• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR DY SHKRIMTARË BASHKËKOHËS….

August 31, 2021 by s p

Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani

Nga Shefqet Meko

Minneapolis, SHBA 

-Duke pështjelluar mendime për miqtë e mi Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, dy mjeshtra të fjalës shqipe, sa të ngjashëm aq dhe të ndryshëm-

​Mbase nuk do t’i kisha shkruar këto radhë, po të mos kisha marrë në dorë librin me tregime të Lazër Stanit “Kohë për nuse”. Ma nisi me emtuziasëm nga Nju Jorku me një dedikim miqësor. E lexova me një frymë. Më pëlqeu pa masë e më shokoi. Mu duk sikur kisha bërë një copë rrugë me Lazrin diku në Shkodër apo Tiranë. U ndjeva sikur Lazri i urtë, më kishte ardhur në Minneapolis, dhe shëtisnim bashkë buzë Missisipit e pranë pallatit ku ka jetuar Arshi Pipa. Duke marrë frymë ndryshe, u zhyta në kujtime të së shkuarës që datojnë shekullin e kaluar, vitin 1975…

​Lazër Stani mbetet në memorjen time si i njohuri më i hershëm i të shquarëve të brezit tim. Ishte njeriu më i urtë, jashtëzakonisht i paqtë, që kam njohur në shkollën e mesme veterinare në Shkodër. I mbyllur tmerrësisht në vetvete,i respektueshëm, studjues,i sjellshëm, kokëulur, kurrë problematik dhe “i thekur për libra”. Ka qënë i vetmi nxënës që harronte të hante darkë dhe shpesh“flinte” në bibliotekën e vogël të shkollës.Qysh ato vite Lazri dukej qartë se shëtiste me vetveten në “stanin” e vet, mbase duke qëmtuar projektet krijuese të së nesërmes që ai i mbajti “top sekret”. Ato kohë unë isha tip i kundërt i Lazër Stanit. Kisha ambicjen të dukesha, të shafqesha mbi të tjerët, të shkruaja në gazeta e të flisja në Radio-Shkodra,të diskutoja në mbledhje rinie dhe të krijoja profilin tim të “udhëheqsit të rinisë”. Isha i kundërt i shkrimtarit të ardhshëm, por po aq i mirë dhe njerëzor në dëshira si ai. Si i tillë edhe “u gjodha” sekretar i komitetit të rinisë së shkollës, ndërsa miku im në blloçkat e mia të shënimeve të atyre viteve, listohet si propogandist i klasës së tij që shpesh më mungonte në mbledhjet e formave të edukimit…

​Shoku im i shkollës së mesme nuk u bë kurrë veteriner, ndërsa unë u diplomova si i tillë, por për fat nuk punova asnjë ditë si doktor kafshësh. Unë dhe Lazër Stani, megjithse vinim nga e njëjta shkollë e mesme, ishim në udhëecje të ndryshme universitare. Kishim marrë me vete kujtimet e shoqërisë së rinisë dhe secili në rrugën e vet. Më ka ngelur në mendje takimi i parë me Lazër Stanin në Tiranë, pas vitesh harrimi nga shkolla e mesme, në Institutin Bujqësor të Kamzës ku unë bëja punën e kryeredaktorit të gazetës “Studenti i bujqësisë”. Nuk mund të sjell ndonjë ritakim tjetër aq të nguluar në mendje, sa ai me Lazrin. Me nje respekt të skajshëm ndaj meje si “ish-sekretar rinie”, me një konsideratë të ngjizur në botën e thellë të Stanit që nuk e di se si më ka “regjistruar” në fantazitë e tij krijuese, ai mu rishfaq i qeshur, po ai dhe po aq ndryshe, për të mos u zbehur kurrë. Prej asaj dite unë pashë një Lazër mendjeplot, të dalë nga “guaska” e adoleshencës, plot entuziazëm, energjik në mendime, me ide të çuditshme që vinin si “dallgë biologjike” dhe unë prisja se ai mund të bëhej një nga shkencëtarët tanë më të famshëm të biologjisë shqiptare.Isha i gabuar. Stani kishte tjetër destinacion. Ato vite nuk kishte fakultet gazetarie, dhe të tillët vinin nga fusha të ndryshme pas diplomimeve në faklutete.Ishte ajo kohë brilante kur gazetarët më ta talentuar u bënë ata që nuk kishin bërë kurrë shkollë gazetarie. Ky fat i qëlloi edhe Lazër Stanit, që duke rënë në “karremin” e Remzi Lanit, u bë gazetari më interesant dhe më i lexueshëm në faqet shkencore të “Zërit të Rinisë” në vitet 80-të. Ndërkohë unë jam krenar të them se jam botues i tregimeve të para të Lazër Stanit në gazetën “Studenti i Bujqësisë”, që ai mi sillte me një dëshirë të veçantë dhe miqësi të shpallur. Ai mbase e ka harruar këtë të vërtetë, por unë nuk mund ta fsheh.

​Ish-kryeredaktori i “Zërit të Rinisë”, Remzi Lani, që padyshim ishte një “i preferuari” i sektorit të shtypit në KQ, ka bërë një ndër aktet më të guximshme duke bashkuar në gazetën e vet, Lazër Stanin dhe Faruk Murtajn si “dyshja intersante” e asaj kohe që “vlonte në heshtje”. Kujtoj se do vinte me “valën e poetëve nga jugu” edhe Ilirjan Zhupa në këtë gazetë qëndrore rinie, por Myrtaj-Stani krijuan çiftin e çuditshëm publicistik, që futej çdo ditë pune në derën anash të ndërtesës hijerëndë të KQ. Faruk Murtaj ishte tashmë një emër i njohur në shtypin e kohës dhe në vetë Lidhjen e Shkrimtarëve ku shpesh përmendej si “talenti që vinte nga galeritë”. Për mua emri Faruk Myrtaj, ndërkohë që nuk ishim parë, më shëmbëllente me një njeri me kapele minatori, madje kisha një lloj afeksoni sepse edhe vete i kisha provuar galerite e qymyrgurit në fshatin tim të lindjes, Pretushë. Ishin ato vite kur fytyrat e shumicës intelektuale mbeteshin të fshehta ose rrallë të publikuara, ndaj ne që ëndërronim vetëm përfytyronim dikë pas emrit që lexonim në gazetë apo tek revista “Nëntori” duke krijuar një profil fanatazie. Çdo dalje publike ishte filtruar kujdesshëm që vështirë ta bësh sot të kuptueshme. Kështu edhe me shkrimtarin e ri të asaj kohe Faruk Myrtaj.Do ishte prezenca e tij tek “Zëri i rinisë” që na bëri të takoheshim ballë për ballë. “Talenti i nëntokës” shqiptare, siç e përshkruante kritika e kohës, ishte një njeri i butë dhe i artë në shpirt si ngjyra e flokëve që kishin filluar t’i binin. Miqësia me të ishte si një “fat i parashkruar” që për hir të së vërtetës mbeti e gjallë , me zikzake dhe ulje ngritje edhe këtej matanë Atlantikut, por gjithsesi në “shina” njerëzore. Faruk Myrtaj ka qënë ndër të “djathtët e parë” që kam debatuar kur të dy shkruanim për “Partinë e shokut Ramiz”. Të dyve na revoltonte plogështia drejtuese e kohës, por këtë e shikonim nga kënde të ndryshme. Myrtaj ishte qartësisht më i avancuar. Kur shkonim së bashku me tren apo makina të rastit në Burrel për të përgatitur gazetën “Vullnetari” që ishte fokusuar në jetën e rinisë që ndërtonte me aksion hekurudhën Rrëshen-Klos, Faruk Myrtaj do vinte në mendimet e mia si një “jehonë nga thellësia”. Butësisht siç di të false ai, por zhurmshëm e tundshëm si një tërmet disaballësh. Shkurt ai mendonte ndryshe nga unë, dhe mendimet ndryshe ishin një lloj manjeti intelektual që edhe sot na ndajnë dhe bashkojnë. Ndërsa miqësia me shkrimtarin tashmë shqiptaro-kanadez, kaloi në zig-zake interesante, Lazër Stani kishte mbetur në horizontin e Tiranës si një kujtim i ndritshëm rinie. Ai mbeti shok që i ke borxh respektin e mirësinë, edhe kur ishte kryeredaktori “RD”,edhe kur u bë deputet që nuk mundi të “imitonte Nolin”, edhe kur nuk shiheshim për vite me radhë, edhe kur rastësia na bashkonte në rrugët e Tiranës sonë. Ishte ardhja e tij në Nju-Jork në “vitin e pandemisë”, 2020, të cilën ma bëri të njohur Faruk Myrtaj që sikur më ribashkoi me dy miqtë e mi të mirë, por krejt të ndryshëm. Ishte sërish një miqësi në distancë, por e lëngëshme, emocionale dhe plot mbresa e subjekte interesante për të diskutuar në largësi. Nuk di si ta falenderoj Faruk Myrtajn që me mirësinë e tij,tashmë të njohur, më solli në rrethin e miqve të mi të pakët, Lazër Stanin,shkrimtarin tashmë të konfirmuar.

