KOSTA NAKE/
(Vëllimi poetik “Libri i burgut”, 1994)
MUJO ULQINAKU I RRËFYER NDRYSHE
(Poema “Mujo Ulqinaku”, f.15)
Për të besuar atë që Arshi Pipa rrëfen artistikisht, po sjell informacionin që ofrohet në internet për një dëshmor që mban titullin e lartë Hero i Popullit:
Mujo Cakuli, i njohur më së shumti si Mujo Ulqinaku, u lind më 1896 në Ulqin në një familje të vjetër qytetare ulqinake, të cilët ishin detarë dhe pronarë velanijesh. Që në moshë të vogël hyri muço në Ulqin dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Lezhë. Si nënoficer në një nënrepart të marinës në Durrës, më 7 prill 1939, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu në krye të detarëve të braktisur nga oficerë tradhtarë dhe organizoi me vullnetarë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut duke u bërë shembull i lartë atdhedashurie.
Ja dhe materiali i botuar te kolana “Yje të pashuar”, vol.1, f.12:
“Një mitraloz, me të shtënat e tij të parreshtura rrëzoi përtokë ushtarët e parë italianë dhe dha sinjalin e luftës së madhe kundër okupatorëve të huaj. Ishte mitralozi i Mujo Ulqinakut. Fashistët ua mbathën këmbëve dhe u strukën në anën e detit. Hynë nëpër anijet. Si duket, ata prisnin t’u hidheshin lule dhe jo plumba. Dollën përsëri. Dhe përsëri me plumba u pritën. Mujua ndërroi pozicion. U dëgjua sërish krisma e mitralozit të tij. Herën e tretë fashistët u përplasën të çoroditur nëpër anijet e tyre. Në pozicion grumbull gëzhojash. Mitralozi hesht. Një flamur i bardhë ngrihet. “U dorëzuan!” – thanë ata që qenë në det dhe u lëshuan drejt bregut. Mujua numëroi fishekët. “Pak, shumë pak!” Priti të afrohen. Mbërtheu duart në mitraloz. Uli diftakun e shënjestrës. I kishte afër, shumë afër! Shtrëngoi dhëmbët. Shtrëngoi dhe gishtin. Edhe pesëdhjetë fashistë të tjerë të vrarë!
Plumbat e armikut ia përshkuan trupin Mujos. Dhe u mbyt trimi në gjak, për një truall, për një prak! Ai ra që një popull i tërë të ngrihej në luftë.”
*
U befasova kur lexova poezinë e Arshi Pipës sepse në çast përjetova edhe një herë artistikisht diku afër Trojës, në një tjetër qytet si Durrësi, me të njëjtën strukturë të vargut, por me emra të tjerë, skemën e ndarjes së Hektorit me Andromakën. Po nëse Hektori shkoi në një përballje pothuaj të barabartë me Akilin, Mujoja pozicionohet para një formacioni luftarak pushtues, me një shpërpjesëtim të raportit numerik dhe me shpërpjesëtim edhe më të madh në teknikë luftarake.
Poezia fillon me një vendosje në kohë të ngjarjes dhe me një konstatim tashmë të njohur e të gjithëpranuar:
“Errej trishueshëm ajo mbrëmje prilli…
Jepej Shqipnija atë natë ndër duer t’anmikut.
Po jo pa luftë, po jo pa gjak t’ atyne
Qi pritën me krahnuer n’ullishta t’Vlonës,
Durrës, Shëngjin e n’rranza t’Rozafatit.”
Fill pas kësaj vjen apostrofa atdhetare e lartësimit të figurës dhe mirënjohës për aktin e sakrificës sublime:
“Lavdi mbi tjerët ty, o burr’ i Ulqinit,
Qi edhe nji herë mâ shumë i shpalle botës
Se e gjallë âsht kjo Shqipni…”
Poezia i kushtohet një figure reale, prandaj fabula e ngjarjes e bën atë epike. Ka dy dialogje që zbulojnë dy skena të ndryshme të jetës shqiptare. Skena e parë – qëndrimi i tregëtarit dhe shtresës që ai përfaqëson:
Fuqi e madhe fort âsht, thonë, Tajlani
Dhe murit, Mujo, me krye s’i bihet.
Na shemb me top, na djegë…E çka na duhet
Shqipnija atbotë? A s’âsht sot mjaft e vorfën?
Vuen populli e tregtija ka mbarue.
Skena e dytë, Mujoja ishte mbi dyzet vjeç kur u vra, ishte familjar, por kjo gjë kalohet në heshtje në dy shkrimet e mësipërme. Pikërisht këtu qëndron rrëfimi ndryshe i Arshi Pipës që e bën dyfish më sublim aktin e tij. Është një parapërgatitje e vetëdijshme për qëndresë ndaj pushtuesit, prandaj gruaja përpiqet ta ndalojë:
“Pash Zotin, mos – e i ra ndër këmbë e e rroku.”
Pastaj tri detaje të bukura të një ndarje të dhimbshme pa kthim që e konvertojnë amanetin me simbole të qëndresës martesore dhe familjare:
“Foli e prej xhepi qiti tash kuletën
E ja la grues, mandaj sahatin zgjidhi
Prej qostekut e hoq prej gishtit unazën…”
Gruaja përpiqet të shpëtojë fortesën e fundit:
“Jo, ti s’e don – tha – gruen, ti foshnjet tua
Aspakë s’i don qi zemër ke kësisoj!
E kush i ushqen ata kur ti t’u hiqesh?”
Të nesërmen qëndresa merr përmasat e legjendës dhe realizimi artistik është gjithaq mjeshtëror:
“Tri herë e msyni me tallaze zjarmi
Pyrgun e Mujit, thue po e shembë anmiku,
E mbrapsht tri herë u kthye tue u përplasun
Te ledhi i saj, si e mbushi me kufoma.
Si njaj ariu qi keq ngushtue te shpella
Prej nji kopeje, dimnit, ujqish t’unshëm,
Pezmatohet e malin zhgulë e poplat
Vigane ua fërfllon tue i dërmue:
Ashtu luftoi kreshniku der’sa predha
Prej aeroplanit nalt nji copë e shembi.”
Përmbyllja është një formulim i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe mbresëlënës:
“Shembull i paharrueshëm n’bijt e nipat
Ta dinë se jetën humbë për me fitue
Tjetrën t’pamort, kush bie në fushë të nderit
N’emën t’atdheut me lavdin e dëshmorit.”
foto: oberverkult.com