• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOFRA POETIKE E DIELLIT-ALFONS GRISHAJ

May 19, 2018 by dgreca

Alfons Grishaj/

Prova/

Prej kohësh  m’ asht’ sos durimi./

Syt’ gremisen  hijeve shterr,/

Neoret n’ prag të një gjëmimi/

Prej qenëve që lehin n’terr./

 

M’ faniten do  shkarravina/

T’ mavijosuna qysh në djep/,

Shëmti, fjalë  polovina,/

Leprozë  krupë, lëkura shtrep’ /

 

Prov’, t’ kalova mijë herë,

Eh,  sërish relike e hidhur…

Kalon lajmtar në timen derë?!

Qënien dytë e kam zgjidhur!

 

Mal me t’ vdekur kaluar n’rini,

Ferrit pa frikë  pash më pash.

Plagë luftari  pa agoni…

Zinxhirve t’ kuq përmes u rash.

 

Tash,  kërkojn’ me më provu prap

A m’ ka mbet ndonji shkëndi,

Bash   njata që janë veç skrap.

Jam brum’ njeriu, jo Perëndi!

Me politikanë të rremë

Me aktorë  fallso, nuk ka shfaqje të bukur,

Të rremë politikanë, humbës pa meritë.

Burrëria  e ulët … aksiomë e zhdukur,

Bishtuku  nën ujë  kurr nuk fal dritë.

 

Heshtja

Verbëri ësht’ heshtja  kur fjalosesh me zgavër,

Pasqyrave  t’ thyera ngërdheshet  reflektimi.

Prej damarëve t’ këqij  sakat  mbet gjykimi,

Kompromis  hibritesh  mbjellur  në  kadavër.

Diftongu

Si një pendë qe, diftongu.

Zanoret hallka zinxhiri,

Faqes fletores bie gongu,

Shkëlqejnë si xhevahiri.

Dikur….

Dikur, kërceja  fluturim mbi dyrdyl

Natën  nën hënën e madhërishme,

Yjet e qiellit i mblidhja në zymbyl,

Pastaj  stolisja  vashën e magjishme.

 

Me gjakun e  ndezur prej dlirësisë,

Me freskinë e joshjes djaloshare,

Me dhuntinë e paqes dhe mirësisë

Pajtoja nektarin e luleve ziliqare.

 

Asnjëherë nuk  hasa lule t’ shëmtuar,

Veç tranzicion të gjelbër pranveror,

Bukuria e jetës në tokë  përftuar.

Mesnatave magnetike  ndriçon  auror’.

 

Tani, ndjej mall për vrullin djaloshar,

Për çdo shok e mike që desha në jetë,

Kultin e fëmijërisë, Mësuesen e parë

Aromën e dijeve, engjëjt  me fletë.

 

Me gotën e verës, O mik, Omar Khajam,

Prej kësaj jete… të falem në atë botë!

Se në kët’ kohë, veç njëri është haram…

Humbësi pashije që  s’ ngre  dot një gotë!

 

Dikur… është e sotmja, të dashurit e mi,

Nuk ka kohë, as moshë në  hapësirë,

Kur shpirti të fluturojë në lartësi,

Çelësi mistik do çelë portën e lirë.

Dikush më tha

 Dikush më tha:

“Shkruaj një gjëagjëzë!”

Shkrova një aforizëm.

Më pas u kthye:

“Shkruaj një bejtë!”

Shkrova një poezi.

Më shikoi drejt në sy:

“Shkruaj një fjalëkryq!”

Shkrova enigmën matrikse,

Jo, shiun e gjelbër.

Pastaj, m’u qas:

“Shkruaj një këngë!”

Pikturova një bilbil!

Lodhje

Askush s’ më lodh më tepër

Sa i shkolluari  injorant.

Shkarravinat quan  vepër!

Dhe veprën,  Rocinant.

Ditëlindja e “buburrecit”

Mblidhen për të festuar “buburrecat”

Ditëlindjen e princit të kotësisë,

Harruan pse u mblodhën mistrecat,

Njëri-tjetrit duke i dhënë sisë.

 

Për vdekjen e armiqve ngren’ gotë,

Jo,  për ditëlindjen  princit t’hiçit?

Instikti i insektit i lë pa botë,

Çalë e zvarrë  pas ziles ‘ kriçit.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Prova, Sofra Poetike

Në Boros të Suedisë mbahet manifestimi kulturor “ Sofra Poetike”

