Mr.sc.Rezehana Hysa/
Në vigjilje të 120 vjetorit të themelimit të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë”
Rrethanat politiko-shoqërore që u krijuan në Shqipëri sidomos pas shtypjes së Lidhjes së Pejës ku Porta e Lartë dhe autoritetet osmane i dhanë goditje të rëndë Lëvizjes arsimore e kulturore të shqiptarëve gjegjësisht me mbylljen e shkollave shqipe duke përfshirë këtu edhe Mësonjëtoren shqipe të Korçës më 1902 dhe njëkohësisht arrestimin dhe persekutimin e mësimdhënësve të gjuhës shqipe, mos lejimin e librave shqip,rritjen e taksave etj.krijuan rrethana të reja shoqërore politike për organizim më të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nevojën për zgjerimin e lëvizjes së armatosur që do ti bënte ballë situatës së krijuar.Andaj në nëntor të vitit 1905 me nismën e Bajo Topullit që në atë kohë ishte pedagog dhe nën drejtor i gjimnazit turk në Manastir u formua në Manastir,”Komiteti për lirinë e Shqipërisë”.Krahas tij bënin pjesë edhe Halit Bërzeshta,Gjergj Qiriazi,Feim Zavalani,Nuçi Naçi etj.
“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” ishte organizatë politiko-patriotike që kishte për synim ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptarë për luftë të armatosur kundër pushtuesve osman dhe qarqeve shoveniste fqinje me të ,me idenë absolute se “liria nuk mund të pritej, por të kërkohej”.Bajo Topulli dhe bashkë atdhetarët e tjerë tashmë kishin gjykuar se ka ardhur momenti që Perandoria Osmane të detyrohej që edhe me forcën e armëve të pranonte vullnetin e popullit shqiptar.
Duke synuar një përfshirje më të gjërë të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” gjegjësisht përfshirjen e saj në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm,ky Komitet me në krye Bajo Topullin dërgoi atdhetarë shqiptarë në krahinat e ndryshme të vendit me synimin e qartë ngritjen e degëve të saj në qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm me të njëjtin emër.
Kështu për një kohë të shkurtër në shumë krahina të Shqipërisë u formuan komitete të fshehta të cilët kishin lidhje me njëra tjetrën dhe vepronin nën drejtimin e Komitetit të Manastirit .Qëllimi ishte i qartë “organizimi i lëvizjes çlirimtare dhe i luftës kundër ndërhyrjeve të huaja”.Për arritjen e qëllimeve kombëtare ata i vinin rëndësi të veçantë bashkimit të shqiptarëve,pavarësisht nga feja dhe krahina,përhapjes së diturisë,agjitacionin patriotik si dhe organizimin e çetave të armatosura.
“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” pati edhe statutin(kanonizmën) që botohej në Sofje dhe programin e saj ku si pik referimi kishte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në shkolla,emërimin e vetëm të nëpunësve shqiptarë në viset shqiptare,mos dërgimin e ushtarëve shqiptarë në provincat jashtë Europës etj.,ndërsa si mjet kryesor konsideronte luftën e armatosur të çetave shqiptare kundër pushtuesve të huaj në Shqipërinë e kohës.
Në kanonizëm, thuhej: “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.
“Komiteti qëndror për lirinë e Shqipërisë”,duke synuar luftën e armatosur të popullit shqiptarë kundër pushtuesve të huaj dhe krijimin e një ushtrie kombëtare pati edhe Rregulloren e çetave ose siç e quanin ndryshe “Udhërrëfenjësi i trimave”, ku krahas programit politik kombëtar, përcaktoheshin edhe rregullat e organizimit, të trupave të armatosura. Sipas “Udhërrëfenjësit”, çetat do të përhapeshin në malet e Shqipërisë,me synim të qartë që të formohej një ushtri kombëtare e shtrirë në gjithë vendin.
Vendimin për krijimin e çetave të para,Komiteti i Manastirit e mori në janar të vitit 1906. Mirëpo për mungesë të mjeteve financiare,nuk arriti të armatos qysh në fillim, siç e kishte parashikuar, gjegjësisht 500 luftëtarë në radhët e çetave,por formoi një varg çetash, që vepronin në vise të ndryshme të vendit,e sidomos në Shqipërinë e jugut e të mesme. Çeta e parë u krijua në prillin e vitit 1906 në Kolonjë të Korçës, me 20 luftëtarë e cila ishte e komanduar nga Bajo Topulli.
Bajo Topulli me bashkëluftëtar
Në këtë çetë, Çerçiz Topulli, vëllai i tij, ishte luftëtari më i shquar dhe më aktiv. Për të përçuar këtë frymë, çeta patriotike e Bajo Topullit fillojë të lëvizte pothuajse në gjithë territorin e jugut të Shqipërisë.
Veprimet e së cilës u shtrinë edhe në Gorë, Starovë, Bërzeshtë, Gramsh, Opar e më pas edhe në rrethet e vilajetit të Janinës.
