Nga Frank Shkreli
Kardinali Ernest Simoni (Troshani) — i cili vuajti burgimin, persekutimin dhe kërcënimet me vdekje për më shumë se 28 vjet gjatë regjimit sllavo-komunist në Shqipëri — ishte i pranishëm të djelën që kaloi në kishën katolike shqiptaro-amerikane, “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork. Kardinali shqiptar, ndonëse në moshë të shkuar 95-vjeçare, celebroi dy meshë në kishën shqiptare dhe u prit nga qindra besismtarë që kishin ardhur për të takuar “matirin e gjallë” dhe dëshmitarin e vuajtjeve dhe persekutimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Eminenca e tij, Kardinal Simoni u prit me nderime nga famullitari i kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj ndërsa është përshëndetur nga shumë besimtarë që kishin ardhur për të takuar klerikun e lartë shqiptar, i cili edhe sot, sipas Papa Françeskut, është simbol i vuajtjeve të burgjeve komuniste, “vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u shkurajuar”. Pas celebrimit të dy meshëve në kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, për nderim të vizitorit të lartë, u shtrua një drekë nga Keshilli i kishës në Qëndrën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës, në Nju Jork. Kardinali Ernest Simoni shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e takimit me komunitetin katolik shqiptar në Nju Jork, duke bekuar më në fund, besimtarët e mbledhur aty, të cilët i uruan atij ditëlindjen me një tortë të rastit dhe me urimin — “Zoti e bekoft Kardinalin tonë” — në prag të 96-vjetorit të lindjes — vizitorit të lartë nga Evropa dhe dëshmitarit të gjallë të vuajtjeve dhe persekuitmeve të klerikëve të pafajshëm nga regjimi komunist sllavo-aziatik i Enver Hoxhës.
Para se të shkonte për vizitë dhe shërbime fetare në kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork, Kardinal Ernest Simoni ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave studentëve të Universitetit Saint Leo, një kolegj i urdhërit jezuit në qytetin Tampa të shtetit Florida. Para të diplomuarve të këtij universiteti, Kardinali shqiptar mbajti një fjalim të rastit dhe ofroi bekimin për të diplomuarit. Kardinali Simoni vizitoi edhe qytete të tjera si Jacksonville të Floridës për tu takuar me bashkatdhetarët e vet. Është vërtetë e mrekullueshme që Kardinal Simoni, ndonëse në prag të 96-vjetorit të lindjes është aq aktiv dhe siç duket mirë me shëndet sa që mund të udhtojë përtej oqeanit, madje edhe në Amerikën e largët dhe të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme fetare e shoqërore.
Ndonëse kanë kaluar pothuaj 35-vjet nga lirimi i tij nga burgjet komuniste, emri i Ernest Simon (Troshanit) nuk njihej aq shumë, sidomos nga brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve, por ndoshta as në Shqipëri, përveç një rrethi të ngusht, ndoshta. E ndërkombtarisht, ai nuk njihej fare, deri në shtator të vitit 2014, kur Papa Françesku vizitoi Shqipërinë, vizita e tij e parë në një vend të Evropës, si udhëheqës i Kishës Katolike Universale. Gjatë asaj vizite, Papa Françesku takoi, ndër të tjerë vuajtës të komunizmit edhe Dom Ernest Simonin, nga i cili dëgjoi me shumë vëmendje dëshminë e tij të vuajtjeve nën regjimin komunist – ndërsa, me lotë në sy, e cilësoi në atë kohë, Dom Ernest Simonin, si “martir dhe shenjtë i gjallë”.
Dy vjet pas vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku i ka dhenë Dom Ernest Simonit titullin kardinal duke e ngritur atë në nivelin më të lartë të Kishës Katolike. Ernest Simoni (Troshani) e ka thenë shpesh herë se emërimin kardinal nga Papa Françesku e konsideron si një nderim për të gjithë martirët dhe katolikët e përndjekur në Shqipërinë komuniste, me ligj të vet-shpallur ateiste, kundër Zotit. I tillë ishte edhe emrimi i kardinalit të parë shqiptar në histori nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1994, klerikun e njohur por shumë të vuajtur, Mikel Koliqi (1902-1997), bashk-qytetari i Ernest Simonit nga Shkodra edhe ai, i burgosur për 31 vite të jetës së tij në burgjet komuniste të Enver Hoxhës.
