Të Mërkurën, 26 Shtator 2018, Editori i Diellit, priti në VATËR një mysafir të veçantë, Gjeneral Xhavit Gashi, i pari Atashe ushtarak i FSK-së në Washington, i cili tashmë është konsull i Republikës së Kosovës në shtetin IOWA të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet me të cilin Kosova ka marrdhënie shumë miqësore dhe është e binajkëzuar. Zoti Gashi shoqërohej nga Avni Gecaj, djali i biznesmenit të njohur, njëkohësisht anëtar i këshillit të Vatrës, Rrustem Gecaj.
Mysafiri u njoh me Historinë e Vatrës dhe të gazetës së saj Dielli, u ndal para fotografive dhe dokumenteve arkivore të rrugëtimit 107 vjecar të Vatrës dhe shprehu kënaqësinë që vizitoi këtë tempull të shqiptarizmit më shumë se një shekullor në SHBA. Ai shkroi në librin e vizitorëve:” Ndjehem i nderuar që mu dha rasti të vizitoj selinë e Vatrës. Falenderim i vecantë për Editorin që më spjegoi në detaje historikun e Vatrës, histori që realisht është vetë historia e Shqiptarëve të Amerikës, histori edhe e shtetit shqiptar, rol të cilin e ka luajtë Vatra për disa vite, kur shteti shqiptar ishte i vdekur, sic thoshte Konica. Kjo histori na bën krenarë, vecanërisht urëlidhja mes Kombit Amerikan dhe atij Shqiptar, që ndërmjetëse kanë pasë Vatrën. Vatra është një shembull se si i ruan këto vlera të përbashkëta. Faleminderit Vatrës”….