Dr. Bexhet Asani
Njëqind e njëmbëdhjetë vjet më parë përfundoi punimet Kongresi Historik i Manastirit. Ky vit, pra viti 2019, është viti jubilar i njëqind e dhjetë vjetorit të botimit të abetares së parë të Parashqevi Qiriazit më 1909, disa muaj pas përfundimit me sukses të punimeve të Kongresit të Manastirit. Sipas patriotit të shquar Gjergj Qiriazit Kongresi filloi punimet më 14 nëntor dhe i përfundoi më 22 nëntor të vitit 1908. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë nga 26 qytete dhe të shoqërive, të cilët kanë pasur 52 vota, dikush mund të mendoj se nuk e kemi bërë llogarinë mirë, por, disa delegatë kanë pasur nga dy vota, ndërsa 18 delegatë ishin pa të drejtë vote. Pjesëmarrëse në Kongres ishte edhe mësuesja e popullit Sevasti Qiriazi, por pa të drejtë vote. Në Kongres kanë marrë pjesë 50 delegatë. Sot në këtë ditë të shënuar, dita më e arritur e popullit shqiptar në Maqedoni, këto 24 vitet e fundit, kemi nderin të përmendim e mrat e ndritur, të pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit: Kryetar nderi u zgjodh qeveritari Hivzi Pasha. Anëtarë u zgjodhën: Ellahudin Bej dhe Gjergj Qiriazi nga Manastiri, Shefqet Frashëri dhe Thoma Avrami nga Korça, Grigor Cilka dhe Sami Pojani vinin nga shkollat e amerikane, Mihal Grameno poashtu nga Korça, Rauf Gjirokastra dhe Bajo Topulli nga Gjirokastra, Dhimitër Buda dhe Simon Shuteriqi nga Elbasani, Shahin Kolonja nga Kolonja, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci dhe Gjergj Fishta nga shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës, Ndre Mjeda nga shoqëria “Agimi” e Shkodrës, Ahile Eftimiu nga Konstanca e Rumanisë, Sotir Peci përfaqësonte shoqëritë shqiptare të Bukureshtit dhe të Amerikës, Zejnel Leskoviqi nga Leskoviku, Mitat Frashëri përfaqësonte Janinën dhe Selanikun, Leonidh Naçi Vlorën, Rafëz Ibrahimi dhe Emin Bej përfaqësonin Shkupin, Refik Toptani Tiranën, Adhem Shkaba koloninë e Sofjes, Dhimitër Male përfaqësonte Filipopullin, Fehim Bej Zavalani përfaqësonte koloninë e Misirit, Luigj Gurakuqi përfaqësonte shqiptarët (arbëreshët) e Italisë, ndërsa Nexhat Vrioni përfaqësonte qytetin e Beratit.
Punimet e Kongresit i hapi Fehmi Zavalani kryetari i Këshillit të Klubit “ Bashkimi” të Manastirit. Kryetar i delegatëve u zgjodh Mitat Frashëri, ndërsa, nënkryetarë u zgjodhën: Gjergj Qiriazi dhe Luigj Gurakuqi, sekretarë të Kongresit u zgjodhën: Thoma Avrami, Nyzhet Vrioni dhe Hilë Mosi.Vendimet madhore për kohën, pas shumë peripecish, u morën në mbledhjen e tetë. Aty u bë një kompromis që alfabeti i Stambollit të mbetej në fuqi edhe për një kohë e të përdorej paralelisht me alfabetin e ri, ky me atë të “Bashkimit” me disa ndërrime dhe plotësime nga ai i Stambollit e i Shoqërisë “Agimi” të Shkodrës.
