(SPROVË MBI POEZINË “ZONJA LU” TË ALI ASLLANIT)
Sadik Bejko
1. Një zonjë e bukur e viteve 1930
Poeti këtë poezi e botoi për herë të parë në vitet ’60 tek përmbledhja me poezi “Vidi, vidi pëllumbeshë”. Nuk e ribotoi prapë te përmbledhja e mëpasshme “Kur merr zjarr rufeja”, Tiranë 1966. Përse? Edhe në ato vite të quajtura të socializmit, një poezi e të vërtetave të tilla nuk duhet të merrej seriozisht. Mund të pranohej si poezi humoristike, si tallje me një grua të pacipë, për më tepër ajo trajtonte ngjarje që kishin ndodhur diku prapa botës, në Kinën e së shkuarës. Kështu nën velin e shakasë dhe të asgjëje më shumë, poezia “Zonja Lu” edhe kur botohej, duhet të mbetej në hije, të kalonte në heshtje,. Kjo arrihej me dashjen e autorit të saj, që shkruante e nuk botonte në kohë, por më shumë “me dashjen” e shoqërisë sonë që nuk kishte stomak t’i gëlltiste të vërtetat e saj të hidhura, të vërtetat mbi njeriun dhe mbi vetveten.
Parë nga mendësitë e së sotmes, nga relativizmi ynë deri në shprishje i marrëdhënieve tradicionale martesore, kjo poezi nuk sjell gjë të re. Por poezia është shkruar në vitet ’30, atëherë kur thuhej se gruaja shqiptare martohej vetëm një herë: me burrin dhe pastaj (për herë të dytë) me qivurin. Mbase për këtë arsye autori është treguar i kujdesshëm; ngjarje që mund të kenë ndodhur përpara syve të tij, i ka çuar në Kinën e largët, në një hapësirë e në një kohë të papërcaktuar, vetëm të marrë me mend.
Nga biografët e poetit ka të dhëna se prototipi real i Zonjës Lu, një e ve me emrin e vërtetë Lulushe K. a Lulëzime, ka qenë një zonjëz që bënte pjesë në rrethin e afërt familjar të vetë autorit. Ishte e re dhe vërtet e bukur: “Iu afrova… një flori, mrekulli, një bukuri”.
Subjekti i kësaj poezie është si më poshtë. Poeti i madh kinez Lu dhe e shoqja e tij duheshin shumë. Dashuria e tyre e kishte kaluar provën e jetës. Po prova më e fundme, vdekja e njërit nga bashkëshortët, ç’mund të sjellë? Përkundër betimeve të gruas, që në rast vdekjeje të të shoqit, ajo do të vriste veten, apo do të mbetej e ve për tërë jetën, poeti Lu i kërkon së shoqes që ajo t’i mbetet besnike deri në ditën që do të thahet balta përsipër varrit të tij. “Vetëm prit e ki durim, sa të thahet varri im”. Poeti Lu vdes. Zonja Lu tenton të vetëvritet, por e ndalojnë. Pas kësaj ajo e ndan mendjen që të mbetej një e ve e devotshme për tërë jetën.
2. Sa t ‘më thahet balta e varrit
Dhe këtu fillon poezia. Vihet re diçka e pazakontë. Gruaja e ve, Zonja Lu, fillon të shkojë shpesh e më shpesh te varri i burrit të vdekur. Të gjallët shkojnë te të vdekurit, te varret e të afërmve të tyre për të bërë ritet, pra në ditë të caktuara, ose shkojnë kur e ndiejnë që i shtyn për atje një nevojë e brendshme e shpjegueshme a e pashpjegueshme. Në rastin e parë, shkohet në varreza për të respektuar kujtimin e të vdekurit, për të zbrazur lotët e dhembjes, në rastin e dytë, njerëzit shkojnë atje për veten e tyre, shkojnë në varreza nga që nuk i kanë punët mirë përbrenda vetes.
Zonja Lu i shpeshton vizitat në varreza, por jo vetëm kaq: ajo atje i bënte veri varrit të burrit. I bënte fresk me erashkë. “Që t’i bësh veri një varri, është punë e një të marri” vëren autori. Mos është marrosur Zonja Lu? “Dorë e saja vente vinte, bën veri e bën veri”.
Zonjën Lu nuk e shqetëson më kujtimi a respektimi i të vdekurit, varri është problemi i saj tani. “Varri është i freskët, është i njomë e është i ri”. “Që të thahet shpejt e shpejt, Zonja Lu i bën veri”. Zonja Lu cdo ditë bën një punë prej të marri: e përkulur mbi varr, rreh të thajë baltën e njomë të tij.