​Nuk mund të them se kam lexuar çdo gjë që kanë shkruar Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, por gjithsesi ato që kam lexuar i kam përpirë dhe si një dashamirës kurrë nuk kam përtuar t’u përcjell mendimet e mia. Veçmas me Faruk Myrtajn kemi shkëmbyer lloj-lloj bisedash në mënyrë virtuale, i cili shpesh më ka përcjellë krijimet më të fundit duke kërkuar një mendim si lexues dhe si mik. Kjo nuk ka ndodhur me Lazër Stanin, të cilit nuk ja di as adresën elektronike, por siç shënova më sipër, ai kishte mirësinë të ma dërgonte librin e vet të fundit. Në këto kohë kaq të ndryshme të shekullit të 21-të, librat janë bërë “rrjetë” ku bien të kënduarit. Përmes tyre përpiqemi të njohim të pathënat në jetë. Ndërkohë kur libra të tillë të “gjuajnë” edhe në pafundësinë amerikane, provon një ndjesi elektrike. Shijon radhë pas radhe fabulën, artin e të treguarit, zhdërvjellësinë e fjalës dhe fundin befasues.Sikurse thotë Lazër Stani “Shkrimatrit… i duhet të gjejë argumentin se përse një histori duhet rrëfyer, se përse një histori nuk mund të lihet të vdesë”.

​Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, shkrimtarët e brezit tim, janë pikërisht në këtë mision të madh dhe të kurrëarritshëm plotësisht apo perfektshëm. Ata janë të dy shembull i madh i punës dhe pasionit krijues, modele të ndryshme të qëmtimit të fjalës, momentit psikologjik dhe emocionit, por gjithsesi “kalorës” të talentuar të gjuhës letrare shqipe. Tashmë të dy shkrimtarët bashkëkohësit e mi janë përkëtej ane të Atlantikut, më pranë meje, por sërish larg. Ashtu si Faruk Myrtaj që tashmë ka zënë vendin e vet mes shkrimtarëve shqiptarë në perëndim, edhe Lazër Stani ka për të befasuar edhe më shumë me tregimet dhe romanet e veta që mbase ende “flenë gjumë” pranë Statujës së Lirisë në Nju Jork. Jam ndjerë i gëzuar kur kam mësuar se publicisti dhe shkrimatri i Londrës, Fatmir Terziu, në librin e vet studimor “Kritika ndryshe” i ka rreshtuar mes shkrimtarëve, në antologjinë e madhe të letrave shqipe edhe Faruk Myrtajn dhe Lazër Stanin, dy prurje të spikatura të brezit tim. Nuk di si ndihen të tjerët, por brenda meje sikur gufon diçka si gurgullimë ujëmali, kur dëgjoj fjalë të mira për suksesin e miqve të mi, që ndaj të shkuarën dhe momentet e saj të bukura. Ndaj nuk ngurroj ta përcjellë këtë ndjenjë, jo thjesht si një kënaqsi personale e si bashkëkohës i tyre, por edhe si një veprim njerëzor që na ndan nga jonjerëzorja. 

Deri më tash Lazër Stani shënohet të ketë botuar 8 libra me tregime,(ndjesë nëse nuk jam i saktë) , ndërsa Faruk Myrtaj, duke qënë “brumë i vjetër” nuk ja numuron dot botimet me gishtat e dorës. Ai është prodhimtar dhe i shumëllojshëm si në poezi, tregime, publicistikë. Me librin “Nudo zyrtare” Faruk Myrtaj dhe “Kohë për nuse”, Lazër Stani janë si dy drita neoni të fuqisë së gjuhës letrare shqipe. Nuk harroj një moment kur e pyeta Faruk Murtajn se si do ta komentonte shpëthimin krijues të Stanit nga Dukagjini. Ai me atë mënyrën e vet të të thënit të gjërave, do më përgjigjej: “Ka një ndryshëm të madh mes nesh. Kur ne edhe lexonim shkrimtarët tanë, e përpiqeshim të shkruanim, Lazër Stani vetëm lexonte në rusisht dhe jo vetëm letërsinë ruse.Pra kur ne mundoheshim të imitonim “të mëdhenjtë e kohës”, ai shoku ynë i përbashkët,vetëm lexonte. Unë nuk kam turp ta them se kur kam marrë në dorë “Gjeneralin…” e Kadaresë, fillova ta përktheja në anglisht edhe pse nuk e dija mirë gjuhën, por me një fjalor në dorë përpëlitesha mes shqipës dhe anglishtes….Nuk e kam bërë kurrë publike këtë gjë…E, me siguri ato kohë Lazri vijonte të lexonte letërsi perëndimore… A e kupton ndryshimin tonë?… Kur kujtoj këtë moment të adoleshencës sime krijuese qesh gati pa pushim”. Faruk Myrtaj është një nga njerëzit më të sinqertë që kam njohur. Talentin e tij e ka “bluar” kritika e këtyre midis dy shekujve, ndaj unë nuk mund të sjell asgjë të re. Ajo që unë mund të flas për dy miqtë e mi, Myrtajn dhe Stanin janë kontributi i tyre i jashtëzakonshëm në arsenalin letrar të gjuhës shqipe si krijues të zellshëm e po aq të dallueshëm në vërshimin e madh letrar shqiptar. Në këtë plan ata të dy, veçmas dhe së bashku, sërish janë “kapitenë” të së njëjtës anije lundruese. Në tregimet e Faruk Myrtajt, gurgullon një gjuhë e pasur, e skalitur nga brenda si një “kështjellë mendimi”, me ngjyra të fjalës, me “xhelozi gjuhësore”, duke rrëfyer shqip dhe vetëm shqip, me ca detaje shprehësore që të duket se ka jetuar “tek lagja jote”…Ai rrëfen butë, pa dramacitet të sforcuar, dhe me flajën shqip, të “gdhend” bukur çdo personazh nga “emigrantët mongolë” deri tek “bletakët” e ekosistemit tonë në tregimin mbi “dashurinë e bletëve”.Këtë të fundit unë do ta quaja “Traktat filozofik të trashëgimisë” që përcjell mesazhe të mëdha njerëzore dhe përtej. Tematika që bluan “mulliri” krijues Myrtaj, është si universi pa fund, ku mjeshtëria dhe filozofimi i tij nga “pikla e ujit” si pjesë e turmës, sikur të kthejnë në një “turbinë” dhe të falin dritë.Ai mbetet i tillë edhe në poezi ku gjuha e zgjedhur, fjala me “penelata shqip” të mban pezull emocionalisht. Janë të paktë ata poetë të ikur nga Shqipëria që të shkruajnë me drithërimën e fjalës së Faruk Myrtajt.Ai është i thellë dhe “elektriciteti” që të krijon të pret si brisk nga brënda. “Vendlindje, djep a lojë…si i bëhet vallë?/ S’po gënjej dot veten të kthehem gjallë/. Ndërsa poezinë “Emigranti i vonuar”, sikur e ka shkruar për mua, Lazër Stanin e gjithë ata të tjerë që lanë Shqipërinë kur thotë: “Bekuar durimin, për të qarën time si bebe/Oqeane kalova, mbështjellë me tokë Prill/Me sqep zogu provoj të gërvish lëvozhgën e vezës/Në tokë-djepin e premtuar, në mund të rilind…/ Butësia e fjalës me të cilën Myrtaj përcjell dhimbjen dhe shpresën, të bëjnë të jesh në rezonancë me autorin që shtëtit çdo mëngjes parqeve të Torontos, si Lasgushi i madh dikur buzëliqenit të Pogradecit.

Befasia e vërtetë ndodh me Lazër Stanin. Kontributi monumental që jep shkrimtari i vërtetë është: pavdekësia e gjuhës që mësuam në shkolla.Unë duartrokas 24 orë rresht shkrimtarin nga Dukagjini Lazër Stani për profilin tridimensional që ai ka krijuar si lëvrues i pashoq i gjuhës së njehsuar shqipe në tregimet e veta. Mjeshtëria e tij rrëfyese është një ardhje e veçantë në pasurimin e gjuhës sonë, si trashëgimia më e madhe e një kombi dhe mëvetesie unike siç jemi ne shqiptarët.Si një krijues dhe intelektual ndryshe, me librat e vet, Stani ka “dezertuar” nga ajo ushtri koti, që kërkon ta përmbysë gjuhën e njësuar shqipe vetëm përmes gulçeve antikomuniste, kur vetë Lazër Stani është shembulli më kuptimplotë antikomunist. Gjuhëtari i madh dhe autoriteti i stilistikës shqiptare Prof. Dr. Xhevat Lloshi,kur na jepte leksione pasuniversitare një ditë do të na thoshte se fuqia e gjuhës është “tërmeti” që nuk i maten ballët. Sipas Lloshit të madh, mjeshtëria e atyre që shkruajnë shqip është që të mbajnë gjallë “dirthërimat e shqiptare” pa të cilat kombi vdes…,.. Duke lexuar vëllimin e shkrimtarit Lazër Stani “Kohë per use”,unë kam mbetur i shokuar nga pasuria e jashtëzakonshme e nuancave gjuhësore, nga eleganca dhe zhdërvjellëtisa e përdorimit të fjalës në trajtën e kthjellësinë e duhur, nga galeria pafund e përshkrimeve shokuese me një “gjuhë shqip” që nuk e ka as Kadare dhe as Agolli nëse kujtojmë se Lazër Stani ka lindur në Dukagjin të Shkodrës. Me fjalën e kristaltë shqip, (kandilë fitishkrumbur, shalle leckash, gjimbajtëse, grindje kotnasikotëshe,shrrnajë sfilitëse, hija e kryqeve, lot të trashë e të trubullt…) Stani të shëtit kudo nëpër Shqipëri, të arratis prej andje drejt Amerikës “me idjotin në xhep”,të përshkruan në detaje jo vetëm natyrën, mjedisin, botën bimore e gjallesat e pafundme, kulmet emocionale, por po me fjalën shqip si asnjë shkrimtar tjetër i brezit tim, të “çon” në qiell dhe të fundos në thellësitë e tokës, mbase në “galeritë e shembura” ku Faruk Myrtaj shtynte “vagonin e fundit”. Befasia e Lazër Stanit në të shkruarin e vet është se shpesh të përplas fjalë që të duhet të marrësh fjalorin shqip-shqip që t’u gjesh kuptimin. Kjo ka qënë për mua edhe shkrepëtima më e bukur krijuese e shkrimtarit Lazër Stani që sikur e shoh si të përgjumur tek “shtrati…streha e mëkatit” njerëzor.

