SORKADHJA/
NGA QAZIM SHEHU/
Yjet e ftohta mban mbi brirë,/
Lotin e qiellit në sy,/
Lulet që kanë mbirë/
Në hapin e saj, janë aty./
Dielli kur së pari ra,/
Në sy të saj u qetësua,/
Dhe një burim nuk u tha,/
Pa pirë buzët e tua./
Gjithçka të bukur i mori botës,
Hapin e brishtë me naze,
Pastaj u pendua e ndrojtur,
Emrin ia dhuroi çdo vajze…
ATA QË RRINË NË BURGJE
Kush diellin e jetës vret,
Diellin s`e meriton më,
Gurët i rrinë shkret,
Lotojnë pa zë.
Për vetminë e tyre , jo,
Për shpirtrat që ikin,
ditëve jeta lëshon një zë,
Që u ngul thikën.
Në jetën e tyre të mbaruar,
Tek frymë marrin gjaksorët,
Me lot acari ulërijnë gurët,
Dhe u kujtojnë therorët…
E ZAKONSHME
I gdhiva netët me lodhje fjalësh,
Siç e ka gdhirë Verleni,
poet rrethuar prej skandalesh,
Tek unë s`do ta gjeni.
Do gjeni veten e pjesëtuar,
Në qindra dashuri,
Ku nuk ndrijnë gurët e çmuar,
Të asaj që quhet marrëzi.
Ndodh me të marrët njejtësojnë,
Poetët që shkruajnë vargje,
Kur arsyeja na pëlqen,
Jeta normale.
s`më pëlqen lavdia qorre,
brohorimat e pasinqerta.
Veç fjala që lodhet e del,
Si bima në vlagë të nxehta.
E kur shpërthen koren e tokës,
Syrin e vet nxjerr në diell,
Bëhet bukë për t`iu dhënë botës,
Bëhet ajër ,bëhet qiell…
BURIMI
Nga gji i kujt doli burimi,
Siç gji i femrës një psherëtimë.
Vë buzën mbi të e shuaj etjen,
Ky gji përkëdhelet në brendësi.
Ngrihem.Ai rrjedh dhe s`mbaron,
Për të tjerë e të tjerë rrjedh.
Shembëlltyrën që shkëndijon,
S`dihet ku e hedh.
Dhe unë kujtoj se i kam aty,
Vështrimet kur rashë përmbys,
Si një shirit i mori, pa zë,
Në djep të kohrave i çeli zogj…
PILO ZYBA
KROI I BALADËS SIME
– poetit KOCI PETRITI –
Pena ime
Sot direzhon koncertin e fundit.
Kolonat e baladave të tua
I vendosa nota
Nëpër telat e tendosur të dhimbjes,
Dhe i ktheva në tinguj mallëngjyes…
Vargjet janë të shumtë, poet.
Me kosheren tënde të mjaltëzimit,
Me krahë-fëshfërimat e dëshirave
I mblodhe pllajave të lulëzuara
Kopështijeve të artit popullor…
Pive ujë burimeve të tyre,
E pastaj në hojet e ngritura të kohës,
Vendose mjaltin dhe aromën e këngëzimit…
Kurrë nuk të mendoja të shtrirë,
Me duar të kryqëzuara,
Sepse kryqin ti e mbajte mbi shpinë,
Dhe rende marathonomak
Për në Jeruzalemin e tembull-poezisë.
Kurrë nuk të mendoja të heshtur,
Sepse brënda luginës së gojës,që hesht,
Unë dëgjoj shushurimën e lumënjve
Të kthyer në balada.
Ato mërmërijnë mirësinë e brezave,
Ninullat dhe valvitjen e flamurit,
Bëlbëzimin e parë të çdo fëmije
Me krahë-puthje fluturore…
Ti në atdhe,unë në Londër…
Mes nesh një lumë i gjerë,
I gjatë e i thellë malli…
Por mbi këtë lumë largësish,
Qëndron ngritur ura e Qabesë,
Ura e Bruklinit, Urë e Drashovicës,
Urat që lidhin Kontinentet,dashuritë,agimet…
Çfar ka dielli këtë mëngjes?
Pse është flokërrezelëshuar,
Fytyrë shprishur,pa krah?
