Pas tyre,më 5 shtator 1908, vijnë në Korçë çifti Erikson (Charls Tellfort Ericson) me gruan e tre fëmijët./
Nga Petro Luarasi/
Misionarët e parë protestanë amerikanë, që erdhën për një qëndrim të përhershëm në Shqipëri, janë çifti Kenedi (Kennedy) Të përndriturit: Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas ), të cilët mbërritën në Korçë më 26 mars 1908.
’’Çifti Kenedi…janë misionarët e parë të huaj Ungjillorë,që u shpërngulën në Korçë me ndihmën e Misionit Turk – Evropian”…(Xhon Kuanrud: Jeta e Gjerasim Qiriazit, f.218)
Po ashtu studjuesi i mirënjohur Iljaz Gogaj thekson:
”Arsimi dhe pedagogjia amerikane e kanë zanafillën e tyre në Shqipëri që në vitin 1908, atëherë kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi”. (I.Gogaj:Shkolla teknike e Harri Fulci, f.7)
Pas tyre,më 5 shtator 1908, vijnë në Korçë çifti Erikson (Charls Tellfort Ericson) me gruan e tre fëmijët.
Me këtë rast kam nderin të korrigjoj pasaktësinë e artikullit: ‘’Erikson…rezidenti i parë amerikan në Shqipëri” (Gazeta 55”, 15 korrik,2003, f.12) dhe zotin kryeminister tani.
Si rezidencialët e parë të huaj dhe për rëndësinë e aktivitetit të tyre 30-vjeçar në Shqipëri, Violet e Fines Kenedi përfaqësojnë misionarët amerikanë më të devotshëm dhe më të suksesshëm. Ata qëndrojnë me meritë në krye të nderimit tonë ndaj veprimtarisë protestante në dobi të popullit shqiptar.
Zonja Violet Kenedi qe shoqe gjimnazi me Sevasti Qiriazi –Dakon në Manastir dhe për hir të saj mësoi mirë gjuhën shqipe. Çifti Kenedi erdhën në Shqipëri duke dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në veprimtari kulturalo-arsimore, fetare (ungjillorë) e humanitare, mbarëkombëtare, të ndihmuar me fonde nga bordi i misioneve amerikane në Ballkan. ’’Brodhën” kudo nëpër Shqipërinë hallemadhe.
”Mjerimi që hoqi populli shqiptar në këtë kohë, na mbushi me simpati për të dhe na nguci që veç punës shkollore të merreshim me përkkrahjen shoqërore dhe mirëbërje’’, shkruan zonja Kenedi.
Ndër të tjera ata ndihmuan riçeljen e Shkollës shqipe të Korçës me drejtor Petro N.Luarasin, ku Fines jepte anglisht e Violet, frengjisht e muzikë. Atje ata ishin edhe mësuesit e Skënder Luarasit me të cilin krijuan një lidhje të përjetëshme.
Kur më 1910 autoritetet otomane i mbyllën shkollat shqipe, në sajë të autoritetit të çiftit Kenedi si përfaqësues të protestantëve amerikanë, shkolla e vajzave në Korçë mbijetoi duke u emëruar “Shkolla Amerikane”. Nga thënia e Hil Mosit: ”Gruaja e arsimuar është shtylla e kombit”, gjykohet paksa edhe për meritën e çiftit Kenedi e të bashkëpunëtoreve Sevasti e Parashqevi Qiriazit. Në këtë shkollë mësoi e u edukua, punoi e u bë ”bijë shpirtërore” e çiftit Kenedi dhe vajza e P.N.Luarasit, Shega Luarasi (Uçi).
I.Gogaj ( ”Shkollat amerika në Shqipëri”,f.20) shkruan se në 10.9 1924 qeveria e Nolit e njohu zyrtarisht shkollën e çiftit Kenedi: ”…me personel mësimor Fines Kenedi, Violet Kenedi, Aspasia Efthim e Shega Luarasi… Në vitin shkollor 30-31 shkolla arriti numrin më të madh të nxënësve , me 123 nxënës dhe me dhjetë mësues …Mila Gjokoreci,Ollga Plumbi,Shega Uçi(Luarasi), Aspasia Efthim.”
Çifti Kenedi u larguan nga Shqipëria më 1936 duke ia dorëzuar drejtimin e misionit çiftit Eduin e Dorotia Xhejks të cilët u përzunë në vitin 1940 nga pushtuesit .
”Trupi im është këtu, por zemra ime është në Shqipëri…S’më vjen keq për të këqiat që hoqa për Shqipërinë”, shkruan zonja Kenedi në Sh.B.A.
Pas çlirimit, kur ata cilësoheshin ”agjentë të huaj”, për veprimtarinë e shquar të çiftit Kenedi, guxoi të fliste e të shkruante vetëm ndonjë si S.Luarasi. Një studim dinjitoz për veprën e tyre, i botuar mbas viteve 90-të, gjendet në librin e I.Gogajt:’’Shkollat amerikane në Shqipëri ‘’.
Ndaj ‘’s’guxoj ‘’ të zgjatem, por shtoj vetëm se Violet e Fines Kenedi u ndanë nga jeta në moshë të shkuar e pa trashëgimtarë duke ia dhuruar kursimet çështjes shqiptare.