Kosta Nake/
Uitman është poeti më i madh demokrat amerikan, simbol i njeriut me dinjitet dhe shpirt të lirë, trumbetar i vëllazërimit brenda një populli dhe mes popujve, mbështetës i luftrave të popujve për çlirim nga skllavëria ose pushtuesit dhe adhurues i paqes në botë si shprehje e unitetit universal të ngritur mbi ura antitpodesh të shumta. E kam lexuar dikur botimin e parë të këtij vëllimi, një lexim i shpejtë dhe i parakohshëm, që nuk kishte lënë gjurmë përveç titullit, kurse në këtë lexim të dytë e ndjeva madhështinë e poetit dhe të veprës së tij, m’u duk sikur gjeta dhe burimin ku kanë pirë disa nga poetët tanë të shquar. Për të zbuluar themelet e kësaj madhështie i bëra edhe një lexim tjetër të shpejtë për të përforcuar ato që kisha parë dhe për të vëzhguar ato që kisha kaluar nxitimthi. Uitman është poet i apostrofave të fuqishme që të zgjojnë nga letargjia e jetës monotone, ta ngjethin mishin, ta ngrenë moralin, të vënë në lëvizje. Apostrofat janë brumi poetik i patosit ose frymës që i japin vlerë qenies njerëzore. Ato kanë qenë tipar i poezisë së re shqiptare të viteve ’60, kur shoqëria jonë ishte ende nën efektin e idealeve të larta dhe e atmosferës plot shembuj njerëzish idealistë. Shoqëria e sotme pragmatiste, individualiste dhe egoiste i ka hequr poezisë bazamentin e këtyre shpërthimeve të sinqerta dhe përbashkuese dhe apostrofat uitmane e pakëta mund të shkaktojnë habi, e shumta mund ta bëjë për të qeshur një kategori njerëzish që lundrojnë mbi anijet e drogës, të armëve dhe prostitutave.
Shpërthimi i parë apostrofik, që më tepër ka funksionin e nxemjes para vrapimit, ndodh te poezia “Vite të modernëve”:
“Vite të modernëve! Vite të të parriturve,
Horizonti juaj po ngrihet – e shoh tek hapet për drama më madhështore…
Gjithë këto ëndrra ethesh ekstatike, o vite!
Ëndrrat tuaja, o vite, si ma përshkojnë zemrën…
Amerika dhe Europa e rritur po veniten, tërhiqen si hije prapa meje,
E parritura më vigane se kurrë, po marshon, po marshon mbi mua.” (f.45-46)
Shpërthimi i dytë vjen te poezia “Europa”:
“O shpresë e besë!
O mall i patriotëve të arratisur!
O mizëri me zemra të brengosura!
Ktheni sytë nga fitorja dhe niseni prap luftën…
Liri! Të tjerët le ta humbin shpresën në ty.
Po unë kurrë nuk do të dëshpërohem!” (f.62-64)
Si shpërthim i njëpasnjëshëm, liria do të thirret edhe te poezia “Franca”:
“O liri! O shoqja ime!…
O më duket se era e lindjes po na sjell marshimin triumfal kundrejt lirisë.” (f.66)
Poezia “Lotë”, edhe pse e pakët në vargje, ka një ngarkesë të madhe apostrofike:
“O stuhi, që linde, u rrite, e turresh poshtë e lart zallit,
O stuhi, natë e marrë e tmerrshme! O furtunë e tërbuar!
O hije që je ditën aq e hijshme e me sjellje të mira, me fytyrën të qetë e çape të rregullt,
Po natën kur shpëton dhe nuk vë re se ç’ka,
O atëherë ç’oqean i çliruar lotësh! Lotësh! Lotësh!” (f.74)
Te poezia “Rrihni, daulle, rrihni!” grishja duket sikur të rrëmben edhe ty si lexues:
“Rrihni, daulle, rrihni! Bini, bori, bini!
Nga dritaret, nga dyert buçima të futet me forcë, pa mëshirë… Rrihni, daulle, rrihni! Bini, bori, bini!
Mbyteni zhurmën e tregut, mundeni poteren e rrotave të udhës…” (f.99)
Te poema “Kënga e udhës së madhe” apostrofës qëndrore “o udhë e madhe” u shtohen edhe elementë të tjerë që lidhen me të:
“Erë, që më jep frymë për të folur!
Kodrina që më kapni mendimet e shpërndara dhe u jepni trajtë!
Dritë që më mbështjell me gjithë sende me rreze të njëllojtë!