Pse endet i çartur
Si Ofelia brigjeve të tragjedisë Shekspiriane?
Koha ka humbur orientimin,
Lindja drejtpeshimin e saj shekullor.
Poet!
Lëshojë edhe njëherë
Tufat e frymëzimeve të tua
Në qiellin e jetës time,jetës tonë,
Të më puthi nënokja Shqipëri
Me buzët e thara nga padrejtësitë shekullore.
Dua që,si atëhere,
Të rend pas krahërrahjeve të tyre
Në kaltërsinë e mendimit.
Më pas,me goditjet ritmike
Të daulles së kohës,
T’ja çaj verbërinë dhe daullen e veshit vdekjes.
Ta shurdhoj dhe qorroj
Mortjen plakë, që hap plagë
Në trupin e brishtë e të lulëzuar të ndjenjës,
Dhe bukurinë e vashë-lirikës poetike.
Nuk e di,por,kam dëshirë
Të tërheq një valle të madhe,
Të marr pas vetes gjithë dashuritë
E krijimeve të tua,
Që të veshura me kostume ngjyrash poetike,
Të mbushin me tinguj skenën e madhe qiellore.
Engjejt,të marrin në krahët e tyre të brishtë
Kaltërsinë dhe tingujt e harpës, vibrimet
E mendimit në fantazinë e krijimit të botës tënde.
Çfar ti them hapësirës?
Ti linde në një vënd të coptuar
Nga thika e padrejtësisë,
Përjetësisht pushtuar nga forca e me të madhit.
Por me forcën e shpirtit pushtove botën,
Dhe më shumë, hapësirat e pa prekura të saj…
Dëgjoj larg një violinë,
Harku i këtij fillim shekulli luan melodi të trishta.
Sovjani ku linde ka ftohtë,
Shkumbini u rrenqeth,
E zvogëloi rrjedhën nga dhimbja,
Si një nënë që shtërzon e mblidhet nga lindja.
Atje,mes malesh,
Në luginat e thella të Librazhdit,
Që ngjan me fole legjendash,
Dëgjoj rrahje flatrash në shpate,
Flatra që ngjiten lart.
Ngrihen mbi kreshta
Dhe hijëzojnë arat e mbjella më parë
Nga bujqit poetë të kohës.
Në cep të çdo are,
Në bregore të vogla dhe çuka,
Dëgjoj të qeshura manare,
Që lëshojnë një tufë thëllëza,çupa!
Kur u ndamë
Më premtove se do më prisje.
Më the:
“Koha
Ka nevojë për Hidrocentrale të tjerë drite,
Ka ardhur koha,
Që mbi pluhurin e shekujve poetikë,
Të shkruajmë dhe orkestrojmë këngën finale.
Plori i parmëndës duhet të kalitet,
Të punojë ugare,ara,më pas të vaditet,
Që nga thellesia e saj të mbijnë të tjerë fidanë.
Dhe fara e mbjellur në çdo anë,
Të pushtojë me harlisje në beteja,
Trupin e vashave të reja,
Që bien përsëri në skenë,
Dhe lindin për mëmëdhenë
Përsëri Teutën,Buzukun, Skëndërbenë,
Që në trupin e kombit presin,kurrë nuk flenë”!
Stadiumet e leximit kanë mbetur bosh,
Koha qorre vrapon pas bukës,
Ka harruar sakrificat e njeriut të pushkës.
Drita e diturisë është lënë pas dore,
Njerzit vrapojnë pas ushqimit e krimit.
Mulliri i mendimit punon bosh,
Njerzit
Ushqehen me miellin krunde të propogandës,
Më shumë ka vlerë thurja e rrjetës së merimangës.
Helikat e krahëve të mullirit punojnë bosh,
Mokra e tij dhimbjen e bluan dhe e hedh në shoshë.
Më pas,më pas silazhi i gatuar
Bëhet ushqim për dhimbjen e krijuar.
Qielli zhurmon nga mijra bindje dhe ide,
E vërteta qëndron lakuriq,dridhet,
Por asnjë bashkëkohës nuk e sheh.
Kohë të vështira,
Re të dëndura enden hapësirës,
Dhe me rropamë përmbytin vreshtat,
Rrëzojnë kokërrzat e qelibarta
Dhe mushtin që qëndron nën fletë.
Bota dridhet nën pëllëmbët e blerta që gjetheve,
Prej dhimbjes dhe padrejtësitë e etheve…
Ti hesht,poet!
Krishtërimi do ti thyej ligjet e tij të vendosura.
Në rrugën e fundit nuk do të ti kryqëzojë duart,
Mjafton koha kur dekadat dhe diktatorët,
Të kryqëzuan mendimet dhe fluturimet.
Dora e poetit është një sqep,
Që çukit vezën e artë të agimeve,
Për t’u sjellë në jetë brezave,
Lindjen e cicërimeve…
Ti i shtrirë në shtratin e përjetësisë,
Unë shtrirë në shilarsen e poemave të tua,
Koha dorë e butë nëne,më përkund.
Flladi ardhur nga furra e mendimit shekullor,
Situr nëpër erashkën e talentit tënd
Më përkëdhel në fytyrë e flokë,
Dhimbja e paska peshën e saj me okë…
Shilarsja jote
Një djep,
Që nga lashtësia mërr dhe jep,
Dashurinë thurur nga një lis,pishë apo plep…
Vargu dhe harkimi i shilarses ka gojë,
Ai mund të bjerë dhe çojë
Karvanin e këngëve deri në Trojë…
Të shikoja,
Gjithmonë i buzëqeshur,
Rrobaqepës, që gjithë jetën
Botës i ke veshur
Kostumin e artit,të prerë e qepur me shije,
Koshere me balada trimërie…
Një fustanellë me “Vallen Gorare”
Në sofrën e madhe të Skëndërbeut,
Që tundet nga heroizmat dalë prej dheut.
Me tupin e Gjergj Elez Alisë,
Kthyer me shtatë plagë në një lis,
Në degën e madhe, atje te maja,
Hedh valle dhe kërcen Sefë kosharja…
Ti,koleksionisti i Karl Gegës,Babjenit,
Që shpon një Semering,
Dhe pse një sy e ke pa jetë,
Brënda qiellit të vështrimit të tij,
Zogjtë dhe endërrat marrin retë,
Firmat e poemave vrasin një helmetë,
Kur kërcellin e brishtë të barit e vendosin në fletë…
Ti,
Që mërr Drinin,Shkumbinin dhe Valbonën,
Në vargje u kthen valët dhe jehonën…
I lëshon në katarakte flokëlëshuar,
Që e ardhmja me krehrat duar,
Nuse e veshur dhe duke nusuruar,
I bën prikë për ditët që priten të vinë,
Me krisma pushkësh që lindin fëminë…
I pagëzon me emrin e Eneas së lashtë,
Atje ku historia dhe gjuha bashkë,
Ngrejnë për botën kalatë e themelit,
Nga vjen kultura,ngjyrat dhe boja,
Për firmën dhe legjendën që krijojë Troja.
Omeri nuk ishte qorr,
Por vëllavrasja dhe pabesitë,
E bënë të shkruante tragjeditë,
Në fund,kur lexojë vargjet, i mbetën në fyt,
Dhe përjetësisht ju qorruan sytë…
Që nga ajo kohë,
Kurrë nuk pushojë uragani i pabesisë,
Që piu qumësht në të tradhëtisë sisë,
Dhe duke shtuar etjen,dhunoi tokën e Ilirisë.
Ti i shtrirë në shtrat
Në dhomën e vogël,
Dritaret sy mbyllura
Nuk duan të lënë të dali lajmi hidhërimit,
Eshtë e rëndë, e dhimbshme e vërteta e flijimit.
Por, a mund të qëndrojë një koshere e mbyllur?
Bletët e tua poetike gumëzhijnë,
Ato kërkojnë fluturime me flatra,
Në kërkim të polenit, udhëtimeve të gjata…
Dritaret kërcasin eshtrat,
Heshtjen e dhimbjen e vrasin,
Shpirti që endet nëpër dhomë,
Kërkon Jeruzalemin me jehonë…
Nuk mjaftojnë vizitorët
Që hyjnë dhe dalin në këmbë.
Koha ha dhimbjen e saj me dhëmbë,
Bluan vetveten,
E gjatë rruga deri në hënë…
***
Më the,poet,që do më prisje!
