
Albert Habazaj/
Seyed Ahmad Hoseini Alast për hijeshinë poetike të Naimit. Si një dijetar i kthjellët i kohës së re, profesori iranian Hoseini Alast e shikon profilin e Naimit miqësisht dhe me vërtetësi shkencore. Kulturologu i njohur na kujton se Irani ishte vendlindja e poezisë dhe e poetëve të mëdhenj, si Rudaki, Firdeusi, Hafizi, Sadiu, Moulana, Khajami, Atari, Naser Khosro, Bideli, Nazimi Ganxhaviu etj. Sipas tij, poezitë e poetëve të mëdhenj iranianë ishin kaq tërheqëse dhe të pasura dhe me përmbajtje kuptimplote e muzikalitet të këndshëm, saqë magjepsin poetët, letrarët dhe intelektualët e shkencave në Lindje dhe në perëndim të rruzullit tokësor. Studiuesi S. A. Hoseini Alast shkruan: “Pasioni dhe dashuria e poetëve dhe e njerëzve të mëdhenj të kulturës dhe letërsisë si Dante, Gëte, Monteskie, Naim Frashëri, Frazi Mostar, Ikbal Lahori etj., është dëshmi e këtij pretendimi” Më tej, duke trajtuar bashkëveprimin qytetërues dhe shkëmbimin kulturor me Iranin e madh në kohën e Perandorisë Osmane, përmend Muhamed Naim Frashërin si tablo dhe simbol të fushëpamjes së këtij bashkëveprimi. Sipas studiuesit, Naimi përvetësoi me kaq mjeshtëri gjuhën dhe letërsinë perse, saqë sot, pas afro një shekulli e gjysmë magjeps lexuesit e tij, si ata iranianë, ashtu edhe ata shqiptarë. Studiuesi iranian e quan Naimin tonë poet të fuqishëm dhe, si duket, për kontributet e Naimit në iranologji, e cilëson mendimtar iranian dhe persishtfolës. Jo vetëm me hartimin e gramatikës së gjuhës së re perse u imponoi të gjithëve dominimin e mjeshtërisë së tij. Vepra Ëndërrime është dëshmia më e madhe e fuqisë dhe aftësisësë tij në letërsinë perse”. Quajmë shumë të rëndësishme qartësinë me të cilën S.A. Hoseini Alast shkruan: “Naim Frashëri në krijimin e poezive perse nuk ishte imitues, por as edhe amator, por një poet i thellë dhe i zoti dhe një letrar i gjithanshëm i fushës së gjuhës dhe letërsisë perse. Kjo specifikë dhe aftësi e tij bëhet shkas që një lexues i gjuhës perse të mendojë që autori i këtyre poezive është një poet dhe një letrar i madh iranian”.
Çfarë shkruan Robert Elsie për Naimin?
Vepra e kryerilindësit shqiptar ka tërhequr dhe vëmendjen e studiuesve perëndimorë. Studiuesi kanadez, Robert Elsie, pasi pohon se Naimi konsiderohet sot si poeti kombëtar i Shqipërisë, bën një udhëtim të shkurtër retrospektiv në fëmijërinë e autorit, bazat e shkollimit, formimin e tij arsimor dhe kulturor, ku nuhat dhe traditat shpirtërore të Orientit, me të cilat u gatua në vogëli, në teqenë e bektashinjve të vendlindjes, ndërtuar qysh në vitin 1781 nga Tahir Skënderasi (Nasibi Tahir Babai) në Frashër të Përmetit. Në gjimnazin “Zosimea” të Janinës “mori bazat e shkollimit klasik sipas sistemeve perëndimore”. Në këtë gjimnaz prestigjioz e me emër, i krahasueshëm me një universitet për kohën, Naimi studioi greqishten e vjetër e të re, frëngjishten, italishten, si dhe gjuhët orientale privatisht. Sipas studimit të Elsie-t, kuptojmë se me kalimine viteve, frashërlliu e ndjeu veten më të afruar e të lidhur me fenë e tij panteiste bektashiane, me poetët klasikë persianë e me epokën e iluminizmit frëng. Arsimimi në Janinë e bëri atë shembull të shkëlqyer të një intelektuali osman të fundshekullit XIX të familjarizuar njësoj me të dy kulturat, me atë perëndimore e me atë orientale. Na duket se në kërkimet e tij studimore, Elsie i mëshon më tepër vëmendje kulturës fetare të poetit tonë të shquar, se sa botës poetike të tij, në lirikat romantike, ku qëndis me ngjyra shpirti vargje për natyrën e bukur shqiptare, për dhimbjet, hidhërimet, shqetësimet e gëzimet personale, familjare a sociale. Elsie na paraqet një jetëshkrim të mjaftueshëm, thekson tiparet e Naimit, si panteizmin e universalitetin, ku veçon sektin e fshehtë panteist bektashi, i cili mishërohej dukshëm në qenien dhe shpirtin e frashërlliut tonë si një besim liberal, si një fe e re, me rrënjë edhe në Kuranin e myslimanëve, edhe në Biblën e të krishterëve, dëshirë, që e gjejmë edhe në mesazhet që na vijnë nga vargjet e poezisë popullore “Dy këmbat mbajnë një urë/ të shkojnë turq e kaurë”. Naimi njihet botërisht për bindjet e tij bektashiane, të cilat i përsiati mirë në Fletoren e bektashinjtë (Bukuresht, 1896), ku përsëri ravijëzohen dallueshëm ngjyrat e forta kombëtare. Një tjetër vepër e kësaj natyre është Qerbelaja (Bukuresht, 1898) njëpoemë epike fetare shiite, me karakter narrativ, pa ndonjë hero ose personazh kryesor, me temë krejtësisht fetare, ngritur me njëzet e pesë këngë, që flet për betejën e përgjakshme të Qerbelasë, në vitin 680 të erës sonë, ku u vra Huseini, nip i profetit Muhamed.
