Me rastin e 70 vjetorit të lindjes të qiririt të pashuar të letrave shqipe në Vlorë, Anastas K. Bita/
Nga Albert R. HABAZAJ/ kritik letrar/*
Si fluturuan 5 vjet pa Cacen, sikur të ishin një tufëz me re puplore, të cilat i rrëmben një furtunë e parakohshme pranverake. Pesë vjet sa pesë minuta, sa pesë shekuj! Pa Cacen! Pa të mirin, floririn, dinjitozin, virtuozin, poetin fisnik, që e kemi me veprën magjike, që na mungon me jetën fizike. Kujtoj atë ditë që na iku e më dhemb dita e sotme…
Me një hidhërim të papërballueshëm, u ndamë nga fytyrëdiellori dhe shpirtfloriri ynë, Anastas Bita,vetëm fizikisht. Pas përpjekjeve të pafundme të së pamposhturës Elsa, të Nadës e Tirës, të Gimit e Gjergjit, të Lenos e Vasilit, të të afërmve të tij, që s’iu ndanë asnjë moment, të martën e parë të maji vlonjat 2008, rreth orës 14.00, mbylli sytë në shtëpinë e tij, në Vlorë, Cacja ynë i mrekullueshëm. Rreth orës 08. 30 – 09. 00 të mëngjesit, ai erdhi me traget nga Brindizi, për ta lënë edhe atë pesë përqind frymë që i kishte mbetur në Atdheun e tij, në Vlorën e tij, në shtëpinë e tij, duke na lënë ne, një plagë të tillë, që do të na dhembë sa të jemi në këmbë, me mendje, puls e frymë. Iku më i vogli i Kolos e Poliksenit, të prehet pranë tyre. Iku, edhe pse Vangjeli me Magon (vëllai e motra e madhe) nuk e donin kaq shpejt në botën e përtejme. Iku nga kjo botë me lule e furtunë, duke lënë në pikëllim motrën Lenë dhe Vasilin, vëllain e mesëm, të vetmit nga tre vëllezërit e dy motrat, që Perëndia u fali dikur në jetë prindërve të mirë Kolo e Polikseni Bita, atje në Zhej të Zagorisë, te Bukuria e Pafikur.
Iku, duke lënë të helmuar, me lot pelini, Elsën stoike ndaj dallgëve të jetës, si pisha Flamur; të heshtur e krenare. Iku…, duke lënë Nadën e Tirën, që s’i kishte vetëm vajza, por edhe djem e deli djem. Iku i bardhi CACE, për vete të tij, i palënduar në fëmijë, por duke lënë pas një kopësht të lulëzuar me trëndafila të bukur e të freskët, që do të shtohen në jetë. Sotira e Gjergji me dy çupa: Erën e Fjonën; Denada e Agimi, me dy çupa e një djalë: Sarën, Dean e Fadjonin, janë dinjiteti njerëzor, respekti qytetar i shkallës sipërore, janë stafeta më kuptimlote e domethënëse e plotmërisë familjare Elsa e Anastas Bita. Nada është pedagoge e anglishtes në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, ndërsa Tira mjeke po në këtë qytet; të dyja kanë bashkëshortë, që nderojnë familjet përkatëse dhe kanë dritëruar ballin e Elsës e Caces, për ta mbajtur lart krahas familjarëve të tjerë të mirë të qytetit, që me modelet e tyre kontriubojnë në civilitetin moral, intelektual, në mpleksjen më harmonike të traditës me bashkëkohoren.
Për të pesë filizat e tij të gjelbër, Cacen do ta zhurit malli, por për Sarën, që e donte aq shumë, se e rriti vetë, e mori që të vogël fare dhe e seliti si një gonxhe të bukur, si do ta tresë dheu, Cacen tonë të paharruar?!
Iku Cacja. Iku shoku ynë i rrallë, miku i gjithë njerëzve të mirë, i pazvendësueshmi me asnjë tjetër për mua. E kisha vëlla të madh dhe ai asnjëherë nuk më fliste: Albert, por: o vëllai im i vogël, ngaqë vetë qe i vogli i xha Kolos dhe teto Polit; apo ngaqë te mbiemri i tij Bita, që është i njëjtë me emrin e mëhallës time Bita, fshatformuese në Tërbaç të Labërisë nga Gjin Kriqi, gjeti qetësinë dhe sigurinë e gjakut të pahumbur nëpër shekujt e blinduar të kohës.
Dhe këtë enigmë, për të cilën patëm diskutuar me zjarr e entuziazëm, me
logjikë e objektivitet, me dëshirë e pamundësi, me emocion dhe bulëza koherence, e more me vete, o Cace Vëllai!
