Vazhdim i një polemike të vjetër dhe të re/
Nje letër që ndryshon historinë/
Nga Enver Memishaj/
“Mos me u idhnu kur asht nevoja, asht marri”-Aristoteli/
- Klithmat e korbave Grillo/
Në vitin 2001, i ndieri Odise Grillo, shkruante kundër meje artikullin “Z. Memisha mos gënjeni kaq paturpësisht!”, botuar në gazetën komuniste “Kushtrim Brezash”, datë 20.7.2001. Vura buzën në gaz dhe thashë me vete: punë pleqërie dhe urrejtje ndaj “armikut” të klasës!Por, kur çështjen e mori në analizë Organizata Bazë e Partisë Komuniste, gazeta “Labëria”, datë 15.10.2001, që e ribotoi artikullin e sipërm me entuziazëm, në faqen e parë, vura re se çështja nuk ishte personale.
Heshtja e mëtejshme nga ana ime do të thoshte pranimi i shpifjeve dhe akuzave kundër luftëtarit antifashist Hysni Lepenica.
- Për çfarë më akuzonte mua Odise Grillua?
Në librin tim me dokumenta, “Hysni Lepenica…”, faqe 37, ka një paragraf me këtë përmbajtje: “Njësiti gueril i Himarës nën drejtimin e Zaho Kokës i zuri pritë në Vishe dhe vrau komandantin e karabinierisë së Himarës toger Luigji Moretin, së bashku me ata që e shoqëronin. Ishte aksion me rëndësi sepse Moreti ishte oficeri i parë italian që vritej në Shqipëri. Sipas Albert Abazit, vrasja e Moretit është bërë me plan të përbashkët dhe me pjesëmarrje të Hysni Lepenicës”.
Për këto 6 rreshta profesori i Enverit zbraz ndaj meje një fjalor të denjë vetëm për rracën e tij komuniste kundër “armikut” të klasës punëtore të titulluar: “Z. Memisha, mos gënjeni kaq paturpësisht!”, ku ndërmjet të tjerave shkruante:
“U befasova nga një gënjeshtër me bisht, fabrikuar nga ju apo nga ndonjë tjetër që ua ka servirur… Ka edhe të tjerë që pretendojnë se e kanë vrarë! Të tillë janë mësuesi J.M. dhe ish-oficeri A.M. … Kjo tregon se të tre nuk jeni aq budallenj, por diabolikë… Po nuk keni për t’ia arritur asnjëherë atij qëllimi djallëzor…
Vrasjen e Moretit e ka organizuar çeta partizane e Vunoit, e përbërë nga Zaho Koka – komandant, Dhimitër Grillo, organizator i Partisë Komuniste për Bregdetin, komunist i 1941, Anastas Ziso, dhe Paskal Andoni…”.
(Shih: gazetat: “Kushtrin Brezash “ , dt. 20.7 .2001, f.3. “Labëria “ , dt. 15.10.2001, f.3. )
- Ja se si iu përgjigja unë komunistit Odise Grillo:
“Së pari profesor, nuk të lejohet të replikosh me iniciale sepse “armiku” i klasës gjen rastin t’u thotë se gënjeni, prandaj në se nuk i bëni publike ata emra që thua si dhe burimet prej nga i ke marrë pohimet e tyre edhe unë do të quaja një mashtrues.
Së dyti, për shkak të moshës nuk keni mundur të vini re se:-Në fund të paragrafit të parë të fragmentit të cituar prej librit “Hysni Lepenica…” është shënuar numri 15, që shpjegohet në faqen 470 të librit se burimi i këtij paragrafi është gazeta “Zëri i Popullit” datë 8.6.1969; që para ‘90-tës “armiqtë” e klasës thoshin se kjo gazetë veç datës nuk ka asgjë të vërtetë!
-Në fund të paragrafit të dytë, shënohet numri 16 burimi se citimi është marrë prej revistës “Mbrojtja”, nr.2,3 – 1994 dhe libri i Albert Abazi “Hysni Lepenica” Tiranë 1996, faqe 46.
Po ta kishit lexuar librin tim, siç pretendoni, do të kishit vënë re, gjithashtu, se qysh në kopertinë poshtë titullit është shënuar fjala: Dokumenta.
Pra, libri “Hysni Lepenica…”, botuar në vitin 2000, është një përmbledhje dokumentesh historike, përfshi këtu edhe mendimet e komunistëve: Enver Hoxha, mikut tuaj familjar, Hysni Kapo, shokut Mehmet Shehut, Petro Marko, etj…
Libri ka firmën dhe është vlerësuar prej tre profesor doktorëve Hysni Mëzyri, Muharrem Dezhgiu dhe Beqir Meta, akademikë, recencat e të cilëve janë botuar në libër.
I mbrujtur me mësimet e Partisë dhe shokut Enver ju profesor keni guxuar të hidhni poshtë vlerësimet e tre profesor doktorëve të historisë, por historia nuk është si ato vjershat për fëmijë, që shkruani ju: Moj ti pula pikaloshe,/ që më bredh qoshe më qoshe…
Për vrasjen e toger Moretit, unë vetëm sa kam paraqitur burimet e sipër cituara. Asnjë koment dhe vlerësim nuk nuk kam marrë përsipër. Unë nuk konfirmoj dhe as i kundërshtoj këto burime si dhe të gjitha burimet dhe dokumente të tjera që përfshin ky libër. Atëherë, ku e shikoni fajin dhe mashtrimin tim, profesor i nderuar Odise Grillo?!
Nga ana tjetër një komunist si ju nuk mund të përdorë një fjalor rrugaçësh dhe s’mund të arrijë përfundime pa iu nënshtruar analizës dhe fakteve. Nëse ju Odise Grillo do të kishit seriozitetin për të thënë të vërtetën dhe paanësinë e gjykatësit do të debatonit dhe do të hidhnit poshtë burimin e dokumentit, se unë nuk u kam ndonjë borxh që më quani mashtrues. Pra ju i kalitur në kudhrën e Partisë si mund t’ua lejojë etika të shpifni publikisht, duke më quajtur: “mashtrues të paturp”?
Unë vetë s’kam asnjë lidhje me komunizmin, përveç plumbit, litarit dhe burgut që na dhatë ju komunistët e drapër çekanit për ta bërë Shqipërinë “fanar ndriçues në gjithë botën”, siç edhe bëtë në fakt! Për këto arsye as e njoh dhe as e përdor gënjeshtrën.
Meqenëse ju nuk merreni me burimin, por me autorin e librit, problemi del jashtë kufijve historik pasi profesori godet armikun e klasës: Hysni Lepenicën, pra merr ngjyrë të hapur politike, çka tregon qartë batakun e mjerimit ku keni rënë, ju dhe gazetat tuaja.
E vërteta është se unë e kuptoj pozitën e vështirë të Odisesë së mjerë. Ndërsa mundohet të luaj rolin e mashës, i mësuar si pionier komunist, i trajnuar në gjimnazin e Tiranës si i ri komunist kur rrihte “armiqtë” e klasës punëtore.
