
Eliona Kodra Shkreli/
Populli ynë shqiptar pergjatë shekullit të kaluar përjetoi diktaturën më gjakatare në Europë. Regjimi komunist vrau, shtypi dhe përndoqi çdo person qe ideal kishte lirinë, dashurinë ndaj Zotit dhe Atdheut. Martirët tanë me idealin e tyre janë shembulli konkret i urrejtjes që komunizmi si ideologji kishte ndaj lirisë që feja mëson.
Sot Kisha Katolike në Shqipëri përkujton Lumnimin e 38 Martirëve, si një deshmi e gjallë e të jetuarit të Ungjillit ashtu si Apostujt e parë të Krishtërimit.
Dom Mikel Beltoja ishte vetëm 29 vjeç kur u ekzekutua nga regjimi komunist. Ai është i vetmi meshtar që ndoqi rrugën e meshtarisë pasi regjimi ishte instaluar ne Shqipëri, madje ishte i vetëdijshem për rrezikun që i kanosej. Ishte data 19 prill 1973, kur i vunë prangat. Kaloi gjashtë muaj hetuesie të llahtarshme. Përballoi një gjyq heronjsh. Foli aq hapur kundra diktatorit e diktaturës, sa kriminelët nuk mundën t’a përmbanin veten. Iu vërsulën aty, në sallën e gjyqit dhe nisën ta torturonin me mjete primitive. Ia bënë trupin vrima-vrima me biza, duke tmerruar të madh e të vogël në sallën e mbushur me njerëz, që i kishin sjellë aty me detyrim. Ndërsa derdhej përdhe’ gjaku i martirit, gjykatësit e shndërruan vendimin nga 7 vjet burgim, në dënim me vdekje.
Në sallen e gjyqit, pa u trembur, i Lumi Dom Mikel Beltoja ne mbrojtjen e tij do të thoshte:
“E di fundin tim, e di që e keni marrë vendimin për mua… E di që komunizmi është armiku i përbetuar i fesë dhe i kombit. Kjo urrejtje për fenë, dhe veçanërisht për meshtarët, është dëshmuar edhe në vende të tjera… dhe këtu, në Shqipëri, pas ardhjes së komunizmit, me një genocid të pashembullt të klerikëve të të trija feve. Unë nuk jam as meshtari i parë dhe as i fundit, që jam duke u dënuar. Por Zoti ju faltë dhe u pendofshi një ditë për atezimin tuaj. Zoti është i mëshirshëm për ata që kthehen në udhën e pendesës…”.
“…Çfarë të keqeje i ka bërë feja kombit? Gjatë shekujve, deri në ditët tona, tri fetë kanë jetuar në harmoni duke dhuruar forca intelektuale në planin kulturor, moral dhe shpirtëror në dobi të fesë së popullit… Feja është balsam për shpirtin dhe e çon njeriun kah udha e drejtë e Hyjit, kundër prishjes morale; me mësimet e saj krijon dinjitetin e jetës familjare dhe shoqërore për të mirën e popullit. A e shikoni Biblën me Dhjetë Urdhërimet e saj! Doja t’ju pyesja edhe: ku janë shtatë kishat e Shkodrës, që, me urdhër të diktatorit Enver Hoxha, janë shkatërruar apo janë kthyer në magazina, depo, qendra kulturore?.
Vëllezër, meshtarët e kanë dhënë jetën e tyre në këto 25 vite në qelitë e këtij burgu, janë pushkatuar në zonën e Zallit të Kirit, duke thirrur e shpallur deri në fund Krishtin dhe fitoren e tij! Këta kanë qenë shqiptarë të vërtetë, sepse nuk e kanë tradhtuar as Krishtin, as fenë, as Atdheun, as Shqipërinë!… Edhe unë kam të njëjtin mendim dhe do t’i qëndroj besnik deri në fund të jetës sime!”.
U pushkatua më 10 shkurt 1974, në afërsi te bashkimit të lumejve Bunë e Drin.
Martirët shqiptarë janë dëshmi e gjallë e dashurisë ndaj fesë e atdheut. Të kujtojmë këto dëshmi e të mos I harrojmë kurrë e madje t’i përcjellim brez pas brezi në mënyrë që të mos kthehemi më kurrë në atë sistem dhe diktaturë.
Të Lumët martirë, lutuni për Shqipninë e shqiptarët, amen