Nuk pretendoj se kam lexuar gjithë atë vërshim letrar pas viteve 90-të,por them me bindje se Lazër Stani, me pasionin ndaj gjuhës që u rritëm dhe edukuam, me gjallërinë e saj të pafundme, me mjeshtërinë krijuese të përdorimit të saj, me qëmtimet e kudesëshme të fjalëve duke “shkelmuar” çdo sajesë e shartim nga gjuhët fqinje apo ato të perëndimit, duke bërë “kirurgjinë”çdo “çibani” gjuhësor në shtratin e shëndetshëm të shqipes, është padyshim një “Lazër biblik” i gjuhës letrare shqipe. Vigjilenca e tij biblike për të treguar çdo histori në shqipen që ai dashuron, sidomos në sulmet e egrra ndaj gjuhës së njësuar, që disa duan ta bëjnë “përshesh” përsëri… e vendos Lazër Stanin në shkrimtarët moderrnë të kohës që jetojmë. Ai me këtë konseguencë gjuhësore bëhet shembulli më i madh i shkrimtarit që shkruan “në një gjuhë kombëtare”. Unë besoj se koha dhe shoqëria që jetuam në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, i ka borxhe popullit dhe kulturës sonë, por njesimi i gjuhës shqipe, ka qënë një nga ato punët lapidare që bënë brezi i gjuhëtarëve dhe dijetarëve gjithëshqiptarë, që me jo pak mund krijuan një korpus gjuhësor modern, edhe pse nën trysninë e “partisë në udhëheqje”. Gjuha letrare kombetare ishte në fund të fundit një finalizim i mundimshëm, por edhe i mrekullueshëm i përpjekjeve të rilindasve që hodhën hapin e madh në Kongresin e Manastirit. Në pikvështrimin tim,Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1974, ishte ishte një moment i madh shqiptar në Ballkan, osë një “4 Korrik” i Gjuhës Shqipe.Misioni i brezave ështa ta pasurojnë këtë arritje, jo duke e “përdhunuar” me lloj-lloj futje fjalë-sajesa nga “gjuhë perëndimore” apo shartimet dialektore.Fati ynë na bën të kemi gjuhën më të hershme dhe më të bukur të qytetërimit njerëzor.Një mendje e ndritur, një njeri që e do vendin ku lindi, e kupton këtë dhe as që nuk duhet diskutuar. Gjuha kombëtare shqipe duhet të mbetet “askiomë” e jona dhe e brezave. Mendoj se çdo përpjekje për ta bërë “gjuhën shqipe lëmsh” ështa as më shumë dhe as më pak, por një “talibanizëm gjuhësor” që jo vetëm nuk duhet pranuar, por duhet neveritur nga kushdo veçmas i frymëzuar nga zhanri gjuhësor i Lazër Stanit. Shembulli i “American english” është një dëshmi dhe rezultante e konseguencës gjuhësore si tipari themelor i një kombi të vetëm, përbërë prej shumë kombesh të tjerë. Unë u kuptoj aksentet and thekset veri e jug të këtij kontinenti kaq të madh, por në fund të fundit të gjithë flasin “të njëjtën gjuhë”. “Anglia dhe Amerika, thotë Bernard Shaw, janë dy vende të ndara nga e njëjta gjuhë”. Kështu duhet ta shohim Shqipërinë e Kosovën, veriun dhe jugun, lindjen dhe perëndimin shqiptar. Gjuha letrare shqipe duhet të jetë “pirmaidë mençurie” ndaj së cilës të jemi krenarë.Kjo “piramidë” duhet ruajtur me fanatizëm dhe dashuri, mendoj unë, ndaj çdo “pushtimi modern” përmes idjotëve të shumtë në këtë kohë lirie çoroditëse. Kjo duhet të jetë një emergjencë kombëtare për Shqipërinë e vogël. Sidomos me këtë vërshim të mendimit të lirë në rrejtet sociale, shqipja rrezikohet të kthehet në “dialekt i Tiranës”. Gjuha krijuese e Lazër Stanit është në vetvete një kushtrim i sinqertë kulturor që duhet t’i bashkohen të gjithë krijuesit e talentuar shqiptarë në çdo cep të globit,ata që duan pavdekësinë e Gjuhës Shqipe. Ky kushtrim duhet të dëgjohet sa në Prishtinë aq edhe në Tiranë e kudo ku jetojnë shqiptarë. Kur ja shpreha pa kursim këtë entuziasëm Faruk Murtajt, që ka mbetur i lirë nga dialektalizmat nga vetë origjina, më tha jo pa merak: “Kujdes, kjo është arsyeja që në Shkodër nuk e duan Lazër Stanin…Ai nuk është pjesë e “kulisave dialektore”, Lazri është shkrimtari i kompletuar i brezit tonë”.

“Shkrimtar i kompletuar i brezit tonë”-këtë mund ta thotë pa xhelozi vetëm Faruk Myrtaj nga Toronto, ku ka dekada që jeton duke fantazuar në shqip. Ndaj në këto shënime unë u përpoqa të sillja diçka të përbashkët dhe të përveçme për dy miqtë e mi shkrimtarë, që së fundmi të dy jetojnë në një kontinent me mua. Na merr malli, por nuk kemi kohë të shihemi. Gati një dekadë e ca më parë, unë munda të vizitoja Faruk Myrtajn në Kanada dhe kur folëm për libra te tij të pafund, që më rrëfente me sinqeritetin e shkrimtarit befas ja prita: “Me gjithë këto libra të botuar me siguri nuk ke asnjë problem financiar”. Ai më qeshi lehtë siç di të qesh Faruk Myrtaj dhe më tha: “O Shefo, akoma nuk e ke mësuar që nuk bëhesh i pasur me librat që boton në shqip? Unë shkruaj sepse nuk mund të rri pa shkruar, por fitimi as që diskutohet…Nuk jeton dot në Toronto me libra botuar në Tiranë…”.

​Faruk Myrtaj ka të drejtë.Shumica e talenteve të mëdhenj në të gjallët e tyre nuk vlerësohen realisht dhe shumë prej tyre përpëliten financiarisht, ose siç thotë miku im në San Françisko, publicisti Petro Lati, të tillët janë “pasanikë të varfër”. Kjo është e dhimbshme, por edhe një fakt i njohur. Ndaj edhe në moshë mbi të 60-tat, shkrimtari Lazër Stani emigroi në Amerikë dhe sapo ka filluar punë që “të përballojë” jetën e shtrenjtë të Nju Jorkut. Nuk di si ta shpreh trishtimin rreth mospërfilljes e përçmimit ndaj mençurisë dhe talentit që dominon shoqërinë e sotme shqiptare. Idjotët sulen në ekrane dhe dërdëllisin, servilët bëhen deputetë, ministra, ambasadorë e kryeidjotët janë “çimentuar” si kryetarë partish. Servilizmi dhe idjotësia janë dy armiqtë e mëdhenj të vlerave shqiptare. Mbi “shpinë” të tyre lulëzon makutëria, ligësia dhe sharlatanizmi… I rrethuar nga kjo lloj egërrsie njerëzore alla-shqiptarçe, njeriu i mençur kërkon hapësirë të re, kërkon të ikë “larg rrëmujës dhe rrëmetit”…

Kështu më duket edhe ardhja e vonshme e shkrimtarit Lazër Stani në Amerikë. Një “ikje nga dëshpërimi”, ikje e dhimbshme nga atdheu që prap na thërret në shqip: “Ejani kur të keni mall.Unë do t’u rezistoj çmendurive të të mijve…Atdheu juaj nuk vdes”! Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani janë dy shkrimtarë, që me librat e tyre, me talentin e tyre, me urtësinë dhe devotshmërinë shoqërore, me kontributet e mëdha krijuese në gjuhën shqipe, mbeten shembuj të dallueshëm për lexuesit. Ata me veprat e tyre dëshmojnë se nuk është as pengesë, as “rrip i ngushtë” gjuha letrare shqipe, por ajo mbetet një oqean ku lundron me guxim talenti, mjeshtëria dhe fanatazia pa kufi. Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani janë dy kulme të kësaj të vërtete. Me siguri në vitet që do vijnë, dikush do gërmojë dhe do befasohet nga gjetjet e tjera në dyshen Myrtaj-Stani. Mua më pëlqen ti shoh dy miqtë e mij, si një “ringjallje” apo përqasje e çuditshme ndaj Fan Nolit dhe Faik Konicës… A thua e teprova!?…Mbase, sepse dashuria për miqtë e talentuar edhe të verbon gjykimin, por studjuesit kanë për të gjetur ca paralele befasuese, por let t’ja lemë kohës.

