Nga Prof. Dr. Alfred Frashëri*/
Libri “Kongresi Kombëtar i Lushnjës” i autorit Engjëll Sh. Zerdelia i kushtohet një ngjarjeje madhore në historinë e Shqipërisë, në fillimin e vitit të tetë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 21-31 janar 1920. Ky Kongres ka këtë rëndësi, sepse mbrojti pavarësinë e vendit dhe hodhi themelet e shtetit të kohës. Shqiptarët me këtë akt të madh historik i ritreguan botës se janë një komb i lashtë i Ballkanit, që do lirinë dhe pavarësinë e vet, i cili është në gjendje të ndërtojë një shtet, ta zhvillojë atë dhe të përparojë. Për Kongresin e Lushnjës janë kryer studime, është shkruajtur dhe janë mbajtur fjalime ndër vite. Por, për fat të keq, asnjëherë nuk është treguar për brezat e sotëm; si u organizua dhe zhvilloi punimet ky Kongres, cilët ishin atdhetarët nismëtarë, kush punoi për të, cilët ishin delegatët dhe kë përqafësonin? Mbi baza klasore, dje dhe sot, historiografia shqiptare e politizuar në nivele të paimagjinueshme, ka dhënë gjithnjë shkrime të cunguara dhe emra të përzgjedhur edhe për Kongresin e Lushnjës. Kjo lloj “historiografie” u ka dhënë ngjarjeve historike një pamje rastësore, të organizuara nga dy-tre njerëz, të mbështetur nga “populli”. Ajo, me këtë veprim, realisht ka mohuar se ngjarjet historike, aq më tepër ato madhore organizohen nga njerëzit më të devotshëm, patriotë nga të gjitha trevat që bashkohen me rrjedhën e historisë, jo rastësisht dhe që gjejnë mbështetjen në atdhetarët e ndërgjegjësuar të kombit.
Këto mangësi, jo pa pasoja për historiografinë e vendit tonë, i ka kapërcyer me shumë sukses z. Engjëll Sh. Zerdelia në librin e tij që i paraqet sot lexuesit të gjerë. Ai përshkruan me hollësi si lindi nisma për thirrjen e Kongresit në një periudhë shumë të vështirë për Shqipërinë, kur të huajt deshën ta coptonin, si e thirrën dhe organizuan kongresin me përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, cilët ishin ata burra që nuk iu drodh dora, syri dhe zemra për të mbrotjur atdheun. Me një punë shumë të madhe, autori i librit ka mbledhur materialet për secilin atdhetar që punoi për kongresin, për secilin lushnjar që dha ndihmesë për organizimin e zhvillimin e tij, për secilin shqiptar që me pushkë e penë në dorë e mbrojti këtë Kongres.
Në libër gjenden edhe dokumenta të korrespondencës së organizatorëve të Kongresit, përfshirë edhe me kundështarë të mbajtjes së tij, duke u treguar atyre se ky Kongres do të mbahej dhe Shqipëria do të shpëtohej. Jepen vendimet e marra dhe organet qeveritare të formuara. Libri shoqërohet edhe me fotografi të shumta (shumë prej tyre publikohen për herë të parë) të personave pjesëmarrës në të, të Lushnjës dhe mjediseve të shtëpisë ku u mbajt Kongresi, etj, të cilat i rrisin vlerën.
Duke lexuar librin, bëhet fare e qartë se ashtu siç në 28 nëntorin e vitit 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë pas një lufte dhe pune të gjatë të rilindasve dhe atdhetarëve të atyre viteve, të shqiptarëve që me pushkë dhe penë në dorë u ngritën për liri, Kongresi Kombëtar i Lushnjës mbrojti pavarësinë, hodhi themelet e shtetit të pavarur shqiptar dhe i tregoi botës se në tokën tonë, zot i vendit është shqiptari.
Libri “Kongresi Kombëtar i Lushnjës” duhet të qëndrojë në duart e lexuesëve, studentëve, historianëve, analistëve, sepse është një kontribut i rëndësishëm, që autori i tij, zoti Engjell Sh. Zerdelia jep në fushën e historiografisë shqiptare.
- Kjo është parathënia e librit të sapo botuar të studiuesit Engjëll Zerdelia. Gazeta “Dielli” do të shfletojë herë pas here këtë libër me vlera Kombëtare. Sic thoshte Fan S Noli, ndër veprat e mëdha të Vatrës ishte edhe Kongresi i Lushnjës. Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, Federata Vatra e ndihmoi me një Hua Kombëtare prej 197 mijë dollar. Kongresi i Lushnjës është ngjarje kulmore Kombëtare, që ndryshoi rrjedhat e Historisë Kombëtare. Përgëzime autorit!