Le të përmendim tani emrat e Komisionit të cilët kryen këtë punë kaq të madhe historike: Kryetar Gjergj Fishta, nënkryetar Luigj Gurakuqi, anëtarë: Gjergj Qiriazi, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Grigor Cilka, Nyzhet Vrioni, Ndre Mjeda, Taqi Buda, dhe Mitat Frashëri. Pas shumë diskutimesh jo aq të lehta u vendos alfabeti që përdorim sot e kësaj dite. Por ky alfabet u luftua ashpër prej disa hoxhallarëve dhe disa feudalë anadollakë të nxitur nga qeveria e Perandorisë Osmane, me theks të veçantë të xhonturqve ( turqve të rinj ). Këto komisione kishin për detyrë jo vetëm që të pengojnë punimet, por, edhe të ndalojnë me çdo kusht të ndalonin botimin e librave me alfabetin e sotëm latin. Librat sipas tyre duhej të botoheshin me alfabetin arabo-turk me qëllim që të pengonin dhe të dëmtonin sa më shumë të ishte e mundur zhvillimin e kulturës shqiptare pa fijen e turpit.
Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet në dy ndërtesa: te hoteli i atdhetarit të shquar Themistokli Gërmenjit, te hoteli mbaheshin mbledhjet plenare, dhe te shtëpia e Gjergj Qiriazit, ku mbaheshin mbledhjet e ngushta. Këto vendime që merreshin te shtëpia e Gjergj Qiriazit nuk komunikoheshin në mbledhjet plenare, sepse ata merrnin vendime shumë të rëndësishme për zhvillimet politike, ekonomike e kulturore. Rreziku ishte i madh prandaj Komisioni i ngushtë u betuan që të mos flitej asgjë jashtë rreth vendimeve që kishin marrë. Por, për shqiptarët dhe intelektualët e atëhershëm rreziqet nuk kishin të ndalur, le t’ i marrim me radhë: më 23 korrik 1909, xhonturqit në bashkëpunim me disa turkoshakë shqiptarë thirrën Kongresin famëkeq të Dibrës, ende pa u mbushur viti, i mbajtjes së Kongresit të Manastirit. Në Kongresin e Dibrës fjalën kryesore e kishin disa hoxhallarë, mbase me në krye Rexhep Vokën e Shipkovicës së Tetovës.
Në Kongresin e Dibrës edhe pse shumica e delegatëve ishin shqiptarë myslimanë shumë shpejtë e kuptuan se aty po flitej kundër interesave të popullit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Ky kurth dhe ky plan djallëzor u zbulua falë atdhetarëve tanë të zjarrtë edhe kësaj radhe iu dështoi xhonturqve, u thyen keq moralisht. Le të shohim për një çast se çfarë u vendos në Kongresin e Dibrës: të mos imponohet alfabeti arabo-turk, por t’ i lihet liri çdonjërit të përdorë atë alfabet që dëshiron qoftë atë arabo-turk apo atë latin. Kongresin e Dibrës e organizoi “Komiteti Kushtetucional Osmanlli- Shqiptar”. U dëmtua pak imazhi por, as në këtë Kongres nuk u luhatën themelet e Kongresit Historik të Manastirit.
Klubi qendror i Manastirit, si përfaqësues i të gjitha klubeve shqiptare, për t’ i hedhur poshtë vendimet e Kongresit të Dibrës, pa nguruar organizoi një Kongres tjetër, Kongresin e tretë në qytetin e Elbasanit prej 2 gjer më 8 nëntor të vitit 1909. Në Kongresin e Elbasanit morën pjesë 35 delegatë edhe në këtë Kongres dolën në sipërfaqe antivlerat e popullit shqiptar të cilët kishin tendenca që të ulnin famën e Klubit dhe Kongresit të Manastirit, përkrahësit dhe sahanlëpirësit e pushtetit, të cilët haptas kundërshtuan alfabetin latin. Pa marrë parasysh vështirësitë, pengesat dhe kundërshtimet që dolën në Kongresin e Elbasanit, megjithatë ai tubim aty-këtu mund të llogaritet i suksesshëm për këto arsye: ngadhnjyen delegatët që përkrahnin alfabetin latin dhe dy, të 35 delegatët pjesëmarrës të këtij Kongresi arritën që të hapin shkollën e parë të mesme në gjuhën shqipe e cila është e njohur me emrin Normalja e Elbasanit.Qeveria e perandorisë osmane edhe më tuje e pengonte alfabetin latin dhe e detyronte popullin shqiptar që të përdorë alfabetin arabo-turk. Ky qe shkaku që në qytetin e Korçës të mbahet një mbledhje në shkurt të vitit 1910, pas mbledhje u tubuan me mijëra korçarë për të kundërshtuar alfabetin arabo-turk. Mbledhjen e dhe tubimin e Korçës e përkrahu haptas Klubi i shqiptarëve të Filatit të cilët punonin e vepronin në kryeqytetin e Perandorisë osmane në Stamboll. Midis tjerash në telegram ata shkruanin: “ Ne do të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut për alfabetin latin”.
