

Nga Keze Kozeta Zylo/
Sot në një ditë të bukur pranverore marsi u takuam pas mësimit shqip me kompozitorin e shquar shqiptar z. Limoz Dizdari. Ashtu thjesht dhe plot mirësi zbriti nga makina dhe u ndal për të na takuar pas mësimit si mësues dhe si staf të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Staten Island në fidanishten e parë të gjitha shkollave cep më cep të Nju Jorkut gjer në Albany kryeqytet.
Ndërsa ecte drejt nesh me hapin e ngadalshëm dhe të qetë si në ekran, më vinin një seri filmash me muzikë nga Limoz Dizdari, një seri këngësh të kompozuara nga ai, por jehona e këngës “Gjuha Jonë” më dukej sikur dëgjohej, intepretohej prej nxënësve tanë, ndërsa ne vazhdonim të bisedonim me plot përzemërsi dhe kërshëri me artistin e shquar.
Kompozitori i famshëm Limoz Dizdari na falënderoi për mësimin e Gjuhës Shqipe në këtë Mision Kombëtar dhe natyrisht biseda e tij e ngrohtë rridhte si nje valë kaltëroshe e Detit Jon, ishte frymëzuese për të gjitha ne. Ai tha se ju ndjek vazhdimisht në ekranin e TV “Alba Life” dhe emocionohem kur shoh fëmijët e lindur dhe rritur në Diasporë të mësojnë Gjuhën Shqipe.
Une i shpreha mirënjohjen tonë të pakufishme për cfarë i ka dhënë artit dhe Kombit me kompozimet e tij aq të dashura për publikun. Ai me thjeshtësinë që e karakterizonte tha se pa bashkëpunimin me ju poetët nuk do te kishja kompozime të bukura. Dhe natyrshëm në mendje më vinin kompozimet si për këngët: Udhët e Atdheut, Fjalët e qiririt etj…
Takimi ishte shumë frymëzues, brezi im është rritur me këngët dhe muzikën e Limoz Dizdarit. Vepra e tij do të ngelet ndër breza sepse është siç thotë kompozitori botëror Bethoven si: “Ju uroj që muzika t’ju ndihmojë në pengesat e jetës dhe t’ju frymezojë t’ju sillni dhe të tjerëve nga lumturia juaj.”
Ishte një takim mbresëlënës me mësueset si Elona Shkreta, Aida Hajri asistente dhe stafin e shkollës si Denisa Loka dhe Rudina Martini me z. Limoz Dizdari, kompozitorin e shquar si për vepra simfonike ashtu edhe për përpunimin dhe kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare.
Dizdari është kompozitor i muzikës së shumë filmave.
Ai është pjesëmarrës në disa festivale të këngës dhe fitues i mjaft çmimeve të para dhe të dyta ku mund të përmendim këngët “Këputa një gjethe dafine”, “Udhët e atdheut më thërrasin” të vlerësuara me çmime të para.
Ka kompozuar muzikë të shumë filmave si “Beni ecën vetë”, “Malet me blerim mbuluar”, “Rrugë të bardha”, “Koncert në vitin 1936”, “Njeriu me top”, Qortimet e vjeshtës” etj. Ka kompozuar mjaft këngë për fëmijë, këngë të përpunuara, romanca, korale, sonatë për piano, pjesë instrumentale etj.
Për meritat e tij artistike Limoz Dizdari është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”.
22 Mars, 2025
Staten Island, New York