Lindur në Zhej të Zagorisë, më 23 shtator 1943 (sipas shënimeve që më ka lënë me shkrimin e tij origjinal), Anastasi shkollën shtatë vjeçare e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës. Në vitet 1969 – 1973, kreu studimet e larta në Institutin Pedagogjik, dega Gjuhë – Letërsi. Ka punuar mësues në Memaliaj dhe në fshatra të tjerë të Tepelenës. Në Vlorë filloi si punëtor në fabrikën e tullave dhe, më tej, për 30 vjet, punoi ekonomist në Bankën e Kursimeve të Vlorës, ku spikati për shpirtin e tij të lartë njerëzor, si një bulëz e mirësisë së Nënë Terezës, në kushtet e mundësitë konkrete të kohës e vendit tonë.
Krijimtarinë letrare e ka filluar qysh në vitet e rinisë. Në vitet ’60 të shek. XX, vërshojnë kthjelltësisht bukur, me mendime elegante, të qënësishme, të larta artistikisht dhe me një uniformë kombëtare për tu patur zili, poezitë, skicat e reportazhet me firmën Anastas Bita, që po konturohej me respekt të vijueshëm në horizontin e krijimit. Në vitet ’80, iu hoq e drejta e botimit për një artikull jo të pëlqyeshëm nga elita e kohës, botuar në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”.
Ka botuar më vitin 2002 vëllimin me poezi “Mos më kërko atje ku s’jam”, kushtuar prindërve, që u mirëprit mjaft mirë nga lexuesit dhe kritika. Më vitin 2004, botoi librin “Lavdi e kërcënuar”, poemë për Heroin Mustafa Matohiti, me nëntitullin: “Nënën dhe Atdheun njeriu i ka të vetëm”, duke u klasifikuar kështu, ndër ata poetë misionarë në shërbim të kombit me fjalën e latuar artistike, si një Dritëro i vogël apo një Agim Sheh baladash epike; fare qartësisht si Anastas Bita i duhur e i nevojshëm për sot. Merakshumi për Mirësi e Pikëllimmadhi për Shqipëri la pa botuar monografinë “Zhejotët nëpër kohëra” dhe vëllimin poetik “Vargëzime të braktisura”, të cilat ne, njerëzit e tij, të penës e shpirtit, do t’ia botojmë, të jetojë tok me ne, me veprat e tij, me emrin e tij të vërtetë, të drejtëpërdrejtë dhe emblematik për ne, krijuesit vlonjatë e shqiptarë.
Libri me poezi “Mos më kërko atje ku s’jam”, botuar nga shtëpia botuese “Albin”, klasifikohet ndër botimet e vërteta, që për vlerat e pamohueshme që mbart, do të jetë përherë i freskët dhe seriozisht i veçantë për letërsinë vlonjate.
U shkrua për të në gazetën “Drita”, “Zagoria”, “Vlora Neës” etj. Edhe sot e nesër libri
do të vlerësohet për mesazhet humane, për ironinë shakatore të gjallë, përdorur me mjeshtëri prej autorit. Gjatë leximit, të pëlqen vargu i Anastasit, sepse bën një letërsi artistike që nuk shfaqet dhe nuk është vetëm thjeshtë një pasqyrim i drejtëpërdrejtë i jetës. Ç’ka prodhon pena e tij është edhe krijim estetik, sepse na krijon një realitet të ri estetik, vlera të reja estetike, të cilat sigurisht nuk mund t’i shpëtojnë ndikimit të aktualitetit e bashkëkohësisë .
Ky vëllim, i tëri është një metaforë, brenda së cilës pulson shpirti i shqetësuar i poetit në një kohë të trazuar. E në këtë kohë, poeti nuk nxiton, por me pjekuri, me mall e brengë, me gaz e duf, hedh në vargje përjetimet e tij të vrullshme dhe pasionante, me nerv e ngjyra poetike. Ky libër shënon një hap përpara në krijimtarinë tonë vlonjate. Malli i thellë për vendlindjen, dhembjet e jetës, vizatimi plot frymëmarrje i natyrës, janë tre motivet e gjalla, që e mbushin librin.
Ai e do poetin dhe bartësit e poezisë. Ai e do njeriun, se është njeri; ai e do mirësinë, se është i mirë; ai e do virtytin, se lufton vesin. Ai e do poetin, se është poet. Ai e do poetin të talentuar, të përkushtuar ndaj Atdheut e vjershërimit. S’ka kohë të merret me belbakët e artit, e do poetin simbol të nderit, e do që të ketë gjak në damarë, jo limonatë, sepse siç shkruan autori ynë:
“Kur rënkon koha e ti gërhet
pa zë të le e nesërmja.”
Në vëllim, njihemi me poetët e preferuar të autorit, që nga Pushkini, Esenini e Lermontovi, që nga Naimi, Çajupi e De Rada, që nga Lasgushi, Dritëroi e Koçi Petriti e deri te Nertesi Asllani apo ajo, poetja zagorite Eftimi Garo – Mila, që u rrit nëpër këngë e u bë një këngë plot ëndërrime lastare.