Shtigje me të përpjeta e tatëpjeta në çdo krah të udhës!
Besoj se keni plot gjëra të padukura, sa fort ju dua!” (f.125)
Apostrofa qëndrore është ndërtuar si bashkëbisedim:
“O udhë e madhe, ku udhëtoj, mos po më thua: Mos më lerë?
Mos po më thua: Mos guxo! Po më le, më humbe!”
Mos po më thua: Jam përgatituar, jam sheshuar, nuk më mposhtin, qëndro me mua?
O udhë e popullit! Të përgjigjem: Nuk trembem prej teje, por të dua,
Ti ma shpreh veten time më mirë nga sa mund ta shpreh unë vetë…” (f.126)
Te poema “Kur çeli jargavani vjet në oborr te porta”, apostrofat marrin brumë nga natyra për t’ua gatuar njerëzve:
“O yll vigan që re në perëndim!
O hijet e natës! O natë krye e pikëllimit!
O yll i madh që perëndove! O muzg i zi i zi që na fsheh yllin!
O duar që m’u lidhët! O zemër që m’u bëre copë-copë!
O re mizore që më rrethon e më burgos shpirtin!” (f.150)
“O zë që rrjedh i lirë, i rimë, i dhembshur!
O çlirimtar i egër i shpirtit tim! O këngëtar i mrekullueshëm!” (f.156)
Te poema “Trumbetari misterioz” apostrofa fokusohet te heroi i paralajmëruar:
“Kumbo, trumbetar, lirisht e qartë, po të ndjek…
Kumbo, trumbetar, dhe për sytë e mi të çelur…
Kumbo përsëri, trumbetar, dhe tema jote qoftë,
Ajo që pushton gjithë botën…Dashuria…
Kumbo përsëri, trumbetar, përgjo luftën…
Tani, trumbetar, bjeri këngës sate të fundit,…
Këndomi shpirtit tim, ngjallma shpresën e vdirë,
Forcoma besimin e dobët, jepmë vegimin e së ardhmes,
Më jep përfytyrimin dhe gazin e saj.
O këngë ngazëllimi e lumturie! (f.162-165)
Poema “Kënga e gëzimeve” përbën një nga shpërthimet më të mëdha e më të fuqishme apostrofike që përimton të gjitha gëzimet e jetës dhe fton në ansamblin e tyre elementë materialë dhe shpirtërorë:
“O zëra kafshësh! O shkathtësi dhe balancim i peshqve!
O pika pika shiu të derdhura në këngë!
O dritë dielli, lëvizje të valëve të shprehura në këngë!
O fllad i njomë i kripur…
O lundrim nëpër lumenj!…
O gëzim i shpirtit tim, i pangopur, i shpejtë si vetëtima!…
O shëtitje të këndshme nëpër ara e kodrina!
O fletë e lule gjethesh të rëndomta!…
O gëzime të inxhinierit në lokomotivë…, të kalorësit e kalorëses…,
të zjarrfikësit…, të mundësit…, të oratorit…, të nënës…, të rritjes e përtëritjes…, të luftës me balenat…, të bujkut…, të shokëve…, të ditës së bukur…, të muzikës së ëmbël…, të drekës së begatë…, të shëtitjes vetmore…, të mendimit mbi vdekjen…, të idealit të dashurisë së mirë… (f.181-189)
Të së njëjtës natyrë me këtë poemë janë dhe apostrofat e poezisë “Këngë për të korrat 1867”, por ndryshe nga të tjerat, më solli afër kopshtin poetik të Dritëro Agollit:
“O tokë që s’ke zë, lejomë të flas unë!
O të korrat e vendit tim! O verë me prodhim të pasur
O tokë e murrme pjellore, e mburrisur, dorëhapur pa kufi!
Një vjershë po të thurr e të këndoj.” (f.192)
Poezia “O yll i Francës!” e ka apostrofën të shpallur që në titull dhe ftillohet:
“O yll i zbehtë i rrahur!…
O anije e Francës, e sprapsur e dërmuar!” (f.211-212)
Kryepoema e vëllimit është “Këngë për veten time” që ka gjithçka për të ilustruar stilin dhe vlerat e një poeti, rrjedhimisht ka një inventar të pasur apostrofash:
“Pushtomë, o natë gjizhveshur! Pushtomë, o natë magnetike…
Qesh, o tokë epshore me frymë të freskët,
O dashuri e zjarrtë që s’të shpreh dot me fjalë!..
O erë e shpejtë! O hapësirë e kohë!…
O grimë rini! O elasticitet që përherë e zgjatim!
O burrëri e pjekur, e përmbajtur, që lulëzon e plotë…”
Dhe dy vargje për ta përmbyllur me kopshtin Agollian:
“Tokë! Duket se diçka pret prej meje;/Folë, moj plakarushë, ç’të mungon?” (f.270).
2.
Uitman është arkitekt i enumeracionit, mjeshtëri që bie në sy fund e krye këtij vëllimi poetik dhe karakterizohet jo vetëm nga shumëllojshmëria e leksikut ndërtimor, por edhe nga intesiteti i ndryshëm i përdorimit të vargjeve enumerativë. Kjo veçori stilistike ka patur ndikim të madh në letërsinë botërore, posaçërisht në letërsinë moderne shqiptare, si një mundësi e jashtëzakonshme për të rrokur sa më shumë vend në kohë e hapësirë, por edhe për një përimtim të mjediseve dhe karaktereve, mundësi që mund ta realizojnë me sukses vetëm talentet sipërane.
Enumeracioni nuk është një figurë stilistike e kërkuar, ajo madje mund të jetë si kërkesë e brendshme e përmbajtjes së poezisë siç ndodh te “Falënderje pleqërishte” ku njeriu duket sikur do të bëjë një deklarim, pasi ka mbledhur një ngarkesë të madhe emocionale që ka nevojë të shkarkohet. Përse është ky falenderim? “Për shëndetin, për diellin e amëshuar, për ajrin e rimë,/Për jetën…/ Për kujtimet e paçmuarshme…/ Për gjithë ditët e mia…/Për fjalët e mira, përkëdheljet, dhuratat nga vise të huaja,/Për vatrën, për verën e mishin, për ngjatjetimin që më sjell gëzim…/ Për gjithçka që rron, për dashurinë, punët, fjalët, librat, për ngjyrat e format,/Për gjithë njerëzit e palodhur, të vendosur, trima, që sulen të mbrojnë lirinë…”
Vendin e parë në këtë vëllim e zënë enumeracionet emërore që mund të ngjishen brenda një vargu apo që shtrihen në disa vargje të njëpasnjëshëm.
“O t’u bësh ballë natës, erës, etjes e urisë, talljes, së keqes e disfatës…” (f.17) “Klithma, zjarr, gjak, vdekje, dehje, marrëzi.” (f.200)
Enumeracionet emërore mund të organizohen kuptimisht si skuadra artizanësh a mjeshtërish, si: zdruktar, murator, lundërtar, detar, këpucar, kapellar, sharrëxhi, pendar, etj, siç ndodh te poezia “Dëgjoj tek këndon Amerika”; ato i ngjajnë një inventari me grupe artikujsh siç ndodh te poezia “Bota nën ujin e detit” ku shquhen grupet e bimësisë ujore, ngjyrat e gjallesave të ujit dhe kafshët e mëdha. Enumeracioni me profesione rimerret edhe te poema “Këngë për veten time”: tavanxhiu, piloti, gjuetari, tjerrësja, tipografi, makinisti, kalldrëmxhiu, piktori, dirigjenti, lopari, konduktori, etj.
Anafora është një figurë stilistike që sakrifikohet për t’i dhënë forcë të veçantë enumeracionit. Ajo mund të jetë një emër, siç do të ilustrohet më poshtë, mund të jetë lidhëzë, përemër, mbiemër, pjesëz, etj. P.sh. te poezia “Salut au monde” përemri “ti” përdoret 22 herë si ananforë, te poema “Këngë për veten time” anafora “duke” përdoret 11 herë, “më kot” 9 herë, “dhe” 9 herë, “përjetë” 6 herë, “i kënaqur” 5 herë, etj.
Te poema “Kënga e gëzimeve” enumeracioni në rrafshin sintaksor përftohet nga togfjalësha që paraprihen nga anafora “gëzimi” pasuar nga përcaktorët “i shokëve, i ditës, i drekës së begatë, i të menduarit, i shëtitjes vetmitare, i idealit.” I njëjti ndërtim ndeshet te poema “Kënga e sëpatës” që paraprihet nga anafora “figura.”
