-Sot dhe nesër, konferenca ndërkombëtare “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”/
-Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, diskutuan lidhur me trashëgiminë e përbashkët kulturore, si një bazë e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
-Nga konferenca lançohet Iniciativa e Parlamentarëve për Paqe në nivel të rajonit të Ballkanit/
PRISHTINË, 23 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, sot dhe nesër zhvillohet konferenca ndërkombëtare me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”.
Ish-presidentë, kryetarë dhe ish-kryetarë parlamentesh të vendeve të ndryshme të rajonit, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile nga Evropa dhe Bota, janë mbledhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Konferenca, në temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”,
u organizua nga Federata për Paqe Universale (FPU), e cila ka një status të veçantë konsultativ në Komitetin Ekonomik dhe Social të OKB, në partneritet me Shoqatën Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe (SHNPP), e cila ka për qëllim krijimin e një forumi për parlamentarët përtej kombësive, identiteteve fetare ose përkatësive partiake.
Fjalën përshëndetëse të kësaj konference e mbajti kryetari i Federatës për Paqe Universale (FPU) Thomas Walsh.
Në panelin e parë, tre ish-presidentë të vendeve të rajonit: ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, diskutuan lidhur me trashëgiminë e përbashkët kulturore, si një bazë e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Gjatë fjalimeve të tyre, ish-presidentët vlerësuan të arriturat, por njëherësh adresuan edhe problematikat të cilat vazhdojnë t’i përcjellin marrëdhëniet midis popujve dhe shteteve të rajonit. Ata theksuan domosdoshmërinë e një angazhimi më të madh të udhëheqjeve të të gjitha vendeve në Ballkan, për të përmirësuar më tej këto raporte dhe për të forcuar urat e bashkëpunimit midis njerëzve, në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies më të madhe në rajon.
Në panelin e dytë, ndërkaq, në temën Diplomacia Interparlamentare dhe Bashkëpunimi Rajonal: Parlamentarët për Iniciativën e Paqes, folën: ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, ai i Parlamentit të Shqipërisë, Dashamir Shehi etj.
Ish-kryeparlamentari Krasniqi foli për rolin konstruktiv dhe përcaktues që shqiptarët kanë luajtur në vendosjen e lidhjeve dhe raporteve të reja midis popujve në Ballkan, në frymën e bashkëpunimit e të fqinjësisë së mirë. Ai tha se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka prodhuar stabilitet politik dhe siguri në rajonin tonë. Krasniqi shtoi se shtetet dhe popujt e Ballkanit tani kanë shansin të hapin një faqe të re të historisë së tyre, gjurmëve të themeltarëve të Bashkimit Evropian.
Konferenca ndërkombëtare “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve” vazhdon punimet nesër.
Nga kjo konferencë do të lançohet Iniciativa e Parlamentarëve për Paqe në nivel të rajonit të Ballkanit. /b.j/