Papa Françesku, ashtu si edhe Papa Gjon Pali i II nuk kanë munguar kurrë së përmenduri vuajtjet dhe krimet e komunizmit në Shqipëri kundër një populli të pafajshëm të zenë rob në vendin e vet. Ashtu ndodhi edhe në fillim të këtij viti (shkurt 2024) që gjatë një audience publike në Vatikan për vizitorë dhe udhëheqës fetarë nga mbarë bota, ndërsa ka folur për martirët e fesë në të kaluarën, Papa Françesku përmendi në mënyrë të veçant Kardinalin shqiptar Ernest Simonin i cili ishte aty i pranishëm, duke thenë se edhe sot ka shumë martirë të persekutuar të fesë e të ardheut, në mbarë botën duke përmendur rastin e Ernest Simonit: “Më lejoni të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë. Ai, si meshtar, përjetoi 28 vjet burg, në burgun komunist të Shqipërisë, ndoshta persekutimi më mizor, më mizor”, nënvijoi Papa Françesku. Sot kardinali shqiptar, “vazhdon të japë dëshmi…Tani, është 95 vjeç e vazhdon të punojë për Kishën, pa u shkurajuar. I dashur vëlla, të falënderoj për dëshminë tënde. Faleminderit!”, i është drejtuar Papa kardinalit shqiptar, Ernest Simonit, para një audience të vizitorëve nga mbarë bota, shkurtin që kaloi në Vatikan ndërsa ka folur para një audience ndërkombëtare për vuajtjet e klerikëve por edhe për persekutimet si rradhë kund në botë, në “burgun më mizor” komunist në Shqipëri — për të gjithë, pa dallim dhe pa përjashtim.
Kanë kaluar pothuaj 35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit dhe nga koha kur bota Perëndimore demokratike festonte fitoren mbi komunizmin ateist, duke harruar shpejt krimet kundër njerzimit që ajo ideologji solli mbi mbarë botën shekullin e kaluar e që në disa vende të botës, në emër të komunizmit, krimet dhe vuajtjet e atyre që nuk pajtohen me të, edhe sot. Prandaj me të drejtë, disa analistë dhe komentues, por edhe ente dhe organizata shoqërore, kanë arsye të shqetësohen se shumë persona dhe regjime në vendet ish-komuniste – me kalimin e kohës — po i harrojnë shumë shpejt të këqiat dhe krimet e komunizmit ndaj personave të pafajshëm, siç është kardinali shqiptar Ernest Simoni. Jo vetëm që shoqëria në përgjiithsi, por siç duket as shteti e qeveritë “post-komuniste” nuk dëshirojnë të përballen me të kaluarën komuniste. Në nivel zyrtar në Shqipëri, është e qartë se nuk duan të merren aspak me krimet, vuajtjet dhe persekutimet më mizore të regjimit komunist në Shqipëri ndaj personave siç është Kardinal Ernest Simoni. Por, çfarë është edhe shumë më keq, gjatë viteve të fundit, në Shqipëri vihen re përpjekje aktive zyrtare dhe mbështetje në heshtje të asaj që Kisha Katolike shqiptare ka cilësuar si përjetësim i komunizmit dhe i simboleve të tij në atë vend, duke kërkuar nga ana e saj si ent fetar, dënimin e “apologjisë së komunizmit”.
Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf
Prej më shumë se tre dekadash të ashtuquajturit “tranzicion” politik — autoritetet zyrtare në Tiranë refuzojnë të njohin dhe të dënojnë krimet më mizore e barbare të komunizmit në Shqipëri. Heshtja e vazhdueshme dhe refuzimi i klasës politike shqiptare — pozitë dhe opozitë — për t’u përballur me të kaluarën kriminale komuniste në vend dhe për të dënuar krimet e komunizmit, ashtu siç ka bërë pjesa tjetër e Evropës ish-komuniste – megjithë kundërshtimet e tyre politike, të pakën në sipërfaqe — duket se është e vetmja gjë që dy partitë kryzesore politike në Shqipëri bien dakort me njëra tjetrën.
Por qëndrimet zyrtare — pozitë dhe opozitë në Shqipëri — për të mos u marrë, zyrtarisht, me krimet e komunizmit më mizor në Evropë e ndoshta në botë, nuk ndalon të tjerët e sidomos viktimat e pafajshme që kanë përjetuar vet krimet e sllavo-komunizmit aziatik, siç është Kardinali Ernest Simoni, t’i tregojnë, jo vetëm shqiptarëve, por të dëshmojnë edhe para botës mbarë krimet e regjimit komunist prej pothuaj gjysëm shekulli në Shqipëri. Zbulimi i së vërtetës dhe nevoja për t’a dëshmuar atë para botës, detyron sot një klerik katolik shqiptar – siç është Kardinali Ernest Simoni, që për më shumë se 25 vite me radhë ka bërë punë të detyrueshme në tunelet e errta të minierës së Spaçit dhe më pas, në kanalizimet e Shkodrës – që në prag të 96-vjetorit lindjes së tij – të udhtojë matanë oqeanit për të dëshmuar dhe për të treguar të vërtetën e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Zoti t’i falë shëndet Kardinal Ernest Simonit që të vazhdojë misionin e tij në shërbim të së Vërtetës historike dhe Drejtësisë.
Siç e kam thenë shumë herë në të kaluarën, po e prësiris edhe njëherë, se pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, aktualiteti politik dhe zhvillimet në vend po tregojnë, se rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë, historikisht të gabuar, por për fat të keq, ai rrugëtim nuk është më as i sigurtë dhe as i besueshëm nga vet shqiptarët, por as nga miqt e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Frank Shkreli
Fotot nga faqja e “Our Lady of Shkodra” — Credit Vilson Lleshaj
Papa Françesku: “Vëlla i dashur, të falënderoj për dëshminë tënde”.