Në ndërkohë dolën në skenë edhe çetat patriotike të Sali Butkës, Qamil Panaritit, Spiro Ballkamenit,Themistokli Germenjit, Muharrem Rushitit, Demo Eminit etj.,duke përfshirë këtu edhe çetën e Fehmi Zavalanit në Kolonjë si dhe disa çeta të tjera të armatosura, që ishin më të vogla por që vepruan fuqishëm sidomos në vitet 1906-1908 në vise të ndryshme të vendit.
Çeta shqiptare e Sali Butkës
Sipas një letre të Bajo Topullit në maj të vitit 1906 ndikimi i Komitetit dhe i lëvizjes së udhëhequr prej tij ishte i gjerë dhe shtrihej në Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Mallakastër, Myzeqe, Kolonjë, Korçë, Tiranë, Elbasan, Ohër, Dibër dhe në vende të tjera.
Qëllimi i çetave ishte të luftonin kundër bandave të andartëve grekë, që persekutonin atdhetarët shqiptarë dhe përgatisnin truallin për helenizimin dhe aneksimin e Shqipërisë së jugut.
“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” u lidh edhe me shoqëritë patriotike jashtë atdheut sidomos me ato të Bukureshtit,Sofjes që e përkrahnin plotësisht programin dhe veprimtarinë e saj.
Si rezultat i Komiteteve të fshehta në pranverë të vitit 1906 gjegjësisht me vendim të “Komitetit për lirinë e Shqpërisë”u realizua një aksion i rëndësishëm i çetave gjegjësisht vrasja më 22 shtator të vitit 1906 e mitropolit grek të Korçës Fotit,klerik reaksionar i vënë në shërbim të shovenizmit grek në shtator të vitit 1906 që kish organizuar vrasjen e pabesë të atdhetarit shqiptar Papa Kristo Negovani.
Populli për këtë ngjarje thuri këto vargje :
“Për tërë natën ç’u dinë (u gdhinë)
në Korçë e zunë pusinë
vranë dhespot mjekërzinë”
Luftën e çetave e përkrahën dhe propaganduan në mënyrë të veçantë organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Drita” e Sofjes,“Kombi”(Boston),“Shpresa e Shqypnisë” (Raguzë-Trieste-Romë) etj.
ndërsa për hir të lidhjes së Komitetit me redaktorin e gazetës “Drita”, Shahin Kolonjës,gazeta “Drita” e Sofjes u kthye në organ të këtij Komiteti. Në mars të vitit 1906 atdhetarët shqiptarë të kolonisë së Sofjes organizuan një çetë tjetër, nën komandën e Çerçiz Topullit, me të cilin u bashkua shkrimtari atdhetar Mihal Grameno dhe Idriz Gjakova. Çeta kishte si mision të përhapte “ndjenjat kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë”. Andaj në dhjetor të vitit 1906 në gazetën”Drita” u botua artikulli i Çerçiz Topullit “Ndjenjat e një mëmëdhetari”, në të cilin u bëhej thirrje shqiptarëve “… të bashkoheshin gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë, e të luftojmë nga Preveza e gjer në kufijtë e Serbisë e të Malit të Zi”.
Qeveria turke ra shpejt në gjurmët e Komitetit të Manastirit. Në urdhrin që i dërgoi në fillim të prillit komandës ushtarake të Manastirit kërkonte informata për Komitetin Shqiptar, i formuar në pjesën perëndimore të Shqipërisë,gjegjësisht për veprimtarinë e saj.Madje ndërmori masa të rrepta kundër anëtarëve dhe përkrahësve të Komitetit të Manastirit. Midis tyre pati të arrestuar edhe shumë oficerë të garnizonit ushtarak të Manastirit dhe nëpunës të aparatit shtetëror, që ishin bashkuar me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”. Me urdhër të vetë sulltanit, në fund të korrikut u arrestua Nafiz Beu nga Ohri, kolonel (lejtnant) i kavalerisë osmane, që pati shkuar fshehurazi në Korçë,Shkup e në Tetovë,për qëllimet e Komitetit të Manastir.
Andaj ndjekjet e autoriteteve turke e vështirësuan veprimtarinë e komitetit si një organ qëndror dhe i detyruan udhëheqësit e saj të shpërngulen në Bukuresht duke lënë në Manastir vetëm një komitet lokal.Formimi dhe veprimtaria e “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” ishte dëshmi e ngritjes së nivelit të organizimit më të artikuluar të Lidhjes Kombëtare Shqiptare në këtë periudhe kohore.