Profesor Odiseja, mundohet padenjësisht ta zbusë çështjen kur e shpall Hysni Lepenicën mik të familjes së tij, gjysh stërgjyshi, gjë që është e vërtetë, por shumë vonë është kujtuar për këtë miqësi. Gjethja e fikut nuk i mbulon dot të gjitha. Nëse atij do t’i kishte mbetur sado pakë burrëri dhe ndershmëri së pari do të hidhte poshtë atë paçavuren e tij me titull “Pushkë në bregdet”, novelë e vitit 1967, në të cilën pa pikë turpi dhe pa asnjë bazë merr nëpër gojë me shpifje të ndyra Hysni Lepenicën që personifikohet te personazhi kryesor i librit Hysni Lepeni.
Do të ishte mirë që ju të flisnit për veprën nacionaliste të Hysni Lepenicës, veprën tërësore të tij nëse jeni i sinqertë kur thoni se ai ishte miku i familjes suaj. Veçanërisht për mbrojtjen burrërore që ai ju bëri interesave kombëtare në Himarë gjatë kohës si nënprefekt, atëhere njerëzit do të besonin se jeni i sinqertë kur deklaroni se Hysni Lepenica ishte miku i familjes.
- Kush është mashtruesi dhe bashkëpuntor i fashizmit?
Grillot para se të bëheshin komunist kanë qenë fashist:
-Doktor Athanas Grillo, xhaxhait të Odise Grillos, fashizmi i kishte lidhur një rrogë jetike prej 100 frangash në muaj. Fashizmi lidhte rroga jetike sepse ashu si komunizmi mendonte se do të ishte i përjetshëm
-Dhimitër Grillo, vëllai i madh i Odise Grillos, ishte zgjedhur prej fashizmit nënsekretar politik i Partisë Fashite për Bregdetin e Himarës.
(“Fletore Zyrtare”, nr. 127, dt. 10.11.1942; Asllan Loka “Shqipëria, Dibra dhe Aliajt”, Tiranë 2008, f. 79, 81; Gazeta “Fashizmi”, Tiranë, dt. 19.10.1939)
Më pas fashisti Dhimtër Grillo u bë komunist i plotfuqishëm i kësaj Partie në Himarë dhe përgjegjës për shumë krime në këtë krahinë.
(Për replikën me odise grillon, shih gazetën “55”, Tiranë, dt. 6, 7 dhe 12.12.2001)
- Klithmat komuniste të Besnik Mesaplikut
Në vazhdim të klithmave të korbave Grillo, na vijnë klithmat e komunistit Besnik Mesapliku.
(Gazeta “Dita”, dt. 22.9.2016, f. 15)
Në këtë artikull, pa iu referuar ndonjë dokumenti dhe llogjike historike, Besnik Mesapliku e akuzon Hysni Lepenicën si bashkëpuntor besnik të fashizmit dhe se nuk kishte asnjë rol në vrasjen e toger Moretit më 25 gusht të vitit 1942.
Besniku i Partisë nuk pati guxim të më përgjigjej për parashtresat në artikullin “Atentati parë kundër Sadik Premtes…”, si dhe për artikuj të tjerë historik por sulmin e bëri sipas zakonit të vjetër të rracës: hidh gurin e mëshih dorën…, me pseudonim: Me shpifje dhe falsifikime mundohet të errësojë shkëlqimin e Hysni Lepenicës, “Nder i Kombit”.
I jap të drejtë për frikën që ka, sepse në artikujt e përmëndur, unë kam deklaruar se megjithse po ja heq petët byrekut, nuk po i tregoj të gjitha barishtet që ka brënda, pra as për vrasjet që janë bërë brënda fisit të tij, për arsye morale…Tani po shkëputemi, nga falsifikimet dhe mashtrimet e skllevërve të Koçi Xoxes dhe Kadri Hazbiut dhe po hyjmë në argumentat historike.
Që ta kuptojmë problemin duhet të kthehemi pak pas në kohë. Idetë komuniste në Bregdetin e Himarës, u përhapën nga komunistët e Lumit të Vlorës, ish anëtarë të Grupit Komunist të Të Rinjëve. Ndërmjet dokumentave të shumta, këtë fakt na e dëshmon edhe Aleks Nikollori, fshatari i Odise Grillos dhe Zaho Kokës: “Qani Shenaj,i njohur me pseudonimin Xhaxhanezi, dekoruar me Medaljen e Artë të Shqiponjës, ishte caktuar nga Qarkori i Partisë Komuniste të Vlorës të punonte dhe propagandonte në zonën e Bregdetit. Në mars të vitit 1942, Zaho Koka shkoi në Vranisht. Ishte përpjekja e parë për kontakte me Qarkorin e Partisë Komuniste të Vlorës… Në mars të vitit 1942 erdhën në Vuno të Himarës Sadik Premtja, Pali Terova dhe Qani Shenaj dhe në konakët e Stavro Trolës organizuan një mbledhje me 50 të rinj. Qëllimi i takimit: Partia Komuniste kërkonte një veprimtari më të ngritur ideologjike, politike dhe organizative… Atje u vendos rregullimi dhe vazhdimësia e kontakteve me shokët e Lumit të Vlorës për nevojat e punës si dhe dhënia dhe marrja e informacionit, veçanërisht lidhur me lëvizjet e xhandarëve dhe karabinierëve…
Kleanth Andoni u ngarkua me detyrën e ndërlidhësit me shokët e Lumit të Vlorës. Në fillim të muajt shtator 1942 në Vuno erdhi me mision të rëndësishëm i deleguari i Qarkorit të Partisë Komuniste, Qani Shenaj, “Xhaxhanezi”. Takimin me ilegalët e organizoi te Petazma e Madhe, [emër vendi] sepse nuk kishte kaluar shumë kohë nga vrasja e Moretit dhe fashistët qarkullonin, kontrollonin, vëzhgonin gjithandej. Këtu ai sqaroi misionin e vet: të krijohej celula e parë e Partisë. Ky fakt i gëzoi pa masë pjesmarrësit. Dhe jo më vonë se tri ditë, Zaho Koka,Dhimitër Grillua dhe Anastas Zisua shkuan vetë në Lumin e Vlorës për të marrë nga afër udhëzimet përkatëse. Kështu më 10 shtator 1942, në Vuno, në shtëpinë e Thoma Simos, dëshmor, u formua celula e parë komuniste e krahinës së Himarës: Anastas Ziso, Zaho Koka, Paskal Andoni. Sekretar u zgjodh Anastas Ziso…” (Aleks Nikollori “ Himara” , Himara press, Tiranë 2003, f. 126, 142, 148)
Mbi bazën e dëshmisë së komunistit Aleks Nikollori, duhet të pranojmë faktin e njohur se çdo veprim, çdo lëvizje dhe çdo aktivitet që kryenin komunistët, apo antifashistët, gjatë luftës, në Bregdet, ishin të kordinuara ose të urdhëruara nga Komiteti Qarkor Komunist i Vlorës.
- Një letër që ndryshon historinë
Hysni Lepenica pavarësisht se ishte në detyrën e nënprefektit të Matit dhe Himarës, ai ka qënë aktiv në Lëvizjen Antifashiste. Aktiviteti antifashist i tij pasqyrohet e provohet në dokumente të shumta, të cilat nuk mund ti përmëndein në një artikull të vetëm. Lexuesi i interesuar mund t’i gjej ato në 16 librat e botuar nga autori këtij shkrimi.
Po u refereohemi sado shklurt dokumentacionit historik, të cilat qëndrojnë edhe pas analizës historike dhe llogjike.
Në promemorien e datës 14.8.1941, Maliq Bushati, Ministër i Punëve të Brëndshme i drejtohet z. Meloni: “Duket se lidhjet brënda Mbretërisë dhe zonave të tjera … kanë ngritur krye kryesisht me të arratisurin Myslim Peza… Situata aktuale është disi e nderë… Ja si do të ishte radha e kundërshtarëve të kësaj lëvizje: Sektori i Matit. Nënprefekti Hysni Lepenica, pasi u transferua nga Mati, është mbajtur gjatë në dispozicion të Ministrisë së Brëndshme. Të rikthehet në Mat pasi vazhdon në mënyrë të tërbuar punën e tij propagandistike anti italiane. Ministri i Punëve të Brëndshme Maliq Bushati”.
(AQSH F. 261, V. 1941, D.535, f. 20-21)
Dhimitër Pilo Ziso nga Vunoi, ish sekretari i komunës së Himarës shkruan: “Mbaj mënt se në mesin e vitit 1942, patrioti trim Hysni Lepenica thirri në zyrat e nënprefekturës një mbledhje ku morën pjesë patriotë nga e gjith krahina, nacionalistë, demokratë etj., dhe ranë dakort me mendimin e Hysni Lepenicës për të luftuar pushtuesin dhe çlirimin e vendit… Ai thoshte se është detyrë e atdhetarëve shqiptarë të shpien në vend amanetin e Ismail Qemalit… nuk duhet të kursehemi edhe sikut të na çojnë në litar edhe sikur të na shkojnë në plumb. Ideali kombëtar i dallon shqiptarët nga pseudo shqiptarët. Dhe ai e dha vetë këtë shembull, duke rënë për lirinë e atdheut”:
Në vitin 2001, kur unë i përgjigjesha të ndierit Odise Grillo, nuk merrja përsipër të pohoja apo të kundërshtoja dijeninë, apo rolin e Hysni Lepenicës, nënprefektit të Himarës, në vrasjen e toger Moretit, më 25 mars të vitit 1942.
Më vonë, gjatë hulumtimeve të mia, në Arkivin e Shtetit gjeta një letër në formë urdhëruese, të shkruar në një flet blloku, të vogël, me 5 rreshta, të cilën po e bëj publike për herë të parë.
“I dashur Hysni!
Të lajmëroj që të mos udhëtosh me tenente Moretin asnjëherë në maqinë. Përqafime Nekiu. 9.VIII.42”
(AQSH, F. 18/AP V.1942, D. 1, f. 3. Letrën po e botoj edhe si faksimile)
Ishte një zbulim befasues dhe fort i gëzueshëm. Atë letër e shkruante Neki Ymeri, ish anëtar i GK të Të Rinjëve, anëtar i PK që më 8 nëntor 1941. Në atë kohë komandant i njësitit antifashist të Gjormit dhe sekreta i Qarkorit të Rinisë Komuniste për fshatin, themeluar më 14 mars 1942. Neki Ymeri u vra me urdhër të Hysni Kapos, pabesisht, në pritë nga komunistët Sadik Zotaj dhe Shyqyri Alimerko.
Hysni Lepenica ishte nga Lepenica 3 km larg Gjormit dhe ishte në lidhje të afërta dhe të shumta, farefisnore dhe miqësore me Sadik Premten, Neki Ymerin, Qani Shenaj të tre nga Gjormi, etj. Jemi në mes të vitit 1942, kur marrëdheniet midis rrymave të ndryshme politike janë shumë të mira. Të gjith antifashistët e Gjormit dhe Lepenicës luftonin bashkarisht dhe s’mund të kishin sekrete me njeri tjetrin.
(Shih: Ymer Veshi “Kohë e paharruar”, Tiranë 2007, f. 72-76)
Neki Ymeri, pra i shkruante Hysni Lepenicës në formë urdhëruese: “ të mos udhëtonte me tenente Moretin asnjëherë në maqinë”. Dëshmitar të asaj kohe na kanë thënë se ishte vetë Zaho Koka ose nje fshtar tjetër nga Vunoi që i ka dorëzuar letrën Hysni Lepenicës. Përse ai e paralajmëronte Hysni Lepenicën?
Kjo letër, qartësisht, na bën me dije se njësiti i Bregdetit me në krye Zaho Kokën e kishte biseduar, dhe ishte miratuar të paktën që më 9 gusht 1942, eleminimi i tenente Moretit dhe për këtë arsye Neki Ymeri, lajmëronte Hysni Lepenicën të mbrohej, e të mos udhëtonte me makinën e tenente Moretit.
Kjo do të thotë gjithashtu se Hysni Lepenica të paktën ishte në dijeni të atentatit që do të ndodhte më vonë, dhe që e dëshëronte e miratonte eleminimin e këtij fashisti se përndryshe ai kishte njëmijë mënyra për të evituar atë që ndodhi, pa denoncuar atentatorët.
Eliminimin e toger Moretit e shpejtoi dhe e vendosi edhe një ngjarje tjetër tragjike: vrasja e Shaban Seferi më 21 gusht të vitit 1942, nga Milicia fashiste, në malin e Vunoit. Vrasja, e trimit dhe poetit Shaban Seferi e hidhëroi pa mas Hysni Lepenicën dhe ndezi gjakun e tij për hakmarrje, pasi ai me fisin e Shabanit, kishte miqësi të herëshme dhe shqiptarët i kanë të shenjta miqësitë, jo si komunistët që mbi miqësinë vënë partinë.
Vrasja e Shaban Seferit, sjellja e trupit të tij në Vuno dhe kërcënimi i toger Moretiti se kshtu do ta pësonin të gjith ata që ngrinin dorën kundër fashizmit i ndezi gjakrat e Vunoit dhe shpejtoi atentatin kundër tij që të paktën ishte projektuar që më 9 gusht të atij viti.
(Shih: Shaban Seferi “Vallja e Labërisë”Triptik Vlorë 2009)
Atentatin e toger Moretit dhe aktivitetin e rolin e Hysni Lepenicës e ndriçojnë edhe dokumentat e armikut:
Shërbimi sekret italian, vigjëlonte dhe ishte në ndjekje të veprimtarisë antifashiste të Hysni Lepenicës. Kuestura Mbretërore e Tiranës me shkresën nr. 03375. Datë 14.7.1942, Sekret, i drejtohet Degës së Përgjithshme të Policisë Tiranë:
“Bëhet e ditur se Kristo Dhima… komunist aktiv ka bashkëpunuar për politikë me Minella Kapon student në Liceun e Shtetit i cili është nisur ditë më parë për në Vuno, vendi i lindjes së tij… Nga i njëjti burim vijnë referime që nënprefekti i Himarës Lepenica është në shërbim të Inteligjens Servisit dhe drejtues i komunizmit të asaj zone. Në zonën e Himarës propaganda komuniste është shumë intensive.
Në fund bëhet e ditur që tenente i CC.RR., i Himarës nuk i intereson asgjë duke dhënë përshtypjen e një karte të paguar. Kuestori i Tiranës P.Papalilo”.
(AQSH, F.153, V.1942, D.103, f.185)
Ndërsa në “Telegramin. Nr.02378 datë 2.12.1942. Bëhet e ditur se dje rebelët të pa konfirmuar në numur janë bashkuar në Gumenicë në praninë e avokatit Skënder Muço, doktor Ibrahim Dervishit dhe Hysni Lepenicës ish nënprefekt i Himarës. Ky i fundit ka dhënë edhe direktiva… Regjenti i kuesturës Nallbani”
(AQSH, F. 153, V. 1943, D. 301, f.1)
“Nënprefekti i Himarës Hysni Lepenica është larguar prej qëndrës në drejtim të pa njohur … Nënprefekti në fjalë duket se është kundërshtar politik i qeverisë…”
(AQSH, F. 249, V. 1942-43, D. I/, f. 442-443)
Me shumë rëndësi është dokumenti i oficerit të shërbimit sekret fashist që raporton nga Vlorë të cilin po e citojmë italisht dhe shqip, që, në se Besniku i Partisë, nuk ka besim në përkthimin tonë le ta përkthejë vetë:
“Rapporto riservato per l’ispettore del PNF. Valona 26.1.1943.
… Quanto sopra valgo anche per la sotto prefettura di Himara, che e stata sempre trascurata pure avendo maggiormente risentito delle conseguenza dalla guera e per la quale le cose sono andate fino ad ora molto male perche il sottoprefeto HYSNI LEPENICA. (come avvevoprevisto e denunciato in occasione dell’assassinio del comerata MORETI) era d’accordo con i “partigiani” ed ora, passato ufficialmente nelle loro file, ne e uno dei maggiori capi ed a lui sembra debba attribuirsi l’uccisione del console Clementi. F.21
* * *
Ritengo che nella scelta degli uomni per le cariche locali debbano essere tenuti in certa considerazione gli ortodossi e cio per i seguenti motivi:
Essi per le piu rifuggono dalla consorterie politiche dediti sopra tutto si loro affari. Inffati i copi dai partigiani: Mynyr Halili, Skënder Muço, Avdul Agalliu, Ibrahim Dervishi, HYSNI LEPENICA, Hysni Kapo, sono tutti myslymani e soltanto la gioventu studentesca ortodossa correta dalla propoganda comunista liberamente svolta nella scuola, ha aderito al mivimento partigiano pagando col propprio sangue… f. 21
(Shih: AQSH, Fondi dëshmorëve, 555, V. 1942-1943, D. 66, f. 18-21)
Përkthimi i dokumentit në shqip:
“Raport sekret për Inspektorin e Partisë Kombëtare Fashiste. Vlorë 26.1.1943
Sa më sipër duhet të vlejë edhe për nënprefekturën e Himarës që ka qenë lënë gjithashtu pas dore, ndosne ka ndier më tepër pasojat e luftës dhe për të cilën gjërat kanë shkuar deri më sot keq mbasi nënprefekti Hysni Lepenica sikundër kisha parashikuar dhe denoncuar me rastin e vrasjes së shokut Moreti, ishte dakort me “partizanët” dhe tashti pasi zyrtarisht ka kaluar në radhët e tyre është bërë një nga kryetarët me rëndësi dhe duket se atij duhet t’i atribohet vrasja e konsullit KLEMENTI:
* * *
Jam i mendimit që në zgjedhjen e njerëzve për poste lokale duhet të kisht marrë një fakt në konsideratë: ortodoksët dhe kjo për arsyen e më poshtëme:
Ata më tepër qëndrojnë larg shoqërisë politike dhe janë të dhënë pas punë së tyre.
Në fakt kryesorët e partizanëve: Mynyr Halili, Skënder Muço, Abdul Agalliu, Ibrahim Dervishi, Hysni Lepenica, Hysni Kapo, janë që të gjith myslimanë dhe vetëm rinia e studentore ortodokse janë korruptuar nga propoganda komuniste e zhvilluar lehtësisht në shkolla ka hyrë në lëvizjen partizane duke e paguar me gjakun e vet.
(Shih: AQSH, Fondi dëshmorëve, 555, V. 1942-1943, D. 66, f. 18-21)
Pra siç del edhe nga ky dokument Hysni Lepenica të paktën kishte qënë në dijeni të atentatit të 25 gushtit 1942. Po ashtu Hysni Lepenica akuzohet nga shërbimi sekret edhe për vrasjen e konsullit Franko Klementi në luftën e Gjormit 31.12.1942 deri 2.3.1943.
Në fund të fundit edhe sikur ta zëmë se Hysni Lepenica nuk kishte dijeni dhe nuk kishte luajtur ndonjë rol në eliminimin e toger Moretit, ky fakt nuk ndryshon asgjë dhe nuk errëson veprimtarinë antifashiste të Hysni Lepenicës.
Është gjithashti i rëndësishëm qëndrimi i Hysni Lepenicës pas vrasjes së toger Moretit.
Ndërsa organet e larta fashiste kishin dhënë urdhër që gjith të dyshuarve tu digjeshin shtëpitë dhe të internoheshin. Hysni lepenica e shpëtoi Vunoin, u dogj vetëm një shtëpi dhe u internua në qytetin e Vlorës familja e Dhimitër Grillos.
Me inteligjencën dhe oratorinë për të cilat shquhej ai i vuri fashistët në gjumë, duke e paraqitur vrasjen e Moretit si hakmarrje zakonore për pushkatimin në Dhërmi, të katër djemve të Vunoit: Niko Llagurit, Orest Mitros, Foti Gjinit, dhe Gogo Zhepos dhe aspak për motive politike, antifashiste. Hysni Lepenica ishte miku i nderuar i Vunoit dhe gjithë Bregdetit të Himarës, për veprën e tij atdhetare në atë krahinë, për aktivitetin e tij në grupin komunist të “Zjarrit” aq i shtrirë dhe me influencë në atë krahinë.
Për këto vlera të Hysni Lepenicës dëshmon edhe një komunist nga Dhërmiu, Petro Marko në librin e tij “Retë dhe Gurët “. Është ai Petro Marko që komunistët e Vunoit i vranë vëllanë, e burgosën, i hoqën të drejtën për të shkruar e botuar dhe në këtë vepër ka meritën e tij edhe Odise Grillo. Është ai Petro Marko që komunistët i burgosën djalin dhe vajzën ia lanë pa martuar…
Aktiviteti antifashist i Hysni Lepenicës vjen i pranuar edhe llogjikisht. Atentati kundët toger Moretit u krye më 25 gusht 1942, ndërsa në ilegalitet në shtator të atij viti Hysni Lepenica formi çetën antifashiste “Shqiponja”, vijushmëri historike dhe llogjike e veprimtarisë së tij antifashiste .
(Shih: Paskal Milo “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, Vëll. I, Toena2014, f. 218)
Sipas Komandës së Lartë të Forcave të Armatosura Shqiptare, më 8 mars të vitit 1943, çeta nacionaliste “Shqiponja” e Hysni lepenicës numëronte 50 luftëtarë, pa llogaritur vullnetarët që merrin armët menjëherë sapo ti thërriste Hysni Lepenica.
(AQSH, F.160, V. 1943, D.69, f.1)
Që Hysni Lepenica gjatë kohës që ushtronte detyrën e nënprefektit në Himarë vazhdimisht ka qënë në lidhje në aktivitet dhe në ndihmë të Lëvizjes Antifashiste në Vlorë, na e konfirmon edhe Gjenerali Alberto Pariani, mëkëmbës i Perandorit në Tiranë, i cili flet për personazhet më të rëndësishëm gjatë Lëvizjes Antifashiste:
“Për Lepenicën [Hysni]. Ishte nënprefekt në Himarë. Në shpërndarjen e drithit për 9000 pjesë: 4000 ia dha popullit dhe 5000 rebelëve. Tani është kapobandë”.
(Dokumenti publikuar nga gazeta “Shekulli”, dt. 24.5.2004, f.3, etj.)
Në krahinën e Mesaplikut nga e ka origjinën Besniku i Partisë e dinë të gjith se Hysni Lepenica ka ndihmuar vazhdimisht forcat antifashiste në Vlorë dhe ishte në dijeni të plotë të veprimtarisë së tyre. Rëndësia e dokumetit të gjeneral Pariamit qëndron në faktin se:
- Konfirmohet aktiviteti antifashist i Hysni Lepenicës prej autoritetit më të lartë fashist në Shqipëri
- Vetë fashistët konfirmojnë bashkëpunimin e Hysni Lepenicës me Lëvizjen Antifashiste
Edhe në ditët më të vështira për Partinë Komuniste, kur doli i ashtuquajturi fraksion i Vlorës, Enver Hoxha në udhëzimet që dërgon më 3 maj 1943, urdhëron të merreshin masa “të pamëshirëshme, radikale dhe të menjëherëshme… Shtypja e gjarpërinjëve, duhet të bëhet shpejt… Xhepi [Sadik Premtja] dhe Pali [Terevoa] duhet të pushkatohen përnjëherësh si tradhtarë, fraksionistë, pa asnjë gjyq…
Më poshtë Enver Hoxha vazhdon: “Të shkojnë dy veta të flasin me Hysni Lepenicën dhe t’i japin arsyet e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve…”.
(AQSH, F. 18/AP, V.1943, D. 1, f.4. Udhëzimi botuar në veprat e E. Hoxhës, i janë hequr fjalët: pa asnjë gjyq)
Në një shkresë së Prefekturës së Vlorës nr. 178/10 datë 23.7.1943, që i drejtohet Ministrisë së Brendëshme Tiranë mbi të arratisurit komunistë e nacionalistë ndërmjet të tjerëve renditen: Neki Ymeri, Sadik Premtja, Qani Shenaj, Xhafer Dalani, komunistë dhe Hysni Allush Lepenica dhe vëllai i tij Safet Allush Lepenica, Hasan Brahimi etj…, nacionalistë.
(AQSH. F. 152/2, V. 1943, D. 806, f.56-58)
- Keqinterpretim i qëllimshëm i dokumentit historik: O Zyber, more Zyber u duket turpi hyner.
Besniku i Partisë në shkrimin që analizojmë na mahnit me një zbulim sensacional të një dokumenti që sipas tij provon se “sa i lidhur ka qenë me fashizmin dhe tenente Moretin, Hysni Lepenica” Fshatarët e Besnikut të Partisë do t’i thoshin, vënçe: “Morpo pse s’ke turp!”
Kur i ka rënë në dorë kjo shkresë atij i janë kujtuar citatet e Mao Ce Dunit, kur i propogandonte nëpër Tiranë me lot në sy dhe sipas metodës Maoiste edhe ai ka shkëputur prej shkresës prej dy faqe një citat, duke bërë kështu, zakonin e babës, një keqinterpretim të qëllimshëm të atij dokumenti.
Cila është e vërteta e këtij dokumenti ?
Siç del nga dokumentat e parashtruara dhe nga shumë të tjera që kufijtë e këtij artikulli nuk ka lejojnë t’i citojmë Shërbimi Sekret Italian, kishte rënë në gjurmët e aktivitetit antifashist të Hysni Lepenicës dhe ishte në ndjekje të tij.
Për këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë me shkresën nr. O1459, datë 11.6.1942 “Tepër rezervate”, i kërkon Zyrës Policisë Vlorë, informacion për Hysni Lepenicën.
Zyra e Policisë Vlorë me shkresën nr. O1733 datë 19.6.1942, prej dy faqesh dhe jo një citat sa ka publikuar Besniku i Partisë, përgjigjet me firmën e Kuestorit Dhimitër Bala.
Që të kuptojmë dhe interpretojmë drejt këtë shkresë duhet të dimë se cili ishte Kuestori Dhimitër Bala?
Dhimitër Bala ( 1888 – 1945), ishte nga Vunoi i Vlorës, fshatari i Zaho Kokës dhe Odise Grillos, dhe një nga miqtë e afërm dhe besnik të Hysni Lepenicës. Në shkresën në fjalë ai shkruan se “Hysni Lepenicën, nënprefektin e Himarës e njohim personalisht prej gati më tepër se njëzet vjet…” Dhimitri ishte emigrant në Amerikë, la rehatin dhe interesin atje dhe në vitin 1920, erdhi në Vlorë të luftonte kundër italianëve për lirinë e vendit të tij. Në frontin e kësaj lufte lindi edhe miqësia e tij me major Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën etj.
Luftoi heroikisht në këtë luftë së bashkë me Hysni Lepenicën dhe për trimërinë dhe zotësinë e treguar në përfundim të kësaj lufte legjendare të dy u graduan oficera. Shërbyen në xhandarmëri në frontin më të vështirë në kufi me Greqinë, ishin nga udhëheqësit e revolucionit të vitit 1924 dhe me ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut u arratisën në Itali.
Gjatë pushtimit fashist Dhimitër Bala, me propozim të mikut tij Theodhor Stamati, pranoi detyrën e kuestorit.
Shpirtin e tij atdhetar Dhimitër Bala e ka shprehur në poezi, ku shquan një himin që ai i ka ngritur luftës antifashiste, popullore të Gjormit, 31.12.1942-2.1.1943, të udhëhequar nga Neki Ymeri, Hysni Kapo e Hysni Lepenica, një perlë e vërtetë e poezisë shqiptare. Në këtë himn ai shquan Hysni Lepenicën për heroizmin e treguar në këtë luftë.
(“Mallëngjimi”, Reggio Emilia, Itali, 1945, f. 17)
Në vitin 1945, komunistët e Dhimitër Grillos e arrestuan dhe e akuzun se ka qenë bashkëpuntor i fashizmit, ka qenë në lidhje me Kolë Tromarën, Ali Këlcyrën, Qazim Koculin, Hysni Lepenicën, Skënder Muçon dhe Dhimitër Fallon!!!
Me një gjyq qesharak, pa asnjë fakt juridik, po atë vit, e shkuan në plumb, ndërsa djalin e tij Foto Balën, lauruar në Francë dhe shok i Enver Hoxhës e klabën në burg për 20 vjet.
Shkresa ose dokumenti, që ka “zbuluar” Besnik Mesapliku, fillon kështu:
“Po i përgjigjem shkresës “Tepër rezervate… Në paragrafin e dytë të kësaj shkrese këndojmë: “Ndër autoritetet shënohet Hysni Lepenica që u dalluaka për aktivitet antikombëtar e si një nga drejtuesit e parë”.
Në këto rethana Dhimitër Bala duhet të merrte përsipër pozicionin e avokatit për mikun e tij të besës, Hysni Lepenicën dhe të bënte apologjinë e tij. Për ta shpëtuar nga prangat e fashizmit atij i duhej të bënte punën e avokatit, pra të thoshte atë që nuk ishte e vërtetë se Hysni Lepenica ishte “besnik i fashiszmit”, prandaj ai vazhdon në këtë shkresë: “Tue marrë shkas e vetëm nga ky paragraf do të luteshim të na lejohesh të thoshim pa drojtje e pa nonjë farë rezerve që informatat e asaj Drejtorie janë në kundërshtim me të vërtetën…”
Në këtë shkresë Kuestori evidenton edhe fakte dhe ngjarje të vërteta:
“Fakti që nënprefekti sotëm i Himarës që kur shkoi atje i tillë, puna e parë që kreu ishte mbyllja e shkollave minoritare greke, vepër kjo që s’pajtohet as me parimet e me ideologjinë komuniste dhe as me ndjenjat grekofile, është provë bindëse për sa neve kemi nderin të radhitim më sipër. Dhe është ky shkaku, na duket , për të cilin ka tërhequr mënin e është lëftuar e po luftohet nga elementët tru mykur e disfatistë të asaj krahine…
Nga ana tjetër, disa prej atyre që figurojnë në listën si bashkëpunëtorë e të udhëhequr prej tij, si për shembull Qimo Qiriçi e Spiro Qiriçi, një muaj më parë janë burgosur prej këtij për një sjellje jo të përshtatshme kundrjet Peshkopit Imzot çamçes, me rastin e një vizite peskopale që ky pati bërë në Himarë dhe meshoi në gjuhën shqipe…”
Në fund të shkresës, kuestorit Dhimitër Bala, për të mbrojtur e shpëtuar mikun e tij, i duhet të pohojë edhe “bashkëpunimin” e Hysni Lepenicës me Komandantin e Xhandarmërisë Luigji Morretin, zbulim që e ka bërë dhe publikuar me entuziazëm Besnik Mesapliku, pra asgjë e vërtetë nga sa parashtron Besnik Mesapliku për Hysni Lepenicën.
(AQSH, F. 153, V. 1942, D. 306, f. 224-225)
Mbrojtja e Dhimitër Balës me shkresën e datës 19.6.1942, nuk mund t’i vinte në gjumë fashistët, prandaj ata ngrenë akuza edhe kundrejt tij. Në mbrojtje tashmë të Dhimitër Balës vjen miku tij Theodhor Stamati. Ja çfarë shkruan ai në shkresën e datës 17.7.1942, pra vetëm një muaj nga shkresa e Dhimitër Balës:
“Situata politike në Himarë… Komunistët dhe një pjesë e të ashtuquajturve nacionalistë kanë bërë një front të vetëm kundër fashizmit… Ndër të tjera s’mund mos theksoj që kuestori i Tiranës në raportin e tij nr. 03387 në 3 të vazhduesit ka zbritur në vlerësime të karakterit personale kundër kuestorit të Vlorës. Dëshëroj të evitohet pa tjetër… ngritja e mosmarrëveshjeve të karakterit personal ndërmjet kuestorëve të Mbretërisë”.
(AQSH. F. 153, V.1942, D. 306, f.245-246)
Përfundimisht akuzat e Besnik Mesaplikut përfundojnë si një fishek qorr.
* * *
Hysni Lepenica, pasi krijoi një nga çetat e para antifashisye në shtatotr 1942, ka marrë pjesë apo ka komanduar shumë beteja gjatë Luftës Antifashiste si në luftën e Gjormit 31 dhjetor 1942 – 2 janar 1943, lufta e Greshicës, Mallakastër shkurt 1943, lufta e Ruzhdijes 11-13 mars 1943, lufta e Selenicës 1 prill 1943, lufta e Gjinoqarit 18 qershor 1943, lufta e Luarit 18 dhe 25 qershor 1943, e të tjera …
Prof. Dr. Isuf Luzaj, dëshmitar dhe luftëtar antifashist e portretizon Hysni Lepenicën me këto fjalë: “Hysni Lepenica ishte atdhetar trim. Vetëm Skënderbeu mund të ketë qenë më trim se ai … Në pesë luftëra e kam parë me sytë e mi tek ecte në këmbë me pushkë në dorë, ballë pëe ballë me armiqtë. Në të djathtë e në të majtë vriteshin njerëz, mitrolozi korrte edhe barin e atë nuk e kapte dot plumbi. Ngrihej në këmbë, thërriste luftëtarët që të shkojnë pas tij duke u thënë se plumbi italianit nuk të qëllon dot”.
(Shih për më shumë: Enver Memishaj “Hysni Lepenica…”, Geer, Tiranë 2000. Recenca e librit: Prof. Dr. Hysni Myzyri, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Prof. Dr. Beqir Meta, akademist)
Për interesa të atdheut dhe lirisë Hysni Lepenica ka qenë deri në fund të jetës tij bashkëpunues me të gjitha rrymat pra edhe me Partinë Komuniste dhe për këtë dokumentat janë të shumta, mjafton të përmëndim vetëm dy momente:
E para: janë letrat e udhëheqësit të lartë të Partisë Komuniste Ymer Dishnicës pas Mukejs 2 gusht 1943, që ai i shkruan Enver Hoxhës dhe i thotë se Hysni Lepenica pranon të bashkëpunojë me ne por jo me Mehmet Shehun se ai është kriminel dhe ka dashur ta vrasë.
Këto letra janë bërë publike në shumë organe të shtypit dhe do të ishte e tepër t’i citonim.
E dyta: Pas Mukjes Hysni Lepenica u emërua Komandnat i Fuqive të Ballit Kombëtar të Jugut dhe anëtar i Komitetit për Shpëtimine Shqipërisë. Me këto cilësi ai pasi organizoi forcat luftarake në Vlorë, çliroi Gjirokastrërn, hyri në qytet dhe në zbatim të vendimeve të Mukjes më 11 shtator 1943 i shkruan Organizatës Nacionalçlirimtare në Cepunë, Gjirokastër: “Gjirokastra është në duar të shqiptarëve… Kemi kërkuar të vihemi në kontakt me juve, për të bashkëpunuar dhe kordinuar veprimet. Sot, ju ftojmë që sa më parë të delegoni përfaqësuesit tuaj për këtë qëllim”.