Enumeracionet emërore që duket sikur luftojnë për titullim kampion në këtë vëllim janë ai për pjesët e trupit të njeriut te poema “Këndoj trupin elektrik” dhe ai për veglat e punës dhe lëndët e ndërtimit te poema “Kënga e sëpatës”; grupi i parë ka një vështrim anatomik prej doktori dhe përmenden rreth 70 të tilla të grupuara sipas vendndodhjes apo sipas funksionit. P.sh. pjesët e kokës: “Krye, qafë, leshra, veshë, kërmillëzat, daullet e veshëve…” ose te dora: “kyçet e nyjet e dorës, pëllëmbë, gishti i madh, tregonjësi, thonjtë…” Grupi i dytë ka rreth 40 njësi pa ndonjë organizim strikt: “Shata, grabuja, cfurku, kalemi, karroca, sharra, çekiçi, sqepari, turjela, karrigia, tryeza, kadja, rrota e fuçisë, deriçka, korniza, dyshemeja…”
Dy vargje enumeracionesh të ndërthurrur si gërshet përshkojnë në dy faqe poezinë “Salut au monde” ku përmenden shumë popuj të botës dhe disa emra gjeografikë. Sa keq që poeti nuk e ka identifikuar mes tyre Shqipërinë dhe shqiptarët!
Poema “Kënga e udhës së madhe” ka disa vargje enumeracionesh emërorë për njerëzit që kalojnë në udhë, për objektet që ndesh ndanë udhës.
Enumeracioni ndihet edhe në fjali pyetëse që shenjohen me anaforë si te poezia “Vite të modernëve”:
“Mos po kuvendojnë gjithë kombet?
Mos do të ketë vetëm një zemër gjithë lëmshi i dheut?
Mos po formon njerëzimi vetëm një masë?”
Por mund të jenë edhe pyetje me karakter ndërtimor të ndryshëm, si te poema “Kënga e udhës së madhe”:
“Ky mall përse është?
Këto mendime në errësirë përse janë?
Përse ka burra e gra… që ma ndezin gjakun?
Përse kur më largohen, më mpihen e më bien flatrat e gëzimit?…
Ç’është që papandehur shoqërohem me të huaj?…
Ç’më bën të jem i lirë për vullnetin e mirë të një guaje a të një burri?”
Shkalla më e lartë është përftimi enumerativ i apostrofave te poema “Kënga e gëzimeve”:
“O zëra kafshësh! O shkathtësi dhe balancim i peshqve!
O pika pika shiu të derdhura në këngë!
O dritë dielli, lëvizje të valëve të shprehura në këngë!
O fllad i njomë i kripur…O lundrim nëpër lumenj!…”
Enumeracionet foljore kuptimisht kanë aftësi shkallëzuese:
“O stuhi që linde, u rrite, e turresh poshtë e lart gjatë zallit…” (f.74) “O trumbetar, më duket se jam unë vegla që po lot,/Po m’i shkrin trutë e zemrën, m’i loz, m’i heq e m’i ndryshon pas qejfit.” (f.165) “Përplaset, goditet, plagoset, po mbahet sa kohë ka frymë.” (f.168) “Të ofendojnë, të torturojnë, të hedhin në burg.” (f.178) Enumeracioni foljor më i pasur i jep bukuri të veçantë poemës “Kënga e gëzimeve” me folje të mënyrës lidhore që kryesojnë fillimin e çdo vargu: të shijosh, të ndjesh, të vëresh, të vesh në betejë, të dëgjosh bataretë, të shohësh si bien e si vdesin njerëzit, të shijon të egrën shije të gjakut, të kënaqesh me plagët dhe vdekjen e armikut…”(f.185) Kurse te poema “Këngë për veten time” foljet e mënyrës lidhore paraprihen nga lidhëza veçuese “as”:
“Nuk do t’i marrësh nga dorë e dytë a e tretë,
As do të shohësh me sytë e të vdekurve,
As do t’i ushqesh me fantazma librash,
As do t’i shohësh me sytë e mi
As do t’i marrësh gjërat prej dorës sime.”
Edhe pse me një përdorim më të kufizuar, nuk mungojnë ndërtimet mbiemërore që mund të tingëllojnë edhe si enumeracion epitetesh si te poezia “E para lule radhiqe”: “E freskët, e thjeshtë dhe e bukur,/ E çliruar prej robërisë së dimrit…/E rimë, e qetë, e artë si agimi…”, te poema “Këngë për të korrat 1867”: Nuk qenë ushtarë parade, të rinj, po veteranë/ Të lodhur e të thekur, të bukur, të fortë… të forcuar në shumë fushata, të farkuar në shumë beteja…” Enumeracioni i epiteteve kulmon te poema “Kënga e udhës së madhe”: “Shpirti udhëton…/I madhërishëm, hijerëndë, i hidhëruar, i vetmuar, i mashtruar, i marrë, i turbulluar, i dobësuar, i pakënaqur,/I dëshpëruar, krenar, i dashur, i sëmurë, i pritur mirë, i pritur keq nga njerëzit…”
3.