“Anastasi ka shkruar herët dhe mirë, por tani botoi librin, s’ka të thotë , u shfaq denjësisht”-shkruante shtypi letrar i kohës.
Libri “Mos më kërko atje ku s’jam” është pasaporta poetike e autorit Anastas Bita, i cili ka hyrë me kohë natyrshësm, vërtetësisht e me emrin e tij të përveçëm në Lumin e Krijimit Vlonjat, që rrjedh e rrjedh kthjelltësisht, që rrjedh e rrjedh pafundmërisht…
Poeti i fshatit e ka shtrydhur, si mushtin, folklorin e pasur zagorit, e ka përpunuar me mjeshtëri dhe ia jep kënaqësisht lexuesit, trajtuar nga këndvështrimi i tij origjinal artistik dhe estetik.
Ai e do shumë Zhejin, saqë e quan faltore, është bir i traditës, dokeve e zakoneve të tij. Ai është poet i miqve e mik i rakisë. Ai u thotë njerëzve: Tungjatjeta! Por, jo rrallë, ndihet keq:
“Po psherëtij, erdh’ kohë e keqe,
ankthin bluajmë me kafshatë,
kujt t’i japësh një përshëndetje?
kujt t’i flasësh buzagaz?”
Autori është poet i ndjenjës së hollë, i sinqertë në të shkruar. Të ngelet në mend vjersha për Sarën, Fjonën dhe Erën, për mjaltin e mjaltit, që ndrisi si vesa, sepse për gjyshin janë shpirtkëz, si këngë floriri në maj. Në s’më besoni lexojeni, lexues të dashur, vjershën për mbesat, që, Cacja ynë i paharruar, ka botuar te libri “Mos më kërko…”fq. 62 – 63, shoqëruar dhe me fotografitë e tre mbesave të para, që iu bëfshin tridhjetë, e shumë e më shumë!…
Kënga e saponisur për nënë Polisenin ka dalë vetë nga zemra dhe merr vlera të larta përgjithësuese.
“Emërmadhja ra në gjumë
lodhur shumë…a ikur shpejt…
Nënëzo – ujvarë malli, përcillet dashuria për nënën, si stafetë brezave, më e dhembshura, më e vërteta, më e shenjta.
Libri ka shumë lirika të freskëta, por unë dua të theksoj dhe vetëm dy fjalë për poezinë “Ti dhe motra ime”, ku jepet një nga plagët më të dhimbshme e më të ulta të kohës që kemi jetuar nja dy dhjetëvjeçarë e kusur, por, dashtë Zoti, mos e jetofshim më tej: prostitucioni, në kontrast të fortë me ndershmërinë që ekziston, të femrës shqiptare. Llërën e bukur të vajzës tonë shqiptare vetëm dëllinja ia prek, kur gërxhit i shkon pranë, thotë autori dhe nënteksti është i qartë: kohërat venë e vinë, por nderi është flori e kaluar floririt; është drita e syrit, është gjëja më e shenjtë, është vetë jeta dhe vijimësia e rracës.
I mbushur me dufe, me ndjenja të fuqishme, por i papushtuar nga pasionet, me një logjikë të ftohtë, shprehet më në fund për bjondinën prostitutë:
“Unë s’kam arsye të kem dhembje
kur prodhon kombi skarcitet…”
Anastas Bita është poet i dhimbjeve të mëdha e i dashurive të mëdha, është poet i drejtëpërdrejtë, i vërtetë e jo fallco, si ato personazhet e Arben Dukës, jo tullumbace, jo kullaro, jo hipokrit.
A e dini, o njerëz të mirë, që ndiheshe me dinjitet, që ndiheshe mirë, edhe kur debatoje me të, sepse të shikonte në sy, të shprehej siç dhe ashtu të donte dhe ty e ashtu të besonte. Më duket se ai do të vijë prapë të diskutojmë së bashku për gjëra nga më të rëndësishmet deri te ato më kotet.
O njerëz të mirë! Mjeshtri i Madh Bardhosh Gaçe përgatiti antologjinë poetike për Vlorën: “Shtëpia e diellit dhe e detit”, titull ky i frymëzuar nga një poezi e Xhevahir Spahiut. Në këtë libër janë përfshirë perla të folklorit shqiptar e rreth 100 pena të dëgjuara, përfshi dhe Bajronin, romantikun e madh, Prometeun e shekullit XX, që vlerësoi aq shumë virtytet fisnike të himariotëve tanë.
