nga Albert HABAZAJ / studiues/
Jo vetëm në Vlorë e Labëri, apo në Shqipëri, por edhe në rajon, pothuaj ndër të gjithë popujt e botës, kënga bën histori. Historia jo gjithmonë bëhet këngë. Me Osman Haxhiun, për të cilin kam nderin dhe përgjegjësinë të shpreh dy fjalë nderimi sot, përpara këtij auditori të respektuar, ka ndodhur, fatmirësisht, një rezonim i harmonishëm i koherencës historike me emocionalitetin e këngës burimore, të gurrës popullore, kushtuar atij, e cila është një nga perlat e gjerdanit të praruar, që zbukuron fondin e pasur të Epikës Historike të Luftës së Vlorës. Kjo dukuri ndodh, sepse, është pikërisht kontributi i Osman Haxhiut, përveç të tjerash, sidomos në organizimin dhe në drejtimin e Luftës së Vlorës, që i përmbush parametrat, kriteret shkencore të historiografisë dhe “ligjet” e pashkruara apo parimet specifike të folkorit, sepse ndërkohë Osman Nuri, jo vetëm në Vlorë, me rreëthinat e krahinat e saj, vlerësohej, edhe si një njeri me nam të lartë, ndërkohë që njihet nga historia dhe folkloristika si emblema e Luftës së Vlorës. Ai qe figura qendrore e Luftës së Vlorës, ai qe udhëheqësi i urtë e vizionar i Zjarrit Kombëtar, që shpërtheu e buisi nga Ashti i Nderit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Atij i thonë edhe Leonidha e Epopesë Termopiliane të Njëzetës, sepse Ai, 12 anëtarët e Komitetit të Mbrojtes Kombëtare të Luftës së Vlorës, me 4 mijë trima të armatosur dhe me 800 mijë shqiptarë të tjerë, që edhe pse s’ishin fizikisht, shpirtërisht dhe materialisht ishin të pranishëm në Vlorë, duke i zbardhur faqen Atdheut para botës, mbas 500 vjetësh robëri e pa liri. Osman Haxhiu me të tijtë (kupto, gjithë shqiptarët: pjesëmarës fizikë, materialë dhe shpirtërorë) u ngrit trimërisht në këtë Termopile Shqiptare të Kohës së Re, për t’u vënë kufirin te thana (në kontekstualitet, aq sa qe e mundur) kërcënimeve të tërësisë tokësore dhe ekzistencës tonë kombëtare.
Për jetën dhe veprën e Osman Haxhiut ka histori të shkruar dhe këngë të kënduara, që qarkullojnë, të cilat janë nga të paktat që kanë ende jetë folklorike jo vetëm në Armen apo në Dukat. Monumentin e përjetshëm në lëvizje, Osman Haxhiut, ia ka gdhendur, si ai, me monografinë voluminoze, të nivelit akademik në 310 faqe, qysh në vitin 2001, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh. Dëshiroj të ravijëzoj telegrafisht çmueshmërinë kombëtare të Osman Haxhiut për Luftën e Vlorës, 1920.
Për të parë një raport më të drejtë, më të vërtetë të vlerësimit popullor dhe historisë së shkruar, nga i cili krahasimi kontributiv për këtë epope bëhet natyrshëm shkuam në Armen, në vendlindjen e Osman Haxhiut. Duke vlerësuar rëndësinë e lëndës, burimet ku mbështetemi për realizimin e qëllimit historiko – folkloristik që kemi, dokumentacionin, literaturën referuese, dëndësinë dhe besueshmërinë e informacionit, me objektiv të qartë e kryem një ekspeditë vetiake në fshatin ku u lind emblema e luftës së Vlorës. Një figurë e pastër atdhetare, interesante, me kapital, me shpirt, e respektuar, nga të paktët e Parisë së Vlorës që u fut në gjirin e këngës, në fondin e artë të folklorit. Ali Asllani e quante Mojsiu i Vlorës, Patriarku i Lirisë. Njerëzit e cilësonin Div i Vlorës. Ndërsa krijuesi popullor ia gdhendi portretin me tre vargje monumentale “Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”. Osman Haxhiu, të vetmin ideal kishte Atdheun dhe për Atdheun punoi e luftoi me një fanatizëm fetar. Kur, buzëmbrëmjen e 12 marsit 1937, vigani i shqiptarizmës 52 – vjeçar, u shua, se iku nga jeta, u mbyllën dyqanet dhe u ulën flamurët në gjysmështizë. Revista “Përpjekja Shqiptare” do të shkruante: “Pas atij të Ismail Qemalit, Vlora s’ mban mend një varrim kaq madhështor”. Ali Asllani, i cili qe kryetar Katundarisë së Vlorës (sot Bashkia) ka përmendur gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut dhe burrave të tjerë të gjykimit dhe përfaqësimit të duhur popullor. Kemi dëgjuar nëpër festa, festivale dhe patjetër atje, te burimi, në Armen të këndohet për Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Do të evidentoj një miniretrospektivë tepër e ngushtë kohore, jo më tutje se një vit nga Ngjarja e Madhe.
Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912 – ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pamundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese, sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë, saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës, me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar. Dihet e vlerësohet, jo vetëm në Vlorë e krahinat e saj, thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit të pushtimit: “Ky flamur na thërret në këtë ditë të shenjtë për bashkimin e trojeve shqiptare, siç e ka lënë amanet Ismail Beu. Vlora është shqiptare. Jashtë pushtuesit!”
Duke vijuar kronologjikisht, konturohen për historinë vendimet historike të Kongresit të Lushnjes, që hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Për të drejtuar lëvizjen kombëtare, në prill 1920, u krijua përsëri, brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, në të cilin hyri dhe Q. Koculi. Deputeti tjetër S. Koleka u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri e aprovoi programin e komitetit.
Pasi u bënë përpjekjet e duhura për fillimin e kryengritjes, KMK thirri me urgjencë parinë e qytetit e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend që do të mbahej ilegalisht në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Të gjithë pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes.
Emrat e tyre janë “emblema e LV” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin. Kryetar i komitetit u zgjodh Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh, nën kryesinë e Qazim Koculit, ish oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake. Kuvendi mori vendim t’u bënte thirrje për të rrëmbyer armët gjithë qytetarëve dhe fshatarëve të krahinave të pushtuara dhe sidomos të Labërisë. Më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë, me armë e pa armë, u paraqitën në Beun dhe në pikat e tjera të caktuara, të organizuara në çeta, secila nën komandën e një fshatari trim, të zgjedhur nga vetë vullnetarët. Thirrjes iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej gati 300 vetash, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish prej afro 4 mijë vullnetarësh patriotë.
Më 3 Qershor dërguan ultimatumin e famshëm historik italianëve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: “Ne e dimë se një popull i vogël, siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…”. Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe, të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë:
“O Qemal për këtë ditë,
Të ishe ndodhur i gjallë,
Ç’do të kishin parë sytë,
Osmani 20 vjeç djalë,
Bridhte malit pa opinga
Bashkë me Sali Muranë…”
Edhe në këngë të tjera bëhet portreti i Osman Haxhiut në mënyrë të mrekullueshme, me vargjet e luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtarit të madh të Labërishtes, Mato Hasani i Bratit:
” Ç’të them për Osman Picarë,
agai që mbahet rëndë,
kur shkon kaluar në kalë
flet pak e flet me mënd.
Ështe ilaç për fukaranë
për krahinë, mall e gjënë
miqtë e tij i ka të rrallë
një flori, tjatri argjëndë…
Lufta e Vlorës qe, si hapësirë vërtetë lokale, si kohë zgjati 2 – 3 muaj, e lartësisht fisnikërisht fitoi profilin e një luftë mbarëkombëtare, statusin e së cilës ia jep historia vetë. Lufta e Njëzetës mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku shqiptarët treguan vitalitetin e tyre të rrallë, se i thanë botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjëndje të bëjë një popull i vogël, fukara, por patriot edhe kur lufton me të drejtë kundër një fuqie të madhe jo vetëm hiperbolikisht 40 miljonëshe. Ajo luftë mbarë shqiptare, ku vetëm treva labe dha rreth 100 dëshmorë e u plagosën mbi 130 vetë.
Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.
Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:
Ulu, o mali me borë
që të shoh përtej në Vlorë
Osman Haxhiun me forrë
që ngrihet Baba Tomorrë…
Fytyra e këtij “vigani” është gdhendur në këto vargje monumentale:
…Osmani ç’i hipi kalit
bëri poshtë buzës së malit
seç i foli gjeneralit
dil sterës e jo limanit
breshkamadh i breshkamadhit
të shoç të zotë e vatanit….
Këtu figura e tij del epike, madhështore, si një gjeneral popullor, i paharruar. Për këtë figurë të shquar mund mund të shkruajmë faqe të tëra pa fund. Por duhet të theksojmë se, emri i tij është përmendur shkarazi në monizëm, po ashtu edhe sot.
Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çiflikun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.
Në 50 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë u dekoruan me më të thjeshtën medalje “Për veprimtari patriotike” që është shumë pak. Atë medalje e meriton çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.
Në kohën e demokracisë s’është kujtuar Lufta heroike e Vlorës ashtu siç duhej, edhe në raste përvjetorësh.
Bashkia e qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin”Qytetar Nderi”, i ka vëne një lagjeje e një rruge emrin e tij, kurse presidenti Alfred Moisiui akordoi medaljen.
Atdhetari i madh, Osman Haxhiu, veprimtaria e të cilit meriton t’u bëhet e njohur lexuesve shqiptarë të kohës sonë dhe të ardhmes.
Atdhetarë të tillësi Osman Haxhiu meritojnë të nderohene të përkujtohen jo vetëm nga populli, që i ka përjetësuar nëpërmjet këngëve të tij të bukura, por edhe nga qeveritarët tanë në shkallë krahinore e kombëtare. Ata bënë aq shumë për ne e për pasardhësit tanë. Ne duhet të përpiqemi të shkundim pluhurin e harresës që ka rrezik ti mbulojë emrat e tyre.
Për të ndriçuar figurën e Heroit kryesor të Luftës së Vlorës të vitit 1920 anëtarit të guximshëm e të mënçur të parlamentit të parë shqiptar, përkrahësisht të qeverisë së parë demokratike Fan Nolit e të gjithë përparimtarëve të kohës për të cilën Vlora (dhe jo vetem Vlora) duhet të bëjë edhe diçka më shumë për të përkujtuar kujtimin e tij.
Me këto rrezëllime mendimesh mbërrijmë atje ku i bëri koka “dënk” këtij patrioti të kulluar. Aty takuam, ndër të tjerë moshatarë edhe një më të ri se “lisat e moçëm të fshatit” mësuesin veteran Shpresim Kasaj, i cili, për fat të mirë, ua kishte vjelur kujtimet e vyera më pleqve që e kishin parë me sy LV, dhe kishin luftuar për ta shporrur “Talanin” më Njëzetën. Shpresimi është 70 vjeç, me arsim të lartë, lindur dhe banues për gati një jetë të tërë në Armen, i cili për një kohë të gjatë ka qenë dhe drejtor i shkollës së mesme. Informacioni i tij na plotëson panoramën për kontributin e patriotëve të Armenit në pavarësinë konkrete të atdheut dhe ne po e japim të plotë:
Fshati Armen është një fshat me peshë e me një zë të veçantë në historinë e luftërave për liri të krahinës së Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Gjatë gjithë etapave të historisë, ky fshat ka nxjerrë nga gjiri i tij djem e burra të shquar, si për penë e mendje, ashtu edhe për dyfekë e trimëri, që janë radhitur me burra të shquar të Vlorës dhe i kanë dalë zot vatanit në stuhitë dhe rrebeshet e kohërave. Në ndonjë periudhë të historisë, ata kanë dalë edhe në udhëheqje e drejtim, si në Luftën e Vlorës më 1920, ku Osmën Haxhiu e Sali Bedini ishin: njëri kryetar e tjetri anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi këtë luftë.