Vreshtat e tua do të vadisje,
Dhe do mbillje fidanë të tjerë.
Koha, brezat dhe unë,
Kanë nevojë për verë…
Për vlerë,për mëngjese – ylbere në eterë…
Koha dhe kombi ka nevojë për lisa,
Për krahë të fortë dhe fletë,
Shqiponjat nuk i ngrejnë foletë në driza,
Por lart,atje ku përshëndeten me retë.
Është e besushme,unë e dija,
Kur fillon dhe vjen stuhia,
Zogjtë mblidhen nën pemë të trembur,
Ndërsa vdekja duke u endur,
Pret degë dhe të brishtat fletë,
Pa pyetur për lulëzimin aromë-çapa-lehtë.
Unë e dija se, ikja jote do ishte e rrallë,
Pa pyetur për vitet dhe për radhë.
Kosa e korrtarit vdekje në livadh,
Ka dhe dhimbjen e diktatorit të madh…
Kur retë shtrydhin urrejtjen mbi male,
Lumenjtë fryhen me ujë dhe tubullohen,
Nuk kanë kohë që të mendohen,
Marrin dhe përmbytin me dhimbje ara,
Dhe prodhimet e mbjella dhe të mbara…
Ti kësaj kose nuk ju trmbe,i qëndrove përpara.
Por nuk kishte si të ndodhte ndryshe,
Dëshira për fluturim një dallëndyshe,
E bën të kërkojë me sytë përpjetë,
Të preki me sqep dhe me krahë retë.
Për ty që këndove me zërin e brishtë të Trishtit,
Erdhi dhe të mori vetë ringjallja e Krishtit…
Për të marrë poetin lart te retë,
Zbriti në artin e tij vetë,
Bashkë me dritën e agimit,
Në datën e ringjalljes së Krishtërimit…
Dhe mori me vete këtë vit,
Shënjtorin poet për rit…
Lumi i rrëmbyer i jetës
Do rrjedhi në mote e brigje,
Nëpër lugina e nëpër shtigje,
Me oshëtimë,shkumë dhe jehonë,
Do dirizhojë për jetë kohën tonë,
Që Ju, poet,me frymëzim dhe penë,
Në pemën e përjetësisë ia ngritët folenë.
Çdo vit në përvjetorin Pashkë,
Me Krishtin tim,tonin,të dy bashkë,
Do plugoni e dizifektoni në botën e egër pabesitë,
Dhe do mbillni artin e bukur të dashurisë,poezitë!
Dhe brezat në vite duke pritur,
Ndjenjën e mirësisë duke vaditur,
Do presin ardhjen tuaj me fytyrën lart.
Atje ku koha mbi supet e saj mbart
Vlerat e të shkruarit në hejbetë e kohës,
Dhe mes dimrave,erës ngricës dhe llohës,
I çon drejt pavdekësisë…
Atje ku poeti, si Rozafa la një sisë,
Që buzët e lexuesve që shkojnë e vinë,
Këngën dhe historinë të pinë…
Po unë,poet,çfar të mbjell për Ty?
Një pemë të vogël miqësie,që të dy
E mbollëm bashkë nëpër këto vite,
E ujita me dhimbjen e kësaj dite.
Që nga mbjellja e një vreshti, fruti,
Nga rritja dhe deri te Buti,
Te vera e ëmbël e gradës së lartë,
Që Buti im mbushur me art,
Mban të mbyllur shijen dhe vlerën,
Dhe tani,po ja hap rrubinetin dhe derën…
Aroma dhe arti i ngjizur,
Mes miqësisë-urë të pa zgjidhur,
Bashkimi i esencave me vetëdije,
Për një të rrallë dhe të bukur shije,
Lë të rrjedhë nëpër porta miqësie…
“Koha e dehur nga liritë”,
Lë të dhunojë botën si hordhitë,
Por do jetë e humbur pa dashuritë,
Dhe pa lulëzimin që dhuron kopshti me poezitë…
Udhë të mbarë,mik!
Babai dhe perandori i më të madhit çiflik,
Që në shekuj si e vjetra verë
Rritet në gradë,cilësi dhe vlerë.