(Shih: Enver Memishaj “Hysni Lepenica…”, vepër e cituar)
Në vend sa komunistët t’i përgjigjeshin thirrjes tij atdhetare dhe shpëtimtare, i kurdisën komplotin me anë të bashkëpunimit me Divizionin fashist dhe ai ra duke luftuar përpara portës së këtij Divizioni më 14 shtator 1943, së bashku me 35 luftëtarë të tjerë dhe sot gëzojnë Statusin e Dëshmorit të Atdheut.
(Vendim i Këshillit të Ministrave, nr. 423 datë 23.9.1992. Në vendim janë 33 luftëtarë pasi 3 vetë janë të pa njohur)
Balli Kombëtar, 14 shtatorin e shpalli si ditën e dëshmorëve.
- Zaten kështu ndodh në jetë, kulishi bëhet më i zellshëm se zagari.
Po e përfundojmë paraqitjen e Hysni Lepenicës si luftëtar antifashist me gjykimet që ka dhënë vetë shoku Enver Hoxha në Pleniumin e Dytë të Baratit, nëntor 1944: “Në Vlorë nacionalistët pranonin luftën, qoftë edhe në mënyrën e tyre. Kjo ishte pika ku mund të bashkoheshim. Ne kërkonim që ata të hynin në Front. Ata s’hynin në Front se për ata s’kish Front, por kishte një Parti Komuniste… Kur ata filluan luftën kundër okupatorit në mënyrën e tyre, Partia duhej të kish kuptuar gabimin dhe të ndreqte pozitat, por asgjë s’u bë. Edhe nga ato pakë pushkë që Hysni Lepenica e Skënder Muçua hodhën, në vend që të përfitonim për me i afrue ata edhe masat e tyre, ne i luftuam duke i përçmuar… Natyrisht Hysni Lepenica nuk mund të punonte dhe të kishte besim kur shoku Mehmet Shehu dhe qindra partizanë të tjerë thonin hapët se do të formonin Gardën e Kuqe si në Spanjë dhe do t’i fshinin këto plehra. Po kjo gjë ngjau edhe në vende të tjera…”
(“Politikë Antikombëtarë e Enver Hoxhës”, Tiranë 1995, f. 20-21)
Këtë deklaratë shoku Enver e bënte në vitin 1944, se më pas Hysni Lepenicën ai e shpalli bashkëpunëtor i fashiszmit, armik e i popullit, sikundër e paraqet edhe besniku i tij apo Besnik Mesapliku.
Ndërsa në vitin 2014, Prof. Paskal Milos, pohon të vërtetën historike të thënë me gojën plotë në vitin 1944 nga Enver Hoxha dhe Hysni Kapua: ”Kishte nacionalistë liberalëe me formim bashkëkohor që kishin ide e pikëpamje të avancuara, që ishin shquar në vijën e parë të antifashizmit, që ishin antikomunistë, por që ishin të prirur që në emër të luftës kundër fashizmit të bashkëpunonin me komunistët e të kryenin veprime të armatosura. Të tillë ishin Hysni Lepenioca, Skënder Muço … etj. Krahu dinamik i Ballit Kombëtar i përbërë nga nacinalistë të rinj antifashistë ngritën çeta të armatosura që të luftonin pushtuesin. Çeta të tilla nga të parat u ngritën në Vlorë nga Hysni Lepenica… Shembulli i parë i bashkëpunimit ishte Lufta e Gjormit… kur çeta e Ballit e kryesuar nga Hysni Lepenica u kordinua me çetën partizane të Vlorës… Po të kishte më shumë mirëkuptim, më shumë dashamirësi e më shumë vullnet nga ana e Partisë Komuniste, unë besoj se Hysni Lepenica, Skënder Muço e ndofta edhe Safet Butka mund të ishin bashkuar në një front… Kjo është e vërteta historike, jo llustra me të cilën kjo histori është mbuluar për shumë e shumë vite”.
(Paskal Milo “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, Vëll. I, Toena, Tiranë 2014, f. 235, 287, 293 etj.;
Intervistë në ”Gazeta Shqiptare”, Tiranë, dt. 9 – 10. 11. 2014, f. 14-15)
Pra shikoni se si ndodh më jetë: kulishi bëhet më i zellshëm se zagari?
- Historia do të na gjykojë jo vetëm kur flasim, por edhe kur heshtim.
Në vitin 2003, Besnik Mesapliku, organizoi dhe udhëhoqi disa skllevër të kriminelëve Koçi Xoxe dhe Kadri Hazbiu, të cilët të frymëzuar nga vepra e shokut Enver Hoxha i kërkuan qeverisë që t’i hiqej titulli dëshmorit të atdheut Hysni Lepenicës dhe 32 luftëtarëve të tjerë të rënë në betejën e Grehotit, pasi ata ishin ballistë!!!. Autori i këtij shkrimi iu përgjegj enveristëve në disa shkrime të gjata me dokumenta të shumta për aktivitetin antifashist të Hysni Lepenicës.
( Shih gazetën “55”, dt. 12.4. 2003 e në vijim, ku autori këtij shkrimi ka botuar në shumë numura dokumente të shumtë dhe dëshmi, që provojnë aktivitetin atdhetar të Hysni Lepenicës gjatë luftës 1939-1944. Gazeta “Balli i Kombit”, dt. 13.4.2003 etj.)
Edhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës çlirimtare, iu përgjegj komunistëve të ditëve tona që udhëhiqeshin nga Besnik Mesapliku me shkresën zyrtare nr. 10/88, datë 14.3.2003, drejtuar z. Fatos Nanos, Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe z. Ilir Meta Kryetarit të Komisionit për Statusin e Dëshmorit të Atdheut.Shkresa është një protestë që kjo Organizatë bën kundër klithmave të korbave komunist të udhëhequr nga Besnik Mesapliku, për t’i hequr titullin e dëshmorit të Atdheut Hysni Lepenicës.
Organizata e Veteranëve ndërmjet të tjerave në këtë shkresë shkruan:“Si veteren i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një nga kuadrot drejtues të Qarkut të Vlorës gjatë luftës më duhet të pohoj për hir të së vërtetës historike se:
Komandanti i Forcave të Ballit Kombëtar për Jugun e Shqipërisë z. Hysni Lepenica dhe çeta e tij janë vrarë nga plumbat e ushtrisë okupatore të Italisë fashiste në fushën e betejës, ashtu si gjith luftëtarët e lirisë për çlirimin e Atdheut kundra ushtrisë fashiste italiane.
