Don Lush Gjergji: Vëllezerit Gojçaj i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e popullit tonë./
Siç kishte njoftuar Gazeta Diellit, gjatë ditës së djeshme, e Enjte, 11 Janar 2018 nga ora 2.00 PM deri në orën 9.00 PM në Shtëpinë Mortore Yorktown, komuniteti shqiptar nga SHBA, Kanada, Europa si dhe nga vendlindja, zhvilloi homazhe në nderim të Pashk Gjeto Gojçaj, i cili ndërroi jetë me 10 Janar 2018, pas një qëndrimi disaditor në spital prej një sëmundjeje të pashërushme. Komuniteti shqiptar e ka nderuar veprimtarin dhe biznesmenin bashkatdhetar, duke formuar radhë të gjata para funeralit.Ka qenë një pjesmarrje shumë e madhe.
Homazhe bënë edhe diplomatë nga Konsullata e Kosovës, drejtues te shoqatave te komunitetit, biznesmene, aktiviste etj. Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, i shoqëruar nga zv. Kryetari Agim Rexhaj dhe bashkëpunëtorë të tij, ka ngushëlluar Familjen Gojçaj.
Sot, e Premte 12 Janar 2018, në orën 11.00 AM, në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” u organizua Mesha e funeralit e udhëhequr nga Famullitari Dom Pjetër Popaj.
Ceremonia e varrimit u organizua në varrezat Gate of Heaven në Nju Jork. Pas Lutjeve fetare të udhëhequr nga Dom Pjetër Popaj, në emër të Familjes Gojçaj, z. Luigj Rakaj ka falenderuar meshtarët dhe pjesmarrsit në ceremoninë e varrimit si dhe të gjithë komunitetin shqiptar, që iu ndodh pranë Familjes në këto çaste të vështira.Rakaj përmes një fjalimi emocionues ka përshkruar jetën e Pashk Gojçaj si dhe kontributin atdhetar të familjes Gojçaj, e cili ka bërë më shumë se dhe vetë shteti shqiptar për përjetësimin e Shënjtëreshës shqiptare Shën Tereza.
Më pas aktivisti Lek Përlleshi, ka lexuar mesazhin e Bibliografit të Shën Terezës, Don Lush Gjergji, i cili në emër të Ipeshkëvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit, ka përcjellë ngushëllimet më të thella dhe ka vlerësuar veprën Kombëtare të Familjes Gojçaj.
Në mesazh shkruhej:Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim-Pashk Gojçaj. Ky njeri, shqiptar, i krishterë, familjar, së bashku me vëllanë Lekë Gojçaj, ishte i shquar dhe i dalluar si mërgimtar në SHBA jo vetëm për punë dhe sukses personal, familjar, por mbi të gjitha për angazhimin dhe veprimin në dobi të çështjes kombtare.
Qysh nga vitet 90-të, kur Shqipëria së fundi ishte hapur pas diktaturës së egër komuniste-ateiste, ndërsa Kosova ishte në gjendje tejet të vështirë, shumë të rrezikshme, me batica dhe zbatica të papara, me rreziqe të shumta, me thyrje të mëdha politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ndër të parët nga SHBA-ja u bashkërënditën me prijësin tonë historik Dr. Ibrahim Rugovën në kërkim të zgjidhjes me mjete pasqësore jo dhunore. Ata shumë shpejt u bënë bashkëpunëtorë dhe përkrahës të tij, të popullit tonë në Kosovë.
Njohuritë, pasuritë, miqësitë e tyre i vunë në shërbim të të mirës së përbashkët, të mbijetesës sonë, dhe një pjesë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë, ia kushtuan bashkëpunimit me miqtë tanë kombëtar dhe ndërkombëtar.
Mishërimi i kësaj strategjie dhe bamirësie erdhi në shprehje nëpërmjet Nënës Terezë, si pasojë e logjikshme dhe natyrore e nderimit, falenderimit dhe imitimit të saj në botën tonë shqiptare. Ata i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e popullit tonë.
Dhe së fundi angazhimi në ndërtimin e Shenjtërores dhe Katedrales”Nëna Terezë” në Prishtinë, që ishte sfidë për të gjithë ne. Edhe në këtë fushëveprim, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, nuk kursyen asgjë, për të qenë pjesë aktive dhe bamirëse, si bijë shpirtëror të Shën Terezës, të popullit tonë.
Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkëvit të Kosovës, të klerit dhe besimtarëve tanë, shprehim ngushëllimet tona të krishtera, të përcjellura me nderime, falenderime, uratë dhe dashuri.
Për këto dhe shumë vepra të tjera të mira, Zoti, të ndjerin pashk Gojçaj, e shpërbleftë me Paqe, dritë, jetë dhe lumturi të amshuar, ndërsa familjen e dashur dhe të nderuar Gojçaj, me ngushëllime!
Pushoftë në paqë!
Prishtinë, 10 Janar 2018
(Korresp. i Dielli-t)