Kosta Nake/
Vepra hapet me pyetjen që një “shok i ngushtë” i drejton protagonistit Adam Zaganjori: “A je i lumtur?” Lumturia është një gjendje shpirtërore kalimtare që dallohet nga ndjenja e kënaqësisë ose e përmbushjes. Thërrimet e saj mund të jenë më të shpeshta kur familja ku ti jeton është e plotë në nevojat e saj, kur banesa jote rrethohet nga fqinj që të përshëndesin dhe me të cilët shkëmben vizita, kur në vendbanimin tënd mund të dalësh dhe të gjesh dikë me të cilin ulesh dhe pi një kafe, kur në vendin e punës ke kolegë me të cilët bashkëpunimi është i domosdoshëm, kur përveç familjes dhe punës ke dhe një hapësirë kohe vetëm për veten që të jep mundësi të mbushesh me ajër dhe të reflektosh për botën. Samuel Kolerixh e shikon lumturinë si fraksione minutash, Viktor Hygo e kërkon te dashuria, Stendal e gjen te komuniteti dhe rrethanat, kurse veprës së Tufës i shkon për shtat qasja e Ben Xhonsonit: “Lumturia e vërtetë nuk qëndron te sasia e shokëve, por te vlera dhe zgjedhja e tyre.” Adami beson se Visar Hoti është shoku i vet më i ngushtë, me të cilët mund t’i qajë hallet, por del që ishte shkatërruesi i paqes së tij.
Romani është një qëndrim sfidues ndaj realitetit të sotëm duke u fokusuar te konkurrenca e egër me suport qeveritar në fushën ekonomike që shkon deri në shkatërrimin e familjes dhe prodhon reagim ekstrem ndaj së keqes. Autori ka gjithë informacionin e duhur për çdo qelizë të jetës, madje në disa raste ndërhyn edhe me terminologjinë e fushës përkatëse, siç është mjekësia, ekonomia, juridiksioni, etj.
Adam Zaganjori është njeriu i mirë i tranzicionit që i qëndron besnik familjes tradicionale duke marrë çdo detyrim që i takon, është emigranti i vuajtur që pas shumë vitesh në Greqi dhe Itali, edhe pse ka një të ardhme të sigurt në Tempio Pausania, duke qenë atdhetar, mendon se ka ardhur koha të ushtrojë në Shqipëri mjeshtërinë e fituar duke ngritur nga themelet, me mendjen dhe djersën e vet, një biznes të suksesshëm. Ka krijuar familjen dhe ka një fëmijë, ka njërin nga prindërit dhe dy vëllezër. Ky inventar do të ishte i mjaftueshëm për të qenë i lumtur, nëse shoqëria do të kishte ca parametra bashkëjetese ku puna vlerësohet, suksesi mbështetet dhe shoqëria forcohet. Por nuk ndodh kështu në realitetin shqiptar dhe goditja fillon nga njerëzit më të afërt që mendon se i ke shokë e miq, fillon nga vëllezërit që “ia lënë në derë babën”, pasi i kanë diktuar një ndarje të pabarabartë të pasurisë mes vëllazërisë, pasi ia kanë përvetësuar pensionin dhe e kanë ushqyer me hirrë, sikur të ishte derr. Mujë Zaganjori i ka orët të numëruara, nëse dikush nuk do t’i dhurojë një veshkë. Uka dhe Zeka jo vetëm nuk ia japin këtë, jo vetëm nuk marrin mbi vete asnjë detyrim financiar, por e kanë zvarritur ndërhyrjen deri në çastin e fundit. Atë që thuhet përditë në tavolinat e kafeneve apo në ndenjëset e mjeteve të transportit publik, autori e sjell artistikisht me karakteret përkatëse duke treguar krisjen që ka pësuar familja e sotme shqiptare që nga marrëdhëniet mes bashkëshortëve, mes prindërve dhe fëmijëve, ashtu edhe me rrethin e gjerë të trungut familjar. Adami bën sakrificën e madhe duke ia dhënë babait një nga veshkat e veta dhe duke u kujdesur e rikujdesur për të edhe pas daljes nga spitali.
Në kontrast të thellë me Adamin është Visar Hoti, përfaqësuesi tipik i njeriut të poshtër, që duke njohur karakterin e butë të shokut të vet, fillon dhe end një rrjetë intrige mbi të cilën hedh dritë dikush tjetër: “Qasja më e mirë për të ka qenë të shtinte më parë në dorë gruan, e më pas, nëpërmjet saj, krejt pasurinë dhe biznesin.” (f.217)
Ka një parahistori lidhja shoqërore e tyre që në vitet e shkollës, atëherë kur Visari ia “rrëmbeu” Anetën që donte, ngaqë nuk kishte guximin t’ia shfaqte dashurinë. Visari është tipi i shkathët që angazhohet në politikë dhe e shfrytëzon atë për interesat e veta të ngushta. Duke patur një post të rëndësishëm në administratën qendrore, i ofron Adamit “një vend pëllumbash” për bashkëshorten Hana, por mjaftoi një vit që t’ia shkatërronte familjen duke e shfrytëzuar jo vetëm seksualisht, por edhe duke e çuar në divorc për t’i marrë gjysmën e punishtes, për t’ia ndërprerë burimet e lëndës së parë, për ta detyruar të falimentojë dhe të marrë sërish rrugën e emigracionit.