Dhe kënga juaj në të Kombit sy,
Do mbetet një burim mes gjethesh,pa dry,
Pemët do direzhojnë me degë e me fletë,
Zogjtë me cicërima lart nga retë,
Me buzët e sqepat ngjyer me verë e vargje,
Do këndojnë nëpër çati e nëpër pragje,
Cicërimën e rrallë gatuar në tënden magje…
Me valvitjen dhe lahurinë e një reje
Që atdheu e bie sot drejt teje,
Që pikat rubinë të tëndes poezisë,
Mbi pëllëmbë gjethet shekullore të njerëzisë,
Të bëjnë vaditjen e frut-dashuri-miqësisë,
Atje,te Rozafa juaj,të ulen dhe të pinë sisë !
Londër…25/4/2014
A JE BURRË I FORTË?!
Nga Ramiz LUSHAJ
Gurët e rrenave
Bluajnë krunde pa miell
Me ylber fjalësh:
-Mirë! Mirë! Mirë…!
Fjala e mekën shpirtin
Ecën tue rrgall’ e bjerrë.
Si parada me maska:
-Okej! Okej! Okej…!
Njerëzit po i ngajnë robotit
Me “program” kaq të lirë…
Dy fjalë i flet dhe papagalli:
-“Okej, Okej” – “Mirë, Mirë”…
Po klluqen në muze
Fjalët palcë e kockë:
-Tungjatjeta, vlla,
A je burrë i fortë?!
HIMNI I LIBRIT në “Kanunin poetik”
Nga Rrustem Geci – Dortmund/
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
t´i që vjen nga gjiri tragjik i jetës
je shpërthim i shpirtit të munduar
je lavdi e popullit më të përgjakur
O t´i që e kupton ç´është një libër
jepju gjak rrezeve që bëjnë dritë
kjo poezi është gjak i jetës suaj
ky libër është krijim i jetës sime
Kosovë, unë e ti jemi një prush dielli
që nga pellazgët e lashtë dhe iliria
shesh i takimit të shpatave të egra
dhe arenë e gjakut të perandorive
Jam fletë e çdo dite muaji dhe viti
jam libri i popullit tim të pagjumë
gatuar jam betejave të secilit varg
jam shpirt jujaj vullkanor i poezisë
Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
Arti i çlirimit nuk njeh kufij
Në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..
Shoh një zonjë me sytë blu
Nga Përparim Hysi
Shoh një zonjë me sytë blu
Ububu! Ububu!
Unë u plaka, po kështu
Nuk kam parë të tillë:syblu!
Do jetë larë,- them,- në det
Se të sheh dhe bie tërmet!
Kur t’i ngul, që, thua, babaçe
Iku burri… kot bën llafe.
E që thoni: -Lele! Ngriva!
Sa mbi të unë sytë i shtira
Unë i shtira, po m’i shtiri
Tash e humba: shkoi fiqiri!
“Luajta” unë, po s’luan ajo
As i heq,,, more, çfarë do?
Për të folur, as që flet
Por me sytë më ndjellë, vërtet!
E, ç’më bëre syriblu!
Ta humbas burri kështu
Katandisa si vulëhumbur
Syriblu më ka “tundur”…
22 prill 2014
Sot
Më takoi mikja në udhë
Dhe u futëm në një klub
Pi e pi… godat me fund
Sa u deha, u bësh thumb.
Pastaj nga klubi dola
Pas mikes rrugën mora
Ngjita shkallët pas asaj
Ku mbaj mend ç’ndodhi pastaj?!
Se më humbi, o miq, filli
Në telashe më fut prilli
Mos nga prilli, nga rakia
Seç lajthiti pleqëria.
Fundprilli
“… sillet moti për së mbari”
Thuhet në një këngë shkdrane
Në këtë priill, unë, i moshuari
Rashë në “çarg” nga një nishane.
Kjo, nishania, symëshqerrë
Seç m’i nguli shtizë sytë
Sado unë kam erz e nder,
Po m’u mbytën, miq, gjemitë.
Dhe e hunba unë pusullën
Si Xhaferri,- thonë,- simiten
Lëshoj firmën ,edhe “vulën”
Dhe e bëj veç për miken.
Se me sy më goditi
Porse mëndjen mua më prishi
Pse, kështu, o moj nishane
Më ngre mua në alarme?!…
21- 29 prill 2014