
Ledio Xhoxhi
Punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë/
Aleksandër Xhuvani jeton ngjarje të tilla si: Shpalljen e Pavarësisësë së Shqipërisë (1912); Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare; apo periudhën e komunizmit. Në këtë kuadër të përgjithshëm formohet personaliteti i Aleksandër Xhuvanit, formohen pikëpamjet e tij filozofike, politike e pedagogjike. Idealet e larta të Rilindjes Kombëtare pasqyrohen edhe në botëkuptimin e Xhuvanit. Pikënisje e këtij botëkuptimi bëhet ideali i çlirimit kombëtar. Qëllimi më i lartë i Xhuvanit ishte t’i shërbejë më së miri popullit dhe atdheut të vet, idealin e çështjes kombëtare ai e mbron që në bankat e shkollës.
Pas Shpalljes së Pavarësisë, kur shkolla shtetërore shqiptare sapo hidhte shtat, krahas problemeve të tjera të mprehta që lindën lidhur me shkëputjen nga varësia e shkollave të huaja dhe mëkëmbja e arsimit kombëtar, qe edhe ai i didaktikës, si teori e të mësuarit dhe si teori e arsimit, mbi bazën e të cilës do të përgatiteshin profesionalisht mësuesit e ardhshëm shqiptarë. I konceptuar në kuadrin historik të kohës, problemi që shtrohej për zgjidhje nga përfaqësuesit demokratë përparimtarë nuk qe i lehtë as nga ana teorike, as nga ana praktike, sepse mungonin mjetet bazë. Nga njëra anë mungonte literatura pararendëse, përvoja e tradita, ndërsa, nga ana tjetër, vazhdonte të ushtrohej kërcënueshëm ndikimi i shkollave të huaja.
Pjesë përbërëse e mendimit pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit është edhe mendimi didaktik i tij. Didaktikën e konsideron si një pjesë me rëndësi të pedagogjisë. Aleksandër Xhuvani e konsideron të mësuarin si një veprimtari të organizuar e të qëllimshme që të pajis me njohuri por edhe me një edukatë të caktuar.
Aleksandër Xhuvani merr pjesë aktive në organizimin e arsimit kombëtar si dhe në zhvillimin e mendimit pedagogjik shqiptar nga pozitat e një luftëtari të vendosur të së resë përparimtare. Ai quan didaktikë shkencën dhe artin e punës së të mësuarit. E quante si shkencë nga pikëpamja që ajo jep dije, kurse si art nga pikëpamja e mjeshtërisë së transmetimit të këtyre dijeve nga mësuesi.
Aleksandër Xhuvani përfaqëson një didakt të madh me fuqi krijuese dhe origjinale. Vepra “Didaktika” e vitit 1937 me problemet që ngre, mënyrën si i trajton ato probleme, qëndrimin që mban ndaj tyre dhe referencat e shumta që citon nga literatura botërore i kalon caqet e një teksti mësimor, duke dhënë kështu një ndihmesë të madhe në zhvillimin e mendimit pedagogjik të kohës.
Në teorinë e pedagogjisë sonë kategori të ndryshme si të mësuarit, të nxënit, procesi mësimor, metodat e mësimdhënies etj., të formuara nga Aleksandër Xhuvani, përbëjnë një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e mendimit pedagogjik përparimtar shqiptar dhe zënë një vend të rëndësishëm në didaktikën tonë. Duke qenë i ndërgjegjshëm për ritmet e ecjes përpara të shkencës, e në këtë kuadër dhe të metodave në arsim, Xhuvani qe kundër uniformizmit në procesin e mësimdhënies. Duke vlerësuar drejt raportet e lidhjes mes lëndëve dhe në të njëjtin kohë specifikën që ka secila, ai theksonte që në varësi të moshës e të rrethanave ecuria e mësimit ka veçoritë e veta sipas specifikës së lëndës. Ai pohonte se nuk ekziston një metodë e përgjithshme, ai qe për metodën induktive në histori, gjeografi, edukatë qytetare, kurse atë deduktive në lëndët me karakter shkencor si matematikë etj. Brendinë e të mësuarit e paraqet të konkretizuar në planin dhe programin mësimor, në lëndët e mësimit të cilat i ndan në njohuri ku përfshin: gjuhën, gjeografinë, historinë, muzikën e gjimnastikën. Xhuvani nuk dëshironte që nxënësit të ngarkoheshin me shumë lëndë, donte që të mos mësohen lëndë që kapërcen fuqinë kuptimore të nxënësit. Lënda e mësimit t’i përgjigjet kulturës së momentit, të mos mësohen gjëra të pavlefshme, mësuesi të mos shpjegojë aq shumë sa të mërziten nxënësit, mësimi duhet të ndjellë interes tek nxënësi. Problemet që lidhen me metodat e të mësuarit përbëjnë një aspekt tjetër të mendimit didaktik të Aleksandër Xhuvanit.
Pra, Aleksandër Xhuvani përpunoi një mendim didaktik të përparuar, konceptoi drejt problemet e të mësuarit. Idetë dhe pikëpamjet pedagogjike dhe didaktike të Xhuvanit të formuluara në periudhën para çlirimit saktësohen, thellohen, pasurohen në periudhën e pas çlirimit.