Çfarë ka ndodhur? Dy ditë pas vdekjes së burrit, ndërsa ajo shkonte në varreza për të qarë, një burrë i ri dhe i pashëm shpejt ia prishi mendjen:
Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh, një bukurrosh
e i thotë zonjës Lu: ti shëndosh e un’ shëndosh!
Zonjës Lu kjo e papritur i bie në kokë. Sa më shpejt duhet të hidhet në krahët e këtij burri të ri. Ajo është nga ato gratë e vendosura që i arrijnë dëshirat, që veprojnë t’i realizojnë ato.
I duhet që të shmangë vetëm mbetjen peng te një fjalë e dhënë burrit të saj të vdekur. “… zonja ësht’ besnike, ka dhën’ fjalën, ka bërë bé”. Burrit që vdiq, poetit Lu, ajo i ka premtuar se do të mbetet e ve, përjetë, ose, së paku, do të jetë e tillë deri sa atij t’i thahet balta e varrit. Ky është kushti që i ka vënë poeti i madh Lu. “…Luja ime, është e shkurtër jetë e shkret \ vetëm prit e ki durim, sa të thahet varri im”.
Ky është një detyrim. Zonja Lu ka përpara një varr të freskët, një tog me baltë të njomë, që duhet ta thajë. Asgjë më shumë.
Në vend që ta lajë me lotë të nxehtë, do që ta thajë me një erashkë baltën e njomë para saj.
Fillimisht të ndalemi te idioma “ të bësh veri” që do të thotë të bësh fresk kur je në vapë, ose të thash diçka që është e njomë, e lagur, siç thajmë flokët me tharëse. Idioma tjetër, prit sa të më thahet varri, është pak më e komplikuar. Poeti Lu e dinte se po të vdiste në muajt e verës, varri pas dy ditësh do të ishte i tharë. Po të vdiste në muajt me lagështi, duhet të pritej deri sa të kthehej dielli, që balta e varrit të thahej vetiu. Idioma “sa të më thahet varri”, do të thotë, më prit një periudhë kohore që zgjat sa një stinë, prit sa të thahet kujtimi im jo balta ime, dmth sa të harrohet vdekja ime. Kjo mund të nënkuptonte dhe një vit kohë, dhe disa vjet. Ky kusht “kinez” ngjan me një kurth. “Sa të më thahet varri” nuk ka të bëjë me baltën. Kushti kërkon atë kohë të mjaftueshme, atë largësi të respektueshme nga kujtimi i dikujt që e kemi patur ndër njerëzit tanë më të dashur.
Te tragjedia Hamlet e Shekspirit, hasim në shpërthime dramatike për atë që sa pa u ftohur gjellët funerale të vdekjes së mbretit, u shtruan gjellët e festës së martesës së gruas së tij Gertrudës, mbretëreshës së Danimarkës me kunatin e saj. “Se oh, se oh, u shua, \ i drunjti kalë u harrua”, shpërthen në sarkazmë Hamleti. Nuk paskemi pasur një mbret të vdekur, po një kalë të drunjtë që u thye dhe shpejt e flakim tutje, pa asnjë lëndim.
Ali Asllani, butë, pa lëndime në dukje, na përcjell me nota humori, jo një mbretëreshë, po një grua të bukur, që nuk do të mbetet e ve, që po kapërcen mbi vdekjen e të shoqit për gëzimet që i premton tashmë një burrë tjetër.
3. Një grua e vogël, një njeri i rendit të tretë?
Në estetikën klasiciste por edhe në mendimin kritik të mëvonshëm deri te Tolstoi, përflitej termi “njeriu i vogël”, “njeriu i rendit të tretë”. Tragjikja, sublimja, e madhërishmja u përkisnin njerëzve të rendeve të larta. Njeriut të rendit të tretë i përkiste komikja, e shëmtuara, e ulta. Më tej realizmi, si drejtim artistik, zbuloi tragjiken dhe te njeriu i rendit të tretë.
Mos vallë zonja Lu bën pjesë te ky “njeriu i vogël”? Një zonjë që nuk është e denjë për tragjedi.
