KOSTA NAKE/
FERRI DANTESK SHPËRNGULET PËRKOHËSISHT NË VLOÇISHT
(Poema epike “Kanali”, f.63)
Për ata që s’e dinë, kampi i të burgosurve të punës në Vloçisht nuk ka ekzistuar, për ata që e dinë, është si dallgë e turbullt e një vërshimi që përmbyt, për ata që e provuan mbi shpatullat e tyre ishte një ferr dantesk i shpërngulur përkohësisht atje për të marrë 73 jetë njerëzish ndër 2500 të dënuar vetëm në shtatë muaj.
Brezi im e ka njohur vetëm anën heroike të punës për tharjen e kënetës së Maliqit nëpërmjet romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës dhe ekranizmit të tij, kurse ky shfrytëzim mizor i të dënuarve politikë dhe ordinerë ka humbur gjatë në terr informativ. Mjafton të përmend tri figura të shquara të kombit: Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej dhe Arshi Pipa të cilët e provuan atë kalvar dhe arritën të dalin gjallë prej andej, që të kuptohen përmasat e goditjes së verbër të diktaturës së proletariatit. Prej tyre, vetëm Arshiu u arratis dhe dëshmoi për atë që ndodhi atje, Eqremi dhe Mitrushi heshtën që të mos i bënin të tjerët të heshtnin.
Thelbin e trajtimit e sjell në kujtimet e veta një i dënuar që përsërit fjalën e komandantit të kampit, Tasi Marko: “Ky është kamp i punës së detyruar dhe nuk është kamp pushimi.”
Poema përbëhet prej 25 tingëllimash, mjedisi dhe vargu i tyre është dantesk, por ka dhe një dallim të rëndësishëm: Dante shkon në Ferr si vizitor, i shoqëruar nga Virgjili, kurse Arshi Pipa shkon atje si skllav.
Tingëllima e parë ka vetëm dy vargje për natyrën:
“Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.”
Pastaj menjëherë zbulohet mjedisi i skëterrshëm ku luftohet për mbijetesë.
Tingëllima e tretë fillon me një portretizim të të dënuarve:
“A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.
Fëtyra dheu ku syt e shojtun ngrohen
kur shofin bukën; faqe që gropohen
e nofulla qi dalin si patkoj.
Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,
automa kockash, nji bërsi, nji pleh,
ku veç prej emnave dallon e njeh.”
Norma e punës ishte e panegociueshme dhe nuk bëhet asnjë përjashtim për moshën dhe gjendjen fizike:
“Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri…
bani ja vdis: ankimi s’ban dobi.”
Të dënuarit zgjoheshin në orën tre të mëngjesit për të filluar punë në orën gjashtë, pasi fronti i punës ishte deri në Nizhavec.
“Sa zente çquhej nata nga mëngjezi
ndër balta zhyteshim deri te brezi.”
Me dy vargje jepet gjendja e vuajtësve:
“Zbathun ishim shumica e natja e brymtë
na futej deri n’eshtnat e krahnorit.”
Tingëllima 12 vendos një paralele me skllevërit që ndërtuan piramidat e Egjiptit dhe koloseun e Romës, me të dënuarit që hapën kanalin që lidhi lumin e Moskës me Vollgën. Poeti fokusohet te vdekja që rrëmbeu jetën e dhjetra të dënuarve, sepse nuk u bënë dot ballë urisë, mungesës së ujit të pijshëm dhe lodhjes:
“Vdesin hendeqeve ndër brraka gjaku,
vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.”
Ai lë për një çast vuajtjet dhe vdekjet për të ngjallur shpresën:
“Ju shelqet e Vloçishtit qi shkëlzeni
kur lehtë puhija gjethin ju valvit,
te djerri qi veç kallma e driza rrinë
uzdajën time ndoshta shembëlleni?”
Dy tingëllima sjellin një skenë barbarie që prevalon nga dëshira për jetë:
“Posa dha shpirt, e tu i plaçkitun krodhën
e bukës, krypën e çka n’torbë ju ndodhën.”
Plotësohet me një konkluzion të drejtpërdrejtë te tingëllima pasuese:
“E pamë si prej urije pezmatohet
e bahet kafshë njeriu e bahet bishë.”
Tingëllima 20 lë skenat e mjerimit dhe shpërthen me një apostrofë:
“O paqe e votrës, ambëlsi e fmis!
Rreze e një malli t’ fortë qi nuk u shkime!
A do t’i shofim prapë ato bekime?
A vinë mâ dit’ e humbuna t’rinis?”
Dy tingëllima bëjnë përqasjen e kampit të punës me kampet e përqëndrimit nazist dhe konstatimin e hidhur që dhuna e xhelatëve shqiptarë ndaj bashkëkombasve të tyre ua kaloi atyre të turqve, serbëve dhe grekëve.
Përmbyllja u vë vulën vuajtjeve, qëndresës dhe shpresës:
“Me shpirt ndër dhëmbë duruem na kët skëterrë,
lirin andrruem te nata e bame sterrë,
e zemrat tona atë për flamur rrokën.
Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë
nga tyranija e randë atdheu do t’shkundesh,
dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh
mâ e bukur do t’shkëlqente besa jonë.
Vuej po qëndro! Merr zemër te burrnija!
E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!”