Në këtë të tashme që shkruaj, unë ndihem me fat dhe disi i previligjuar të kem njohur këta autorë, në kohështrirjen e dy shekujve. Njëri nga Selenica e Vlorës e tjetri nga Dukagjini i Shkodrës, kanë “qëndisur” me një gjuhë shqipe të artë veprat e tyre si “histori që nuk duhet të vdesin”, histori që do t’u flasin brezave me një shqipe të bukur, me një shqipe të kristaltë. Siç ka thënë qysh në shekullin e 18-të, poeti anglez Samuel Taylor Coleridge , gjuha është harmoni e mendjes njerëzore, që përmban trofetë e së shkuarës dhe fitoret e së ardhmes. Kështu qoftë edhe gjuha letrare shqipe. Myrtaj dhe Stani janë një premtim i madh.

Shefqet Meko

Minneapolis, SHBA 

08/24/2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faruk Myrtaj, lazer Stani, Shkrimtare Bashkekohes

Faruk Myrtaj, një mjeshtër i prozës së shkurtër shqipe

December 18, 2018 by dgreca

Aleko-Likaj-5

Shkruan: Aleko Likaj, Bordo, France/

”Këpucë për gjyqin e fundit” është libri më i ri me tregime i shkrimtarit Faruk Myrtaj që këto ditë ka parë edhe dritën e botimit në shqipëri.Me nota thellsisht realiste dhe karaktere të vizatuara dhe të gdhendura si nga një një dorë mjeshtri që di aq mirë të skalisë duke kaluar edhe kufijtë e emocionit në dramat që shpërfaqen nëpër faqet e tregimit të tij, Myrtaj, mbetet përherë një zë i fuqishëm në letrat tona shqipe veçanrisht në këto tre dekadat e fundit. Magjia e rrëfimit të trazon e të bën që ta vuash e përjetosh dramën si ”të zotët e hallit që i ka zënë” në tregimet e tij, dhe që natyrisht dallojnë si nga ana shprehëse, kompozicionale, theksit, intonacionit, gjuhës dhe mesazhit që përcjellin, duke stigmatizuar kështu stilin që është i veçantë e me tiparë dalluese për këtë autor. Mendoj se këto aktualisht bëjnë edhe diferencën në morrinë e zhurmëshme të krijimeve që qarkullojnë sot si lumenjë të vrullshëm jo vetëm nëpër webe e site internetike që kushdo hedh, por edhe në botime të pa kontrolluara dhe pa pikë përgjegjësie që nxjerrin dhe mbushin raftet e librarive nga një pjesë e mirë e entet botuese. Shumë prej tyre nuk u intereson cilësia aspak përpara parave që derdhin ”sevdallinjtë” e njerëz pa asnjë prirje në këtë fushë që duan të evidentohen..

Por kjo është një temë për të cilën gjithmonë ja vlen të diskutohet gjërësisht si një fenomen e që ka kapluar letërsinë, edhe pse në rastin konkret nuk ka të bëjë aspak me rastin në fjalë, ndërsa ne jemi ndalur për të hedhur një vështrim prej lexuesi, krijimit e veprës më të fundit të një autori që ka dhe ka lënë një emër. dhe që kritika e vlerëson dhe e rendit ndër majat e prozës së shkurtër shqiptare

Do ta quaja ”Këpucë për gjyqin e fundit”, një risi. Një risi e bukur që shkon dhe renditet me veprat më të mira të Faruk Myrtajt, jo vetëm për faktin që të emocionon e të mban gjatë gjithë leximit në një lloj përjetimi artistik që të krijojnë zakonisht ndjenjat e çuditëshme brenda vetes sonë, por edhe për gjuhën e qëruar e të pastërt të shqipes që përshfaq vlerat më të mira të saj me një leksik brilant dhe që për hir të realitetit na mungon sot në kakofoninë e shtrembërimet duke filluar që nga punonjësit e mediave e më gjerë në jetên sociale dhe shoqërore që bëjmë . Dhe autori këtê e realizon nëpërmjet frazës ë shkurtër dhe të ngarkuar emocionalisht

Edhe në këtë vëllim Faruku është dhe qëndron tek të njëjtat tema që i preferon e që i shërbejnë si dashuritë e tij, si emigracioni, mardheniet sociale, burgu dhe diktatura, ku ne kete te fundit duke dalë edhe nga korniza e vëndit, por që zë realisht më fushêpamje në planin universal, si një kufizim i lirisë së individit.

Por ashtu siç theksova edhe në fillim të kêtyre rradhêve, ”Këpucë për gjyqin e fundit” është një libër e rrëfim karakteresh. Dhe duket e ndjehet përkujdesja e autorit. Ai dallon. Eshtë njê vizatues i hollë i karaktereve që mbartin emocione të fuqishme…

Nuk ka se si të mos jetë krejt ndryshe dhe të mungojë aty Atdheu, për të cilin shkrimtari emigrant ndjen shumë dhëmbje e dashuri të pamatë. Por këtë here është krejt tjetër. Në dimension të tillë hapje që e jep dhe e pasqyron edhe tek tregimi ”Atdhe për Ciganët”, ku liria nuk njeh kufij. Personazhet ne tregim , ciganët, janë të gatshëm në çdo sistem ”të shndrohen në njumra midis shtetesh ku merrnin pa teklif nënshtetësi të tjera” thotë autori duke na i dhënë ata gjithsesi në njê atmosferë e mjediset e tyre tipike, dhe ku mbretëron daullja, dajret, gërneta… ( bënin muzikë aq të azdisur sa ariu”)

Bien në sy tregimet e karaktereve që zënë hapsirën më tê madhe ne librin ”Këpucë për gjyqin e fundit”

Tek tregimi ”Bejlurçina ime” është fati i intelektualit shqiptar që ishte arsimuar në universitetet e shkollat e perëndimit, por që përfundon në tharrjen e kënetës së Maliqit. Pastaj i kërkojnë të bëjnë përkthyesin ”nga gjuha e atyre që ikën, domethënë armiqve, duke e bërë jetën si të tjerët”

Të njëjtën gjë e ndesh edhe tek tregimi ”Deri në fund Deiv” me Diegon, ku i biri merr vesh se i ati ishte me kancer i vendos dy veta që ta ndihmojnë në përditshmërinë e punën e tij fizike për shoqërinë, por ai i përze për ta përballuar kancerin si njeri që kontribuon dhe beson tek shoqëria tê cilës i shërben

Në një tjetër tregim si tek ”E hodha firmën unë” përveç sfondit ku jepet një shoqëri e shtypur nën komandë, dallojmë karakteret. Drama e krijuesit ku të përkëdhelurit dhe më të besuarit e rregjimit firmosnin e vendosnin për burgun e tyre.

Gani Delvina një i burgosur politik i sapo dalë nga qelia e burgut me rënien e sistemit, i dehur me lirinë tij, vrapon pas metingjeve në sfondin e zjarrtë të atyre ditëve të ndryshimit, por që kupton shumë shpejt se nuk e gjen veten aty. Nuk përfaqsohet.

E megjithatë i ndjek si lirinë e tij.

”C’punë kam unë me ata? Ata janë në tribunë për qejfin e tyre. Unë jam aty poshtë..”.

”Ke shkuar me një femër?” është një tregim dhe rrëfim shumë i ndjerrë për sinqeritetin dhe moshës së fillimit të adoleshencës, ku me nota realiste jepet Farfuria, shoqia e klasës, pylli që të nxirrte pranë shtëpisë së saj si dhe dëshira e ëndëra e shoqëruesit për ta shpëtuar nga egërsirat….Shumë vite më vonë rasti i solli pastaj që të ishin të dy mësues nê të njêjtën qytezë, por që nuk mundën më ta rringrinin shoqërinë e pastërt prej fëmije si të trembur dhe tê paragjykuar nga ambjenti me një pyll në mes.

Tregimi: ”Këpucë për gjyqin e fundit” që mban edhe emrin titulli i vëllimit të kêtij libri me tregime, është ndoshta nga më interesantët. I shkruar bukur dhe konçiz me metafora të fuqishme dhe që të sjell ndërmend Kafkên, pothuajse në të njëjtat mjedise e sfonde gati haluçinantike të kohës, por kurrsesi jo një imitacion, edhe pse është një faj që nuk dihet pse ndodhet e është i tillë që edhe këtu heroi i tij dënohet me egzekutim por jo ”këpucêt alpine të sperkatura me ca buburecë tê kuq”

Ky tregim më kujton dhe më sjell në mëndje ”Turmat e Dimrit” një nga krijimet më të bukura që ka shkruar pena e Faruk Myrtajt nê këto vitet e fundit i cili zbërthen metaforikisht thelbin dhe strukturën e turmës

Interesant është edhe figura e Moit, minatorit dhe përgjegjêsit të turnit, ku në shtresën e gjashtë të nêntokës pohon, e ku me ndryshe se sa aty thellë nën dhé. Kjo ndodh kur personazhin e ”infektuar nga leximet” e dërgojnë që ta edukojë kllasa, por që njeriu i ngarkuar që do të bënte edukimin” i a plas…E kundërta e dijes nuk është padija. E kundërta e mos dijes sot është mashtrimi universal”

Por nuk do të ndalesha gjatë dhe nuk do të merrja përsipër për ti bërë analizën e plotë vëllimit më të ri të autorit

Ajo që më mbet si lexues dhe konstatoj, do të thosha pa mëdyshje se:

Në tregimet e Myrtajt ndjehet me tone të ndezuar dhëmshuria e dashuria e pakufishme për njerëzit e thjeshtë e të ndershëm, që kanë në jetë ideale, e që i shërbejnë dhe i dalin në krah shoqërisë, botën që e rrethon, mjedisin ku lëvizin e gjallojnë. Dhe në fakt ky është heroi. Heroi i ditës…e ne pse i kemi kaq pranë pak i njohim në botën e tyre të brendëshme, por jemi dhe të pa vëmëndshëm dhe individualistë në shumicën e rasteve, për të konstatuar atë që një krijues e shkrimtarë me përvojë si Faruku, i zhbiron duke i skicuar e vizatuar, dhe na i sjell aq mjeshtërisht duke rezatuar në të gjithë dimensionin e tyre real.

Eshtë ky fakti që ata të mbesin në mëndje aq gjatë, dhe që ne pastaj, dashur pa dashur brenda subkoshiencës sonë, na ndodh shpesh që ti krahasojmë me miq , shokë dhe njerëz që ndeshim në udhë, duke i portretizuar me ata.

Kjo nuk është pak për një krijues serioz, me përvojë dhe shumë të talentuar

Në thelb, ajo çka kërkon nga vetja një shkrimtarë dhe misioni i tij i mundur për të përcjell e tejçojë mesazhe jete…

Faruk Myrtaj ka kohë që i a ka arritur kësaj, dhe vëllimi i ri me tregime ”Këpucë për gjyqin e fundit” ,pa dyshim që i bashkohet dhe shkon të rrijë denjësisht përkrah botimeve të tij më të mira në prozë e të vlerësuar në këto dekadat e fundit.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Aleko Likaj, Faruk Myrtaj, një mjeshtër i prozës, së shkurtër shqipe

“Këpucë për Gjyqin e Fundit”

October 5, 2018 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/*

Kur lexon librin e Myrtajt, takohesh me karaktere të ndryshme, dhe kuriozitete; dëgjon për ciganë që nuk duan të bëhen jo-ciganë; pa një vend të përherëshëm, pa atdhe ata duket se ndjehen më mirë të integruar në këtë botë globale.
Pastaj njihesh me njeriun i cili për të bërë emër të madh, e shkurton atë, duke këputur çdo lidhje; sheh një “idealist” që për një palë këpucë vret shokun e tij. Takon përkthyes që e nxjerrin nga burgu pa ia njohur lirinë, e shumë të tjerë nga kjo e ajo kohë.
Heronjtë e Tregimeve të Myrtajt janë si  gjigandët që hedhin gurë për të goditur male dhe për të shkaktuar tërmete që gllabërojnë ide të shumta të cilat mund të ndihen e dalin në sipërfaqe nga konvulsione të natyrës.
Përsëri, fenomenet e përhershme të përditshme, janë aq të njohura të përhapura gjithandej në këto tregime sa nuk nxisin asnjë vërejtje por vetëm ndjesi e keqardhje.
Personazhet e Myrtajt janë qeniet njerëzore që u dalluan në jetën e tyre me përparësinë e vet mbi të afërmit e tyre, dhe pas vdekjes ata hyjnë në mesin e atyre që jetonë.  Autori i prek si me shkop magjik zbulon detajet e jetës së tyre, të cilat, duke i veshur me tonin e tij të veçantë prozaik,  i regjistron si të shquara.

*Libër me tregime nga Faruk Myrtaj, Shtëpia Botuese UEGEN

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Këpucë, Astrit Lulushi, Faruk Myrtaj, për Gjyqin e Fundit”

“PUSHTETI I MITIT” I STUDIUESIT AMERIKAN JOSEPH CAMPBELL NË SHQIP

May 10, 2017 by dgreca

-LIBRI BESTSELLER I CAMPBELL VJEN NE SHQIP NGA PERKTHYESI FARUK MYRTAJ/Kopertina Pushteti i Mitit jpgDoli nga shtypi nga shtëpia botues “Milosao” bestselleri i fuqishëm “Pushteti i mitit” (me përkthyes prozatorin e mirënjohur Faruk Myrtaj) i studiuesit amerikan Joseph Campbell, në një analizë të shkëlqyer të bashkëjetesës së njeriut me mitet, besimet dhe bestytnitë e krijuara në shekuj prej tij.Për autorin mitologjia ështe kënga e Universit, muzika e sferave. Pushteti i mitit është një spjegim vezullues i botës letrare të shpirtit,thuhet në pasthënien e librit. Autori është hartuesi i veprave me studime të mrekullueshme për mitet dhe temat e lidhura me to. Është shumë i njohur në SH:B.A. libri “Atlasi historik i mitologjisë së Botës” si dhe “Mitet dhe simbolet në artin indian dhe civilizimin”,”Mbreti dhe kufoma”, “Filosofitë indiane”, “Mitet, ëndrrat, feja”, “Heroi me njëmijë fytyra” dhe shumë libra të tjerë janë disa nga veprat e tij. Libri që po paraqesim është konceptuar si një bisedë me gazetarin e mirënjohur Bill Moyers, nga fillimi deri në fund. Të dy plotësojnë njeri tjetrin duke analizuar fenomenet mitike nga kahe të ndryshme. Bill Moyers, në hyrjen e këtij libri thotë:”Ai shkroi dhe editoi rreth njëzetë libra, më shërbeu si mësues në përvojën time, si pasuri e rrallë në njohjen e botës dhe në imazhet e gjuhës, dhe unë do doja që edhe të tjerë ta përjetonin këtë eksperiencë me një mësues si ai, gjithashtu. Kështu, dëshira për të ndarë këtë thesar të njeriut që inspiroi serinë e PBS time (Public Broadcasting Service) dhe këtë libër.
         Një gazetar, siç thuhet, i gëzohet një license për t’u arsimuar në shkolla publike; ne jemi me fat në mundësinë t’i kalojmë ditët tona në kurs të vazhdueshëm edukimi, edhe si të rritur. Por, askush s’ më ka mësuar mua më shumë se Campbell dhe kur ia thashë atij, dukej se i duhej të përballo-nte përgjegjësinë për çfarëdo rridhte prej pasjes mua nxënës. Qeshi dhe citoi një Romak të vjetër: “Fatet prijnë atë që do; atë që nuk do që fatet ta tërheqin zvarrë.”

Ai mësonte, siç mësuesit e mëdhenj mësojnë, përmes shembullit të vetë. Nuk ishte mënyrë e tij të përpiqej të fliste me dikë për gjithçka (përveç një rasti, kur ai i shkoi pas Jean, të martohej me të!). Predikuesit gabojnë, thoshte, duke dashur të flasin me njerëzit mbështetur tek besimi; më mirë të shpërfaqin rrezatimin e zbulimit të tyre vetjak.”

Si e shfaqte ai gëzimin për të mësuarin dhe për jetën?

Matthew Arnold besonte që kritika më e madhe është “të dish më të mirën e njohur dhe menduar në botë, dhe përmes shndërrimit të saj në të vërtete të kohës dhe të ideve të reja.” Kjo është ajo që Campbell bënte. Ishte e pamundur ta dëgjo-je – vërtetë ta dëgjoje atë- pa kuptuar në vetëdijen tënde më të thellë një joshje të re jete, rritjen e imagjinatës tënde vet-jake.

Ai binte dakord që “ideja prijëtare” e punës së tij ishte të gjente “të përbashkëtën, ngjashmërinë e temave në botën e miteve, duke u orientuar për një kërkim konstant në psikikën njerëzore dhe për fokusim ndaj principeve të thella.”

“Ju e keni fjalën për kërkimin e kuptimit të jetës?” e pyeta.
“Jo, jo, jo,” tha ai. “Për eksperiencën e qenies së gjallë.”
Isha shprehur se mitologjia është një hartë e brendshme eksperience, skicuar prej njerëzve që e kanë përshkuar atë udhë. Dyshoja se ai do të bashkohej me këtë përcaktim prozaik gazetaresk. Për të, mitologjia ishte “kënga e universit”, “muzika e sferave” – muzika që vallëzojmë edhe kur nuk arrijmë të saktësojmë tonin. Jemi duke dëgjuar refrenin e këngës, “nëse dëgjojmë me kënaqësi të ftohtë për mumbo jumbo-t, gjepurat e ndonjë doktori magjistar në Kongo, lexojmë me ekzaltim të kultivuar përkthimet prej soneteve të Lao-tsu, hera herës thyejmë guaskën e ashpër të një argumenti të Aquinas, ose kapim befas shkëlqimin e kuptimit të një përralle bizare me gjigand Eskimez.”