Në këtë antologji të mrekullueshme, Anastas Bita është përfaqësuar vetëm me një poezi, të cilën e ka ndërtuar me vetëm dy strofa. Për lexuesin e respekuar të gazetës sonë të dashur “DIELLI” do të citoj vetëm strofën e dytë të vjershëzës së veçantë e shumë mbresëlënëse të Caces POET:
…Dhe ende s’ka bir, s’ka murg manastiri,
Që dorën ka puthur, si Vlorën unë puth!
Vlora për kombin është qumësht gjiri,
Kombi pa Vlorën do mbetej…Mamuth.
Nuk mund të bëj asnjë koment, se janë vargje që nuk harrohen dot, ngaqë e kanë ngarkesën e plotë emocionale, artistike, qytetare e atdhetare të krijuesit njeri. Anastas Bita e shfaq veten siç është, nuk është ai pjesë e asaj bote që nuk shfaqet. Pa u marrë tërësisht me analizën e veprës së tij letrare, që më duket si një mikrokërleshje lasgusho – migjeniane, mund të shprehem që A.Bita, qoftë te poezia e prostitutës, dhembshurisht e vërtetë, qoftë tek gdhendja artistike për Vlorën, krenarisht e lartë, shfaq mendim qytetar, intelektual, familjar e atdhetar për t’u admiruar. Pse? Sepse ai të mëson me shembullin e tij, me fjalën e tij, me veprimet e tij si Anastas – njeri, familjar, prind dhe veprimtar shoqëror e kulturor. Me atë zonjë grua lindi, rriti, edukoi, arsimoi e martoi dy vajzat – floririn e shpirtit e gjakut të tyre, që familjarisht janë model sot në jetë e në punë, siç i njeh qyteti të nderuara e të repektuara personalisht e familjarisht të përkryera. E ç’do më tepër prindi nga fëmija! Është qetësisht krenar, kur fëmija e nderon, kur i bëhet i mirë, me punë të mirë, me familje të mirë, me emër të mirë. Të gjitha venë e vinë te njeriu, shiten e blihen, veç ai, emri, as shitet, as blihet dot, ai meritohet.
Nuk e besoj…, iu betohem, që s’e besoj se kemi nbjapesë vjet që e paskemi përcjellë për në banesën e përjetësisë Njeriun e Mesazheve Humane, një ndër poetët e klasit të parë në Vlorë, mjeshtrin e fjalës së kursyer artistike, që si ai, i këndoi nderit, dinjitetit, Vlorës e jetës, po me aq zjarr e mjalt sa vendlindjes.
Jo kujtdo poeti i shkruhet poezi nga poetë të tjerë që në ngjallje. Anastasit, kur ishte me ne, edhe fizikisht i kanë thurur vargje të bukura, përveç meje, edhe autorë të respektuar si Maku Pone, Ruzhdi Bajrami, Seit Seitaj, Brunilda Boçova, Nertesi Asllani, Astrit Hajdini, Bardhosh Xhelaj…Ndërsa Eqrem Canaj me elegjinë “Kurorë poetit ”realizoi atë element sa hyjnor, aq njerëzor, për ta patur Cacen afër nesh, por që herë pas here, ikën qiellit për të bleruar me shpirtin e tij të bukur universin. Me një dhembje të heshtur, për të lehtësuar sadopak hidhërimin e Elsës, dy vajzave e njerëzve të tyre, mbaj mend që morën pjesë në përcjelljen e atij njeriu të mirë e poeti qytetar, edhe miq të shumtë të Caces, si poeti i fizikës Vaso Pata, Spiro Caushi e Jorgo Mandili, piktori Ilmi Bani e shkrimtarët Bardhosh Gaçe, Idajet Jahaj, Eqrem Canaj, Ruzhdi Bajrami, Hiqmet Mehmetaj, Mynyr Zyka, Myrteza Mara e Bedri Hyseni, që Bitajt e Vlorës, Zagorisë e Sarandës do t’i regjistrojnë në Kujtesën e Respektit.
Neve, shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës do të na dhembë gjithmonë krahu që na theu, parakohe dhe padrejtësisht, Cacja ynë i paharruar.
Me atë profil të dallueshëm letrar, Anastas Bita do të ngelet një pasaportë poetike e letërsisë vlonjate dhe e nderimit qytetar, sepse e dinte që poezia është harmoni e ndjenjës dhe figurës, sepse pena e tij e florinjtë i shpërndante metaforat, ashtu siç shpërndahen sheqeri e arrat në bakllava, (që s’hidhen vetëm në një thelë të saj, pasi atëhere do të na velnin)…
Po tani, këtë që bëre, çfarë e pate?
Pse ky metër vend më shkakton terror?
Sa më rëndon lopata e dheut tënd, o Cace!
I një këngë e hidhur për një vjershëmjaltor.
Nuk dua të të them kurrë Lamtumirë, o Cace Vëllai! Mirupafshim nëpër vargjet e tua brilante! T’u bëftë Dheu sheqer, o krijues!
*) Autori eshte Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA