Paulin Zefi/
Kisha e Shën Gjon Pagëzorit, e quajtur nga banorët vendas si Kisha e Shën Gjon Kryepremit, ndodhet në lindje të fshatit Mërqi dhe në prehrin e malit homonim. Mendohet se faza më e hershme e ndërtimit i përket fundit të shek. XIII. Mirëpo, për herë të parë në burimet historike, “Kisha e Shën Gjonit në Mërqi (Sanctu Johanis in Merchina)”, përmendet nga vetë Papa Gregori XII në letrën e tij drejtuar Arqipeshkvit të Tivarit (Archiepiscopo Antibarensi) më 23 maj të vitit 1407 (1), të cilit i kërkon të marrë masa për lirimin e 12 kishave të zaptuara nga Ipeshkvia e Lezhës në territorin e Ipeshkvisë së Arbnit, ku në këtë vendim të Atit të Shenjtë kishte ndikuar ndjeshëm edhe letra e Gjon Kastriotit dërguar Republikës Veneciane që më 3 prill 1407, me lutjen për të ndërmjetësuar pranë Atit të Shenjtë me qëllim për të shuar grindjen midis dy ipeshkvive në favor të asaj të Arbnit (2).
Më vonë, Kisha e Shën Gjonit të Mërqisë (S.Gio. di Merchigna) përmendet si rezidencë ipeshkvnore gjatë kohës së verës (residenza episcopale in tempo di estate) në relacionin e ipeshkvit të Lezhës, Benedikt Orsini, në vitin 1629 (3). Në fakt, pas rënies të Lezhës në duart e turqve osmanë në vitin 1478, rezidenca ipeshkvnore e Lezhës, për pjesën më të madhe të periudhës së pushtimit osman ka qëndruar kryesisht pranë kësaj kishe (4). Më 24 prill dhe 20 dhjetor të vitit 1638, Kisha e Shën Gjonit të Mërqisë (Sanctus Joannes de Merchigne), përmendet në dy letra të Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide, ku bëhet fjalë për përcaktimin e kufijve të Dioqezës së Lezhës (5). Në letrën e tij drejtuar imzot Ingoli-t, më 15 korrik 1644, arqipeshkvi i Tivarit, Gjergj Bardhi, nuk e përmend Kishën e Shën Gjon Pagëzorit, por shkruan se ipeshkvi i Lezhës (Benedikt Orsini – P.Z.) është tërhequr dhe ka ndërtuar shtëpitë ndër male, duke e braktisur selinë që pat bërë në Mërqi (6).
Kisha e Shën Gjonit në Mërqi (San Ioanni di Merchigna) përmendet mjaft shpesh nga ipeshkvijtë e Lezhës, për gjendjen në Dioqezën e tyre. Gjergj Vladanji e përmend më 1663 e 1672 dhe Nikollë Vladanji më 1694 (7). Më herët, më 1668, kjo Kishë përmendet në njoftimin e Antonio di Spoleto mbi gjendjen e Dioqezave të Arbërisë dhe në vitet 1671-1672 nga vizitatori apostolik, Stefano Gaspari (. Në hartën e punuar në vitin 1688 nga Vincenzo Maria Coronelli (1650-1718), në Mërqi del e shënuar vetëm “Selia e Ipeshkvit të Lezhës (Seggio del Vesc: d’Alessio)” dhe një vit më vonë, më 1689, Giacomo Cantelli da Vignola (1643-1695), paraqet vetëm emrin e fshatit të Mërqisë (Marchigna). Mirëpo, Kisha e Shën Gjon Pagëzorit merr një rëndësi shumë të veçante për historinë e Dioqezës së Lezhës, Kishës Katolike Shqiptare dhe atë të Popullit Shqiptar, pasi këtu, më 14 dhe 15 janar të vitit 1703, mbahet “Koncili Kishtar i Arbërit” ose “Kuvendi i Arbnit”, me iniciativën personale të Papës me origjinë arbëre/shqiptare, Klementi XI (Giovanni Francesco Albani) dhe nën drejtimin e arqipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç (9).
Ky Koncil Provincial ose Kombëtar Shqiptar, është kuvendi i dytë më i rëndësishëm pas atij të Besëlidhjes së Lezhës së 2 Marsit të vitit 1444 (10). Në relacionet e viteve 1702-1703, është pikërisht arqipeshkvi i lartpërmendur i Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç (1670-1745), i cili shkruan se në Mërqi (Merchigna): “Është kisha me pajtor Shën Gjon Pagëzorin, në të cilën u celebrua sinodi krahinor (provincial). Ka sakrestinë të veçuar dhe varrezat të mbuluara. Është shumë mirë e furnizuar me orenditë e shugurueshme, me tre këlshejta, katër pianeta të mira, një kambanë të madhe, një kryq argjendi. Altari, me kzadron (ikonën) e shenjtorit, mbahet mirë. Ka 30 ara të lërueshme, 24 shata vresht dhe 22 pemë ulliri të mëdha me 5 livadhe (11).” Kisha Famullitare e Shën Gjon Pagëzorit e fshatit Mërqi (Chiesa Parochiale di S.Giovanni Batista della villa Mercigna) përmendet nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Gjon Gallata, në vitet 1730 dhe 1735; nga Simon Negri më 1743 dhe 1747; nga Anton Kryeziu më 1753; nga Giorgio Junchi më 1785; nga Mikel Kryeziu më 1787, 1789 dhe 1792 (12).
Në relacionin e tij të vitit 1795, arqipeshkvi i Durrësit, Tommaso Mariani, i drejtohet Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide mbi nevojën urgjente të rindërtimit të Kishës së rrënuar të Shën Gjon Pagëzorit në Mërqi (13). Nga relacioni i ipeshkvit të Lezhës, Nikollë Malçi, që daton në vitin 1800, mësojmë se falë ndërhyrjes së arqipeshkvit të lartpërmendur të Durrësit, Tommaso Mariani, Kongregacioni i Shenjtë ka dhënë 29 dukatë romakë (Zecchini Romani 29), me të cilët Kisha e Mërqisë është ngritur e re nga themelet (è stata da fondamenti eretta nuova), por duke qenë se paratë nuk janë shpenzuar në mënyrën e duhur, Kisha ka mbetur e zbuluar pa çati (14). Mirëpo, në relacionin e vitit 1801, vetë Nikollë Malçi, thekson se tashmë, Kisha, jo vetëm u rindërtua tërësisht nga themelet me mure të forta (la Chiesa è stata dalle fondamenta rifabbricata tutta nova di sode muraglie)”, por gjithashtu, se: ajo është e mbuluar mirë (15). Të njëjtin njoftim e ndeshim edhe në relacionin e tij të vitit 1807 (16). Kisha e famullitare e Mërqisë me pajtor Shën Gjon Kryepremin (S.Giovanni Decollato) përmendet nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Nikollë Malçi, në vitet 1817 e 1821 dhe nga Ivan Topich më 1844, i cili shkruan se Kisha është e plasaritur nga të gjitha anët dhe rrezikon të rrënohet për herë të dytë (17). Në relacionin e tij të vitit 1846, Ivan Topich rrëfen se Kisha e Mërqisë (Chiesa di Merchigna) i është nënshtruar një rindërtimi të pjesshëm, ku përveç sakristisë, i janë shtuar edhe dy dritare të mëdha me xhama (18). Në vitet 1864-1865, nga ipeshkvi i Lezhës, Pal Dodmasej, mësojmë se: “la chiesa è nuova, e bellissima, dalle fondamenta fabbricata coi sussidii dell’Austria [Kisha është e re, shumë e bukur, e ndërtuar nga themelet, me financimin e Austrisë] (19).