November 20, 2015 by dgreca

Ky eveniment ka edhe karakter garues, ndaj të gjitha krijimet që i arrijnë jurisë duhet të jenë me shifër
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Qendra Kulturore Artistike “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptar Papa Klementi XI Albani”, që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të tretë me 26 mars të vitit të ardhshëm do të organizojnë manifestimin letrar titulluar “ Sofra poetike”, në të cilin do të marrin pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga disa shtete të Ebropës ku me sukses punojnë e veprojnë krijues shqiptar si dhe poet e miq suedez. Sipas organizatorëve Sokol Demaku dhe Hysen Ibrahimi, ky manifestim që tashmë është bërë tradicional, qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj dhe ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ats që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra të mira kulturore, artistike e kombëtare.
Poezia është fuqi magjike që bashkon
Nisur nga përvojat e deritashme e organizimit të këtij evenimenti, poezia u lartësua si një fuqi magjike që po arrin të tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Në të vërtetë, ky tubim letrar i dha një përgjigje karakterit domethënës të poezisë, kësaj ëme të artit. Poezia jep një mesazh se si vuajtja dhe dhimbja mund të shihen si pozitivisht si dhuratë, duke qenë se ajo mund të shndërroj të keqen në diçka të mirë dhe të bukur, në poezi. Dhimbja për fatin e atdheut, për krimet e e armiqve mizor, për vuajtjen që vjen papritmas dhe pa mëshirë, malli për atdhe, të gjitha këto do të jenë pjesë përbërëse në vargjet e këtyre krijuesve mërgimtarë, jo vetëm të tyre. Kuptohet se së në krijimet e tyre jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi, prapë jo aq shumë sa dhimbja e malli.
Ky eveniment ka edhe karakter garues
“ Sofra poetike” ka edhe karakter garues. Ndaj pritet që jurisë profesionale do t’i arrijnë një numër i madh i poezive nga shumë krijues jo vetëm mërgimtarë, ashtu siç ndodhi në tubimet e mëparshme poetike. Me një fjalë, do të ndahen çmime për tre krijime më të mira. Të gjitha poezitë duhet të dërgohen me shifër , ashtu siç ndodhi deri me tash.
QKA “ Migjeni” dhe SHSHKSH” Papa Klemtini XI Albani, që veprojnë në këtë shtet skandinav, meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim në synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut, të cilin e donë aq shumë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’ afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijues të vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poetë suedezë dhe krijues të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë në këtë shtet skandinav.(Foto arkiv

Filed Under: Kulture, Mergata Tagged With: Boros Suedi, Sofra Poetike

MERGATA- MANIFESTIM POETIK TRADICIONAL”SOFRA POETIKE BORÅS”- SUEDI

September 1, 2015 by dgreca

QENDRA KULTURORE SHQIPTARE ”MIGJENI”- BORÅS SUEDI Fton krijuesit, artadashësit dhe gjithë pasionantët e fjalës së shkruar artistike në MANIFESTIMIN POETIK TRADICIONAL”SOFRA POETIKE BORÅS” NË BORÅS-SUEDI/
Qendra kulturore shqiptare “Migjeni” në Borås, Suedi, në bashkëpunim me Shoqatën e Shrkimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Suedi ”Papa Klementi i XI Albani” për herë të katërtë me radhë organizon manifestimin letrar me titull ”Sofra poetike”, një manifestim tradicional për klultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Në këtë manifestim që do të mbahet në javën e fundit të muajit mars 2016, ftohen poetë shqiptarë nga Skandinavia dhe vende të tjera nga Evropa, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve Shqiptarë në Suedi, poetë suedezë, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve Suedez (Svenska Författare Förbundet), simpatizantë të fjalës së shkruar si dhe mysafirë nga vende tjera.
Lusim të gjithë poetët, krijues letrarë, të cilët kanë dëshirë të marrinë pjesë në ”Sofrën poetike Borås” në Borås që më së largut deri me 30 dhjtor 2015 të na dërgojnë nga tri poezi (punime origjinale të tyre) në adresën dituria@live.se, në mënyrë që juria e formuar për këtë manifestim t`i shikojë punimet dhe t`i bëjë përgatitjet e duhura për manifestimin, ku me këtë rast do ndahen edhe shpërblime për poezinë më të mirë (tri shpërblime) tri nga ShShASh dhe tri nga QKSH Migjeni, për poetin më të suskesshëm, për poezinë më të mirë, për poezinë e mërgimit, librin më të mirë dhe prezentuesin më të mirë të punimit te tij si dhe shumë shpërbilme tjera.
Festivali ”Sofra poetike Borås 2016” do mbahet me 26 mars 2016 në qytetin Borås-Suedi.
Qëllimi i këtij manifestimi është që t`i afrojë njërin më tjetrin krjiuesit shiqptarë si dhe me krijuesit e vendit ku ne jetojmë dhe veprojmë, pra me poetë suedez dhe poetë kombesh e kombesish tjera që jetojnë dhe veprojnë këtu.
Mbesim me shpresë se ky manifestim do gjejë mbështjetjen tuaj për të filluar dhe të bëhet manifestim tradicional i poetëve tanë në mërgatë.
dituria@live.se
Mirë se vini me punimet e Juaja në këtë manifestim letrar të mërgatës sonë.

