Dr. Nikollë Loka/
Kristo Dako lindi në Korçë me 24 dhjetor 1876. Arsimin fillestar e mori në vendlindje. Në moshën 12 vjeç emigroi me familjen në Bukuresht, ku vazhdoi arsimin e mesëm dhe studioi matematikë në Universitetin e Bukureshtit. Gjatë kësaj periudhe, ai u aktivizua në shoqëritë shqiptare që vepronin në Rumani, shtet që ishte kthyer në një qendër të Rilindjes sonë Kombëtare. Qëllimi i Kristos ishte çlirimi i Shqipërisë nga zgjedha turke dhe liria e saj nga dominimi i klerit grek. I ri në moshë, Dako ra në kontakt me shumë nga pionierët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndër të cilët me zonjushën Sevasti Qiriazi, gruan e parë shqiptare që mori diplomën e shkollës së mesme e të fakultetit; drejtoreshë e parë e Shkollës shqipe të Vashave në Korçë, e cila iu bë shoqja e tij e jetës dhe bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë.
Në vjeshtën e vitit 1906, Kristo Dako emigron në SHBA dhe regjistrohet në degën e filozofisë të universitetit të Oberlindit në Ohajo. Gjatë kësaj periudhe u angazhua me çështjen kombëtare në mes të shqiptarëve të Amerikës, duke u shfaqur si një orator i lindur, një i ri i palodhur që zhvilloi shumë takime me shqiptarët e Amerikës, në të gjitha qytetet, ku ata ishin vendosur, duke ua hapur sytë e ndriçuar mendjen. Ai luftoi shumë për të nxitur integrimin e shqiptarëve në vendin ku ishin vendosur dhe kjo do të bëhej pikë së pari nëpërmjet mësimit të gjuhës. Dako hapi kurse falas në Natik, për t’u mësuar shqiptarëve anglishten, që do t’i ndihmonte për të gjetur punë më lehtë dhe u premtoi t’u mësonte shqipen atyre që nuk dinin ta shkruanin. Bashkëshortja e tij, Sevasti, së bashku me motrën e saj Parashqevinë, hapën një qendër të vogël mësimi të gjuhës shqipe në shtëpinë e tyre në Boston.
Për arsye të kushteve të vështira që u krijuan në Shqipëri, Kristo ndërpreu studimet dhe më 1908 u kthye në atdhe, duke u angazhuar fiqimisht në përpjekjet për zhvillimin e arsimit kombëtar. Në vitin 1909, ai qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit dhe shërbeu në vijimësi si drejtor e mësues i shkollës amerikane, të themeluar nga misionari Charles Telford Erickson në Elbasan, si dhe mësues në Normalen e Elbasanit.
Kristo Dako ka hyrë në analet e historisë si shoqëruesi dhe miku më i afërt i ballkanologut të shquar amerikan, Çarls Riçhard Crane, mikut të afërt të Presidentit Woudrov Willson, në vizitën që ai bëri në Shqipëri, në vitin 1911. Në këtë udhëtim, Dako e njohu mikun amerikan me personalitetet shqiptare më në zë të kohës në si në Elbasan, Tiranë e Shkodër. Në Cetinë takoi edhe Ismail Qemalin, me të cilin biseduan gjërë e gjatë mbi gjëndjen dhe përpjekjet që duheshin bërë për çështjen kombëtare. Njohje dhe miqësi Kristo Dako kishte edhe me figura të tjera, siç ishte koloneli Aubrey Herbert, deputet anglez; Edith Durham; gazetari i Tajmsit Filiph Graves etj., të cilët i ushqente me materiale faktike nga situatat në Shqipëri, të cilat ata i përdornin si argumente në shtypin e kohës.
Në vitin 1913, Dako gjendet në SHBA.
Në qershor të atij viti zgjidhet në kryesinë e “Vatrës”, njëkohësisht i besohet drejtimi editorial i gazetës “Diellit”, organ zyrtar i Federatës “Vatra”. Më 20 korrik 1913, Vatra mbajti një kuvend të jashtëzakonshëm, që e zgjodhi Kristo Dakon President. Ishte një zgjedhje e merituar. “Missionary Herald” i dhjetorit 1912 e quan Kristo Dakon “një burrë i pjekur, që flet dhjetë gjuhë”. Dako qëndroi vetëm një muaj si President i Vatrës, por kjo nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk e zhbën faktin se ai ka qenë presidenti i parë i saj, pasi deri atëherë “Vatra” ishte drejtuar përmes institucionit të sekretarit të përgjithshëm. Po atë vit, Dako u largua për në Shqipëri, sepse e prisnin detyrime të tjera. Me të mbërritur atje vazhdoi punën në shkollën e vashave në Korçë, por pas mbylljes së saj, në korrik 1914, bashkë me familjen shkoi përsëri në Bukuresht e prej andej kaloi në Sofje.