Ai imagjinonte që ky kor i madh kakofonik filloi kur paraardhësit tanë të hershëm nisën të rrëfejnë ngjarje për njeri tjetrin, në lidhje me kafshët që vrisnin për ushqim dhe për botën e mbinatyrshme, ku kafshët shkonin pasi vdisnin. “Atje përtej, diku,” përtej fushëpamjes së ekzistencës, ishte “zoti i kafshëve të pyllit”, që mbante fuqinë mbi jetën dhe vdekjen; nëse dështonte të kthente mbrapsht bishat për t’u sakrifikuar sërish, gjahtarët dhe familjet e tyre do të vuanin urie. Kështu, shoqëritë e hershme mësuan që “esenca e jetës është që ajo gjallon duke vrarë dhe duke u ushqyer; ky është misteri i madh me të cilin mitet kanë të bëjnë.” Gjuetia bëhej rituali i sakrifikimit dhe gjuetarët, në kthim, performonin aktet e shpërblimit, kompensimit për shpirtrat e ikur të kafshëve, duke shpresuar t’i kandisin që, në kthimet e tyre të mëvonshme, të sakrifikoheshin sërish. Bishat e pyllit janë vështruar si emisarë prej botës tjetër, që Campbell vinte në përfundimin se “një akord i mrekullueshëm, magjik” ngrihej mes gjuetarit dhe gjahut, sikur të ishin kyçur në një cikël vdekje “të pa-kohë, mistik”, varrosur dhe ringjallur. Arti i tyre – pikturat në muret e shpellave – dhe literatura gojore dhanë formën për impulsin që ne tani e quajmë religjion.”
Libri ka 368 faqe dhe kushton 1000 lekë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Faruk Myrtaj, Joseph Campbell, Pushteti i Mitt

Nëpunës për Zyrën e Vulës

November 11, 2015 by dgreca

Tregim nga Faruk Myrtaj/
Shefat e mëdhenj thuajse s’e dinin. I njihnin vetëm duart, parakrahët, shputën dhe gishtrinjtë e dorës, kur ai zgjaste dosjet e arkivës nëpërmjet sportelit. Përpikmëria e lëvizjeve, korrektesa dhe saktësia e dokumentave që përcillte, ishin arësyet që miratuan menjëherë sugjerimin për kalimin e tij në një zyrë të posaçme që do të merrej me vënien e vulës në shkresat e Shtetit.Shumë njerëz humbasin orë e ditë të tëra për të provuar vërtetësinë e dokumentave, u kishte thënë një ditë shefave të vjetër.
Ata e dëgjuan, ishte e para herë që ai fliste në sy të tyre. Tavolina e punës së tij, thuajse nuk binte në sy, e vendosur në aneksin jo aq të ndriçuar dhe pa dritare.
Tjetërkund vendoset por, me një vulë të miratuar dhe të hedhur nga kjo zyrë, shkresat do të bëhen të paraqitshme dhe serioze. Dhënia e vulës është formalitet, por ajo çfarë do të garantoj kjo zyrë është vërtetesia e dokumentit nëpërmjet vulës. E vetmja shtesë që lipset është hapja e një sporteli në murin e jashtëm të aneksit.
Zyra, megjithatë, për ditë të tëra pas hapjes së sportelit, vazhdoi të ish po ai aneks i zakonshëm. Kur s’kishte njerëz që vinin për të vulosur shkresat e tyre, sporteli shërbente thjesht si dritare. Natyrisht që u bë më tërheqës, kur e veshën me dru arre të lëmuar dhe më serioz, kur nga jashtë, përmbi sportel, u vendos një tabelinë ku ishte shkruar me gërma kapitale: ZYRA E VULËS.
***
Vinin tërë qytetarët që kishin nevojë për Vulën. Ishte vulë që lëshohej vetëm aty.
“Të vësh vulën, kjo është puna jote.”, i tha vetes njeriu i zyrës, kur u ndodh i vetëm.
“Për kaq gjë do marr lekun e shtetit unë?!”, mërmëriti nëpunësi që po merrte formë tjetër dhe përmasë të papritur brenda tij.
“Pse, të duket pak…?!”, nënqeshi njeriu nëpunësin.
Tërë jetën, Evret Dimri do t’i ndjehej borxh asaj pjese të vetes që kishte thënë: “…pse, te duket pak ty?!” Pas kësaj kishte nisur tërë lëvizja. Si rrëshqitja e pabujshme e një ane mali që nuk do të reshtëte më. Kollajshmërinë e fillimit, ngutjen për një sportel fare të zakonshëm në pjesën e pasme të ndërtesës, pak më vonë ndarjen e aneksit prej pjesës ku punonin edhe të tjerët, dalja si zyrë më vehte, e tëra kjo kishte lindur si një sipërmarrje thuajse naive.
I mbante mend të gjitha, por më kthjellët se çdo gjë kujtonte njeriun e parë që erdhi për tek sporteli. Evret Dimri e kishte vënë re që atje tej. I bëri një shenjë për ta siguruar se pikërisht kjo ishte zyra që i duhej atij dhe ku ai ishte i mirëseardhur.
“Ju i hidhni vulat?”, kërkoi të sigurohej tjetri.
“Mua ma besuan këtë punë, ju zgjidhni hallin tuaj, por edhe shteti ka leverdi.
I mëshoi vulës mbi formularët dhe ia ktheu tjetrit, duke përcjellë edhe kënaqësinë e tij për punën e kryer. “Eja përsëri, sa herë të duhet vula!”
Tjetri e vështroi i befasuar. Dhe, për pak, mbeti aty, tek kuadrati i sportelit.
Kush e di nga cili cep i shtetit kishte ardhur, i gjori, ç’sorollatje i kishin ndodhur, që hezitoi të largohej. Mbase gruaja e pati kujtuar të merrte diçka më shumë në kuletë. Për vulat, kush e di, duhej dhënë diçka.
Nëpunësi brenda këtij sporteli nuk i dha asnjë shenjë se priste diçka prej punëmbaruarit, që mbase e shtyri ta falenderonte nëpunësin përtej kuadratit edhe për këtë.
“Mos e thuaj atë fjalë…Faleminderit duhe të themi ne, kur e shohim njeriun që vjen e kërkon vulën e shtetit për të rregulluar punët e tij…”
“Megjithatë faleminderit… S’jemi mësuar kështu ne…”
Nëpunësit të Zyrës së Vulës i kujtohej mirë, i pari i të ardhurve për vulë ishte larguar fillimisht duke ecur mbrapsht, përkulur pak në supet, pastaj disa hapa brinjazi, duke vazhduar të pëshpëriste falenderjen, gjersa atje tej, ku ishte i sigurt se kishte humbur madhësinë për t’u perceptuar ende prej syrit të nëpunësit në sportel.
Kush e di ç’kish shtuar e zbukuruar në përshkrimin e tij prej njeriu të ngazëllyer vulëmarrësi i parë, përderisa vetem pak çaste apo pak orë më pas, dhe më shumë ditën e javën tjetër, radha përpara sportelit nisi të zgjatej gjer përtej sheshit.
Nëpunësi thjesht vinte vulën në shkresat që i zgjateshin, duke vënë re ngutin, ndjesinë e pritjes dhe pastaj lehtësimin, tek fytyrat e atyre që shfaqeshin për pak minuta në kuadratin e sportelit, por ndërkaq provonte edhe ëndjen e fjalosjes me veten. Shkresat që i viheshin përpara ngjanin si copa letrash pa vlerë, deri në momentin kur arrinin sportelin. Sapo ai ngrinte dorën për të vënë Vulën, ato nisnin e tjetërsoheshin, merrnin vlerë, sikur u binte një nur tjetër apo u ngrihej vlera në bursën e ditës. A thua prej kur bukuroheshin me vulën në krye të tyre, mbarësia e ligjit u bëhej dritë dhe u hapte rrugë. Njerëzit e shkretë, i dërgonin shkresat me Vulë atje ku duhej dhe hallet zinin e ç’kokolepseshin.
Evret Dimri bënte shaka kur paralajmëronte mbarësi e fat në vënien e vulës, por pas një farë kohe ndjente se vërtetë po bindej për këtë.
***
Ditët kur ai e hidhte vulën lehtë e lehtë, sikur fluturonin. Vula në duart e tij sikur po bëhej më e rëndë. Filloi t’i shqyrtonte të shkruarat, në fund të të cilave kërkohej të vihej vula. Ishte më mirë kështu. Njerëzit vinin për të ikur, kjo dihej, por nëse nuk do të harxhonin pak kohë për të marrë Vulën, për ç’dreq tjetër ia vlente koha e tyre. Në të vërtetë ishte vetë ai që e mendoi vonesën. Ata që shfaqeshin tek sporteli ndjeheshin të kënaqur që aty do të mbaronin punë.
Thyerja, vramendja se në procesin e vulëhedhjes mund të ndryshonte diçka, ndodhi një ditë kur dikush prej vulëmarrësve, jo vetëm nuk po shqitej nga sporteli por e tronditi me këmbënguljen e tij për t’i lënë doemos një dhuratë.
“Këtë vulë, që ti e lëshon aq lehtë…nuk ka çmim ta paguaj. Ndokush tjetër, do dinte ta përdorte ndryshe, këtë fat…!”
Jo se nuk e kishte menduar edhe vetë këtë gjë, o diçka të përafërt me të, por fjala e tjetrit e ndezi së brendshmi. E mbylli me vërtik sportelin prej brenda dhe pështeti kryet mes pëllëmbëve të duarve. Le të prisnin ca, ata atje jashtë…
Ata jashtë pritën, pa u ndjerë, pa dhënë asnjë shenjë se ishin atje. ai ndenji një copë herë, mbase disa orë, por edhe sikur të kishte heshtur për disa ditë rresht, aty do t’i gjente, kur ta rihapte kanatin e sportelit…
Evret Dimri nisi t’i bënte gjërat më ngadalë e më shtruar. Shkresat mes gishtave te tij sikur po merrnin vërtetë peshë dhe njerëzve po u duhej të prisnin më gjatë në sportel. Erdhi një ditë kur për të mbaruar punë në sportelin e tij duhej të dilje nga shtëpia qysh në pikë të mëngjezit dhe, pak javë më vonë, duhet të gdhiheshe në radhën e gjatë. Ndodhte të duhej të mbaje rradhën për ditë të tëra. Në fund të fundit ishte Vulë…
“Për atë shkresë” duhet thënë, jo “për atë besë”, ngriti një ditë zërin.
E folura e Evret Dimrit u dëgjua në tërë ndërtesën. Më tej akoma, rreth e qark atsaj ngrehine që sikur u shndërrua në moment në një Pallat të Madh ku fillonte rregulli dhe Ligji që u kishte munguar njerëzve.
Nuk e kishte menduar më parë se ta nxirrte prej dhëmbëve. Thënia i erdhi natyrshëm, si tërë rëndomtësitë që shoqërojnë punët e njeriut dhe ata që e dëgjuan nisën të qeshnin mendueshëm. I dhanë të drejtë.
E the bukur, i thanë.
E tha vërtetë bukur, u thanë të tjerëve që takuan në rrugët e jetët e tyre. Nisën ta përdornin e ta përsërisnin gjithnjë e më shumë njerëz.
Ishte lajm që, të tjerë, si mirënjohje dhe intimitet, ia sollën edhe atij.
Në fillim u gëzua, pastaj u bind se thënia që lidhte besën me shkresën po merrte gjithnjë e më shumë vlerë reale. Përdorimi i saj u rrit, gjersa dikush e shkroi me të kuqe në një rrip të gjatë të bardhë bezeje. E vunë si parrullë, në murin e jashtëm të ndërtesës, mbi sportelin e zyrës së vulës, ku tashmë shërbenin edhe të tjerë, si ndihmës të tij.
Të arrije në sportel tashmë s’ishte kollaj, ishte mundim i madh duhet thënë, por nuk se mbyllej me aq. Në çastin kur arrije ta shfaqje fytyrën në kuadratin e sportelit, përballë asaj të nëpunësit të Zyrës së Vulës, duhej të paraqisje prova të tjera. A ishte i rregullt dokumenti? Nga cila zyrë dhe pse ishte lëshuar shkresa? Sa më shpejt duhej shërbyer, Evret Dimri nuk mënonte dhe ndihmësit i rrinin më këmbë, por që dora e tij të hidhte vulën, duhej mbushur më parë mendja e tij. U përgatit një pyetsor i hollësishëm të cilin duhet ta plotësoje aty, në vend. Le të ishe i lodhur nga radha e gjatë, le të bezdiseshin ata pas teje në radhë dhe të kandiseshin gjer në të shtyra e grindje me njeri tjetrin, për të arritur sportelin. Të merrje Vulën s’ishte një fjalë goje.
***
Evret Dimrit i kujtohet, aq më furishëm, njeriu i parë të cilit i vonoi dhënien e vulës.
Diku, kishte thënë për të se në fund të fundit “një copë vulaxhiu” ishte. Por tashmë ishte kapërcyer. Me qetësi, si edhe më parë i sjellshëm, pasi e pyeti përfolësin për shëndetin e fëmijëve dhe punët e stinës, ia ktheu shkresat, për rishikim.
Ka nevojë të plotësohen, i tha atij.
Nuk u kujtua t’i jepte asnjë hollësi më shumë. Tjetri mbase e mendoi shkakun e vonesës, por s’guxoi të pyeste se çfarë duhej të plotësonte në formularët e tij.
“Një copë vulë është kjo që hedh unë, por ajo letra që sjellë ti, për të merituar vulën e shtetit, duhet të bëhet shkresë më parë, apo jo…”
Tjetri e la radhën i djersitur, i lodhur, i tronditur. Pse vallë…e ktheu? Pse duhet të llapte? Ia kishin sjellë përfoljen…Kush?
Nëpunësi i Vulës e përcolli me sy, gjersa i refuzuari përshkoi sheshin. Vetëm pastaj vazhdoi me shkresat e tjetrit në radhë.
Sy e gojë të tjera, treguan më pas se prej atij momenti vulëvonuari ishte parë me dyshim. Në lokalin afër shtëpisë nuk i kish bërë kush shoqëri. Disa gota alkohooli i kishte kthyer vetëm fare. Të nesërmen nuk e panë të dilte në rrugë. Të pasnesërmen e njoftuan se vulëhumburit i ishte shkurtuar vendi i punës. Thjesht se nuk kishte mundur të mirrte Vulën e Shtetit të Tij.