QKSH ”Migjeni” Borås, Suedi

Filed Under: Mergata Tagged With: Boras Suedi, MANIFESTIM POETIK TRADICIONAL”, Sofra Poetike

TE FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

April 5, 2015 by dgreca

Neki Lulaj/Gjermani/
POETËT/


..Poetët …janë skulptorët me tamtha engjëllorë
/
Që fjalës së latuar i japin ngjyrë e kaltërsi /

Janë Pelegrinët që duan të gjithë një Zotit
/
Që i bashkojnë etnitë në një shtëpi

…./
Para furtunave janë zogjt të rebeluar/

Që në botë nuk duan dhunë, por vetëm miqësi
/…..
Poetët janë fjalëpakë e gojëëmblit e bekuar
/
Ata janë pëllumbat e paqes në gjithësi

….. /
Poetët, të urtit janë cicëronë në parajsë
/
Që i ligjërojnë shpirtit, Antikës dhe lashtësisë
./
Janë degë gjethëmbajtës, lisa me trupa të gjatë
/
Jetojnë në çerdhën e muzës, në Universin e yllësisë
/
Janë mendjendriturit e kombit, të butë si fildishi/

Që lehtë thyhen si kristali, si cegemi i borës nën diell
……/
fluturojnë lehtë në krahët e praruar të dritës/

Shtëpitë e shtretërit i kanë mes resh, në qiell 

…..janë shtatë zanorët e gjuhës në tetë notat e Pentagramit/

Që gjithmonë i bashkon vetëm një vetëtimë, një ortek 
…..janë rojtarët e natës në shoqërinë e muzës si kristali
/
Që bëjnë roje nderi kur të tjerët bëjnë gjumin në dyshek/


Janë parlamentarët e fjalës dhe të mendimit të lirë
/
Janë shkëndija yjesh të panumërt që jetojnë në harbim
…./
janë digat e larta mbi lumenj, janë rrezet e diellit të dlirë
…./
janë shtegtarë, avokatët e zëshëm të Atdhemirit tim



/

DASHURIA



Dashuria është si vapori i pandalur i Ismail Qemalit
/
I bën ballë shtrëngatës, furtunës me borë e shi
/
Dashuria i than kënetat e i bën në çast lulishte malli
/
I hapë rrugët e pakalueshme, për dy krahëror në përjeëtsi


/
Dashuria është pishë që i ndez ëndrrat e fjetura
/
Peisazh me lulishte që i rrënon muret e heshtjes sfilitëse 
/
Është dritë e fortë në të gjitha vitet me orët të paprekura
/
Është diçka që nuk vyshket në solemnitetin e pritjes


Është diçka qe fluturon mbi pellgjet e hënës së bukur
/
Të etur ujin e pijnë në brrokat e saj të bekimit
/
Buzëqeshjen e ka të art si të korrat e grunoreve të fushës
/
Bukurinë e ka të ngrohtë si duart e buta të përqafimit



NË NDARJE

(Me rastin e gjashtë vjetorit të vdekjës së Nënës)

Më forcë dashurie shtërngova supet e tua në ndarje me dhimbje
E tamthat e gishtërinjëve puthën kockat e shpatulla pleqërie
Aty e kuptova se të ka rrethuar gardhi i bardhë i dobësisë
E ti kurrë s’na tregove vitin e lindjes as atë shtatin tërë hijësi
Mbaheshe e fortë si Lokëmadhja e Micit të Malësisë…..

Në ndarje e putha fort fytyrën tënde flakë zjarri
E ballin plot me rrudha e gavrova në zemër
Ishin trishtim kur ktheva të të puth fort të tek balli
Me afshin e dashurisë prindërore në kurbetin e egër
Rrugëve vorbull te pa njohura të botës pa gjuhë..

E sot…..sot sërish u ktheva ndryshe nënë e hyjnizuar
Më mungoi pritja jote e zakonshme tek dyert në oborr
Ishte muaj prill, por çdo gjë më si akull është akulluar
Të gjeta në dhomën e pritjes pa frymë e pa gojë

Të putha fort, ftohet fytyrën tënde me të bukur si të Monalizës
Si pa dashje lotët më rrodhën me tradhëtuan ndjenjat
Ranë si një shi prilli mbi fytyrën tënde e u thanë nga dashuris
Humbën si shkopinjtë që i merr një ditë vrullshëm rrjedha

E unë tjerrë kujtimet në furkën e j……

KOSOVA BURG NË ISHULL

Mbështes kokën e lodhur
mbi gurët e praruar të këtij burgu në ishull të stolisur.
Ulur
pranë cungut të lisit antik plot me gjethe e degë të njoma.
E lisi
i ka rrenjët thellë në zemrën e tokës së braktisur
E mbi tokë
rreth e për qark, kufi livadhe, gardhiqe, bjeshkë e pllaja

Dëgjoj
këto urdhëra Evrope e për dëshirat e kësaj lavirjeje plakë
Eh..
këto gjymtyrët e mia të rraskapitura mbi brazdë plisi
Kudo
në trojet antike flet shqip kulla muri, kroejt, gurët e çdo varr.