Nga leximi i tekstit, shprehemi se Elsie e trajton me interes Naimin dhe mendojmë se e njeh mirë veprën e tij, të cilën e përmend me saktësi, duke respektuar kriterin kronologjik. Në këndvështrimin e tij, na paraqet panoramën e njohur letrare e diturore të naimiadës. Na duket se studiuesi i ka mëshuar më shumë letërsisë fetare të autorit, sesa asaj së mirëfilltës artistike. Diku Elsie shprehet: “Rëndësia e Naim Frashërit si poet i Rilindjes e madje si “poet kombëtar” qëndron jo aq në talentin e shprehjes letrare e as në nivelin artistik të poezisë së tij, sesa në mesazhet sociopolitike, filozofike e fetare që përcjell, të cilat synonin para së gjithash vetëdijen kombëtare dhe, duke ndjekur traditën bektashiane, të arrihej një kapërcim i ndarjeve fetare brenda vendit.”. E respektojmë trajtimin që i bën Elsie si fetar në besimin e tij, por në rrafshin e letërsisë artistike do të na interesonte më tepër trajtimi deri në detaj i letërsisë naimiane, për të cilën ne e nderojmë. Nga që studiuesi përmend vetëm telegrafisht: “Ndër botimet në gjuhë të huaj,…[tri pikat janë tonat se vazhdon teksti, por nuk ka interes për ç’ka do të shprehim, A. H, M. M] Tahayyulat, Kostandinopojë 1884 (Ëndërrime), një përmbledhje 200 faqesh me poezi persiane; … ”. Kaq. Të thuash që Elsie nuk e ka njohur këtë vepër të Naimit, nuk shkon, sepse pas 1971-shit të Tiranës dhe 1972-shit të Prishtinës, pati herë pas here botime, duke arritur tek botimet e “Toenës”, 2007, të “Naimit” 2012, me 143 faqe, shqipëruar dhe shpjeguar nga Vexhi Buharaja, me një hyrje të botuesit Naim Zoto, plotësuar me studime nga Faik Konica, akademik Jorgo Bulo e prof. dr. Shaban Sinani (nga f. 85-143). Ndoshta Elsie-t nuk i intereson të operojë imtësisht për të shkruar mbi talentin poetik të Naimit, që te Ëndërrime, siç thonë dhe studiuesit bashkëkohorë të letërsisë shqipe, Naimi arrin majat letrare. Si duket, ai është mbështetur në studimin monografik të prof. Shuteriqit, i cili dhe ai e citon vëllimin me lirika të Naimit në persisht me titullin jo të saktë Ëndërrimet, dhe jo siç e ka titulluar autori Ëndërrime=Tehajjulat.
Sipas Elsie-t: “Me rëndësi të madhe për të njohur sektin panteist të fshehtë bektashi është Fletore e Bektashinjet… Frashëri besonte se besimi liberal bektashí, me të cilin ai qe lidhur që në fëmini në Frashër, një ditë do të mbisundonte si fe e re Shqipërisë. Përderisa ky besim i kishte rrënjët edhe në Kuranin mysliman, edhe në Biblën e krishterë, ai mund të përforconte unitetin midis njerëzve me fe të ndryshme. Më tej studiuesi sqaron se fletorja përmban një paraqitje hyrëse të fesë bektashiane dhe dhjetë vjersha fetare që japin një tablo të rrallë për besimin e këtij sekti, i cili në shek. XIX luajti një rol të rëndësishëm për mbijetesën e kulturës shqiptare, sidomos me përhapjen fshehurazi të librave shqip. Një studiues i huaj, si R. Elsie, aq më tepër gjeografikisht shumë i largët me vendin tonë të vockël, të bën ta admirosh vetëm për shprehjen aq të vyer për ne, sikur të ishte shqiptar. Po citojmë dëshirën dhe porosinë e tij për poemën Bagëti e bujqësija, “vargjet e së cilës çdo fëmijë shkolle në Shqipëri i di ose duhet t’i dijë përmendsh”.
