. Natyrisht, kjo ndërhyrje çoi në një përplasje me grekët. Betejë detare që pasoi u zhvillua pranë ishujve Paxos.
Historiani frëng Holleaux riprodhon me skllavëri besnikërisht paragjykimet anti- ilire të Polibit ; ai nuk e përdor Polibin dhe faktet e tij për një rindërtim edhe të anës ilire të historisë. Kjo është demonstruar padyshim nga pranimi i përshkrimit të Polibit ‘ i mbretëreshës Teuta gjatë intervistës me ambasadorët romakë, ku ai e quan sjelljen saj “si të paarsyeshme dhe kryeneçe “. Pa ndonjë koment në lidhje natyrën armiqësore të burimit, Holleaux tek fjalimi Mbi luftërat ilire, na siguron me fusnota se komentet mbi Polibin, ai thekson se, padyshim, se qe i paplotë ose i pasaktë në disa pika, por në tërësi qe i besueshëm, komente që përgjithësisht që mbahen të bazuara tek Fabius Pictor. Vetë Polibi kishte dyshime në lidhje me besueshmërinë e burimeve të veta për ngjarjet para viteve 220 para Krishtit, sepse ato ishin jashtë periudhës së tij dhe se ngjarjet ishin të një date të mëparshme, dhe se ai po përsëriste thjesht dëshmi gojore, dhe se nuk qe i sigurt as vetë për vlerësimet dhe pohimet e tij.
Taktikat e Teutës
Ilirët, të përforcuar nga shtatë anije të dërguara nga Acarnanianët, u përplasën me flotën akease pranë ishullit Paxos. Disa anije ilire lundruan drejt Korkyrës, ndërsa një pjesë tjetër u ankoruan në portin e Epidamit, (Durrësit) ku zbarkuan disa trupa me justifikimin e furnizimit me ujë për ta kapur qytetin në befasi nga pas. Pas një përpjekjeje të dështuar për ta marrë qytetin, komandantët ilirë iu bashkuan pjesës tjetër të flotës që po i afrohej Korkyrës.
Teuta zbatoi një taktikë revolucionare. Ai vendosi të sakrifikonte disa anije, duke i paraqitur ato përkrah kundërshtarëve të saj dhe duke inkurajuar kështu përplasjen e tyre me akejtë; kur anijet e armikut goditnin anash me sqepa, ato mbetën të bllokuara në lëvizjet e tyre, dhe ilirët kështu mundën t’u hipnin lembeve të tjera me një numër më të madh ushtarësh dhe të largoheshin.
Prandaj, sukseset ilire u përhapën në të dy anët e Adriatikut. Përveç kësaj, burimet tregojnë, besoj, një admirim për mjetet lundruese dhe detarinë e ilirëve. Për shembull, në betejë detare në Coryca, Polibi thotë se si “ilirët i lidhën lembet e tyre së bashku në tufa prej katërsh” në mënyrë që të përqendronin numrin e tyre kundër katëremësheve dhe pesëremësheve të mëdha akeane. Ky reputacion i përhapur gjerësisht për detarinë dhe anijet e shpejta, krahas gatishmërisë për të organizuar bastisje detare dhe për të siguruar përfitime territoriale, ishte ajo që i vuri në sy Romës, ilirët; reputacion që ishte kritik në gjenerimin e motiveve zyrtare të publikuara nga romakët për justifikimin e tyre të dy fushatave. Ilirët kështu në fakt u bënë viktima të suksesit të vet.
Në këtë mënyrë, ilirët mundën të kapnin katër katërremwshe dhe të fundosnin një pesëremëshe. Polibi vazhdon se : “Në të njëjtën periudhë, nga ata që mbanin vulën dikonsulare, Gnaeus Fulvius u nis nga Roma me dyqind anije, ndërsa Aulus Postumius u largua në drejtim të Ilirisë me forcat tokësore …” Mbretëresha Teuta pasi mori Phoinike,(Finiqin) i ktheu sytë nga kolonitë greke të Epidamnit, Apolonisë dhe ishujve Issa (Visi modern) dhe Korcyra (Korfuzit). Pasi pushtoi Korkyrën, Teuta ia la të afërmin e saj Dhimitër të Farit ta sundonte ishullin, që ishte veçanërisht i rëndësishëm, për kalimin e kontrolluar nga porti në detin Adriatik. Romakët dërguan aty të dërguarit Gaius dhe Lucius Coruncanius dhe një përfaqësues nga Issa, Cleemporius për t’u drejtuar mbretëreshës ilire për të negociuar përfundimin e sulmeve. Nuk është e qartë çfarë ndodhi më pas, sipas (Pająkowski 1981: 185–189), por supozohet se Teuta kishte kryer një akt të tillë që kishte vrarë të dërguarit e Romës dhe kishte plaçkitur anijet romake.
Tradhtia e Dhimitër Farit
Beteja ishte e pabarabartë, por mbretëresha, u mund edhe për shkak të tradhtisë së komandantit Dhimitër të Farit, i cili aspironte për fronin e ilirëve. Ndërsa flota romake iu afrua Korkyrës, Dhimitri, «duke qenë në qendër të shpifjeve, dhe duke u frikësuar nga Teuta, u dërgoi mesazhe romakëve, duke u premtuar se do t’ua dorëzonte qytetin në duart e tyre dhe do t’u dorëzonte atyre të gjitha gjërat mbi të cilat ai kishte kontroll. Kështu Korkurasit […] e dorëzuan garnizonin e ilirëve romakëve, në përputhje me vullnetin e Dhimitrit dhe, të ftuar për ta bërë këtë, ata arritën një marrëveshje reciproke u vunë nën mbrojtjen e romakëve.” Dhimitri, duke kuptuar se çdo rezistencë ishte e kotë, ua kishte dorëzuar ishullin konsujve romakë Postumius Albinus dhe Fulvius Centumalus kështu në vitin 228, Korkyra u bë baza romake për operacionet në bregun lindor të Adriatikut; prej nga ku flota romake u nis drejt Apolonisë, ndërsa ushtria e udhëhequr nga Postumius, e përbërë nga 20.000 këmbësorë dhe 2.000 kalorës, u transportua aty nga Brindizi.
Nëse e mendoni mirë, ne jemi përballë një zbarkimi me përmasa kolosale për kohën (shek. III p.e.s.), i planifikuar në mënyrë perfekte nga romakët. Ilirët, natën në fillim të mbërritjes ata u tërhoqën me nxitim dhe romakët arritën në Skodra (Shkodër), në kryeqytetin e ilirëve, duke e vënë atë në zjarr dhe në shpatë.
Dyshimet që rënduan mbi Dhimitrin dhe e bënë atë të frikësohej nga mbretëresha Teuta, siç tregon Polibi, janë ndoshta dyshime për tradhti dhe komplote për trashëgiminë. Kjo kuptohet se pas vdekjes së Teutës, e cila ishte kujdestare e trashëgimtarit legjitim të fronit, Pinnes, Dhimitri u martua me nënën e tij, gruan tjetër të Agronit, Triteuta, duke u bërë kështu kujdestar dhe regjent në vend të Teutës.
Ndaj supozohet se marrëdhënia e besimit midis Teutës dhe Dhimitrit ishte tashmë e ndryshuar dhe se në Korkyra ai e kishte tërhequr tashmë popullsinë lokale greke në interesin e tij personal, kundër synimeve të zgjerimit të mbretërisë ilire të Agronit dhe më pas të vetë Teutës.
Ilirët që rrethonin Epidamin, me të dëgjuar lajmin për ardhjen e romakëve, u larguan. Romakët përparuan drejt kryeqytetit të Teutës, duke u mirëpritur gradualisht në Epidam duke vënë, Ardianët, Parthianët, Atintanët dhe Issejt nën mbrojtjen e tyre.
Rhizoni qëndresa e fundit e Teutës
Teutës iu desh të ikte, duke u strehuar me disa besnikë në Rhizon në Grykën e Kotorrit, i cili ishte larg detit dhe i fortifikuar mirë nga ku e kishte origjinën. Romakët e lanë Dhimitrin në krye të një domeni të gjerë të përbërë nga protektorate të kontrolluara nga garnizonet romake. Shumica e flotës dhe ushtrisë u kthyen në Itali me Gnaeus Fulvius ndërsa Postumius, me pjesën tjetër të njerëzve dhe anijeve, mbeti si “këshilltar ushtarak” për të organizuar forcat e armatosura të popullatave që kërkuan mbrojtje nga romakët.
Në pranverë, Teuta dërgoi ambasadorë në Romë dhe përfundoi paktin e dorëzimit, i cili e detyroi mbretëreshën të tërhiqej nga pjesa më e madhe e trojeve ilire, t’i paguante haraç Romës dhe, mbi të gjitha, të merrte përsipër të hiqte dorë nga Iliria e poshtme dhe të ndalonte çdo veprim piraterie ose ushtarak në jug të Lissit.
Zona e Ballkanit në luftën e parë Iliro-Romake .Professor G. Droysens Allgemeiner Historischer Handatlas by R. Andree
Për më tepër, asaj iu desh të paguante edhe një haraç vjetor, e të pranonte supremacinë e Romës dhe të dorëzonte të burgosurit e saj. Ajo kurrë nuk kërkoi falje për aktet e saj. Ajo kërkoi vetëm falje për aktet e piraterisë për të cilat kishte qenë përgjegjës burri i saj, Agroni.
Rhizoni ishte kryeqyteti i mbretërisë ilire të Ardianëve. Gjatë sundimit romak ai njihej si Rhizinium. Rhizoni është vendbanimi më i vjetër në Gjirin e Kotorrit dhe sot qyteti modern i Risanit (në Malin i Zi modern) që qëndron pranë qytetit të vjetër.
Fillimisht ai qe një vendbanim ilir që u zhvillua gradualisht dhe u bë kryeqyteti i Mbretërisë Ilire Ardiane nën Agronin dhe Teutën. Ai ishte kalaja e fundit e mbretëreshës Teuta në luftën e parë ilire kundër romakëve. Ai e ruajti statusin e tij si një vendbanim i rëndësishëm rajonal edhe në epokën romake.
Fillimisht në territorin e ilir, qyteti dëshmohet në greqishten e vjetër si Ῥίζων dhe në latinisht si Risinium. Toponimi është krahasuar me shqipen: rrjedh, që do të thotë ‘rrjedhë’, ‘përrua’, që rrjedh nga proto-indoevropianishtja *(H)reǵ- ‘rrjedhje’, prej nga do të thotë ‘lum’, ‘përrua’ etj. Rhizoni ishte një nga tre kështjellat ilire në kodrat me pamje nga Gjiri i Kotorrit.
Herodiani (shek. II pas Krishtit) përmend se Rhizoni e kishte marrë emrin nga Rizoni, djali i Kadmit dhe vëllai i Ilirit. Përmendja më e hershme e Rhizonit daton në shekullin e IV pes në Periplus të Pseudo-Scylax i cili e përmend atë si një vendbanim të Enkelejve. Më vonë u zhvillua si vendbanim i një fisi tjetër ilir, të Ardianëve. Rhizoni kishte qenë kështjella kryesore në shtetin ilir nën Agronin ku mbretëresha Teuta u strehua gjatë Luftërave Ilire. Gjatë mbretërimit të shkurtër të mbretëreshës ilire Teuta, Rhizon u bë kryeqyteti i shtetit të saj.
Në kohën romake, Rhizinium është dokumentuar si një oppidum civium Romanorum. Ku thuhet se dy rrugë romake kalonin përmes Gjirit të Kotorrit. Koha më e begatë për Rhizinium Romak erdhi gjatë shekujve 1 dhe 2, kur u ndërtuan vila të mëdha në zonë dhe qyteti kishte 10,000 banorë. Pesë mozaikë janë mbetjet më të vlefshme të asaj periudhe – jo vetëm për Risanin por edhe për Malin e Zi. Njëra e ruajtura më mirë tregon Hypnos, hyjninë greke të gjumit. Është i vetmi imazh i njohur i këtij lloji në Ballkan. Arkeologu i famshëm Sir Arthur Evans udhëhoqi ato gërmime fillestare aty qysh në 1885.
Zoti mbrojtës i Rhizon/Risinium ishte hyjnia ilire e luftës, Medaurus. Medaurus përmendet në një kushtim të gdhendur në Lambaesis (Afrika e Veriut) nga një legatus romak me origjinë nga Risinium dhe në dy mbishkrime të tjera të gjetura në Risinium dhe Santa Maria di Leuca (Lecce). Dedikimi i Lambaesis tregon gjithashtu se aty ishte ngritur një statujë kuajsh të Medaurus, me gjasë kopja e një statuje monumentale e vendosur në Risinium. Kërkimet arkeologjike në Risinium në shekullin e 21-të sugjerojnë se statuja e Medaurus ishte vendosur në një bazë prej të paktën 15×20 m, dhe e vendosur në akropolin ku dominonte qytetin. Pushtimet e mëvonshme të avarëve dhe sllavëve e lanë qytetin të shkretë. Referenca e fundit e një peshkopi në Risan daton në vitin 595 pes.
Kohët e fundit arkeologët e Varshavës zbuluan pallatin e parë të njohur të mbretërve ilirë në Mal të Zi. “Ky është një zbulim i madh dhe kardinal, i cili zgjeron befas njohuritë për funksionimin e pushtetit mbretëror në Iliri” – tha arkeologu Prof. Piotr Dyczek.
Rhizoni ilir qe një pjesë e përhershme e historisë së Romës së lashtë. Studiuesit nga Qendra Kërkimore e Antikitetit të Evropës Juglindore të Universitetit të Varshavës filluan gërmimet në vitin 2000. Deri më tani, puna e tyre ka lejuar, ndër të tjera, të rishikojnë pikëpamjet e historianëve për rendin e mbretërimit të sundimtarëve ilirë. Sundimi i mbretit Ballaios është zhvendosur një shekull pas – sundimtari nuk ishte pasardhësi i Mbretëreshës Teuta, por paraardhësi i saj.
“Të gjitha të dhënat që kemi marrë tregojnë se kemi zbuluar kompleksin helenistik të pallateve të sundimtarëve të Rhizonit. Këto janë strukturat e para të këtij lloji të zbuluara në zonën e Ilirisë, të cilat mund t’i përkasin mbretit Ballaios dhe Teutës. Deri më tani nuk kishim dijeni edhe nëse struktura të tilla kanë ekzistuar” – theksoi Prof. Dyczek.
“Vendndodhja e ndërtesave, shkalla e tyre, plani dhe teknikat e përdorura të ndërtimit janë krejtësisht të pazakonta dhe unike, kur krahasohen me shembujt e njohur më parë të arkitekturës ilire, duke përfshirë strukturat e zbuluara tashmë në Rhizonit. Duket se ne kemi zbuluar një vend të njohur nga burime nga lashtësia.
Enigma e vetëvrasjes së Teutës
Pasi Teuta u tërhoq në Rhizon, baza kryesore e flotës ilire, ku strehohej gjatë Luftërave me Romën. Në vitin 227 para Krishtit, ajo më në fund u rrethua. Pas dy fushatave të tjera, Republika Romake arriti t’i nënshtronte ilirët gjatë shekullit II para Krishtit. Më vonë kur Teuta protestoi për pozicionin e saj të ri, ajo e humbi pushtetin përgjithmonë.
Teuta kërkoi strehë për një kohë “shumë të vogël” në Rhizon, nga ku ajo komandonte aksionin. Humbja e luftës në pranverën e 228 para Krishtit, bëri që ajo të pranonte të paguante haraç, të tërhiqej pothuajse nga e gjithë Iliria –dhe kufiri i jugut i mbretërisë së saj ishte vendosur në lumin Ardaxan (Mati i sotëm) – dhe jo të lëvizte me më shumë se dy anije të armatosura nga Issa në çdo kohë. Ajo gjithashtu u detyrua t’ia dorëzonte fronin Pinnes-it, djalit të mitur të Argonit nga martesa e tij e parë me Triteutën, si garanci se marrëveshja do të mbahej. (sipas Pająkowski 1981: 191–192).
Duke shfrytëzuar këtë mundësi, Roma u vendosur në Adriatik, pasi kishte aneksuar disa poste të rëndësishme, duke ia besuar qeverisjen e ishujve dhe brigjeve dalmatike “tradhtarit” Dhimitrit. Ajo kishte bërë degë të saj një mbretëri në brigjet lindore të detit Adriatik, dhe kishte pushtuar me shumë simpati kolonitë e popullsive greke, të cilat, të vetëdijshme për fuqinë e saj gjithnjë në rritje, filluan ta konsiderojnë Romën si mbrojtësen e tyre. Në fakt, vetëm në vitin 228 romakët u pranuan nga grekët në lojërat isthmiane, të dytat pas atyre olimpike.
Përkundrazi, pavarësia e popullit ilir po zhdukej. Emri i mbretëreshës Teuta, e cila kishte drejtuar piraterinë e popullit të saj me gjithë agresionin dhe pamëshirshmërinë e një sundimtari mashkull, i kishte dhënë zë për një kohë të shkurtër asaj dhe ilirëve.
Nga ana tjetër, Dhimitri, i nxitur nga Filipi V i Maqedonisë, ishte kthyer kundër Romës, duke iu përkushtuar piraterisë. Më tej i rrethuar nga konsulli Lucius Emilius Paulus në kështjellën e Dimalit, ku ishte barrikaduar, ai u mund, dhe u tërhoq nën mbrojtjen e Filipit në Maqedoni.
Shumë pak dihet, për pjesën tjetër të jetës së Teutës. Sipas gojëdhënave të banorëve modernë të Risanit, Teuta i dha fund jetës, duke u hedhur nga Maja e Orjenit. Thjeshtri i saj Pinnes më në fund u bë mbret, por ai vdiq papritur në vitin 217 para Krishtit në moshën 15-vjeçare dhe në fakt, ai nuk arriti të sundojë kurrë.