Odisejada e alfabetit të shqipes vazhdon. Kishte edhe deputetë shqiptarë në Kuvendin e Perandorisë të cilët e kundërshtonin alfabetin latin, ata deputetë e detyruan atdhetarin Hasan Prishtina të polemizojë me ta, kështu, ai u detyrua t’ u mohojë kombësinë shqiptare të gjithë atyre që rrinin në rrugën e kundërt të përdorimit lirisht të alfabetit latin.Shoqëria “Bashkimi” e cila vepronte në Manastir, thirri Kongresin e dytë me qëllim që t’u bëjë të qartë të gjithve vendimet e Kongresit të parë të Manastirit, sidomos atyre të cilët ishin të luhatshëm dhe kundër alfabetit latin. Kongresi i dytë i Manastirit në qoftë se mund ta quajmë kështu filloi punimet më 1 prill dhe i përfundoi më 3 prill të vitit 1910. Në këtë Kongres morën pjesë po thuaj të gjitha Klubet shqiptare gjithsej 31. Morën pjesë 20 delegatë si dhe një përfaqësues i pushtetit të atëhershëm. Këtu vendimet ishin të paluhatshme, kërkohej me ngulm që alfabeti latin të mos pengohej nëpër shkollat shqipe. Në këtë Kongres mori pjesë edhe Dervish Hima i cili kritikoi ashpër qeverinë, e cila pengonte botimin e librave shqip me alfabetin latin dhe shkollat të cilat praktikonin alfabetin e ri latin.
Pushteti anadollak edhe pse po jepte shpirt, nuk ndenji kurrë indiferent, ai bënte prsion të paparë te popullate myslimane shqiptare që të mos e përdornin në shkrimet e tyre alfabetin latin por atë arabo-turk, nuk i mjaftoi as kjo, qeveria thirri një kuvend tjetër, por tani në kryeqytetin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Në Kongresin e Janinës, morën pjesë delegatë pothuaj nga të gjitha trevat shqiptare. Le të shohim tani se cilët ishin delegatët e Kongresit të Janinës: nga qyteti i Korçës ishte Petro Luarasi, nga Pogradeci dhe Starova Shefik Efendia, një anëtar dërgoi Folorina e Papa Kristo Negovanit, një anëtar Elbasani, një anëtar nga Struga dhe dy anëtarë nga Ohri, ndërsa Manastiri dërgoi pesë delegatë ( emrat e të cilëve nuk arrita që t’ i gjej), po aq delegatë dërgoi edhe Kosova, delegatë dërguan edhe: Preveza, Vlora Lerini, Bihishta, Durrësi, Shkodra, Tirana, Berati, Tepelena, dhe Leskoviku. Në Kongresin e Janinës kryetar zgjidhet Bedri beu nga Peja, ish profesor i Gjuhës shqipe në gjimnazin turk “ Idadija” të Shkupit. U zgjodhën edhe dy sekretarë: një avokat nga qyteti i Manastirit me emrin Ferid beu, dhe Petro Luarasi i madh. Të gjitha mbledhjet e Kongresit u mbajtën me dyer të mbyllura për shkaqe sigurie. Peripecitë e alfabetit tonë të shenjtë i ka vënë re edhe Konsulli Luba Mihajloviqi i cili midis tjerash shkruan: “…rruga e alfabetit kombëtar dhe përpjekjet e bëra, ka qenë me plotë peripeci, por, dashamirët e kulturës e të gjuhës shqipe ngadhnjyen të mbajnë alfabetin e sotëm si shenjë të parë të kombit”.