1. Osman Haxhiu – ish njohur me Ismail Qemalin në Stamboll kur vazhdonte “Robert Kolexhe”. I ati i tij, Haxhi Muhameti, ish mik i familjes Vlora, i Syrja e Xhemil bej Vlorës. Ai kish marrë pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës në vitin 1909 bashkë me Mehmet Seit Mavrovën, Hasan Sharrën, Abaz Nurin e Ali Asllanin. Haxhi Muhameti bekoi flamurin më 20 nëntor 1912 bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin dhe at Marko Moçkën. I biri i tij, Osmani ish anëtar i Klubit “Bashkimi” të Janinës dhe më pas i Klubit “Labëria” të Vlorës. Ai mori pjesë në shumë takime me patriotë të ndryshëm ku flitej për autonominë dhe pavarësinë endnit. Ai mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës së Korrikut më 1911 dhe mbështeti Memorandumin e Gërçes dhe hodhi idenë e luftës së armatosur kundër pushtuesit osman. Ai bëri fushatë për kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk. Qe sekretar i prefekturës së parë të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit e më pas prefekt i Vlorës. Është i njohur aktiviteti i tij si organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës.[1] Dua të bëj me dije këtë auditor të nderuar, se QSA, IH, këtë verë që shkoi, botoi një libër të munguar dhe të duhur për historiografinë shqiptare me titullin “Kujtime – nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës” dhe vetë Instituti i Historisë ka promovuar së fundmi botimin me kujtimet e Syrja bej Vlorës. Përgatitur nën kujdesin e historianit Marenglen Verli këto kujtime shfaqen interesante për lexuesin. Babai i Eqerem Bej Vlorës, kushëri i parë dhe rival politik i Ismail Qemalit, kunat i Esat Pashë Toptanit, ambasador në Vjenë apo drejtor i doganave osmane, Syrja Vlora është padiskutim një personazh i rëndësishëm i epokës. Historiani Verli, që është kujdesur për botimin pohon se kujtimet janë shkruar nga Syrja bej Vlora rreth viteve ’20. Çuditërisht ato ndodheshin që pas Luftës së Dytë Botërore në Arkiv, por nuk u publikuan deri më sot. Këto kujtime kanë rëndësi, sepse sipas historianëve Syrja bej Vlora e nis rrëfimin e tij me pushtimin osman të Shqipërisë e deri tek Lufta e Vlorës. Përse e përmenda këtë fakt? Jo vetëm fakte, por edhe përshkrime mjaft të veçanta nga jeta politike tek ajo personale mbi emra si Esat Toptani, Preng Doda, Ahmet Zogu e mbi të gjitha Ismail Qemali, për të cilin ai shkruan ndër të tjera se “fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte një të metë, aftësinë e të mashtruarit me fjalë”. Syrja bej Vlora konfirmon atë që ka ndodhur dhe atë që mban mend kujtesa sociale, duke e transmentuar brezash, se ushtria italiane pushtimit, e thyer dhe e trembur nga zemrat trimëroshe shqiptare, “për hakmarrje dhe për të frikësuar popullin, u vunë zjarrin konakut të Osman Efendi Haxhiut në Vlorë, shtëpisë së Qazim Efendi Kokoshit me vëllezërit dhe shtëpisë së Koleka Efendiut në Ujë të ftohtë…[2]” . Kanë kaluar më shumë se 93 vjet nga Lufta e Madhe e Vlorës e, jo thjeshtë për të bërë një nderim të meritura nda asaj ngjarje dhe heronjve viganë të saj, por sidomos për vështrim krahasimtar, për perspektivën shqiptare në familjen qytetare europiane,natyrshëm më vjen në kujtesën vetake kënga tradicionale, e tabanit, e burimit, apo quajeni si ta ndjeni, por me vargjet e gdhendura me shpirtin fisnik të dinjitetit shqiptar:
“Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”.
Vlorë, e diel, 24. 11. 2013, ora 10. 00
[1] ) Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit, Habazaj, Albert, Lufta e Vlorës – historia në epikën historike, Tiranë, 2013, f. 85 – 86.
[2] )Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Syrja Vlora, Kujtime , nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, Tiranë, “ICEBERG” Publishing House, 2013, f. 195.