Hanko Halla e poemës me të njëjtin titull është tragjike e njëherësh komike, por kryesisht tragjike; ajo vuan e mbetet peng në moskuptimet e kohëve dhe të brezave. Zonja Lu nuk është as tragjike, as komike. Ajo është një grua e mbushur me dashuri dhe me përkëdheli të ëmbla. Duke qenë e bukur dhe nga një shtresë e mirë shoqërore, atë jeta e ka përkëdhelur. Vdekja e papritur e burrit të saj, një “Poet i madh i vendit, \ që peshohej këngë e tija me dërheme të ergjendit”, fillimisht e vë në situatën dramatike të vetëvrasjes. Por shpejt ajo e merr veten. Përballë sheh një tog me baltë, të cilin duhet ta thajë, për të ecur më tej me një martesë të re, të njomë mbi thatësirën e botës tokësore. Poezia sjell ndjenja, gjendje, të ngjara tokësore. Vdekjet si çdo gjë tjetër, përsëriten dhe lënë një varr prapa tyre. Ata që mbesin gjallë, vazhdojnë jetën. I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurit. Vetëm kaq.
Zonja Lu, gruaja që i bën fresk me erashkë varrit të burrit të vdekur, është një nga imazhet më të rralla në krejt poezinë shqipe.
Si poezi me subjekt, me personazh qendror një grua, me situata që shtjellohen gjatë rrëfimit poetik, me një notë humori që ashpërsohet e ngjyroset me tonet e së errëtës, Zonja Lu disi afrohet me poemën “Hanko Halla”, kryeveprën e autorit.
Cili është faji i kësaj gruaje që satirizohet në poezi? Ali Asllani e paraqet atë si një grua pak lozonjare, por ai nuk moralizon. Heroina e tij tundohet nga një djalë i bukur dhe do që ai të zërë vendin e të vdekurit në shtratin e saj. Nuk bëhet fjalë për dashuri. Bëhet fjalë për joshje të ndërsjellë, për premtime të ëmbla, për shijimin e së hijshmes. “Ti e un’ një çift i ëmbël, çift i ëmbël, çift me shije, \ çift o çift që s’ka të dytë, si dy kokërrza qershije”, këto i thotë djaloshi. Zonja Lu si një fëmijë nuk pret sa t’i shijojë… “kokrrat e qershisë”.
Nuk besoj se këto që ndien zonja Lu janë të fajshme. As autori nuk e thotë. Autoi vetëm habitet, por me shumë elegancë gati sa nuk thotë që i pëlqen kjo që i del para syve: një mrekulli, një bukuri, një grua e gjallë, vitale.
Sado heshti buzë e kuqe, foli syri i saj i zi… \ dorë e saja s’kish të lodhur: bën veri e bën veri
Zonja Lu “gaboi” vetëm kur e mori fjalë për fjalë “tharjen e varrit”. Kushti “sa t’më thahet balta e varrit”, në dukje ngjan me një shaka. Po ky kusht kaq i pafaj dhe i parëndësishëm bëhet shtysa më boshtore e krejt poezisë, si në vazhdimin e saj rrëfimor, edhe në zbulimin më të plotë të personazhit. Zoti Lu si burrë dhe si poet e dinte që me vdekjen e njërit nga bashkëshortët, tjetri që mbetet i gjallë, është i zgjidhur nga detyrimet për dashuri dhe për besnikëri. Dashuria, besnikëria janë dukuri të kësaj bote, nuk kanë punë me botën tjetër. Poeti Lu (Ali Asllani) e di se sa të paqëndrueshme janë lidhjet njerëzore. Përmasa e njerëzores i bën ato të tilla: të brishta, të thyeshme.
4. Humor i zi: thahet vallë varri me një erashkë?
Zonja Lu nuk gaboi që u marros pas një tjetri, vetëm dy ditë pasi i vdiq burri. Kjo ishte natyra e saj. Nga të dhënat e biografëve vjen kumti që Lulushe K., zonja Lu e jetës reale, pas një jave nga vdekja i tha së ëmës: pëlqej një burrë tjetër dhe nuk pres sa të martohem me të. Lulushja e Vlorës u martua pas dy-tre muajsh nga vdekja e burrit, pa pyetur për mospëlqimet e njerëzve të afërm. Këta të afërm nuk ia falën, nuk i folën përjetë. Por zonja Lulushe K. iu dha kënaqësive të jetës, i shkeli rregullat e sjelljes së mirë në shoqëri, deri dhe lidhjet me të afërmit e saj.
Ali Asllani e ndëshkoi atë me shkruarjen e kësaj poezie. E vuri me një erashkë në dorë sipër një varri të njomë. Gjë që nuk ka ndodhur, por si situatë tragjikomike e fantazuar është e një forcë artistike të pashoqe. Njëherësh duke ndjerë keqardhje për të, ai e fshehu këtë poezi në sirtar, sikur të ndruhej nga publikimi i saj. Mbase e botoi kur prototipi i zonjës Lu, nuk ishte më në jetë. Nuk ishin më as familjarët e tjerë që mund të fyheshin. Nuk i shkonte një zotërie si ai, që me një poezi të tillë, të lëndonte kujtimin e të afërmve, kujtimin e heroinës së tij.