Adami kishte një ëndërr në sirtar, ai ishte piktor, por nuk kishte patur mundësi të ndiqte Institutin e Lartë të Arteve. Ai ka një mik tjetër, profesorin e artit Zaharia Ristani. Në vend të bashkëshortes që filloi punë në administratën shtetërore, merr një sekretare, Katrina Katunin dhe, çuditërisht, këto sekretaret qëllojnë që janë gjithmonë të bukura, më shumë se të bukura, kanë një joshje seksuale. Ajo mund të shërbejë si modele për një nga pikturat me femra nudo që deri tani kanë qenë fryt i imagjinatës. Por Adami është burri tradicional që e ka të shenjtë familjen, prandaj mendohet gjatë, edhe pasi profesori i artit i bën pyetjen provokative “a e bën?”. Ai ndjehet krenar se “nuk degradoi në stereotipin banal të historive të shumta me drejtorë, me shefa shtetërorë e privatë, të cilët, para së gjithash, kujdesen për instalimin e infrastrukturës erotike me sekretaret e veta. “ (f.38)
Hana është femra që është rritur e lirë, është ajo që ia ka shfaqur dashurinë Adamit, duke e ndier pulsimin e botës së tij dhe në rastin më të parë që i krijohet, i jep fund lidhjes duke mos shkuar asnjëherë në spital pranë të shoqit, me pretekstin e tradhëtisë bashkëshortore. Fillimisht Hana bëri të ndershmen duke i treguar si me shaka se i kishte propozuar për seks një burrë flokëkorb, njëfarë Marigleni, por ajo “ia vuri kufirin te thana”. Ajo e vë veten në rolin e viktimës duke e sjellë legjendën e Rozafës në një variant të ri. “Pse nuk pranuan ta jepnin veshkën vëllezërit e tu? Pse të gjetën ty? Ta them unë pse: nuk i lanë gratë e tyre. Kurse ti as që më pyet!” (f.182) Akuza për tradhëti bashkëshortore duke dhënë veshkën pa pëlqimin e saj, kalon në tradhëti financiare për pagesën e operacionit nga të ardhurat e përbashkëta. Intriga merr përmasa të reja dhe rrethi i armiqve që duan t’ia bëjnë gropën, sa vjen e rritet, madje edhe avokati Spiro Melangu që e kishte paguar për ta mbrojtur.
Adami pëson zhgënjimin e madh: “Ky atdhe që kishte ëndërruar me sytë gati të përlotur, ky atdhe në të cilin ia kishte dalë të ndërtonte kalatë e bukura të ëndrrës së tij, kjo tokë e atdheut pra, po hapte gojën për ta përpirë me gjithësej, me gjithë lecka, pa pikë mëshire.” (f.220) Tanimë, pas pësimit, ai i kthehet parimit “dyshim për këdo e për çdo gjë, ngado e gjithkund.” Kjo është një qasje për shumë shqiptarë që shpjegon edhe ikjen e madhe pa kthim, e prekshme për qytetarët e sotëm, por e diskutueshme për lexuesit e ardhshëm. Adami vendos të largohet në Itali, por bie në pritën e organizuar nga e shoqja: duhet të takojë Lean, bijën e vet, për herë të fundit, por policia i gjen në makinë revolverin që i pati blerë vjehrrit dhe përfundon në burg. Edhe greva e urisë nuk ndryshoi gjë, sepse askujt nuk i ha palla për të. “Në çështjen Zaganjori, Temida jonë, perëndesha antike e drejtësisë, nuk i ka të sytë e lidhur me shami, por vetëm njërin, ashtu si piratët.” (f.266) Adami e humb gjyqin, Mujë Zaganjori kërcënohet për t’u larguar nga shtëpia dhe përfundon në azil e sërish në spital.
Pas vuajtjes së dënimit profesor Ristani e këshilloi Adamin të ruhet nga ushqimet dhe provokimet, pasi mund ta eliminojnë fizikisht. Nëse duhet ta rifillojë aktivitetin “jo këtu, Adam. Këtu jo.” (f.251) Kjo është një tjetër zgjidhje e diskutueshme që mendoj se autorit ia ka diktur përvoja e vet. Edhe pse nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me subjektin e romanit, autori gjen shtegun për të bërë oponencën për planet qeveritare të turizmit duke vendosur grupin Visar, Hana, Tomor dhe avokatin e tyre Petraq Shkodrani në një tribunë me ministren përkatëse.
Adami pret për herë të dytë biletën e largimit nga atdheu, por edhe këtë herë ia presin rrugën Visari dhe Hana dhe ai sheh se donzhuani Visar ka lënë shtatzënë edhe ish-sekretaren Katrinë, madje ka pafytyrësinë dhe cinizmin ekstrem për ta ftuar në ortakëri në biznes dhe jetë erotike treshe. Kjo është pika e ngopjes që autori e zgjidh me vrasje dhe vetëvrasje, duke u tërhequr nga qasja e mëparshme e braktisjes së vendit, një zgjidhje që tingëllon si jakobine.
(Romani “Paqja e përgjakur e Adamit” i Agron Tufës, Onufri 2022).