Festivali Shqiptar në Waterbury CT, është kthyer në një traditë dhe i ka kaluar kufijtë e shtetit të Connecticut, duke marrë pjesmarrës edhe në shtetet për rreth, si në New York, New Jersey e Massachusetts. Përveç shqiptarëve ky festival ka edhe vëmendjen e amerikanëve, të cilët çdo vit kanë shprehur kënaqësinë e pjesmarrjes dhe kanë lëvduar folklorin shqiptar, vallet e bukura, veshjet tradicionale dhe krejt të veçanta, si dhe kanë pëlqyer traditën e kuzhinës shqiptare, që servir gatime të shumllojta në këtë ekspoze tradicionale që shoqëron muzikën dhe vallet.
Sivjet është edicioni i 11-të i këtij festivali, që zhvillohet nga 2 deri në 4 Qershor 2016. Ata që kanë dëshirë për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarje të madhe kulturore artistike mund ta ndjekin Festivalin të Enjten me 2 Qershor nga ora 5 pm deri në 11 pm, të Premten me 3 Qershor në të njëjtët orë dhe të Shtunën, që është pika kulmore e aktivitetit nga ora 2 pm – 11 pm në 38 Raymond St, Waterbury CT.
Fansat e Kuzhinës shqiptare kanë mundësi të shijonë gatimin origjinal shqiptar të qengjave, byrekut tradicional, ëmbëlsirave tradicionale, verërat shqiptare dhe gjithçka tjetër që do të ofrojnë shqiptarët në Waterbury.
Muzika shqiptare do të jehojë për tre netë me radhë, ndërkohë që grupet artistike,do të performojnë të Shtunën, 4 Qershor, që nga ora 6 pm. Valltarët e të gjitha moshave do të shpalosin repertorin e pasur të valleve nga të gjitha trevat shqiptare.
Edhe autoritetet lokale amerikane e frekuentojnë këtë festival.
Mos e humbni rastin, bëhuni pjesë e këtij festivali të veçantë!
(Korresp i Diellit)