Patriarkalizmi i kohës së Hanko Hallës në vitet ’30 po shthurej, por jo deri në atë masë sa shoqëria e asaj kohe t’i pranonte ashiqare e me plot gojën shkëputjet me të kaluarën. Shoqëria e mirë kërkonte respektimin e klisheve zakonore.
Megjithatë autori nuk i fsheh te vertetat; na ka vënë përballë një zonjë Lu të papërmbajtur, që nuk pret sa të hidhet në krahët e të gjallit. Një zonjë Lu që përtej betimeve shtijanike dhe veprimeve sa për sy e faqe, i vihet punës që ta thajë varrin me pahir. Poezia e stërzmadhon gjer në sarkazmë, gjer në një situatë të humorit të zi gjestin e Zonjës Lu. Thahet varri me një erashkë?
Me kë tallet kësisoj kjo poezi? Me patriarkalizmin? Me zonjën Lu? Me natyrën e njeriut? Me fatkeqësinë e vdekjes që e vë njeriun para provave të tilla, sa ai zbulon lakuriq vetveten? Mos vallë tallet dhe me varrin që e përdhosin me tharjen dhunshëm të baltës së tij, në vend që të bënin të kundërtën, ta ngrohnin me shiun e lotëve. Mos po përdhosim vdekjen, atë që duhet ta respektojmë? Mbase autori tallet nga pak me të gjitha këto më lart.
Imazhi është vërtet çmeritës: një grua që gjasme qan burrin, po që nuk I pritet as sa t’i thahet varri.
Histori të tilla ishin të rënda për t’u thënë me zë të lartë edhe deri tani vonë.
Mbase autori me këtë poezi na thotë se martesa është një shfaqje konvencionale dhe dashuria në martesë një teatralitet i ndjenjës. Edhe disa nga veprimet e betimet tona janë teatrale. Nuk janë të vërteta. Të vërteta themelore janë jeta, vdekja, gjaku i nxehtë i njeriut dhe dheu i varrit që e mbulon atë. Të tjerat janë relative.
5. Zonja Lu ndër poezi të tjera dashurore të autorit
Zonja Lu zë një vend të veçantë në krejt poezinë e Ali Asllanit. Pasuria e lirikës së tij dashurore na ka zbuluar ndjenjat e së bukurës, të dhimbjes, të përgjërimit e të gëzimit dashuror në një poezi të së lartës, të sublimes e të së përjetshmes. “Zonja Lu” vjen si kontrapunkt i poezive të tjera të dashurisë të autorit, i poezive të përgjërimeve, të përkushtimeve, të lektisjeve, të turbullirave dhe të pështjellimeve shpirtërore, në atë dhënien me mish e me shpirt pas së bukurës. Derisa kjo e bukur është e përkohshme si edhe jeta, pse mos të jemi edhe ne të tillë: përkohësisht të dhemshuruar, të përgjëruar, të nxehtë dhe të turbulluar deri në marramendjen dhe përhumbjen më të thellë të mundshme? Një përkohësi e së përjetshmes. Një e përjetshme e përkohshme e harxhuar dhe kurrë e përmbushur.
Prapë mund të thuhet se zonja Lu është njeriu tjetër, jo njeriu i thellësive të mëdha të lirikës së Ali Asllanit. Zonja Lu është njeriu i vogël, ajo që estetët e dikurshëm e quanin njeriu i rendit të tretë. Te ky njeri lakuriqësitë tona janë të shprehura më ashiqare. Përballë një varri dhe një dashurie të shfaqur, ne tashmë e dimë se kë zgjedhim. Dhe njeriu i rendit të tretë a njeriu i rendit të parë kanë se ç’të gjejnë te kjo Zonja Lu. Kanë seç të gjejnë në veten e tyre: të varrosin sa më parë atë që vdiq, për të përqafuar të gjallin që na premtohet. S’kanë nga t’ia mbajnë.
“…Zonja Lu i bën veri”. Imazhi është konkret, i zhveshur, i prekshëm. Ky imazh përfundimtar na jep të gjithëve një fshikullimë të fortë, një flakërimë, për të na thënë se jemi gati të shkelim jo më mbi premtimet, po dhe mbi varrin, për të arritur synimet e gjakut e të ndjenjave tona. Autori këtu është një realist i ashpër. Humori bëhet i zi dhe cinizmi, sado i butë dhe i fshehur, i zhvesh dhe i hedh tej maskat tona të mjera.