Nga ana tjetër, z. Hysni Lepenica dhe forcat nacionaliste të komanduara prej tij edhe në të kaluarën, kanë luftuar disa herë së bashku me forcat partizane kundra fashistëve italianë e mercenarëve shqiptarë që ishin në shërbim të tyre. Kështu p.sh. do të veçoja Luftën e Gjormit, Luftën për çlirimin e Selenicës dhe asnjehërë ky nacionalist deri sa u vra nga fashistët italianë nuk është ballafaquar me luftëtarët e ushtrisë partizane, nacionalçlirimtare…
Ceta e Ballit Kombëtar me në krye nacionalistin e shqur z. Hysni lepenica në Grehot të Gjirokastrës është ballafaquar me ushtrinë okupatore fashiste italiane për të njëjtat qëllime ushtarake si edhe përfaqësuesit e ushtrisë partizane nacionalçlirimtare: për çarmatimin e Divizionit italian “Peruxhia” të dislokuar në gazermat e Grehotit dhe, në asnjë mënyrë, nuk duhet të akuzohet ndryshe dhe të spekullohet kjo e vërtetë historike…
Sot pas 6O vjetësh nuk është koha të rikthehemi në mëndësira të vjetra të së kaluarës “luftës së klasave” dhe të mbështetemi në filozofinë e diktaturës…
Zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave!
Zoti Kryetar i Komisionit të Statusit të dëshmorëve të Atdheut!
Me shpalljen dëshmorë të Atdheut të komandantit të shquar nacionalist Hysni Lepenica dhe bashkëluftëtarëve të tij të cilët u masakruan barbarisht në ngjarjen e dhimbëshme të Grehotit më shtator të vitit 1943, qeveria demokratike e ish kryemninistrit Aleksandër Meksi, vuri në vend një padrejtësi historike e cila në mënyrë të qëllimshme ishte lënë në harresë nga ana e diktaturës komuniste… Kryetari Rrahman Parllaku, gjeneral leitnant në pensin, Hero i Popullit”.
* * *
Hysni Lepenica ishte një atdhetar trim, një antifashist i orëve të para, një figurë pa njollë, që ra duke luftuar për lirinë e popullit të tij. Askush deri më sot nuk ka ngritur asnjë akuzë të argumentuar, me përjashtim të korbave komunistë.
Për këto arsye Hysni Lepenica, pas vitit 1990, është dekoruar nga të gjith presidentët e Shqipërisë dhe mban dekoratat më të larta të Republikës.
Kjo është e vërteta historike, por nëse ju korbat mendoni se duhet të vazhdojmë t’ju bëjmë akoma temena për meritat tuaja pse vratë e gjakosët, me gjak vëllai Bregdetin e Himarës, Mesaplikun dhe tërë Shqipërinë, duhet ta harroni edhe është gabim që se keni kuptuar akoma.
- Kujtimi dhe mbrojtja e Zaho Kokës do të përdhosej nëse avokatët e tij do të ishin korbat komunis si Besnik Mesapliku
Në shkrimin e vitit 2001, unë i drejtohesha të ndierit Odise Grillo:Ju duhet të sqaroni me “ndërgjegjen” e një komunisti, se cilët qenë në pritë ata që vranë fshatarin tuaj Pilo Zison? Cila është përgjegjësia e vëllait tuaj Dhimitrit për këtë krim të pabesë dhe vëllavrasës? Po e kushëririt të Pilos, Anastas Zisos? Përse Afroviti, e motra e Zaho Kokës, e qau të vëllanë me këto fjalë:
O Zaho Koka Vunoi
Hyre dhe në të këqija
Po të detyroi partia.
Dhe të mos harrojmë se partia në Vuno ishte Dhimitër Grillua. Afroviti më vonë u bë kryetare e kooperativës së Vunoit dhe mbajti kundrejt Dhimitrit ,djalit të vetëm të Pilos Zisos një qëndrim armiqësor.
Ju thoni se Zaho Kokën e vrau një ushtar gjerman, që kishte zënë pozicion në kishë të Vunoit! Por fshatarët e Vunoit çoç pëshpërisin vesh më vesh ! Unë po ju kujtoj dëshminë që ka dhënë përpara vdekjes bashkëfshatari dhe bashkëlutëtari i Zaho Kokës, komunisti nga Vunoi, Sofo Lazri , besniku i Enver Hoxhës, i cili u shpreh: “Thonë se Zaho Kokën e vranë”. Këtë dëshmi Sofo Lazri nuk e kishte dhënë në librin e tij “Rikthim i dhimbjes”, por e tha në fund të jetës së tij, për lehtësuar shpirtin e tij, veprim njerëzor që u mungon Besnik Mesaplikasve të ditëve ton.
( Për më shumë shih gazetën “Dita”, dt. 23.12.2002, fq. 12 ; Sofo Lazri, “Rikthimi i dhimbjes”, Tiranë 2002.)
Dhimitër Grillo dhe shokët e tij duhet të shpjegojnë se ç’u bënë paratë që Zaho Koka kishte në gji? Ishin para që Partia ia kishte dhënë Zahos në Helmës dhe ishin aq shumë, sa për të blerë një anije për nevoja të lidhjes me aleatët në Itali. Kur u çua në shtëpi kufoma e Zahos, ato para nuk ju gjetën në gji! Kush e vrau dhe kush ia mori nga gjiri paratë Zaho Kokës?
Besnikët e Mesaplikut,vuajnë nga një sëmundje e pashërueshme; enverizmi, ndaj duke e ditur këtë fakt do të jem i kënaqur të vazhdoj replikën. Kësaj here mbajta shumë rezerva, herën tjetër do të paraqes anën e zezë dhe të panjohur të korbave komunistë të Smokthinës.
- Korbat dhe komunistët e ditëve tona.
Korbat ngjajnë me komunistët nga ngjyra, por ndërsa korbat e kanë ngjyrën në pupla, komunistët e kanë në shpirt. Korbat ndryshojnë nga komunistët se ndërsa korbat i gjejnë kufomat dhe ju nxjerrin sytë komunistët i krijojnë kufomat dhe ushqehen me to.
Skripta manet, verba volant! (Shkrimi mbetet, fjalët fluturojnë).
AQSH, F. 18/AP V.1942, D. 1, f. 3.
ermal gjoni says
Trima te medhenje ne Shqipetaret, Me shume kemi luftuar kunder njeri tjetrit se sa kunder armikut. Kjo histori vazhdon dhe sot. Po t’mos harxhonim energji per te eleminuar njeritjetrin Shqiperia sot do ishte ne kufijte natyrale jo ketu ku jemi. Bile na del teper dhe Gjiri i Sarandes dhe u falet Grekut, perseri nga trimat e “medhenje” shqipetare. Artikulli analize i mesiperm eshte shume domethenes per kete lufte brenda lojit.
Nga Bora says
Plerat me te shume te sigurimit dhe komunistet jane strehuar ne gjirin e ngrohte te Amerikes “antikomuniste“
andronika says
Ketij zhgarravitesi do ti thoja qe shume emra qe permend nuk jetojne me dhe nuk kane mundesi te te pergjigjen. Nuk beni asgje perveç se tregoni nivelin prej rrugaçi dhe batakun e ndyre ku keni rene. Duket qe keni rrjedhur nga trute nga menyra se si ngaterroni emrat ne te ashtuquajtuarat fjali. E filloni fjaline me emrin e dikujt dhe pa lidhje dilni tek person tjeter.