Uitman krijoi poezi me varg të lirë dhe çdo varg mëton të mbajë një ngarkesë të plotë mendimi, kjo bën që hapësira fizike e faqes së librit të jetë e pamjaftueshme për shtrirjen e tij, prandaj vazhdon edhe në hapësirën vijuese. Në këtë rast, përveç kryeradhës, kufijtë e poezisë ndahen nga kufijtë e prozës me anën e përdorimit të shpeshtë të anaforave dhe përdorimit të rrallë të epiforave, pastaj përforcohet edhe me përsëritjen brenda strukturave poetike.
Kur flasim për prozën, nganjëherë veçojmë brenda saj fragmente ose copa krejt të pavarura që kanë një ritëm të ndryshëm ligjërimi, kanë një përqëndrim më të madh figurash stilistike dhe i quajmë proza poetike. Tek Uitmani ndodh një dukuri e kundërt, ka fragmente poemash ose poezi të veçanta që mund t’i quajmë poezi prozaike. Kjo ndodh sepse Uitmani operon me mjete të prozës, siç janë rrëfimi i një ngjarje, evokimi i së kaluarës, portretizimi i një karakteri njerëzor ose i një sendi natyror, pikturimi me fjalë i një peizazhi apo i botës së gjallesave.
Së pari, ka rrëfime që pësojnë metamorfozë duke ndryshuar skeletin nga rreshta në vargje. Poezia “Oskeola” është një rrëfim poetik për çastet e fundit të jetës së heroit të njohur mbështetur mbi foljet që enumerojnë veprimet sipas radhës: “…u ngrit në shtrat e ndenji më bythë,/Veshi uniformën ushtarake, ngjeshi brezin,/Drodhi dollakët rreth pulpave…/Vendosi me kujdes në brez thikën që përdorte për skalpet,/U ngrit përgjysmë, buzëqeshi dhe në heshtje secilit i dha dorën/ Dhe ra i drobitur mbi shtrat…/ndaloi vështrimin tek e shoqja e te fëmijët e vegjël, vështrimin e fundit.”
Te poezia “Më kujtohet” që në titull paralajmërohet një rrëfim, përsëri për çastet e fundit të jetës së dikujt, këtë herë një karrocier, por jo të shtratin e vdekjes, por gjatë procesionit të varrimit: “Të gjallët zbresin nga karrocat, katafalku hapet,/Arkivolin e nxjerrin, e shpien te varri dhe e ulin,/E vendosin, kamxhikun e vënë mbi kapak dhe shpejt gropa mbulohet me dhe…”
Rrëfimi kulmon me një fragment nga poema “Këngë për veten time” për 412 djelmosha që u vranë trimërisht në Alamo të Teksasit:
“Asnjëri s’iu bind urdhrit që të gjunjëzoheshin,
Disa u turrën si të marrë, kot së koti, disa qëndruan në vend me kryet lart,
Pak u rrëzuan përnjëherë të qëlluar në tëmth a në zemër, të vdekur e të gjallë u përzien bashkë,
…Nja dy, gjysmë të vrarë, u përpoqën të tërhiqen barkazi,
Këta u vranë me bajonetë a me kondak dyfeku,
Një djalë akoma jo shtatëmbëdhjetë vjeç, e kapi vrasësin për gryke, por erdhën dy të tjerë e shpëtuan,
Të tre u bënë copë copë dhe u mbuluan me gjakun e djaloshit,
Më njëmbëdhjetë filloi djegia e kufomave…”
Poezia “Sikur të matesha dot” sjell autorë dhe heronj të veprave duke filluar që nga antikiteti grek me Homerin, Akilin, Ajaksin, Hektorin, duke kapërcyer te Shekspiri dhe karakteret e krijuara prej tij, Hamletin, mbretin Lir, Otellon dhe përfundon me afrimin në kohën e vet tek Alfred Tenisoni. Edhe tek poema “Kënga e sëpatës” ka një vështrim të shkurtër historik që lidh sëpatën me ndërtesat antike, liktorët romakë, ushtarët e vjetër të Europës, etj.
Së dyti, ka portretizime ku dalta ia lë vendin penelit. Portretizimi ndeshet edhe në poezinë shqiptare, te epika legjendare dhe te lirika popullore, por tek ne ato u ngjajnë rrëkezave që rrjedhin mbi xhamat e dritareve, kurse te Uitmani ritmi është i ngadalshëm. Tek poema “Këndoj trupin elektrik” ka një portretizim të bujkut që është njëkohësisht edhe peshkatar: “Njoh një burrë, bujk i thjeshtë, baba i pesë fëmijëve,/…Ky burrë kish pushtet e qetësi dhe bukuri trupore të mrekullueshme,/…Qe gjashtë këmbë i lartë, shkuar te të tetëdhjetat…/Pinte vetëm ujë, gjaku i shkëlqente kuqërushëm nëpër lëkurën e ndritshme të fytyrës,/Vinte për gjah dhe zinte peshq, vetë e drejtonte varkën…”
Poezia “Shoh një notar vigan të bukur” që në titull paralajmëron për një portret tjetër të një njeriu të thjeshtë: “Flokët e zes i rrinë derdhur mbi kokë…/I shoh trupin e bardhë, ia shoh sytë e patrembur…”
Kurse te poezia “Skuoja” sjell portretin e një gruaje indiane: “I kish flokët të zes, të drejtë, të ndritshëm, të ashpër, të përzier,/Çapin të lirë elastik, zërin të mrekullueshëm kur fliste,/Fytyrën e ritë e të lartë, gjymtyrët e plota, të zhdërvjellta…” dhe i vë kapak me vlerësimin maksimal: “Kurrë s’kisha parë të tillë bukuri të mrekullueshme e dlirësi.”
Poezia “Lokomotivës së dimrit” ka elementë të personifikimit dhe prej këtej kalohet në portretizimin e saj: “E veshur në hekur, të rreh me forcë zemra,/Trupi yt cilindrik i zi, tunxh i artë, çelik argjendi…/Klithma jote me frikë herë duke u rritur, herë duke humbur në hapësirë,/Feneri i madh në ballin tënd që lëshon dritë përpara…/Je tip i së resë, simbol i lëvizjes dhe fuqisë, puls i kontinentit…”
Te poema “Kur çeli jargavani vjet në oborr te porta”, pasi përmend tri gjëra pikante që pranvera i sjell autorit: jargavanin me lule, yllin e mëngjesit dhe kujtimet për ata që do, poeti bën edhe pikturimin leksikor të një peizazhi: “Ndërsa por rrija ditën dhe vështroja larg,/…Peizazhin e gjerë të vendit tim, me liqene e pyje,/Bukurinë ajrore të qiellit (pas motit me shtrëngatë e furtunë),/Kubenë e qiellit të ndajnatherës që po kalonte shpejt, me zërat e fëmijëve dhe të grave,/Dhe detin e tronditur me baticë e zbaticë, anijet si lundronin/…shtëpitë veç e veç, gjithkush në punë, me drekë e darkë dhe andrallat e ditës,/Rrugët se si gumëzhinin nga rrëmeti, qytetet e mbyllur në atë çast atje.”
Poezia “Lodra dashnore e shqiponjave” është një kundrim i dy shqiponjave që luajnë në qiell duke u kapur nga kthetrat dhe përfundon me vargun e gjatë: “Dhe prapë drejt përpjetë i ndejnë flatrat, të sigurta, në udhën e ngadalshme, të ndarë e të veçuar duke ndjekur ajo të sajën dhe ai të tijën.”
Në antitezë me dashurinë e shqiponjave poeti sjell skenën vrastare të balenës duke filluar që nga goditja e parë dhe përfundon: “Tek ngrihet rrjedh gjak, e shoh tek noton në rrathë më të ngushtë e më të ngushtë, duke çarë ujin shpejt, e shoh të vdesë!/Bën një kërcim plot dhimbje në mes të rrethit dhe rrëzohet në krah, pa lëvizur, në shkumbën e gjaktë.”
4.
Normalisht, analiza e një vepre fillon nga vlerat ideore që përmban, po në shoqërinë shqiptare të elektrizuar politikisht, kjo do të sillte kalimin me mospërfillje të vlerave artistike dhe efekti i leximit të veprës do të shkonte në drejtimin e gabuar; analiza e ideve mund të na egërsojë në shkëmbimin e mendimeve, kurse analiza aritistike na e zbut shpirtin. Gjithsesi, është çasti për të ilustruar me vargje disa elementë botëkuptimorë të Uitmanit.
Poezia “Veten këndoj” që hap vëllimin, është një sintezë e filozofisë së poetit dhe shpalosje e programit vetjak: “Veten këndoj – çdo njeri të veçantë, të thjeshtë,/Po them dhe fjalën demokraci, fjalën en-masse,/Këndoj fiziologjinë nga koka gjer te thembrat,/Jo vetëm fytyra dhe jo vetëm truri qenkan të denjë për muzën, them se të gjithë tupi është më i denjë;/Këndoj femrën në barazi me mashkullin,/Jetën pa fund, me dëshira, damarë e fuqi,/Gazmoren – e cila, nën ligjet hyjnore, u gatua për vepra më të lira,/Këndoj njeriun e kohës së re!”
Edhe pse u shkrua një shekull e gjysmë më parë, bie në sy optimizmi i poetit largpamës, optimizëm i mëkuar edhe nga natyra, që kulmon te poezia “Mrekullira”: “Sa për vete, nuk shoh veç mrekulllira;/Qoftë kur shkoj udhëve të Manhatanit/A vështroj tej çative kundrejt qiellit,/Kur endem zbathur anës detit, mu në zgrip të valës,/Ose qëndroj nën lisat e pyllit,/…Ose rri në sofër me nënën,/Kur shikoj njerëz të huaj përballë meje tek rrimë në tren,/A këqyr bletët si buhisin rreth kosheres, mëngjesit në verë,/ose kafshët kur kullosin në livadh,/…Ose bukurinë e perëndimit të diellit, yjtë që ndrisin aq heshtur e qartë,/A draprin e mprehtë të hënës së re në pranverë.”
Para së gjithash Uitmani ishte luftëtar i heqjes së skllavërisë dhe flamurtar i fitores mbi të, ai ishte këngëtari dhe frymëzuesi i lirisë. Të gjithë ata që e kanë lexuar këtë vëllim poetik, mund të kujtojnë sakaq fjalët lapidare nga poezia “Shteteve”: “Kundërshtoni shumë, binduni pak!” Kurse te poezia “Një revolucionari europian të mundur” ai nënvizon: “Kur lë liria vendin, nuk largohet e para apo e dyta, as e treta,/Pret sa të dalin të gjithë, ajo shkon e fundit,” rrjedhimisht pishtari i shpirtit të lirisë nuk shuhet asnjëherë. Kurse te poezia “Europa” ai konkludon: “S’ka varr dëshmori ku nuk rritet fara e lirisë, që përsëri të shtohet e shumohet.”Ja pse studiuesi Moikom Zeqo e quajti patriark të demokracisë amerikane dhe kod të veçantë profetik të saj.
Uitmani ishte poeti që e çmonte punën dhe shkroi me dashuri për të gjithë njerëzit e thjeshtë që ushtronin një zeje, apo kishin arritur të bëheshin mjeshtra në profesionin e tyre dhe nuk lodhet t’i numërojë të gjithë, një për një. Duke e parë këtë vëllim nga ky këndvështrim, mund ta quajmë si një himn për punën dhe njeriun e punës. Prej këtu gurgullon gurra e shpirtit të tij të lirë e demokrat, prej këtu buron sinqeriteti dhe optimizmi që përkthehet si besim tek e ardhmja. Këtu i ka rrënjët edhe dashuria për të gjithë popujt e botës, pa asnjë paragjykim racor e klasor dhe mishërohet në poezinë “Salut au monde” ku poeti u drejtohet drejtpërdrejt me fjalën “ti” banorëve nga vende dhe kontinente të ndryshme i udhëhequr nga aksiomat vetjake me peshë universale për njerëzit: “cilido prej nesh është i domosdoshëm” dhe për natyrën: “gjithë sendet janë të barabartë mes tyre, asnjë s’mund ta quajmë më të madh a më të vogël nga tjetri.” Sa humanizëm ka në poezinë “Ç’kujtoni se do shënoj, që mora penën në dorë?”, presim me siguri ndonjë hero të luftës, jo, “Do të shënoj dy burra të thjeshtë që pashë sot, në skenë, në mes të rrëmetit, ndarjen e miqve të dashur,/Njëri që mbetej, u var në qafën e tjetrit dhe e puthi me mall,/Tjetri që ndahej, shtrëngonte pas zemrës atë që i mbeti në krahë.”