Përshkallëzimi poetik nëpër nyjet e subjektit është degradues dhe çon nga humori përqeshës dhe jo nga dramatika dhe tragjikja.
6. Universaliteti i kumteve
Pjesa e dytë e poezisë shpjegon dhe përgjërimet boshe dashurore të pjesës së parë. Natyra e marrëdhënieve burrë-grua është teatrale, por një teatralitet i luajtur bukur, se njerëzit më tepër se sa ndjenja të thella shprehin imitimin, shkërbimin e ndjenjave të tilla brenda një lidhjeje konvencionale siç është martesa. Zonja Lu është e tillë në Shqipërinë e viteve ’30, në Kinën e lashtë dhe në Shqipërinë e sotme. Poezia kështu merr një përmasë universaliteti dhe thellësie në zbulimin e natyrës njerëzore. Sadoqë Ali Asllani duke i hedhur ngjarjet në Kinë, u mundua t’i fshehë, t’i transferojë gjetkë fajet, kjo ishte, kjo është Shqipëria. Universale në përjetimet e njeriut të saj si kushdo tjetër në botë dhe provinciale në fshehjen e këtij universaliteti. Meskine në hipokrizinë e saj dhe prapë universale në shfaqjet e ndjesive të së njerëzishmes \ të së panjerëzishme, të asaj që quhet jetë.
Ngjan se i biem shumë në qafë Zonjës Lu, përpëlitjeve të saj në marrëdhëniet me martesën, me jetën dhe me vdekjen. Janë përpëlitje dhe hipokrizi që të gjithë i luajmë, ndonëse pa e kuptuar se po i luajmë. Jemi shumë të sinqertë në lojën tonë. Madje fyhemi po të na thuash që luajmë, që nuk jemi realë. Në këtë pikë zonja e bukur dhe e ëmbël Lu është mrekullia vetë. Është më e sinqerta nga të gjithë dhe në mënyrën se si e vizaton autori, është më e pafajshmja. Në çdo moment ajo është vetvetja. Kur betohet se do të vrasë veten, nëse humbet burrin, është e sinqertë. Sapo ndodh vdekja, ajo vërtet merr thikën të vrasë veten. E pengojnë të bëjë vetvrasje dhe aty ajo kujtohet për premtimin e dytë: të mbetet përgjithmonë vejushë. Edhe këtë herë ajo e ka me gjithë mend. I shfaqet një burrë i ri dhe i bukur dhe ajo kujtohet për kushtin e vetëm dhe të vockël: tharjen e varrit. Ashtu bën: duhet të thahet varri, pa të bashkohet me të riun. Ai gjesti i saj që bën veri për të tharë varrin sa më shpejt, nuk është fort i honepsshëm moralisht, por në gjithçka ajo e respekton ish-burrin. Pra, ajo është brenda vetes në të gjitha rastet. Një grua si Zonja Lu vetëm kështu mund të veprojë. Edhe me burrin e ri do të jetë po kaq e sinqertë. Do t’i betohet me gjithë shpirt për dashuri ashtu si burrit të parë. Edhe me një të tretë të mundshëm po e tillë do të jetë. Siç thamë, Ali Asllani nuk moraizon. Ai vetëm e paraqet ashtu si është personazhin e tij.
7. Freskia e gjuhës, e ritmit, e rrëfimit
Edhe në këtë poezi Ali Asllani është poet i përshkrimeve të gjalla dhe shqisore. Disa nga vargjet më mbresëlënëse e shprehin këtë: “Ti e un’ një çift i ëmbël, çift i ëmbël, çift me shije, / çift o çift që s’ka të dytë, si dy kokërrza qershie”. Zonja Lu do të vetëvritet “ta bëjë copa-copa mishtë… me biçakun e fildishtë”.
Përsëritja, krahasimet, rima, ritmi i gjallë dhe fluturues, imazhet goditëse, idiomat nga gjuha e folur, ironia si edhe në këtë poezi, janë nga tiparet më të ngulëta të poetikës së Ali Asllanit.
Poezia “Zonja Lu” krijon një personazh të paharruar. Ajo nuk i arrin lartësitë e poemës “Hanko Halla”, po mbetet ndër poezitë e tij që përherë do të tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës.
Është një zonjë e re që do të thajë, varrin, vdekjen. “… zonja Lu i bën veri, bën veri.”
Me këto fjalë fillon dhe me këtë varg mbyllet poezia “Zonja Lu” e Ali Asllanit.
Shënim: citimet janë nga poezia Zonja Lu, në librin “Vidi vidi pëllumbeshë”, TOENA, Tiranë 1999
See Insights and Ads
Like
Comment
Share