Përfundime
Naim Frashëri është autor i gjithsej njëzet e dy veprave; katër në turqishte, një në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe. Janë bërë disa konferenca shkencore në Shqipëri kushtuar Naimit. Edhe në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë është zhvilluar një konferencë shkencore më 25 maj 2006 në nderim të 160 vjetorit të lindjes së poetit tonë kombëtar. Ndërsa Simpoziumi Ndërkombëtar “Analizimi i mendimeve të Naim Frashërit” në Teheran këtë 5 mars 2018 i jep një frymëmarrje më të gjerë, një vizion të ri ndërkombëtar, falë veprimtarisë së figurës së atdhetarit dhe bilbilit të shqipes, si fjalë çelës e forcimit të dialogut kulturor mes Iranit dhe Shqipërisë. Sikurse ne që e shijojmë hijshëm estetikën e fjalëve të reja që krijoi Naimi, edhe iranianët ndihen të nderuar dhe kanë të drejtë të krenohen me të jo vetëm për botimin e tekstit Gramatikë e persishtes me një metodë të re, (Kavâid-i fârisiyye dar tarz-i nevîn), Kostandinopojë, 1871, me 64 f., por shpirtërisht me faktin që Naimi ynë fluturimin e parë poetik e nisi persisht me “Tahayyulat” (“Ëndërrime”), Kostandinopojë, 1884, me 66 f. [200 faqe]. Po ai përktheu turqisht librin e parë të Iliadës së Homerit Ilyada, Kostandinopojë, 1886; shkroi e botoi në greqisht poemën “Ho alêthês pothos tôn skypetarôn” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve), Bukuresht, 1886, ku nëpërmjet gjuhës poetike, u parashtronte qëllimet e lëvizjes kombëtare grekëve e sidomos shqiptarëve të jugut, shumë nga të cilët në atë kohë për arsye shkollimi mund të lexonin vetëm në greqishte.
Duhet të pranojmë se në përmbledhjen lirike Luletë e verësë, Naimi u këndon bukurive të fshatit shqiptar në 23 vjersha me kumbim të plotë. Këtu filozofia panteiste e edukatës së tij bektashiane dhe ndikimi i fuqishëm i klasikëve persianë harmonizohen bukur me idealizmin atdhetar – një letërsi artistike kjo në shërbim të qëllimeve të identitetit kombëtar. Ndër vjersha të tilla janë: Jeta, Koh’ e shkuarë, Fyelli, Zëmëra, Të vdekuritë, Bilbili, Gjuha jonë, Perëndia, apo vjersha Shpreh, aq tipike për prirjen e re filozofike të letërsisë shqiptare që solli Naimi.
Akademiku Ali Aliu shtron pyetjen: “Pse vazhdon të shkëlqejë ylli poetik i Naimit, më i madhi në qiellin tonë letrar?” – dhe po kësaj pyetje ai ia jep vetë përgjigjen: “Naim Frashëri mbeti i tillë se gjenialisht e ndjeu qartë aspiratën historike, ndjeu nevojën e shpirtit e të mendjes kombëtare, hetoi zjarrin gjysmë të ndezur të shtresuar gjatë shekujve, ndjeu dhe preku atë që është vizion dhe ëndërr shekullore e përbashkët e shqiptarëve, prandaj vepra e tij vazhdon të ushtrojë ndikim të dorës së parë mbi botën shpirtërore të shqiptarëve.” (Ali Aliu, Refleksione letrare, f. 10). Kohët shkojnë e rrjedhin vitet, por në tërësi, vepra e Naim Frashërit është brerorja kuptimore, morale dhe estetike e letërsisë së madhe të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, e cila është nëna biologjike, artistike dhe estetike e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Paradigma e studiuesit iranian S.A. Hoseini Alast se Naim Frashëri në krijimin e poezive perse nuk ishte imitues, as amator, por një poet i thellë dhe i zoti dhe një letrar i gjithanshëm i fushës së gjuhës dhe letërsisë perse, na bën të mendojmë më gjerë, më me dashuri e vërtetësi, pa dyshuar ku dhe kur s’duhet, por së vërtetës t’i gjejmë rrënjët dhe të dimë t’i tregojmë dhe intrepretojmë.
Nderim për mençurinë e mendimit të nderimtarëve iranianë, Organizatën e kulturës dhe komunikimit në Iran, Universitetin “Tarbiat Modares”, Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Sekretarinë e Simpoziumit Ndërkombëtar “Naim Frashëri”, Teheran (Iran), për vlerësimin e Naim Frashërit tonë, që u tret si qiriri jo vetëm për Atdheun e tij, por edhe për fqinjësi të mirë, edhe për “mbrothësi”, përparim e mirësi midis popujve tanë me miqësi të vjetër!