Uitman ishte kundër luftës, por mbështetës i luftrave për çlirim dhe përparim duke hedhur vështrimin nga lëvizjet revolucionare në Europë. Poezia “Ndonëse këndoj gjithnjë bashkimin” mbyllet me vargjet: “E drejtë e fshehtë e kryengritjes,/O zjarr që dukesh e nuk shuhesh kurrë!”
Kjo tematikë e bën më të dukshme dhe mbresëlënëse tonin oratorik të mishëruar në përdorimin e apostrofave të shumta, këto dhe të tjera bëhen më të dukshme dhe të prekshme nga shfrytëzimi i mjeteve oratorike si përsëritja, anafora dhe epifora. Fund e krye vëllimit shpaloset shpirti i lirë i poetit dhe kjo shtrihet edhe në hapësirën që i përket religjionit. Uitmani ka qasjen e vet trascendenciale ndaj Zotit, te poema “Këngë për veten time” shfaqet mospajtues ndaj priftërinjve duke bërë një dallim të qartë mes tokës dhe qiellit, madje ngrihet me guximin sfidues: “Kënaqësitë e qiellit i shartoj dhe i shtroj nën vete, mundimet e ferrit i përkthej në gjuhë të re.” “E mbinatyrshmja nuk është kushedi se çë, unë vetë pres që të vijë koha të bëhem një nga perënditë.” Nga ana tjetër, te kjo poemë, sjell edhe një qëndrim pajtues: “Në çdo ditë s’ka orë, në çdo orë s’ka sekondë kur të mos shoh Perëndinë,/Në fytyrat e urrave dhe grave shoh Perëndinë, edhe në pasqyrën e fytyrës sime.”
Qëndrim kritik ka Uitmani edhe ndaj dhunës së aparatit shtetëror. Ai më duket sikur flet edhe për Shqipërinë e sotme kur te poezia “Mendime” shkruan: “Rri mënjanë e vë re dhe diçka më çudit thellësisht:/Që turma njerëzish venë pas disave të cilët nuk besojnë në njerëz.” Kjo largpamësi mund të ketë lidhje me prirjen që, pavarësisht evokimit të së kaluarës, audienca e tij të ishte e ardhmja.
Si filozof Uitmani shtron shumë pyetje që synojnë zbulimin e enigmave të botës, njëkohësisht përkufizon poetikisht edhe kategori të caktuara, siç bën për luftën dhe paqen, për punën dhe relaksin, për dashurinë dhe urtësinë, për trupin dhe shpirtin, për raportin e marrëdhënieve burrë e grua, etj. Mjaft kontraverse është qasja ndaj vdekjes te poezia me titullin po aq befasues “Kënga e vdekjes”:
“O nënë e zymtë që gjithnjë na afrohesh me çape të butë,
S’të ka kënduar kush një këngë miradije, të përzemërt?
Ta këndoj unë, pra, të lavdëroj ty mbi të gjitha,
Të them një këngë që kur të vish vërtet, të më vish pa drojë.”
Kredoja e tij humane dhe poetike merr përndritjen të re te poema “Këngë për veten time” ku ka një deklarim të drejtpërdrejtë nominal: “Jam Uollt Uitmani, një kozmos, bir i Manhatanit,/I harbuar, prej mishi dhe epshesh, ha, pi e pjell,” një deklarim që e dallon nga poetët mediokër që përpiqen t’u shiten lexuesve si engjëj; vështrimi dhe përjetimi i tij përfshin gjithçka në vërshimin e fuqishëm të antitezave: i ri dhe plak, mendjelehtë dhe i urtë, nënë dhe baba, banor i veriut dhe i jugut, nxënës dhe mësues, fillestar dhe me përvojë dhe përfundon me vargun lapidar “surb për vete ajrin, po le dhe për të tjerët.”
Kur flasim për vlera ideore, kemi parasysh ndikimin e vargut te lexuesi dhe kjo përmbushet jo vetëm me evokimin e ngjarjeve të rëndësishme nga Amerika dhe bota, por edhe kur thirren për shprehësi peizazhet e natyrës. I bindur për sinqeritetin e komunikimit me botën, ai përmbyll poemën “Këngë për veten time” dhe krejt vëllimin me vargjet që na kanë sjellë tek takimi ynë i sotëm:
“Po s’më gjete menjëherë, mos u dëshpëro,
Po s’më gjete në një vend, kërkomë te një tjetër,
Diku jam ndalur e po të pres ty.”
(Vëllimi poetik “Fije bari” i Walt Whitman,
shqipëruar nga Skënder Luarasi, ribotim i Argeta LMG, Tiranë, 1997)