Çfarë po ndodh me të shkuarën e hidhur komuniste në Shqipëri, sot e në të ardhmen?/
Nga Mimoza Dajçi/
Pak ditë më parë mediat shqiptare publikuan listën e 110 spiunëve që hartojnë ligjet në parlamentin shqiptarë, por përbri nuk ishin shënuar emrat e mbiemrat real të tyre. Pse – në e dinë autorët!!!
Atë çfarë bota e qytetëruar e tetë vendeve të BE -së kërkon të hetojë kundër krimeve të njerëzimit nga genocidi komunist, parlamenti shqiptarë nuk e mer aspak në konsideratë. Deputetëve tanë (disa prej tyre) cilës do force politike i përkasin nuk i intereson një nismë e tillë prandaj e zvarrisin këtë proçes, duke infiltruar brenda tij. Mënyra më e mirë e tyre për ti shpëtuar drejtësisë ashtu sikurse edhe shkopi magjik është “karrigia magjike” që e kanë uzurpuar prej vitesh, prandaj miratuan ligjin që i jep hapësirë kriminelit të mbrohet çdo kohë nga politika. Eshtë e pafalshme që diktatura komuniste në Shqipëri dënonte me burgim e vriste njerëz të pafajshëm edhe kur ata deklaronin se, në Shqipëri egziston “kulti i individit” e autorët e atij genocidi ende nuk janë dënuar. Sot parlamenti e qeveria shqiptare drejtohet nga njerëz të inkriminuar, spiunë te sigurimit të shtetit që nuk e venë akoma ujin në zjarr për krimet monstruoze që dëmtuan një popull të tërë.
Shumë u përfol për hapjen e dosjeve, por asgjë nuk ka filluar akoma. Herë pas here sidomos kohëve të fundit kemi venë re se po publikohen disa “pseudonime” spiunësh si diseniatorja, çiftelia, penicilina, stilografi etj, por emrat e tyre qëndrojnë anonim. Holokausti në Shqipëri vazhdoi për pesë dekada rresht e populli i njeh shumë mire spiunët, i njeh kriminelët, por ata që bëjnë sikur denoncojnë genocidin shqiptarë, mos të tallen me denoncime gjysmake, por të dalin hapur e me emra konkret.
Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane (The Women’s Organization “Hope & Peace”) po e ndjek me shumë vemendje iniciativën e Ministrit të Drejtësisë së Estonisë Urmas Reinsalu në lidhje me gjykimin e genocidit komunist sipas metodës së gjyqit të Nurembergut, e duke u ndalur vetëm tek shifrat marramendëse se sa vajza, gra e fëmijë ka vrarë e internuar ai rregjim në vendin tonë është absurde të mendosh që qeveria e parlamenti ynë nuk i është bashkangjitur iniciativës së Estonisë për dënimin e krimeve të komunizmit sipas platformës së gjyqit Nuremberg.
Vetëm tek genocidi i ushtruar mbi femrën në Shqipëri kemi të ekzekutuara me apo pa gjyqe për motive politike 450 gra. Burgosur 7367 gra, mes tyre edhe ato të moshës nën 17 vjeç, internuar mbi 20.000 familje, vdekur në internim 7022 qytetarë, fëmijë e të moshuar. Mos të harrojmë kampin famëkeq të Tepelenës ku brenda një nate në gusht të vitit 1944 vdiqën 33 fëmijë të mitur.
Akoma shumë individë e familje shqiptare janë duke përjetuar ato drama të rënda gjatë asaj periudhe të egër, si për shëndetin e tyre, strehimin e punësim. Akoma janë plagët e hapura të asaj kohe që varrosi të gjallë njeriun e drejtë e paqedashës, e gjithë atë elitë intelektualësh që donte lirinë e demokracinë e vendit. Me të drejtë shqiptarët pyesin se çfarë po ndodh me të shkuarën e hidhur komuniste në Shqipëri, e çfarë do të ndodhë në të ardhmen?
Duke jetuar prej vitesh në SHBA sjell si kujtim përpara jush ngjarjet e dhimbshme të 11 shtatorit 2001, ku humbën jetën mbi 3000 persona. Heronj u vlerësuan të gjithë viktimat e asaj tragjedie që tronditi botën, e përkujtohen çdo vit me ceremoni madhështore nga qeveria e populli amerikan.
Po mijra e mijra viktima të komunizmit në Shqipëri pse nuk vlerësohen heronj, pse nuk renditen në Librin e Madh të Heronjve të Kombit? Çfarë e ka penguar dhe e pengon shtetin e parlamentin tonë që ata që u dënuan e vuajtën padrejtësisht nga diktatura më e egër në europë të njihen si heronj, e fëmijët e familjarët e tyre që përjetuan ato vuajtje të trajtohen si viktima të gjalla të rregjimit të shkuar. Njihet në Shqipëri Qendra e të Mbijetuarve të Torturës drejtuar nga Kozara Kati dhe Adrian Kati, po duke qenë se i gjithë vendi ynë ka qenë i rrethuar me tela me gjemba e kudo ka patur burgje e kampe përqëndrimi mendoj se ka akoma punë për tu bërë në këtë drejtim. Shteti vetë duhet të ngrejë qendra të tilla në çdo rreth të vendit për tu kujdesur për këta njerëz, duke i trajtuar si nga ana mjekësore ashtu edhe psikologjike.
Në SHBA kushdo që ka qenë edhe i rastësishëm në rrugët ku ka ndodhur tragjedia e 11 shtatorit 2001 kalojnë nën një testim e intervistë të fortë e nëse kualifikohen si të tillë përfitojnë mjekim e trajtim të posaçëm mjekësor. Atëherë çfarë mund të themi për vendin tonë kur akoma ish të dënuarit politikë e familjarët e tyre nuk janë rimbursuar me dëmshpërblimin financiar e jo më të flitet për një kujdes të specializuar më së miri në fushën e mjekësisë, strehim, punësim etj.
New York, Tetor 2015