Kur në janar të vitit 1907 u shpallën në gazetën zyrtare të Vilajetit të Manastirit emrat e atdhetarëve, që duhej të dorëzoheshin e të arrestoheshin sa më parë,si Bajo e Çerçiz Topulli, Beqir Sali Butka, Islam Arifi, Ahmet Zylfiqari, Dervish Ismaili, Fejzo Beu nga Dëshnica, Mersin Abdyli etj. u vështirësua veprimtaria e Komitetit të Manastirit si organ qendror,andaj udhëheqësit e saj u detyruan që të shpërnguleshin në Bukuresht dhe të linin në Manastir një komitet lokal, që mbante lidhje me Bukureshtin.Kështu vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli në nëntor të vitit 1906 të përkrahur nga shoqëritë atdhetare shqiptare e sidomos nga Shahin Kolonja e Kristo Luarasi në Sofje, nga Pandeli Evangjeli, Rafael Dako, vëllezërit Zografi në Bukuresht dhe dr. Ibrahim Temoja në Kostancë u detyruan të largohen nga atdheu për në Sofje e Bukuresht ku atje realizuan një varg aktivitesh dhe morën masa për sigurimin e ndihmave financiare për luftën e armatosur të çetave në Shqipëri.Në ndërkohë po për këtë qëllim Bajo Topulli shkoi në Paris e SHBA ku me ndihmën e Fan Nolit dhe të atdhetarëve të tjerë të kolonisë shqiptare të Bostonit mblodhi ndihma për “Komitetin e lirisë së Shqipërisë”,si dhe organizuan një sërë mitingjesh ,protestash kundër terrorit osman dhe dhunës së bandave të andartëve grekë në Shqipëri.
Ndërkaq, veprimtaria e çetave nuk u ndërpre por u formuan edhe çeta të tjera që vepruan në vise të ndryshme të Shqipërisë.
Veprimtaria e klubeve dhe komiteteve shqiptare që vepronin në Shqipëri dhe jashtë saj,kishte kohë që ishin në qendër të vëmendjes në shtypin e huaj dhe të konzujve të huaj. Në pranverën e vitit 1907 Bajo Topulli, për të qetësuar Vjenën, e cila nuk ishte e prirur të përkrahte veprimet që do të cenonin status quo-në në Ballkan, u deklaroi përfaqësuesve të saj konsullorë se “situata në Shqipëri ende nuk ishte pjekur për një kryengritje të përgjithshme”, por për ta përgatitur atë, “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” do të vazhdonte të organizonte çeta të armatosura, të cilat, do të merreshin me përhapjen e ideve kombëtare të shqiptarëve.
“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” realizoi edhe një sërë aksionesh të tjera në qytete të ndryshme të vendit,madje ishte ai që urdhëroi vrasjen e Bymbashit turk të Gjirokastrës , Halil Musa më 25 shkurt 1908.
Pas vrasjes së Bymbashit disa ditë më vonë gjegjësisht më 18 mars 1908,u zhvillua beteja, e cila në histografinë shqiptare njihet si Lufta e Mashkullorës. Pavarësisht numrit shumë herë më të madh të ushtarëve osmanë, çeta e Çerçiz Topullit mundi të çante rrethimin edhe pas gati 15 orë rezistence, duke përfituar edhe nga errësira e mbrëmjes dhe mjegulla e marsit.
Mihal Grameno në kujtimet e tij shkruan: “Vrasja e bimbashit në Gjirokastër,si dhe fama e luftës së Mashkullores ishin përhapur në Europë, duke u bërë bujë në gazetat e mëdha të kohës andaj qarqet e larta të Stambollit zunë t’i japin një rëndësi të madhe lëvizjes kryengritëse shqiptare”.
Më 1 shkurt 1908 po në gazetën “Drita” u botua shkrimi “Letër nga malet e Shqipërisë”, hartuar nga Çerçiz Topulli si komandant dhe Mihal Grameno sekretar i çetës, ku theksohej se ushtria e luftëtarëve të lirisë po shtohej dita-ditës dhe se ishte detyrë e çdo atdhetari të ndihmonte “Komitetin për lirinë e Shqipërisë” “në qëllimin e tij të shenjtë ndaj atdheut”.
Në ndërkohë shumë shoqëri dhe komitete të tjera që bashkëvepronin me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”, i grishnin shqiptarët që të përgatiteshin për kryengritjen e armatosur, e cila parashikohej të shpërthente në pranverën e vitit 1908 me moton:”Një luftë e vërtetë për lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë të dashur”.
Çetat e lidhura me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë” në maj të vitit 1908 e përbërë prej 63 luftëtarësh, hyri në Sarandë, sulmoi godinat e administratës shtetërore lokale,andaj si rrjedhojë për të ndjekur çetën, autoritetet osmane dërguan nga Preveza në rrethin e Sarandës forca të tjera të xhandarmërisë, që bënë arrestime të shumta nga popullsia. Më shumë se 70 veta, myslimanë e të krishterë, u dërguan të lidhur në Prevezë e prej andej në Janinë. Ngjarjeve të Sarandës u bëri jehonë edhe shtypi i huaj evropian.
Zgjerimi i luftës së armatosur të çetave, në Shqipërinë e jugut, të organizuar nga “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” dhe të shumë komiteteve,shoqërive të tjera që vepronin si një trup i vetëm si brenda ashtu edhe jashtë vendit ishin alibi se në prag të Revolucionit xhonturk të korrikut të vitit 1908 Shqipëria ndodhej para një kryengritjeje të përgjithshme.