Lulet dafina,
lëshojnë rrënjë mes eshtrash e thithin gjakun e çdo martiri
Themelet flasin shqip
E mbi tokë ka kufi, gardhiqe, lumenj e bardhësi plisi
Në troje tona
Me urdhëra Evrope në themelet e vjetra frymojnë shqip

Këtu
në qëndrojmë fortë të izoluar ne ishullin e Evropës vit pas viti
Ky burg ,kjo qanakala..
kjo gjendje i shkon për shtati lavirës së Karpateve saktësisht.
Më trishton
Kjo zymtësi trishtuese kjo kohë ciklopësh, kjo ikje e grishje
këto kërcnime ordinerresh

Ngulfatje dëshirash
Si, për çudi, edhe idhujt u thinjën, u zbardhën si baca.
E engjëjt
mbi krahët e shqipës u nisën fluturimin në vite.
A ka shpresë
të dalim nga burgu i ishullit të Evropës si të dilni nga vatha?

Pyes, pyes e klith si shqiponjaaaaa në qielin e dlirë.

LUAN CIPI/
MIRËNJOHJE NGA NXËNËSIT/

Kam qenë mësues për njëzet vjet,
Nuk them kushedi, ç’mrekulli kam bërë,
Po, kur një nxënës më përshëndet,
Në nur e gaz mbulohem i tërë,

Kujtoj i përtërirë në vitet e rinisë
Djelmoshat, që parakalojnë paradë,
Dalloj mes tyre pjesëtarë të qeverisë,
Shkencëtarë, dijetarë e drejtues të lart.

Kënaqem për ndonjë, thuajse të harruar,
Kur ai më shkruan me dashuri e mall,
Edhe pse kontinenteve, vetmuar e mërguar,
Ndofta në shqetësim, në mundim e në hall.

Mirënjohja, krye virtyt, vlerë të madhe merr,
Si stafetë e artë, udhëton e shkon dorë për dorë,
Përcillet te Shqiptarë ndër breza, derë më derë,
Rrugëton, valëvitet flamur, a shtrohet kurorë.

Me zanafillë te katragjyshat, gjyshat e prindi,
Mirënjohja, mbart mirësi të hershme që i shton
Me respekt për origjinën dhe vendin ku lindi,
Kjo traditë madhështore dhe në botë na nderon.

Kur këtë e shoh dhe e ndjej, zemra më gjallohet,
Mendoj se, sado pak, këtu është dhe thërrimja ime,
Kur këta djem ruajnë gjuhën, doket dhe zakonet,
Në shpirt thellë diçka u ka ngelur nga ato mësime.

Tiranë, më 04.04.2015

CINGËRISJE MBI KOKË
nga Luan Çipi

Gjej diku tim bir ndër fotografi
Të ketë dalë, qoftë dhe midis shokësh
Dhe shikimin drejtë dërgoj te ai,
Kërkoj e klikoj midis fotoshopësh.

Atë e shkëpus dhe e heq mënjanë,
Që ta shoh veçmas dhe sa më të bukur,
Ndihem i kënaqur: Shihni, shesh-mejdan,
A ka më të pashëm, a ka më të dukur?

Po, është pjella ime dhe i vetmi djalë,
E kam të mërguar, ndihem i vetmuar
Dhe pse, një të thërritur dielli pa dalë,
Ai, vjen fluturim në të perënduar.

E kujtoj për ditë, me të loz e qesh
Djali, mijëra milje larg në Amerikë,
Trikos i marr erë dhe pastaj e vesh,
Jam plakur më duket. Të iki, s’kam frikë!

Pleqërisë i trembem, po ajo nuk pyet:
Kam këto mendime, pra, ajo ka ardhur,
Me gjuhën e mallit, mosha po më flet,
Cingërisin mbi kokë leshurat e zbardhur.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Luan Cipi, neki Lulaj, Sofra Poetike

Pese Poete ne SOFREN POETIKE TE DIELLIT

May 3, 2014 by dgreca

SORKADHJA/
NGA QAZIM SHEHU/
Yjet e ftohta mban mbi brirë,/
Lotin e qiellit në sy,/
Lulet që kanë mbirë/
Në hapin e saj, janë aty./

Dielli kur së pari ra,/
Në sy të saj u qetësua,/
Dhe një burim nuk u tha,/
Pa pirë buzët e tua./

Gjithçka të bukur i mori botës,
Hapin e brishtë me naze,
Pastaj u pendua e ndrojtur,
Emrin ia dhuroi çdo vajze…

ATA QË RRINË NË BURGJE
Kush diellin e jetës vret,
Diellin s`e meriton më,
Gurët i rrinë shkret,
Lotojnë pa zë.

Për vetminë e tyre , jo,
Për shpirtrat që ikin,
ditëve jeta lëshon një zë,
Që u ngul thikën.

Në jetën e tyre të mbaruar,
Tek frymë marrin gjaksorët,
Me lot acari ulërijnë gurët,
Dhe u kujtojnë therorët…

E ZAKONSHME
I gdhiva netët me lodhje fjalësh,
Siç e ka gdhirë Verleni,
poet rrethuar prej skandalesh,
Tek unë s`do ta gjeni.