Në shekullin e njëzetë që lam pas, mund të shënohen vetëm dy ngjarje të mëdha historike: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i drejtshkrimit. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë (që llogaritet se mund të jenë tani afër njëmilionë). Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vjet më parë se të mbahej Kongresi i drejtshkrimit në Tiranë më 1972.
Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha:
“….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “.
Katër vjet më vonë , pikërisht në nëtor të vitit 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i drejtshkrimit, i cili nuk ishte asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e Kongresit të Manastirit. Në qoftë se mund t’i referohem thënies së bukur të shkrimtarit Vlado Maleskit: “e mermeri nuk thyhet lehtë”, atëherë Kongresit të drejtshkrimit i është vënë pllaka e granitit e cila nuk mund të thyhet lehtë. Kongresi i Manastirit si dhe Kongresi i Tiranës janë Kongrese gjithëkombëtare. Që të dy Kongreset janë mbajtur në muajin nëntor, në muajin e festave, kështu që të dy Kongreset e kanë kryer me sukses misionin e madh historik e kombëtar. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë (që llogaritet se mund të jenë tani afër njëmilionë). Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vjet më parë se të mbahej Kongresi i drejtshkrimit në Tiranë më 1972.
Profesor Zeqirja Neziri nga Shkupi deklaron: “- Kur panë autoritetet e Beogradit seriozitetin e shqiptarëve për unifikimin e gjuhës shqipe, atëherë reaguan nëpërmjet Komitetit Qendror të Maqedonisë e pastaj Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Maqedonisë kërkoi një raport në lidhje me gjuhën letrare shqipe nga prof. Petro Janura, për të themeluar një gjuhë letrare për shqiptarët e ish Jugosllavisë. Profesor Petro Janura kur pa qëllimet djallëzore të Beogradit, nuk pranoi në asnjë mënyrë. Ai përgatiti një raport prej pesëdhetë faqesh, në të cilin raport me argumente shkencore e arsyetonte pse shqiptarët duhet të kenë një Gjuhë letrare”. Nismës së Flakës së vëllazërimit për unifikimin e Gjuhës shqipe i parapriu Konsulta e Prishtinës në vitin 1968.
Me Konsultën e Prishtinës, tanimë ishte trasuar rruga për mbajtjen e një Kongresi ku vetëm se do të bëhej AMINI dhe kjo ndodhi në nëntor të vitit 1972 në Tiranë. E themi me bindje të plotë se çdo Kongres tjetër për Drejtshkrimin e Gjuhës shqipe do të dështojë më keq se Kongresi i Dibrës, Kongresi i Elbasanit dhe Kongresi i Janinës.Themelet e Gjuhës së sotme letrare u vunë në zemër të gegërishtes nga studiues e gjuhëtarë të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Themelet e gjuhës së sotme shqipe u vunë në qytetin e Shkupit dhe të Prishtinës e jo në Tiranë si mundohen disa ta paraqesin si “gjuha e Enverit”, këtë mund ta bëjnë vetëm pseudoshkencëtarët, atë që s’ mundi ta bënte politika e Beogradit ja po e bëjnë sot argatët e saj, xhonturqit shqiptarë pa marrë parasysh myslimanë apo të krishterë qofshin ata. Sot mund të deklarojmë dhe mund të krenohemi se u bë realitet ëndrra e delegatëve të Manastirit për Unifikimin e Gjuhës shqipe. Pra, siç e shikoni peripecitë po e ndjekin shqipen tonë hyjnore hap pas hapi. Asnjë pseudoshkencëtar nuk do të mund t’ia dalë dot të përçajë më popullin shqiptar dhe gjuhën e tij hyjnore.
Muaji nëntor është muaji i dy Kongreseve, që të dy Kongreset kanë hyrë në historinë e gjuhës shqipe si ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë, të cilët janë mbështetur thellë në tabanin kombëtar.