Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Prishtina, pranvere 2016/
-Konferencën “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”e hap Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi/
-Fjalimet kryesore nga dy laureatë të Çmimit Nobel/
-Ceremonia inauguruese për dhënien e çmimit të Kosovës për dialogun ndërfetar, i cili i jepet Kryetarit të Londrës, Sadiq Khan, si dhe themeluesit të komunitetit Sant’Egidio, ipeshkvit Vincenzo Paglia/
PRISHTINË, 31 Maj 2016/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite në Prishtinë, do të bëjë hapjen e konferencës ndërkombëtare ndërfetare “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”, e cila po organizohet në kuadër të nismës Interfaith Kosovo.
Kjo ngjarje e nivelit të lartë, që sivjet organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, ka një axhendë unike me disa pika kryesore, si:
- Fjalimet kryesore nga dy laureatë të Çmimit Nobel, Dr. Shirin Ebadi (fituese nga Irani, në vitin 2003) dhe Tawakkol Karman (fituese nga Jemeni, në vitin 2011);
- Ceremonia inauguruese për dhënien e çmimit të Kosovës për dialogun ndërfetar, i cili i jepet Kryetarit të Londrës, Sadiq Khan, si dhe themeluesit të komunitetit Sant’Egidio, ipeshkvit Vincenzo Paglia;
- Panelet dhe punëtoritë do të përbëhen nga pjesëmarrës nga organizata botërore ndërfetare, si Fondacioni i Besimit “Tony Blair Faith Foundation”, “Instituti Salam për Paqe dhe Drejtësi”, pastaj nga Fondacioni Berghof, Gratë pa Kufij (Women without Borders), Qendra Doha për Dialog Ndërfetar, etj.
Konferenca mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNDP, UN Women, Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Kosovë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Kanadeze në Kroaci – jorezidente për Kosovë, si dhe Fondacioni i Besimit “Tony Blair Faith Foudnation”.
Konferencat ndërkombëtare ndërfetare të mbajtura në Kosovë janë ngjarje të mëdha të nismës Interfaith Kosovo që mbledhin aktivistë të shoqërisë civile, liderë fetarë, diplomatë, gazetarë, artistë dhe akademikë për të diskutuar një gamë të gjerë të sfidave me të cilat përballen vendet në sigurimin e pajtimit në periudhat dhe zonat pas konfliktit, si dhe për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në shoqëritë e sotme bashkëkohore.Konferenca do të mbahet në hotelin “Swiss Diamond”, kurse mediet mund ta ndjekin drejtpërdrejt fjalimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe fjalimin e nobelistes nga Irani, Dr. Shirin Ebadi./b.j/