Intervistë e Kardinalit Pietro Parolin në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri-/
TIRANË, 20 Shtator/ATSH/- Në prag të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Televizionin e Vatikanit tregon se përse Ati i Shenjtë preferoi Shqipërinë.Në intervistëm e publikuar edhe ne faqen e Radio Vatikanit”, kardinali Parolin thotë se “besoj se vendimi i Papës Françesku për të shkuar në Shqipëri nënvizon pikërisht këtë: pavarësisht nga vështirësitë ekonomike – që i njohim të gjithë e që nuk janë aspak të vogla – ky vend zgjodhi rrugën për të mos e përdorur kurrë fenë si shkak për konflikte”.
I pyetur se çfarë ndihmese ka dhënë Selia e Shenjtë për rindërtimin e Shqipërisë, Sekretarit të Shtetit të Vatikanit shprehet se Selia e Shenjtë ka qenë shumë e pranishme në rindërtimin e Shqipërisë. “Mund të nisemi nga kohët e fundit, edhe pse marrëdhëniet me Shqipërinë fillojnë shumë më parë e kanë qenë gjithnjë plot gjallëri: që nga viti 1991, kur u vendosën marrëdhëniet pas rënies së regjimit komunist, duke i krijuar Kishës kushtet të rifillonte jetën e edhe të hynte përsëri në radhët e shoqërisë shqiptare. Pasoi, pastaj, shtegtimi i Gjon Palit II, që e konsolidoi këtë rol, e fuqizoi praninë dhe kontributin, që i jep Kisha vendit. E akoma, ndërmjet çasteve më themelore, mund të kujtojmë nënshkrimin e dy marrëveshjeve, më 2002 e 2007, për marrëdhëniet reciproke, në përgjithësi, e edhe për çështjet ekonomike e financiare, në veçanti. Falë këtyre hapave, Selia e Shenjtë i shoqëroi çastet e rindërtimit e të përtërijes së vendit. Natyrisht Papa Françesku, me këtë vizitë, ecën në këtë vazhdë, për të dhënë një ndihmesë të mëtejshme”, deklaron Kardinali i Papës.
Ai thotë se Selia e Shenjtë i jep zemër dhe e mbështet në integrimin evropian të Shqipërisë duke kujtuar gjithashtu ndihmesën e veçantë që sjell në këtë integrim; mund të kujtojmë trashëgiminë e saj shpirtërore, të ruajtur pavarësisht nga shtypja fetare, nga persekutimi fetar, prandaj duhet kujdesur e duhet mbajtur gjallë.
“Mund të nënvizojmë, për shembull, edhe ndjenjën e thellë të familjes, që karakterizon shoqërinë shqiptare. Pikërisht me nënvizimin, që i pëlqen aq shumë Papës: me vlerësimin e rolit të të rinjve, që janë ardhmëria; e të të moshuarve, nga ana tjetër, që janë kujtesa, që kanë një pasuri të vërtetë urtie e përvoje, e cila meriton të vlerësohet. Prej këndej themi se vetëm duke sjellë këto pasuri e këto veçori karakteristike, Shqipëria mund të ndihmojë në mënyrë të frytshme në projektin e integrimit evropian”, shprehet Kardinali Pietro Parolin.
Ai kujtoi edhe disa fjalë, që i pati thënë Gjon Pali II në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, më 1988, me vlerë për të gjitha vendet e, posaçërisht, për Shqipërinë, me që po flasim për të: “Nëse Evropa dëshiron të jetë besnike ndaj vetvetes, duhet të dijë t’i mbledhë në një të gjitha forcat e gjalla të këtij Kontinenti, duke respektuar karakterin e veçantë të çdo vendi” (Strasburg, 8 tetor). Më duket se pikërisht në këtë kuadër e shikon dhe e vlerëson Selia e Shenjtë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Ndërsa i pyetur se cilët shpreson se mund te jenë frytet e këtij udhëtimi të Papës Françesku në Tiranë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit thotë se “Frytet i di Zoti. Mendoj se mund të përmblidhen në moton e caktuar: “Së bashku me Hyjin, drejt shpresës që nuk zhgënjen”. Pra Papa do të vijë për të përforcuar punën e bërë gjatë këtyre viteve e për t’i dhënë hov të ri, si për shpalljen e Ungjillit, për fenë, ashtu edhe për bashkëjetesën paqësore e të frytshme ndërmjet realiteteve të ndryshme fetare në vend”./a.gegvataj/