Në relacionin e tij të vitit 1912, ipeshkvi i Lezhës dhe patrioti i shquar, Mons. Luigj Bumçi, nuk e përmend gjendjen e Kishës, por shkruan se: “Banesa e Famullisë së Mërqisë u dogj dhe u shkatërrua më 19 mars 1912 (fu incendiata e distrutta nel giorno 19 Marzo 1912). Shkaku i zjarrit, i qëllimshëm apo aksidental, mbetet për t’u përcaktuar (20). Pas Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967 Kisha kthehet në stallë dhe më vonë përshtatet si magazinë duhani. Për herë të parë pas 24 vitesh, ajo rihap dyert për nesimtarët dhe këtu kremtohet mesha e shenjtë nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, imzot Nikollë Troshani, më 6 janar 1991. Kisha e Shën Gjon Pagëzorit, me orientim te saktë lindje-perëndim, ka një planimetri të thjeshtë drejtkëndore dhe përmasa të mëdha: 25.40 m gjatësi x 9.10 m gjerësi. Përpara hyrjes kryesore, ka një oborr të shtruar me blloqe guri, në trajten e një portiku me planimetri më përmasa: 9.10 m x 4.5 m (21). Kisha është e pajisur me 8 dritare të mëdha me xhama të ngjyrosur dhe në anët veriore dhe jugore.
Po ashtu, me dy kamare të mëdha dhe me statujat monumentale të Papa Klementit XI – Albani dhe Imzot Vinçens Zmajeviç, të realizuara në mermer. Në pjesën ballore të kishës, hyrja kryesore është organizuar me dy dyer me arkada të bukura prej guri të gdhendur dhe sipas traditës gojore të banorëve, njëra prej portave është përdorur historikisht për burrat dhe tjetra për gratë. Kisha është rindërtuar në fillim të shek. XX, nën perkujdesjen e veçantë të austriakëve dhe ndërsa restaurimi i saj ne formën që është ruajtur deri vonë është kryer në vitin 1996 (22). Mirëpo, kohët e fundit, falë iniciativës së klerit katolik me në krye Dom Nikë Ulgjinin, dhe banorëve vendas, ky monument i është nënshtruar sërish një restaurimi tjetër dhe rehabilitimi të plotë, duke i shtuar absidën në pjesën lindore, një hajat në pjesën perëndimore mbi dy portat e kishës dhe disa elementë të tjerë. Po ashtu, krahas anës jugperëndimore të kishës, ku në vitin 1996 ishte lënë një pjesë muri e pasuvatuar për të na kujtuar hershmërinë e saj, po e njëjta ndërhyrje është reailzuar edhe në të gjitha anët e tjera.
BIBLIOGRAFIA:
1) A.Meksi, Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me peshkopatën e Lezhës, në: ResPublica, 27 shtator 2018.
2) Š.Ljubić, Listine: O odnošajih izmedju Južnoga Slavenstva i Mletačke Republike, Knjiga V, Od godine 1403 do 1409, in: “Monumenta Spectantia Historiam Slavorum Meridionalium”, u Zagrebu, 1875, f. 94-95; L.Thallóczy & K.Jireček, Zwei Urkunden aus Nordalbanien, në: Illyrisch-Albanische Forschungen, I. Band, München und Leipzig: Verlag von Ducker & Humblot, 1916, f. 138.
3) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86; Shih edhe I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell’Albania (1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga – Trascritti e tradotti da Injac Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga – riedizione elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 331.
4) E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 236.
5) D.Farlatus & J.Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f. 204, 286.
6) I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell’Albania (1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga – Trascritti e tradotti da Injac Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga – riedizione elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 660.
7) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 93, 125, 149.
E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 82; P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 105, 116.
9) Më gjerësisht shih: V.Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Botimi i dytë, Ulqin-Tuz, 1999.
10) P.Zefi, Rëndësia historike e Kuvendit të Arbërit, në: DardaniaPress, 15 Janar 2021.
11) V.Zmajevich: P.Bartl / I.Zamputi, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë / Relazione dello stato d’Albania e Serbia (1702-1703), (Përgjegjës të këtij botimi: Albert Ramaj, Zef (Ahmeti) Noka), Prishtinë: Faik Konica, 2022, f. 114, 267-268.
12) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 185-186, 188, 192, 195, 212, 233-234, 243, 248-249, 264-265.
13) Ibidem, f. 271, 276-277.
14) Ibidem, f. 286.
15) Ibidem, f. 291.
16) Ibidem, f. 303.
17) Ibidem, f. 313, 321, 329-330.
18) Ibidem, f. 346-347.
19) Ibidem, f. 389.
20) Ibidem, f. 450.
21) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 104.
22) E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 237.
Mërqi, Lezhë: 14.01.2025.