“Paskam diçka në dorë!” mendoi i gëzuar Evret Dimri. “Kësaj bote nuk iu dalka vetëm me të mirë…”
Në ditët më pas ndodhi të kthente, për plotësim dokumentash, edhe njerëz të tjerë. Nuk shtoi, as zbukuroi, kur i pohoi vetes se kishte filluar të ndjente një lloj kënaqësie teksa në fytyrat e vulëvonuarve shfaqej një lloj trishtimi i thellë, një si lodhje bërtitëse por deri në fund e heshtur. Për shkak të shtyrjes së datës së lëshimit të vulës, kish njerëz që humbën jo vetëm shanse të mira pune e trashëgimi pasurie, por fëmijëve të dikujt nuk u dhanë as të drejtën për të vazhduar shkollat e larta. Një tjetri i ishte shtyrë dita e dasmës, gjë që u interpretua si paralajmërim për fatkeqësi që do ta shoqëronin çiftin tërë jetën e jetës, edhe nëse do arrinin ta bënin dasmën.
Njëherësh me kënaqësinë që buroi e hovi prej brenda tij, dëgjoi se nisën të flisnin gjithnjë e më shumë për të. Sidomos kur bëheshin shumë vetë bashkë, ishte e sigurt që lëvdonin dhe betoheshin për të.
Kështu po, kështu ka lezet, ngazëllehej Evret Dimri. Nuk është pak të të mburrin shumë njerëz njëkohësisht. Vazhdoi të ruante humor të mirë, madje bëhej edhe më i këndshëm, kur i tregonin se sapo njerëzit ndaheshin nga njeri tjetri, disa prej tyre bëheshin dy e nga dy apo mbeteshin fare vetëm, dhe nisin e shanin. Ndokush edhe të mallkon, i thanë. Kjo është mrekullia vetë, shtonte aty për aty Evret Dimri. Mallkimi i njerëzve, është shenjë e dobësisë së tyre…
Nuk do ta harronte kurrë njeriun e parë të cilit ia refuzoi dhënien e Vulës së Shtetit.
“Nuk ke për ta marrë…”, i tha.
Tjetri, matanë sportelit, kishte mbetur i ngrirë: “Ka ndonjë gjë që nuk shkon aty? Duhet të plotësoj…apo të shtoj diçka?”
“Nuk do të mundësh dot t’i plotësosh, kurrë…”
Tjetri përballë sportelit sikur humbi edhe gojën. Buzët provuan përsëri e përsëri, pa mundur as të belbëzonin. Vetëm dora arriti të ngrihej paksa, aty te syprina e dërrasës së lëmuar të sportelit ku ishte mbështetur, por ra në çastin tjetër si lëvizje e fundit e të gjallit.
“Po ky është hall i madh. Pa vulën e shtetit, tani nuk shkohet gjëkund. Jemi njerëz, o njeri… Nuk më thua dot, ç’të bëj, a ku ta kërkoj tjetër vulën?”
“Sa të jem unë në këtë sportel, s’ke për të marrë vulë të këtij shteti!”
Tjetri mund të shndërrohej në tym në momentin tjetër, por edhe vetë nëpunësi ndjehej tjetërgjë teksa i bëhej se dëgjonte jehonën e asaj që sapo kishte artikuluar. Kishte folur në emër të Shtetit…për herë të parë. Dhe, për më tepër, pas kësaj nuk ishte kundërshtuar…
Njeriu të cilit sapo i ishte hequr e drejta për të marrë vulën e shtetit, u largua i përkulur më dysh, për shkak të barrës së rëndë që sapo i kishin hedhur në shpinë. Dukej që atje tej, i pashpresë, i përfolur, i përtallur, kot sa do rronte nëse do ia dilte pa Vulë, kot sa kthehej në shtëpinë e tij nëse do arrinte atje perpara se të mbrrinte lajmi se s’do ta kishte kurrë vulën, lajm që mund të mos ja hapte më as derën e shtëpisë së tij. Por edhe më të mjerë akoma do fillonin të ndjeheshin ata që e prisnin, që megjithatë mund t’ja hapnin derën se e kishin baba, burrë, apo e dinin zot shtëpie. Refuzimi i Vulës prej nëpunësit të Zyrës së Vulës tingëllonte si pamundësi për të ëndërruar, kurse mënyra e refuzimit ishte thuajse ç’mendëse…
Vet-me-vete, vjedhurazi edhe prej vetes, vulëhumburi guxoi të mendonte disi më ndryshe. Thjesht hamendësoi duke ripërtypur një-pas-një fjalët e betimit rrënqethës të nëpunësit. “Sa të jem unë në këtë sportel…” Sipas kësaj logjike, i mbetej të priste heqjen e këtij nëpunësi, zëvendësimin prej një vulëdhënësi tjetër, ose vdekjen e atij…ose…ose vetë shteti i kësaj vule, shteti që po i shfaqej si i njeriut të kësaj vule të refuzuar përgjithnjë…s’duhej të ishte ky shtet që ishte…
O gjëmë e madhe! Ishte i tmerruar nga idea se kishte shkuar ndërmend ndryshimin e shtetit, vetëm e vetëm për të përfituar të drejtën e vulës…Po sikur edhe mendimet të vileshin në një farëlloj mënyre, dhe të shkonin brenda sportelit të Zyrës së Vulës?
“Mirë është të dihet edhe për njerëzit që provojnë të bëjnë pa vulën e shtetit…”, tha një ditë më vonë nëpunësi i Vulës.
Ia tha këto fjalë rojes së zyrës vulës, kryerojës, në të vërtetë. Se ishte një trumbë e tërë njerëzish që punonin për të tashmë. Zyra e Vulës jo veç kishte përfshirë zyrat e atij kati, aneks i të cilit kishte qenë dikur, por aty vuloseshin edhe tërë shkresat e vendimet e zyrave të tjera të asaj ndërtese.
“E kemi menduar edhe këtë, shef…”, e qetësoi në çast kryeroja. “Kemi hapur dosje të posaçme për secilin. Edhe për ata që vetëm sa u vonohet vula, kemi mbledhur informacione…”
***
Evret Dimri i harronte fytyrat e njerëzve, sapo largoheshin prej sportelit. Me kalimin e viteve, i harronte në të njëjtën mënyrë ata që iknin pa marrë vulën, njëlloj si ata që e merrnin atë. Nuk kam kohë, as fuqi e as nerva, të gëzohem a të trishtohem me gëzimet dhe hallet e tyre, thoshte. Nuk është detyra ime, në fund të fundit. Unë vë vula. Nuk jam dezhurni i Maternitetit, as defteri i Zyrës së Funeraleve apo regjistri i Gjendjes Civile…
Jam si vula, i njëllojtë për të gjithë. Si shkresa jam, kur ka vulën në fund!
Dikur ndjeu se nuk shqetësohej më kur nuk shprehej në formën “nuk ta hedh dot Vulën e Shtetit”. I vinte më për mbarë kur përdorte trajtën “nuk e merr dot vulën time ti…”
Natyrshëm nisi të besonte se ishte pjesa e gjallë, dominuesja, e pashmangshmja në procesin e vulëdhënies. Nuk iu duk tepër, teksa ndjeu se besonte: pa të s’kishte as kuptim, jo vetëm që s’ishte e mundur, dhënia e Vulës. Prej sportelit të tij tashmë nuk pritej thjesht vënia e vulës, si kohëve të para. Tërë zyrat e tjera, edhe pse ishin më sipër, ishin vënë në punë në funksion të Zyrës së Vulës. Madje askush nuk u befasua kur ishte ndryshuar edhe emërtimi i saj. Në tabelën sipër sportelit lexohej ZYRA E VULËS SË SHTETIT.
***
Një mëngjez nuk u ndje mirë. Vendosi të mos shkonte në zurë. Le të bënin një ditë pa vula. U ngrit nga shtrati i telekosur, por arriti të dilte në ballkon. Hodhi vështrimin për nga ndërtesa ku ishte zyra e vulës, dhe sesi u ndje kur pa se njerëzit si në radhë për të marrë vulën, kishin ardhur deri pranë shtëpisë së tij. pyeti dhe i bën të ditur se nuk kërkonin vulën.
“Duam të dijmë shëndetin e tij. Të jetë mirë Evret Dimri…Vula është…”
Paskësaj, fare natyrshëm ai mendoi se sikur të mos ishte ai, edhe vula edhe vetë shteti nuk do të ishin ata që ishin. Caktoi një nëpunës tjetër për pritjen e njerëzve që kërkonin vulë. Ky nëpunës, nga ana e tij, kishte një ndihmës të parë për të seleksionuar e ndarë kërkesat për vula afatshkurtëra dhe afatgjata, dhe një ndihmës të dytë, që merrej me plotësimin e fletëanketës, pyetjet për të cilën ishin shtuar e nënshkruar prej dora vetë Evret Dimrit dhe po përfshinin gjithnjë e më shumë hollësi të lloj-llojshme.
Në ditët më pas, ashtu siç priste, numri i njerëzve në radhën për vulë u shtua edhe më shpejt. Ai po bindej se njerëzit nuk mund të bënin pa të, njerëzit prisnin për të. Për vulën e tij. Ai mund t’i gëzonte, po ai kishte në dorë t’i mërziste. Ai mund t’u nxinte jetën.
Rrinte orë të tëra, i mrekulluar, duke dëgjuar bisedat e tyre, të rregjistruara pa dijeninë e tyre, në orët e gjata të pritjes për vulën e tij. Njerëzit që kishin rezerva për të i adresonte për tek nëpunësi tjetër dhe ndihmësit e tij. Le të vendosnin ata për fatin e përfolësve të tij. Kjo lojë maca-minjsh i shkaktonte humor të mirë. Dikur kishte ardhur një kohë kur ai e dinte që ata e dinin se ai i mirrte vesh të gjitha ç’thoshin për të. Evret Dimri i turbullonte edhe më, kur ia kthente dokumentat ndokujt që e kishte mburrur e lëvduar me të madhe dhe ia ofronte shpejt e shpejt vulën dikujt që e kishte marrë nëpërgojë! Merrte dhènë fjala se për Evret Dimrin ishin njëlloj të gjithë. Ata që e donin dhe ata që s’e donin. Ai i ndëshkonte të gjithë. Ishte e kotë t’i fshiheshe, ishte e pamundur të shtireshe ndaj tij. Më e mira ishte të mos flisje fare për të. T’i bindeshe në heshtje vulës së tij. Kaq. Më e mira e të mirave ishte të mos kishe të bëje fare me të, por ishte e pamundur të bëje pa vulën e shtetit. Dhe vulën e këtij shteti e jepte ose nuk e jepte ai…
Pohimit se publikisht e donin njëlloj të gjithë, për të ishte njëlloj sikur e urrenin njëlloj të gjithë. Pikërisht kur arriti pa asnjë shqetësim në këtë përfundim, u bind se Zyra ku hidhte Vulën ishte vetë Shteti.
Ngaqë pa vulë nuk bëhej asgjë, të gjithë e mendonin ditën kur u duhej të shfaqeshin përpara sportelit të tij. Prej tij do t’u vinte e mira dhe e keqja, kjo nuk vihej në dyshim. Ata që gëzoheshin duhet t’i ishin mirënjohës, teksa të tjerët, që u binte rasti të vuanin vonesën, shtyrjen, refuzimin, do të bindeshin se vetëm prej Vulës së Tij mund t’i shpëtonin së keqes që i kishte zënë. Nuk merrej vesh ku mbaronte respekti dhe ku fillonte urrejtja për Evret Dimrin.
Ngaqë ndodh kështu, jam vula vetë, mendonte.
I bindur tashmë se ishte fati i të gjithëve. Vulës i binden, edhe kur nuk e duan.
Netëve, kur trupi prehej, truri sikur rrekej ta provokonte. Vetëtinte nga ide të çuditëshme. I ofronte trupit mundësinë të merrte formën e cilindrit që rrihte e godiste papushim, vertikalisht. Në bazën e poshtme të tij, tek këmbët të bashkuara në një, ishte fiksuar vula që stampohej mbi shkresa, çeqe, trupa e gjymtyrë njerëzish të tjerë, madje edhe mbi trurin dhe zemrat e tyre. Turma e njerëzve atje poshtë duartrokiste dhe qeshte. Qeshte dhe lotonte. Pastaj binin të gjithë përmbys dhe trupi i tij cilindrik rrihte si tokmak mbi ta. Dhe i vuloste. Vetëm pas shenjoheshin me vulën e tij, nisnin të punonin zemrat, truri, trupat e tyre.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faruk Myrtaj, nepunes, për Zyrën e Vulës, Tregim

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT