Frano Kulli*/
Fort i dashur dr. Paulin Marku, të nderuar ju pjesëmarrës në atë takim të të rrallë e të veçantë ! Urime me gjithë zemër për shkollën shqipe që pagëzoni sot atje në Amerikë!
Hapja e një shkolle shqipe në Long Island, NY, pa mëdyshje është ngjarje, është një ndër lajmet më të mira që vjen këto ditë nga përtej Oqeanit këtu në Shqipërinë tonë të vogël. Një ngjarje, që jam i sigurtë se përhap gëzim e kënaqësi kudo në shqiptari.
Dr. Paulin Marku, njëri prej studiuesve të spikatur shqiptarë me kontribute të veçanta në fushën e albanologjisë është edhe themeluesi i kësaj shkolle, së bashku me zonjën e tij Fabjola Gjinaj. Shumë urime për këtë sipërmarrje pasionante me rëndësi kombëtare. Hapja e një shkolle kërkon, me të vërtetë pasion të madh. Porse, një shkollë shqipe në Amerikë, si edhe kudo në Evropë, kërkon pasion e përkushtim të madh, e kur ajo bahet realitet është edhe mision. Mision rrezatues.
Shkollën shqipe, Paulini e Fabjola e kanë pagëzuar me emrin “Gjergj Fishta”. Meritueshëm e bukur, sa s’bahet.
Fishta, ashti i shqiptarisë, Poeti ynë kombëtar, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare për një gjysmë shekulli, akademik por edhe mësues e pedagog, qysh në vitin 1902, në liceun françeskan, që drejtonte vetë pati futë për herë të parë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, kur gjuha zyrtare e shkollës deri atëherë ishte italishtja. Por, për herë të parë, gjithashtu, në sallat e asaj shkolle, shfaqjet filluan të jepeshin vetëm në një gjuhë për një publik të gjanë që ishte gjuha shqipe, pra. E kjo ndodhte atëherë kur Shqipëria ishte ende një cep i Perandorisë Osmane dhe vetë gjuha shqipe e shkruar ende e pa formësuar. Më vonë, pas gati 30 vjetësh kur shkollën ia mbyllën, atë shkollë që tashmë ishte, përpos se qendër mësimi e dijeje, ishte edhe qendra më e rëndësishme e kulturës së shkruar kombëtare shqiptare, ai ngulmoi me vullnet të paepur deri në Gjykatën e Lartë Evropiane dhe ia mbërriti ta rihapte liceun e famshëm Ilyricum.
Me 1917, kur do të botohej “Juvenilia” e sivëllaut të tij Poet, Ndre Mjedja ai do të shkruante: “…Prandej kjo veper ka me qenë domosdo e nevojshme me u perdorue nsi tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheut ka me ja ditë per nder mundin qi ka hjekë në perpilim t’ksaj vepre”.
Fort i dashtun dr. Paulini! Unë mendoj e kam bindjen e plotë se shkollat shqipe në diasporën tonë sot, si kultivueset e gjuhës së shkruar shqipe, janë e vetmja shpresë që nuk kanë me e lanë me u shprishë kombin tonë. Globalizmi që po dominon sot boten mbarë, e kërkon si imperativin parësor mbrojtjen e ruajtjen e gjuhës sonë sot, si elementi ma i rëndësishëm i identitetit tonë. Nuk kishte me qenë trashëgimi e pasuri më e madhe për brezin e ri që jeton sot në diasporë e brezat që do të vijnë sesa ruajtja e kultivimi i gjuhës shqipe. Po ku ma mirë, mund të ruhet e kultivohet ajo se sa në shkollat shqipe.
E ju që po bëni të mundur këtë, kombi ka me jua dijtë për nder tanë jetën.
*Letër përgëzimi me rastin e hapjes së shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, Long Island, New York.