-Kongresisti Amerikan Eliot Engel, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës DIELLI në Prishtinë: Mrekulli në Kosovë, shoh progres të madh dhe kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen/
– Behlul JASHARI-Korrespondent i Gazetes “DIELLI”: Z.Engel, pyetja vjen nga një gazetë shqiptare në Amerikë, është gazeta më e hershme, e parë, shqiptare në botë që ka dalë para 109 viteve, është gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ju keni pritur shumë herë në Nju Jork, në Amerikë, shqiptarë, i keni përkrahur, jeni pritur shumë herë në Kosovë, jeni dekoruar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova në vitin 2005. Tash jeni përsëri në Kosovë, si shumë herë. Kosova është në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë. Kosova dje mbajti balotazhin e zgjedhjeve lokale të gjashta në Liri, të tretave në Pavarësi, ka mbajtë edhe gjashtë palë zgjedhje tjera nacionale, gjithësej dymbëdhjetë. Pyetja është: Si ndihet Kongresisti Engel, Miku i Madh i Shqiptarëve dhe i Kosovës, sot në Kosovë, në Prishtinë?…//
-Posta e Kosovës, pullë postare me emrin dhe fotografinë e Eliot Engel/
-Kongresisti Eliot Engel i dhuroi Kryeministrit Ramush Haradinaj Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka valuar në ndërtesën e Kongresit të SHBA-ve
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 20 Nëntor 2017/ Ndihem mrekullueshëm në Kosovë, shoh progres të madh dhe kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen e këtij vendi, tha sot në Prishtinë Kongresisti Amerikan, Eliot Engel, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës DIELLI në një vizitë vendit që ka gjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tij e që pas më pak se tre muajve do festojë 10 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa sapo votoi dje në balotazhin e zgjedhjeve të gjashta lokale në liri.
-“Ndihem mrekullueshëm, faleminderit që i përmendët zgjedhjet e djeshme sepse natyrisht një prej gjërave më të rëndësishme që një vend i pavaur dhe demokratik duhet të ketë janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, dhe i pashë të gjithë ata njerëz duke votuar, njerëz të rëndomtë për të cilët vota ishte e rëndësishme. Ky shtet nuk ka pasur këtë të drejtë deri vonë, edhe nëse ka pasur farë votimesh (sham elections) ato nuk kanë pasur fuqi të ndryshimit. Por, ajo çfarë pamë dje janë vota të vërteta (reale), demokraci e vërtetë, njerëz që zgjedhin qeverisjen e tyre dhe kjo ishte një gjë e mrekullueshme për të parë”, u shpreh Kongresisti Amerikan Engel.Tani, vijoi ai, kur kthehem prapa në kohën kur kam filluar për herë të parë punën në Kongres në viti 1998 dhe e mendoj atë që ka ndodhë në atë kohë dhe tani e mendoj vitin 2017 e shoh që ky shtet ka bërë shumë përparime me gjithë veshtirësitë dhe sfidat që ka pasur.
“Kur e shoh këtë progres të madh që Kosova ka bërë në këto vite kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen e këtij vendi”, theksoi kongresisti amerikan nga Nju Jorku, Engel, i pyetur në Prishtinë nga korrespondenti i Gazetës DIELLI.
Në konferenën për shtyp korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI iu drejtua me shumë respekt e mirënjohje Kongresistit Amerikan Eliot Engel, kështu:
Z.Engel, pyetja vjen nga një gazetë shqiptare në Amerikë, është gazeta më e hershme, e parë, shqiptare në botë që ka dalë para 109 viteve, është gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ju keni pritur shumë herë në Nju Jork, në Amerikë, shqiptarë, i keni përkrahur, jeni pritur shumë herë në Kosovë, jeni dekoruar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova në vitin 2005. Tash jeni përsëri në Kosovë, si shumë herë. Kosova është në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë. Kosova dje mbajti balotazhin e zgjedhjeve lokale të gjashta në Liri, të tretave në Pavarësi, ka mbajtë edhe gjashtë palë zgjedhje tjera nacionale, gjithësej dymbëdhjetë. Pyetja është: Si ndihet Kongresisti Engel, Miku i Madh i Shqiptarëve dhe i Kosovës, sot në Kosovë, në Prishtinë?