Mbretëresha ilire do të mbetet gjithmonë një figurë mitike dhe legjendare në lidhjen mes Lindjes dhe Perëndimit. Popullsia ilire fliste një gjuhë indoevropiane. Kjo lë vend një krahasim midis botës së Adriatikut, asaj Jonio-Mesdhetare dhe asaj Mesdhetare që shkon përtej detit Tirren. Teuta, qe një figurë legjendare e historisë dhe realitetit mitiko-gjeografik të një toke të quajtur Shqipëri.
Greku Polibus nuk e përmend më fatin e Teutës: pasi e përshkruan atë si një personazh krejtësisht negativ, ai nuk merret fare, as me fundin e saj. Gjithçka që dimë është se në kohën e luftës së dytë ilire, në vitin 219 p.e.s., mbretëresha e madhe Teuta tashmë kishte vdekur. Nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me Teutën pas këtyre ngjarjeve. Historia që romakët e dënuan me ekzekutim me sëpatë, nuk duket të jetë e besueshme. Por një legjendë tregon se Teuta kreu vetëvrasje sepse i konsideronte shumë poshtëruese kushtet e dorëzimit të vendosura nga romakët. Ky na duket një fund më dinjitoz se ai i pasuesit të saj Dhimitër dhe ne na pëlqen ta kujtojmë ashtu. Kështu vdiq kjo mbretëreshë e madhe, zonja e detit, duke lënë emrin e saj me dafinat e lavdisë në pafundësi.
Bibliografia
Shaban Demiraj, La lingua albanese in Emanuele Banfi (a cura di), La formazione dell’Europa linguistica, Firenze, La Nuova Italia, 1993. ISBN 88-221-1261-X.
Francisco Villar, Gli Indoeuropei e le origini dell’Europa, Bologna, Il Mulino, 1997. ISBN 88-15-05708-0.
Badian, E. 1952 “Notes on Roman policy in Illyria” PBSR 20, 72-93. Braund, D.C. 1993
“Piracy under the principate and the ideology of imperial eradication” in, War and Society in the Roman World, J.Rich & G.Shipley (eds.) London, 195-212. Crawford, M.H. 1978
The Roman Republic London. Dell, H.J. 1967
“The origin and nature of Illyrian piracy” Historia 16, 344-58. Dell, H.J. 1970
“Demetrius of Pharus and the Istrian War” Historia 19, 30-8. Derow, P.S. 1973
“Polybius, Demetrius of Pharus, and the origins of the Second Illyrian War” Classical Philology 89, 46-59.
Eckstein, A.M. 1995 Moral Vision in The Histories of Polybius University of California. Errington, R.M. 1971
Epirus Oxford. Hammond, N.G.L. 1968 “Illyria, Rome and Macedon in 229-205 BC” JRS 58,1-21. Harris, W.V. 1979 War and Imperialism in Republican Rome 327-70 BC Oxford. Hartog, F. 1988
“The Romans in Illyria” in The Cambridge Ancient History VII, 822-57.
Holleaux, M. 1952 Études d’épigraphie et d’histoire grecques Volume IV Paris. Wilkes, J.J. 1992 The Illyrian, Oxford: Blackwells
Calvert Watkins, Il proto-indoeuropeo in Anna Giacalone Ramat, Paolo Ramat (a cura di), Le lingue indoeuropee, Bologna, Il Mulino, 1993. ISBN 88-15-03354-8.
Polibio, Storie, II, 4.
Piero Treves, Teuta, Enciclopedia Italiana (1937) – Istituto dell’Enciclopedia Italiana Treccani
Storia navale: Teuta, regina guerriera del mare di Andrea Mucedola
Teuta La regina “pirata” del mondo Illirico, di Pierfranco Bruni
Dedaliuls Illyrian piracy – ancient endemic or historical construct?
Dyczek, Piotr (2020). “Rhizon – capital of the Illyrian kingdom – some remarks”. In Krzysztof Jakubiak; Adam Lajtar (eds.).
Ex Oriente Lux. Studies in Honour of Jolanta Młynarczyk. Wydawnictwa Uniwersytetu Warszawskiego. pp. 423–433.
Šašel Kos, Marjeta (1993). “Cadmus and Harmonia in Illyria”. Arheološki vestnik. 44.
Piotr Dyczek*From the history of ancient Rhizon/Risinium: Why Illyrian king Agron and queen Teuta came to a bad end and who was Ballaios?