Nga Astrit Lulushi/ Shteti komunist shqiptar ka patur një urretje patologjike ndaj hebrenjëve. Edhe holokaustin e kishte mohuar, përderisa shtetin e ri izraelitë nuk e kishte njohur. Kjo sepse fashizmi e nazizmi, por edhe komunizmi, ishin forca të së njëjtës natyrë që e majta nxorri. Politikat e shtetit komunist mbi qeverisjen dhe punën ishin të ngjashme me ato nazi-fashiste – “puna të çliron”, “puna të mban gjallë”, puna është lavdi”, ishin disa prej parullave të tyre. Sot e njëjta ideologji vazhdon, por e kamufluar, me pinjollët komunistë që ecin në gjurmët e të parë e të tyre. Kur filluan shkatërrimet në emër të reformave urbanistike, ata u shtriqën të kënaqur, pasi thuajse asnjë nuk foli; veprimet e tyre u panë si “punë çunash”, ashtu si aksionet e “çunakëve” gjatë kohës së luftës anti-fashiste që u kthye në luftë anti-balliste, anti-zogiste, anti-patriotike. Por këto janë çështje prindërish, problemi është me çunat e tyre sot.
Kur hoqën simbolin kombëtar, Shqiponjën, nga sheshi Zogu i zi, kjo u paraqit si një komleksitet i Berishës që e kishte vendosur Shqipen gjatë periudhës së qeverisjes së tij, pasi populli, veçanërisht rinia, ka nevojë për forcim ndjenjash kombëtare, gjysma e popullsisë ka ikur.
Po ashtu, të gjithë qeshën, por e lanë të kalojë çmendurinë e shprehur nëpër pallatet me bojra si në ndonjë fshat a qytet haitian, për të mbuluar me ngjyra varfërinë e skajshme.
Dhe tani ndodhi shembja e Teatrit Kombëtar. Shumë borxhe vërtet borxhe i kam atij Teatri. Sa herë kam hyrë pa paguar a me biletë false, pasi nuk kisha a s’gjeja, për të parë një shfaqje ose për t’u endur nëpër hollin e tij mbushur me njerëz të hijshëm fisnikë në sytë e një adoleshenti.
Po tani pas Teatrit, kush tjetër e ka rradhën për t’u shembur? Apo ka ardhur koha për t’u ngritur?