Pas mbledhjes solemne të qeverisë së Republikës së Kosovës, ku mbajti edhe një fjalim, Kongresisti Amerikan Eliot Engel dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mbajtën një konferencë për shtyp.
“Ju dhe unë jemi njohur sa e sa vite dhe jam shumë i lumtur që po punoj me juve për të bërë përparimin e duhur për të dy vendet tona”, tha Kongresisti Amerikan Engel duke iu drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj.
“Kemi lidhje të forta. Diaspora shqiptaro-kosovare në SHBA është e fuqishme dhe ne ndajmë bekimet e lirisë dhe demokracisë. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i vjetër demokratik në botë, ndërsa Kosova është një prej vendeve më të reja demokratike në botë”, u shpreh Engel.
Ballkani, vijoi ai, me vite të tëra ka qenë një shkaktar i destabilitetit.
“Tash kemi një demokraci ku të gjithë pjesëtarët e shoqërisë mund të marrin pjesë në të, dhe një shoqëri shumetnike si Kosova, që i tregon gjithë botës se çka mund të arrihet duke i lënë prapa kohët e këqija dhe duke ecur përpara. Ajo është një vend i ri, i pavarur dhe demokratik, me një të ardhme për të rinjtë e këtij vendi. Me vite të tëra jam përpjekur duke punuar dhe duke luftuar për pavarësinë e Kosovës. Kam folur në Uashington për një Kosovë të lirë dhe të pavarur dhe njerëzit më kanë thënë se ishte vetëm një ëndërr që nuk do të ndodhte kurrë”, theksoi Kongresisti Amerikan Engel.
Tani juve Kryeministër dhe Qeverisë së re, vijoi ai, ju dëshiroj gjithë të mirat dhe ta dini se do ta keni gjithmonë mbështetjen time.
“Kosovarët gjithmonë do ta kenë mbështetjen tonë. Kosova do të trajtohet në mënyrë të duhur me respektin që e meriton”, tha Kongresisti Amerikan.
Në vijim ai përkujtoi edhe fillimet e angazhimeve për Kosovën.
“Kur jam zgjedhur për herë të parë në Kongres më 1998, miku im i mirë Harry Bajraktari që ka lindur në këtë vend, por ka ardhur në Amerikë kur ka qenë 19 vjeçar, ka ardhur dhe më ka treguar se çfarë po ndodh në këtë vend që dikur quhej ish-Jugosllavi. Dhe sa më shumë që hulumtonim, e pash që dëshiroj të isha pjesë e kësaj lufte dhe filluam që t’i njoftojmë kolegët e mi, një nga një. Filluam me gjithë ato gjëra që i kishim atëherë, por njerëzit gjithmonë e thoshin se kurrë nuk do të ndodhte liria. Tash kjo ka ndodhur dhe i përgëzoj të gjithë qytetarët e Kosovës, Kryeministrin dhe gjithë të tjerët që janë këtu dhe që janë në Qeveri, se gjithmonë do ta keni ndihmën dhe mbështetjen time”, theksoi Engel.
Gjatë konferencës për shtyp, Kongresisti Eliot Engel i dhuroi Kryeministrit Ramush Haradinaj Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka valuar në ndërtesën e Kongresit të SHBA-ve.
Në këtë rast, Kongresisti Engel tha: “Në 4 korrik 2017 ky flamur është valëvitur në ndërtesën e Kongresit me kërkesën time, për nder të Kryeministrit Ramush Haradinaj, andaj kam nderin që t’ia prezantoj këtë si një simbol të demokracisë një Kryeministri të zgjedhur të Republikës së Kosovës”.
Kryeministri Haradinaj tha se, është nder dhe kënaqësi që miqësinë që e kemi nga kohët e vështira, populli i Kosovës me Amerikën, po e thellojmë tani në avancimin e demokracisë në Kosovë, forcimin e lirisë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë, për të gjitha komunitetet.
“Ishte nder i madh që edhe dje në raundin e dytë të zgjedhjeve, ju kishim ju si dëshmitar, që ta konstatojmë së bashku, që Kosova vërtetë është një demokraci premtuese. Kosova ka ende tema të hapura, por e ka përcaktimin euroatlantik. Në temat e mbetura të hapura, ne e kërkojmë ndihmën e Amerikës, por po ashtu ju premtojmë se do ta nderojmë këtë ndihmë me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, të rendit dhe të ligjit, për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, për një Kosovë që është e lirë për të gjithë qytetarët e vendit”, theksoi Kryeministri Haradinaj duke iu drejtuar Kongresistit Engel.
Sot, vijoi ai, na bëtë nder me adresimin tuaj në mbledhjen solemne të Qeverisë së vendit tonë, që u mbajt për nderimin tuaj, edhe unë, edhe kolegët e mi të kabinetit dhe populli i Kosovës ju falënderojmë.
“Njëkohësisht dua t’ju prezantoj se Posta e Kosovës e ka bërë një pullë postare për nderin tuaj, me emrin dhe fotografinë tuaj, dhe dëshiroj ta falënderoj Postën e Kosovës dhe të gjithë popullin e Kosovës për dashurinë që shprehin, ndaj jush dhe ndaj Amerikës në përgjithësi.
E kam nderin që t’ju dorëzoj këtë dhe po ashtu t’ju them se ne jemi me fat që ju kemi mik.
Faleminderit shumë!”, përfundoi Kryeministri Haradinaj duke iu drejtuar Kongresistit Engel.
Javën e kaluar, në 18 nëntor mbërriti për vizitë në Kosovë përfaqësuesi në Kongresin e SHBA-së, demokrati nga Nju Jorku, Eliot Engel, i pritur në Aeroport nga Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili së bashku me Zëvendësambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland, i uroi mirëseardhje në Prishtinë mikut të madh të Kosovës.
Në mbrëmje, kogresisti Engel u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.
Të dielën e djeshme, në ditën e balotazhit në 19 komuna e të rivotimit në një komunë në zgjedhjet lokale 2017, të zhvilluara në raundon e parë në 22 tetor, Kongresisti Amerikan, Eliot Engel vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.
Me rastin e vizitës së Kongresistit Amerikan Eliot Engel në Kosovë, në axhendën e dërguar nga Qeveria të Kryeministrit Ramush Haradinaj, për ditën e sotme janë paraparë këto ngjarje:
Homazhe tek Pllaka përkujtimore për viktimat hebraike në Kosovë- në oborrin e qeverisë së Kosovës – ora 07:45; mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës – ora 08:00; konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Haradinaj dhe Kongresmenit Engel – ora 09:00.
Në axhendën e njoftuar nga Qeveria është edhe pjesëmarrja kryeministrit në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mileniumit në Kosovë – ora 10:00 dhe takimi me Jonathan Nash, kryeshef ekzekutiv i MCC (Sfidat e Mijëvjeçarit).
Demokrati nga Nju Jorku, Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, në vizitën e në Kosovë pritet të zhvillojë takime edhe me drejtues tjerë institucionalë e politikë.
Ambasada e SHBA në Kosovë në njoftimin e dërguar paralajmëron edhe një ngjarje të hapur për median të hënën në 20 nëntor, në orën 15:15 – vizitën e Kongresistit Engel fabrikës së paneleve solare “Jaha” afër Aeroportit të Prishtinës.
Në 7 korrik 2005, kur në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engel Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë për kontributin e tij për Pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engel tha se Kosova do të jetë shumë shpejt e pavarur.
Me rastin e shënimit të 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne në 2 Korrik 2015. Në seancën solemne, për rëndësinë e miratimit të kësaj Deklarate folën edhe Senatori Amerikan Eliot Engël dhe Kryetari i Legjislaturës dhjetor 1989-maj 1992, Ilaz Ramajli, i kohës kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e e Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, kur u mbajt Refrendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur në fundshtatorin 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, e kur u zhvilluan edhe ngjarje të tjera historike për Kosovën e shqiptarët. Kongresisti Amerikan Eliot Engel duke çmuar të arriturat e Kosovës premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e Kosovës edhe në të ardhmen.
Engel tha se Qeveria, Kongresi dhe populli amerikan, do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.
Në 5 shkurt 2014 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në vizitën zyrtare që zhvilloi në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në ndarjen e Urdhrit të Flamurit për Kongresistin Amerikan, Eliot Engel.