Kristo Dako me Themistokli Gërmenjin drejtuan organin “Lidhjen Kombëtare”. Dako është redaktori i organit tjetër “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”, që dilte në Sofje. Dhe pas një qëndrimi njëvjeçar midis Bukureshtit e Sofjes, Kristo Dako me Sevastinë dhe të motrën Parashqevinë shkojnë përsëri në Amerikë. Këtu Kristo drejtoi “Lidhjen Kombëtare”, e cila krahas “Vatrës”,përfaqësonte shqiptarët e Amerikës. Ndërkohë vazhdoi botimin në SHBA të organit “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”, si vijim i asaj të Sofjes.
Pas Shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit të pavarur, diaspora shqiptare në Amerikë, aq e lidhur dhe e përkushtuar ndaj fatit të atdheut të vet, kishte formuar partinë e parë politike shqiptare, të quajtur “Partia Politike Kombëtare Shqiptare” , në gusht të vitit 1917, në Worcester Mass, të drejtuar nga bashkëshortja e Kristos, Sevasti Qiriazi-Dako dhe më vonë nga ai vetë. Në programin e saj politik, që në fillimet e saj, u mishërua zgjidhja e detyrave historike që iu diktuan shqiptarëve, në momentet dhe situatat politike që po kalonte kombi shqiptar në atë kohë.
Në letrën që Ismail Qemali i drejtoi Partisë Politike Kombëtare Shqiptare me rastin e emërimit të tij si delegat i saj në Europë, përveç falënderimit për përzgjedhjen, shpreh mendime dhe propozime konkrete mjaft të vlefshme, që synonin kryerjen me sukses të detyrave që Partia kishte marrë pësipër. Në tetor 1918, Partia dërgoi dy anëtarë të saj, Kristo Dakon dhe Nuredin bej Vlorën, si përfaqësues në Asamblenë Ndërkombëtare të Kombeve të Robëruara, mbajtur në Sallën e Pavarësisë në Filadelfia, nga 23 deri me 26 tetor 1918. Delegatët shqiptarë në diskutimet e tyre paraqitën në Kuvend kërkesat e shqiptarëve dhe hodhën poshtë pretendimet e kundërshtarëve të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Me 26 tetor 1918, u nënshkrua Deklarata e qëllimeve të përbashkëta të kombeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, e nënshkruar nga dymbëdhjetë përfaqësuesit e Kombeve të robëruara. Në emër të shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë, deklarata u nënshkrua nga Kristo Dako.
Me 12 tetor 1918, Kristo Dako i dërgoi Persidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Woodrow Wilson broshurën “Të drejtat, shpresat dhe aspiratat e Shqipërisë – Forca e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar”, të botuar në vitin 1918. Kristo Dako është takuar dy herë me Presidentin Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë. Në vitet 1921-1922, ai qe deputet i Partisë Përparimtare dhe më pas u bë pjesë e “Bashkimit të Shenjtë”. Në vitin 1921 Kristo Dako u emërua Ministër i Arsimit në Qeverinë disaditore të Hasan Prishtinës, gjatë krizës së dhjetorit 1921. Me dorëheqjen e kësaj Qeverie, ai u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit, duke hapur me 2 tetor 1922 institutin “Qiriazi” dhe me 11 prill 1925 nisi punimet për godinën e re në Kamëz.
Dako njihet si publicist dhe didakt i shquar. Ai ka botuar veprat: “Cilët janë shqiptarët”, Manastir 1911; “Shqipëria, çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, Boston, 19198, që ishte ndër të paktit libra për historinë e Shqipërisë në atë kohë; “Fuqia e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar”, Boston 1919; “Të drejtat dhe kërkesat e Shqipërisë për pavarësi dhe integritet tokësor”, Boston 1919; “Shënime nga jeta dhe vepra e N.M. së tij Zogut I, Mbret i shqiptarëve”; “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Bukuresht 1912. Dako ka hyrë në historinë e letrave shqipe edhe si hartues tekstesh mësimore në matematikë e histori. Pothuajse të gjitha tekstet për lëndët matematikore të përdorura në Shkollën e vashave, por edhe në Normalen e Elbasanit mbajnë firmën e tij, si: aritmetika, algjebra, gjeometria, trigonometria dhe kozmografia. Gjithashtu ai ka botuar edhe një tekst mësimor mbi “Historinë e Shqipërisë”.
Kristo Dako ndërroi jetë në Tiranë, më 16 dhjetor 1941. Për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, si rilindas i gjuhës dhe arsimit shqip, Kristo Dako është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe ai zë një vend nderi ndër emrat më të shquar të atdhetarëve shqiptarë të kohës së tij.