Nga Astrit LULUSHI/*
Kur lexon librin e Myrtajt, takohesh me karaktere të ndryshme, dhe kuriozitete; dëgjon për ciganë që nuk duan të bëhen jo-ciganë; pa një vend të përherëshëm, pa atdhe ata duket se ndjehen më mirë të integruar në këtë botë globale.
Pastaj njihesh me njeriun i cili për të bërë emër të madh, e shkurton atë, duke këputur çdo lidhje; sheh një “idealist” që për një palë këpucë vret shokun e tij. Takon përkthyes që e nxjerrin nga burgu pa ia njohur lirinë, e shumë të tjerë nga kjo e ajo kohë.
Heronjtë e Tregimeve të Myrtajt janë si gjigandët që hedhin gurë për të goditur male dhe për të shkaktuar tërmete që gllabërojnë ide të shumta të cilat mund të ndihen e dalin në sipërfaqe nga konvulsione të natyrës.
Përsëri, fenomenet e përhershme të përditshme, janë aq të njohura të përhapura gjithandej në këto tregime sa nuk nxisin asnjë vërejtje por vetëm ndjesi e keqardhje.
Personazhet e Myrtajt janë qeniet njerëzore që u dalluan në jetën e tyre me përparësinë e vet mbi të afërmit e tyre, dhe pas vdekjes ata hyjnë në mesin e atyre që jetonë. Autori i prek si me shkop magjik zbulon detajet e jetës së tyre, të cilat, duke i veshur me tonin e tij të veçantë prozaik, i regjistron si të shquara.
*Libër me tregime nga Faruk Myrtaj, Shtëpia Botuese UEGEN