Do gjeni veten e pjesëtuar,
Në qindra dashuri,
Ku nuk ndrijnë gurët e çmuar,
Të asaj që quhet marrëzi.

Ndodh me të marrët njejtësojnë,
Poetët që shkruajnë vargje,
Kur arsyeja na pëlqen,
Jeta normale.

s`më pëlqen lavdia qorre,
brohorimat e pasinqerta.
Veç fjala që lodhet e del,
Si bima në vlagë të nxehta.

E kur shpërthen koren e tokës,
Syrin e vet nxjerr në diell,
Bëhet bukë për t`iu dhënë botës,
Bëhet ajër ,bëhet qiell…

BURIMI

Nga gji i kujt doli burimi,
Siç gji i femrës një psherëtimë.
Vë buzën mbi të e shuaj etjen,
Ky gji përkëdhelet në brendësi.

Ngrihem.Ai rrjedh dhe s`mbaron,
Për të tjerë e të tjerë rrjedh.
Shembëlltyrën që shkëndijon,
S`dihet ku e hedh.

Dhe unë kujtoj se i kam aty,
Vështrimet kur rashë përmbys,
Si një shirit i mori, pa zë,
Në djep të kohrave i çeli zogj…
PILO ZYBA

KROI I BALADËS SIME

– poetit KOCI PETRITI –

Pena ime
Sot direzhon koncertin e fundit.
Kolonat e baladave të tua
I vendosa nota
Nëpër telat e tendosur të dhimbjes,
Dhe i ktheva në tinguj mallëngjyes…
Vargjet janë të shumtë, poet.
Me kosheren tënde të mjaltëzimit,
Me krahë-fëshfërimat e dëshirave
I mblodhe pllajave të lulëzuara
Kopështijeve të artit popullor…
Pive ujë burimeve të tyre,
E pastaj në hojet e ngritura të kohës,
Vendose mjaltin dhe aromën e këngëzimit…

Kurrë nuk të mendoja të shtrirë,
Me duar të kryqëzuara,
Sepse kryqin ti e mbajte mbi shpinë,
Dhe rende marathonomak
Për në Jeruzalemin e tembull-poezisë.
Kurrë nuk të mendoja të heshtur,
Sepse brënda luginës së gojës,që hesht,
Unë dëgjoj shushurimën e lumënjve
Të kthyer në balada.
Ato mërmërijnë mirësinë e brezave,
Ninullat dhe valvitjen e flamurit,
Bëlbëzimin e parë të çdo fëmije
Me krahë-puthje fluturore…
Ti në atdhe,unë në Londër…
Mes nesh një lumë i gjerë,
I gjatë e i thellë malli…
Por mbi këtë lumë largësish,
Qëndron ngritur ura e Qabesë,
Ura e Bruklinit, Urë e Drashovicës,
Urat që lidhin Kontinentet,dashuritë,agimet…

Çfar ka dielli këtë mëngjes?
Pse është flokërrezelëshuar,
Fytyrë shprishur,pa krah?
Pse endet i çartur
Si Ofelia brigjeve të tragjedisë Shekspiriane?
Koha ka humbur orientimin,
Lindja drejtpeshimin e saj shekullor.

Poet!
Lëshojë edhe njëherë
Tufat e frymëzimeve të tua
Në qiellin e jetës time,jetës tonë,
Të më puthi nënokja Shqipëri
Me buzët e thara nga padrejtësitë shekullore.
Dua që,si atëhere,
Të rend pas krahërrahjeve të tyre
Në kaltërsinë e mendimit.
Më pas,me goditjet ritmike
Të daulles së kohës,
T’ja çaj verbërinë dhe daullen e veshit vdekjes.
Ta shurdhoj dhe qorroj
Mortjen plakë, që hap plagë
Në trupin e brishtë e të lulëzuar të ndjenjës,
Dhe bukurinë e vashë-lirikës poetike.

Nuk e di,por,kam dëshirë
Të tërheq një valle të madhe,
Të marr pas vetes gjithë dashuritë
E krijimeve të tua,
Që të veshura me kostume ngjyrash poetike,
Të mbushin me tinguj skenën e madhe qiellore.
Engjejt,të marrin në krahët e tyre të brishtë
Kaltërsinë dhe tingujt e harpës, vibrimet
E mendimit në fantazinë e krijimit të botës tënde.
Çfar ti them hapësirës?
Ti linde në një vënd të coptuar
Nga thika e padrejtësisë,
Përjetësisht pushtuar nga forca e me të madhit.
Por me forcën e shpirtit pushtove botën,
Dhe më shumë, hapësirat e pa prekura të saj…

Dëgjoj larg një violinë,
Harku i këtij fillim shekulli luan melodi të trishta.
Sovjani ku linde ka ftohtë,
Shkumbini u rrenqeth,
E zvogëloi rrjedhën nga dhimbja,
Si një nënë që shtërzon e mblidhet nga lindja.
Atje,mes malesh,
Në luginat e thella të Librazhdit,
Që ngjan me fole legjendash,
Dëgjoj rrahje flatrash në shpate,
Flatra që ngjiten lart.
Ngrihen mbi kreshta
Dhe hijëzojnë arat e mbjella më parë
Nga bujqit poetë të kohës.
Në cep të çdo are,
Në bregore të vogla dhe çuka,
Dëgjoj të qeshura manare,
Që lëshojnë një tufë thëllëza,çupa!

Kur u ndamë
Më premtove se do më prisje.
Më the:
“Koha
Ka nevojë për Hidrocentrale të tjerë drite,
Ka ardhur koha,
Që mbi pluhurin e shekujve poetikë,
Të shkruajmë dhe orkestrojmë këngën finale.
Plori i parmëndës duhet të kalitet,
Të punojë ugare,ara,më pas të vaditet,
Që nga thellesia e saj të mbijnë të tjerë fidanë.
Dhe fara e mbjellur në çdo anë,
Të pushtojë me harlisje në beteja,
Trupin e vashave të reja,
Që bien përsëri në skenë,
Dhe lindin për mëmëdhenë
Përsëri Teutën,Buzukun, Skëndërbenë,
Që në trupin e kombit presin,kurrë nuk flenë”!

Stadiumet e leximit kanë mbetur bosh,
Koha qorre vrapon pas bukës,
Ka harruar sakrificat e njeriut të pushkës.
Drita e diturisë është lënë pas dore,
Njerzit vrapojnë pas ushqimit e krimit.
Mulliri i mendimit punon bosh,
Njerzit
Ushqehen me miellin krunde të propogandës,
Më shumë ka vlerë thurja e rrjetës së merimangës.
Helikat e krahëve të mullirit punojnë bosh,
Mokra e tij dhimbjen e bluan dhe e hedh në shoshë.
Më pas,më pas silazhi i gatuar
Bëhet ushqim për dhimbjen e krijuar.
Qielli zhurmon nga mijra bindje dhe ide,
E vërteta qëndron lakuriq,dridhet,
Por asnjë bashkëkohës nuk e sheh.
Kohë të vështira,
Re të dëndura enden hapësirës,
Dhe me rropamë përmbytin vreshtat,
Rrëzojnë kokërrzat e qelibarta
Dhe mushtin që qëndron nën fletë.
Bota dridhet nën pëllëmbët e blerta që gjetheve,
Prej dhimbjes dhe padrejtësitë e etheve…

Ti hesht,poet!
Krishtërimi do ti thyej ligjet e tij të vendosura.
Në rrugën e fundit nuk do të ti kryqëzojë duart,
Mjafton koha kur dekadat dhe diktatorët,
Të kryqëzuan mendimet dhe fluturimet.
Dora e poetit është një sqep,
Që çukit vezën e artë të agimeve,
Për t’u sjellë në jetë brezave,
Lindjen e cicërimeve…

Ti i shtrirë në shtratin e përjetësisë,
Unë shtrirë në shilarsen e poemave të tua,
Koha dorë e butë nëne,më përkund.
Flladi ardhur nga furra e mendimit shekullor,
Situr nëpër erashkën e talentit tënd
Më përkëdhel në fytyrë e flokë,
Dhimbja e paska peshën e saj me okë…

Shilarsja jote
Një djep,
Që nga lashtësia mërr dhe jep,
Dashurinë thurur nga një lis,pishë apo plep…

Vargu dhe harkimi i shilarses ka gojë,
Ai mund të bjerë dhe çojë
Karvanin e këngëve deri në Trojë…

Të shikoja,
Gjithmonë i buzëqeshur,
Rrobaqepës, që gjithë jetën
Botës i ke veshur
Kostumin e artit,të prerë e qepur me shije,
Koshere me balada trimërie…

Një fustanellë me “Vallen Gorare”
Në sofrën e madhe të Skëndërbeut,
Që tundet nga heroizmat dalë prej dheut.
Me tupin e Gjergj Elez Alisë,
Kthyer me shtatë plagë në një lis,
Në degën e madhe, atje te maja,
Hedh valle dhe kërcen Sefë kosharja…
Ti,koleksionisti i Karl Gegës,Babjenit,
Që shpon një Semering,
Dhe pse një sy e ke pa jetë,
Brënda qiellit të vështrimit të tij,
Zogjtë dhe endërrat marrin retë,
Firmat e poemave vrasin një helmetë,
Kur kërcellin e brishtë të barit e vendosin në fletë…

Ti,
Që mërr Drinin,Shkumbinin dhe Valbonën,
Në vargje u kthen valët dhe jehonën…
I lëshon në katarakte flokëlëshuar,
Që e ardhmja me krehrat duar,
Nuse e veshur dhe duke nusuruar,
I bën prikë për ditët që priten të vinë,
Me krisma pushkësh që lindin fëminë…
I pagëzon me emrin e Eneas së lashtë,
Atje ku historia dhe gjuha bashkë,
Ngrejnë për botën kalatë e themelit,
Nga vjen kultura,ngjyrat dhe boja,
Për firmën dhe legjendën që krijojë Troja.
Omeri nuk ishte qorr,
Por vëllavrasja dhe pabesitë,
E bënë të shkruante tragjeditë,
Në fund,kur lexojë vargjet, i mbetën në fyt,
Dhe përjetësisht ju qorruan sytë…
Që nga ajo kohë,
Kurrë nuk pushojë uragani i pabesisë,
Që piu qumësht në të tradhëtisë sisë,
Dhe duke shtuar etjen,dhunoi tokën e Ilirisë.

Ti i shtrirë në shtrat
Në dhomën e vogël,
Dritaret sy mbyllura
Nuk duan të lënë të dali lajmi hidhërimit,
Eshtë e rëndë, e dhimbshme e vërteta e flijimit.
Por, a mund të qëndrojë një koshere e mbyllur?
Bletët e tua poetike gumëzhijnë,
Ato kërkojnë fluturime me flatra,
Në kërkim të polenit, udhëtimeve të gjata…
Dritaret kërcasin eshtrat,
Heshtjen e dhimbjen e vrasin,
Shpirti që endet nëpër dhomë,
Kërkon Jeruzalemin me jehonë…

Nuk mjaftojnë vizitorët
Që hyjnë dhe dalin në këmbë.
Koha ha dhimbjen e saj me dhëmbë,
Bluan vetveten,
E gjatë rruga deri në hënë…

***
Më the,poet,që do më prisje!
Vreshtat e tua do të vadisje,
Dhe do mbillje fidanë të tjerë.
Koha, brezat dhe unë,
Kanë nevojë për verë…
Për vlerë,për mëngjese – ylbere në eterë…
Koha dhe kombi ka nevojë për lisa,
Për krahë të fortë dhe fletë,
Shqiponjat nuk i ngrejnë foletë në driza,
Por lart,atje ku përshëndeten me retë.

Është e besushme,unë e dija,
Kur fillon dhe vjen stuhia,
Zogjtë mblidhen nën pemë të trembur,
Ndërsa vdekja duke u endur,
Pret degë dhe të brishtat fletë,
Pa pyetur për lulëzimin aromë-çapa-lehtë.
Unë e dija se, ikja jote do ishte e rrallë,
Pa pyetur për vitet dhe për radhë.
Kosa e korrtarit vdekje në livadh,
Ka dhe dhimbjen e diktatorit të madh…
Kur retë shtrydhin urrejtjen mbi male,
Lumenjtë fryhen me ujë dhe tubullohen,
Nuk kanë kohë që të mendohen,
Marrin dhe përmbytin me dhimbje ara,
Dhe prodhimet e mbjella dhe të mbara…
Ti kësaj kose nuk ju trmbe,i qëndrove përpara.
Por nuk kishte si të ndodhte ndryshe,
Dëshira për fluturim një dallëndyshe,
E bën të kërkojë me sytë përpjetë,
Të preki me sqep dhe me krahë retë.
Për ty që këndove me zërin e brishtë të Trishtit,
Erdhi dhe të mori vetë ringjallja e Krishtit…

Për të marrë poetin lart te retë,
Zbriti në artin e tij vetë,
Bashkë me dritën e agimit,
Në datën e ringjalljes së Krishtërimit…
Dhe mori me vete këtë vit,
Shënjtorin poet për rit…

Lumi i rrëmbyer i jetës
Do rrjedhi në mote e brigje,
Nëpër lugina e nëpër shtigje,
Me oshëtimë,shkumë dhe jehonë,
Do dirizhojë për jetë kohën tonë,
Që Ju, poet,me frymëzim dhe penë,
Në pemën e përjetësisë ia ngritët folenë.
Çdo vit në përvjetorin Pashkë,
Me Krishtin tim,tonin,të dy bashkë,
Do plugoni e dizifektoni në botën e egër pabesitë,
Dhe do mbillni artin e bukur të dashurisë,poezitë!

Dhe brezat në vite duke pritur,
Ndjenjën e mirësisë duke vaditur,
Do presin ardhjen tuaj me fytyrën lart.
Atje ku koha mbi supet e saj mbart
Vlerat e të shkruarit në hejbetë e kohës,
Dhe mes dimrave,erës ngricës dhe llohës,
I çon drejt pavdekësisë…
Atje ku poeti, si Rozafa la një sisë,
Që buzët e lexuesve që shkojnë e vinë,
Këngën dhe historinë të pinë…

Po unë,poet,çfar të mbjell për Ty?
Një pemë të vogël miqësie,që të dy
E mbollëm bashkë nëpër këto vite,
E ujita me dhimbjen e kësaj dite.
Që nga mbjellja e një vreshti, fruti,
Nga rritja dhe deri te Buti,
Te vera e ëmbël e gradës së lartë,
Që Buti im mbushur me art,
Mban të mbyllur shijen dhe vlerën,
Dhe tani,po ja hap rrubinetin dhe derën…

