LETRA DREJTUAR KRYEPARLAMENTARES JOZEFINA TOPALLI DHE DEKLARATA PAS KOMISIONIT TE JASHTEM PARLAMENTAR/
Anëtarët e Komisionit të Jashtëm diskutoi rezolutën Çame. Por kjo seancë nuk ka kursyer surprizat, kur kryetari i komisionit Fatos Beja ka risjellë në vëmendje rezolutën e viti 2004 për një çështje të tillë. Sipas tij, kjo rezolutë nuk mund të injorohet.
I gjendur përballë një fakti të tillë, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nxitoi të saktësonte se “rezoluta e 2004 në procesverbal del sikur nuk është miratuar. Ne dimë që kjo rezolutë është rrëzuar në atë vit. Po të ishte miratuar do dilte në fletoren zyrtare”.
Por kryetari Beja ka deklaruar se nuk duhet bërë një rivotim, vetëm një rregullim në procesverbal, pasi rezoluta është votuar një herë, nuk votohet për së dyti.
Në vlerësimin e Idrizit, fshehja e këtij dokumenti përbën një dëm të madh shoqëror se asnjë qeveri nuk i është referuar asaj.
Për këtë arsye, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri ka fajësuar ish kreun Kuvendit Servet Pëllumbin duke kërkuar që t’i paraqitet drejtësisë ka falsifikuar dokumente.
Ndërkaq deputeti, Katsriot Islami kërkoi që të sqarohet rezoluta e 2004.
Kështu, pritet që në mbledhjen e radhës të rishikohet pikërisht një rezolutë e tillë.
LETRA DREJTUAR KRYEPARLAMENTARES, JOZEFINA TOPALLI
Kryetares së parlamentit
Shkëlqesisë së saj, zonjës Jozefina Topalli
E nderuar zonjë,
Siç është bërë e ditur Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka paraqitur në Parlament që në dhjetor të vititi 2012 projektrezolutën « për zgjidhjen e çështjes çame ». Kjo projektrezolutë synon zgjidhjen e çështjes çame në kuadër të Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, Konventës Europiane të Lirive dhe të Drejtave të njeriut, dhe të drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.
Në mbledhjen e Komisionit të jashtëm të Parlamentit të datës 10 prill 2013, Kryetari i Komisionit, zoti Fatos Beja na bëri të ditur ekzistencën e një rezolute të miratuar tashmë në datën 8 prill 2004, për çështjen e popullsisë çame.
Në kushtet kur sipas procesverbalit të asaj seance, të vendosur në dispozicion nga administrata e këtij Kuvendi, kryetari i Kuvendit asokohe, ka thënë se kjo rezolutë nuk është miratuar ; (bashkangjitur procesverbali i asaj mbledhjeje) ;
Në kushtet kur kjo projektrezolutë nuk është bërë publike në asnjë numër të Fletores Zyrtare të vitit 2004 ;
Në kushtet kur ashtu siç deklaroi, as Kryetari i këtij Komisioni nuk e gjente në aktet parlamentare këtë rezolutë ;
Në kushtet kur sipas nesh, prej 9 vjetësh nuk është bërë asgjë për zgjidhjen e çështjes çame, mbi bazën e kësaj rezolute që është miratuar, apo të kuadrit ligjor ndërkombëtar,
Me qëllim që Kuvendi i sotëm të mos bëhet palë në zhdukjen e këtij akti dhe të ruajë dinjitetin e vet,
Si deputetë të PDIU-së, kërkojmë :
- Të certifikohet nëse kjo projektrezolutë është miratuar në 8 prill 2004 ;
- Pas certifikimit, rezoluta duhet të marrë fuqi ligjore duke e bërë publike në Fletoren Zyrtare, sipas parimit kushtetues të publicitetit të akteve parlamentare ;
- Në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, të lexohet përmbajtja e saj si dëshmi e afirmimit edhe njëherë të vullnetit parlamentar të shprehur në 8 prill 2004, dhe për t’i ofruar dhe njëherë qeverive të Shqipërisë një bazë referimi të palëkundshme në lidhje me çështjen çame.
- Të merren masa për të hetuar rrethanat e zhdukjes së këtij akti dhe mospërfshirjes së tij në Fletoren Zyrtare të kohës.
Shpëtim Idrizi Dashamir Tahiri
Deklaratë për shtyp e PDIU-së
Kryetari Idrizi në Komisionin e jashtëm : na duhet një tekst konsensual i Rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame ;
Kryetari i Komisionit Beja : ka një rezolutë të miratuar në 8 prill 2004 ;
Idrizi : Ky është skandal. Kryetarja e parlamentit të shprehet nëse ajo rezolutë ka fuqi të plotë ligjore apo jo dhe ta botojë në Fletoren Zyrtare;
Në këto 9 vjet pas diskutimit të atij teksti, asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e çështjes çame !
Sot në mbledhjen e Komisionit të jashtëm të Parlamentit, kryetari i PDIU-së, zoti Shpëtim Idrizi shprehu dhe njëherë nevojën e miratimit të një dokumenti konsensual për zgjidhjen e çështjes çame. Ai e vlerësoi projektin alternativ të propozuar nga kreu i PS-së, por kërkoi që teksti përfundimtar të ishte rezultat i kontributit të të gjithë partive.
Për çudinë e të gjithëve, kryetari i Komisionit të jashtëm, zoti Fatos Beja paraqiti si të miratuar tekstin e një Rezolute që Kuvendi e kishte marrë në shqyrtim në 8 prill 2004. Bëhet fjalë për atë tekst për miratimin e të cilit Shoqata Çamëria kishte organizuar një protestë e cila përfundoi në mënyrë të dhunshme nga forcat e policisë. Sipas zotit Beja, ky tekst, i cili kurrë nuk u bë publik në Fletoren Zyrtare gjendej në arkivin e Kuvendit. Duke replikuar në lidhje me këtë fakt të ri, zoti Idrizi shprehu habinë sesi një dokument kaq i rëndësishëm të mund të fshihej dhe të mos botohej në Fletoren Zyrtare. Ai kërkoi që Kryesia e parlamentit të shprehej në mënyrë përfundimtare në lidhje me vlerën zyrtare të tekstit, dhe që ai tekst të shërbente dhe sot si bazë për veprimin diplomatik të qeverisë në zgjidhjen e çështjes çame. « Kanë kaluar 9 vjet prej atëherë, tha zoti Idrizi, dhe asgjë nuk është për bërë zgjidhjen e saj. Në këto kushte, Parlamentit i duhet të shprehet dhe njëherë në lidhje me zgjidhjen e çështjes çame. Parlamenti duhet ta imponojë qeverinë ta trajtojë këtë çështje si duhet në takimet diplomatike. E kuptoj rëndësinë e Traktatit të miqësisë, por ai Traktat ka funksionuar vetëm për grekët, për varrezat e ushtarëve të tyre, për pronat e minoritarëve, etj, dhe asgjë s’është bërë për ne shqiptarët. Në të gjithë rastet ne kërkojmë shfuqizimin e Ligjit të Luftës », përfundoi ai.
Po sot, dy deputetët Idrizi dhe Tahiri i dërguan një shkresë Kryesisë së Parlamentit ku i kërkojnë të shprehet zyrtarisht dhe pa vonesë në lidhje me miratimin ose jo të Rezolutës në 8 prill 2004, dhe t’i japë asaj Rezolute fuqi të plotë ligjore duke e botuar në Fletoren Zyrtare.