Aroma dhe arti i ngjizur,
Mes miqësisë-urë të pa zgjidhur,
Bashkimi i esencave me vetëdije,
Për një të rrallë dhe të bukur shije,
Lë të rrjedhë nëpër porta miqësie…

“Koha e dehur nga liritë”,
Lë të dhunojë botën si hordhitë,
Por do jetë e humbur pa dashuritë,
Dhe pa lulëzimin që dhuron kopshti me poezitë…

Udhë të mbarë,mik!
Babai dhe perandori i më të madhit çiflik,
Që në shekuj si e vjetra verë
Rritet në gradë,cilësi dhe vlerë.
Dhe kënga juaj në të Kombit sy,
Do mbetet një burim mes gjethesh,pa dry,
Pemët do direzhojnë me degë e me fletë,
Zogjtë me cicërima lart nga retë,
Me buzët e sqepat ngjyer me verë e vargje,
Do këndojnë nëpër çati e nëpër pragje,
Cicërimën e rrallë gatuar në tënden magje…

Me valvitjen dhe lahurinë e një reje
Që atdheu e bie sot drejt teje,
Që pikat rubinë të tëndes poezisë,
Mbi pëllëmbë gjethet shekullore të njerëzisë,
Të bëjnë vaditjen e frut-dashuri-miqësisë,
Atje,te Rozafa juaj,të ulen dhe të pinë sisë !

Londër…25/4/2014

A JE BURRË I FORTË?!
Nga Ramiz LUSHAJ

Gurët e rrenave
Bluajnë krunde pa miell
Me ylber fjalësh:
-Mirë! Mirë! Mirë…!

Fjala e mekën shpirtin
Ecën tue rrgall’ e bjerrë.
Si parada me maska:
-Okej! Okej! Okej…!

Njerëzit po i ngajnë robotit
Me “program” kaq të lirë…
Dy fjalë i flet dhe papagalli:
-“Okej, Okej” – “Mirë, Mirë”…

Po klluqen në muze
Fjalët palcë e kockë:
-Tungjatjeta, vlla,
A je burrë i fortë?!

HIMNI I LIBRIT në “Kanunin poetik”

Nga Rrustem Geci – Dortmund/
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
t´i që vjen nga gjiri tragjik i jetës
je shpërthim i shpirtit të munduar
je lavdi e popullit më të përgjakur

O t´i që e kupton ç´është një libër
jepju gjak rrezeve që bëjnë dritë
kjo poezi është gjak i jetës suaj
ky libër është krijim i jetës sime

Kosovë, unë e ti jemi një prush dielli
që nga pellazgët e lashtë dhe iliria
shesh i takimit të shpatave të egra
dhe arenë e gjakut të perandorive

Jam fletë e çdo dite muaji dhe viti
jam libri i popullit tim të pagjumë
gatuar jam betejave të secilit varg
jam shpirt jujaj vullkanor i poezisë

Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
Arti i çlirimit nuk njeh kufij
Në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..

Shoh një zonjë me sytë blu
Nga Përparim Hysi
Shoh një zonjë me sytë blu
Ububu! Ububu!
Unë u plaka, po kështu
Nuk kam parë të tillë:syblu!

Do jetë larë,- them,- në det
Se të sheh dhe bie tërmet!
Kur t’i ngul, që, thua, babaçe
Iku burri… kot bën llafe.

E që thoni: -Lele! Ngriva!
Sa mbi të unë sytë i shtira
Unë i shtira, po m’i shtiri
Tash e humba: shkoi fiqiri!

“Luajta” unë, po s’luan ajo
As i heq,,, more, çfarë do?
Për të folur, as që flet
Por me sytë më ndjellë, vërtet!

E, ç’më bëre syriblu!
Ta humbas burri kështu
Katandisa si vulëhumbur
Syriblu më ka “tundur”…

22 prill 2014

Sot

Më takoi mikja në udhë
Dhe u futëm në një klub
Pi e pi… godat me fund
Sa u deha, u bësh thumb.

Pastaj nga klubi dola
Pas mikes rrugën mora
Ngjita shkallët pas asaj
Ku mbaj mend ç’ndodhi pastaj?!

Se më humbi, o miq, filli
Në telashe më fut prilli
Mos nga prilli, nga rakia
Seç lajthiti pleqëria.

Fundprilli

“… sillet moti për së mbari”
Thuhet në një këngë shkdrane
Në këtë priill, unë, i moshuari
Rashë në “çarg” nga një nishane.

Kjo, nishania, symëshqerrë
Seç m’i nguli shtizë sytë
Sado unë kam erz e nder,
Po m’u mbytën, miq, gjemitë.

Dhe e hunba unë pusullën
Si Xhaferri,- thonë,- simiten
Lëshoj firmën ,edhe “vulën”
Dhe e bëj veç për miken.

Se me sy më goditi
Porse mëndjen mua më prishi
Pse, kështu, o moj nishane
Më ngre mua në alarme?!…

21- 29 prill 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i dhe Perparim Hysi, Qazim Shehu, Ramiz Lushaj, Rrustem Gec, Sofra Poetike

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT